Ndue Dedaj: Protesta, “poli” politik jopartiak

PROTESTA, “POLI” POLITIK JO PARTIAK
- Dhe pyetja e pashmangshme: “Ku ishte ti Adam?”
-

Asnjë
proteste nuk i është shpallur luftë sa kësaj që ka 54 ditë që ka ngritur peshë
Shqipërinë, veçanërisht Tiranën, që me fillimin e verës dhe të vapës. Ajo nuk
është organizuar nga partitë, por nga thirrja qytetare e të gjithë atyre që e
ndiejnë veten të prekur nga abuzimet dhe aferat e pushtetit të një mazhorance
të korruptuar. Të gjithë ishin aty që nga dita e parë dhe janë ende për diçka a
shumëçka që ka shkuar keq në qeverisjen e vendit. Kush për Zvërnecin. Kush për
Rrjollin. Kush për Nikaj -Mërturin. Kush për investimet strategjike, pa
strategji kombëtare. Kush për zonat e (pa)mbrojtura, pyjet e djegura e lumenjtë
e shkatërrurr. Kush për bregdetin e ndarë në “ngastra” me tela me gjemba. Kush
për kullat frymëzënëse të kryeqyetit të pabanuara. Kush për shërbimin spitalor
me mungesa (rasti i Onkologjikut). Kush për renditjen nga fundi të shkollimit
(raporti i Pisa). Kush për plehrat që kanë mbuluar rrugët. Kush për lënien në
baltë të fermerëve dhe bostanin që kalbët në ara. Dhe paçka të gjitha këtyre e
të tjera, një arrogancë qeverisëse e parlamentare e pashembullt dhe gjuhë
cfilitëse me “sorra e korba”, sa thua si është e mundur të shkohet deri këtu.
Atëherë,
a mund të imagjinohet ta quash veten intelektual pa parti dhe të merresh me
llafollogji rrjetesh sociale kundër protestës? “Filozofime” pafund kafenesh,
individësh mediokër që përpiqen të korrektojnë slloganet, titrat, gjuhën e protestës.
Atyre dhe gjithkujt duhet t’i mjaftojë fryma e shëndoshë e protestës. Nëse nuk
e kupton, më e pakta mund të heshtësh, pa i bërë gjyqin një lëvizje rinore,
qytetare që i trazon ujërat e ndenjura që krijojnë moçal. I drejtohemi së pari
kësaj kategorie sociale, pasi kjo nuk ka intersa partiake dhe normalisht
“partia” e tyre është zëri i përbashkuar qytetar. Reagimi publik ndaj
padrejtësive është ndjesia e lirisë prenda vetes.
Është
rast unikal në Shqipëri të protestohet prej afër dy muajsh nga njerëz qendrestarë,
ndërkohë që të tjerët bëjnë jetën e tyre të patrazuar, sidomos duke mos i
lëshuar kafenetë, edhe kur protestuesit iu kalojnë pranë dhe i ftojnë që t’iu
bashkohen. Për protestuesit, a thua se janë në shesh për vete, nuk ka qejfe,
nuk plazhe, nuk ka fundjava, pasi ata kanë një mision ndryshimi edhe për ata që
nuk e prishin qetësinë, bile dhe për ata që i sulmojnë, parlamantarë,
qeveritarë etj.
Protesta
i dha Shqipërisë atë dinamikë që i mungonte në 36 vjet, zërin publik – politik
jo partiak. Kjo është kambana e re e munguar, që tash e mbrapa nuk ndalet më.
Është në fakt njëfarë poli “politik” mbi politikën tradicionale. Ajo finalizoi
protestën qytetare që pati dy zhvillime të mëparshme mjaft të vlefshme:
protestën kundra “armëve kimike” dhe atë të studentëve. Prandaj kjo Protestë do
të shkruhet gjithmonë me shkronjë të madhe.
Protesta
54 – ditore dëshmoi bashkimin për herë të parë të gjithë opozitarizmit ndaj
qeverisjes së majtë e të djathtë, duke kërkuar largimin e kësaj klase politike.
Qëndrueshmëria e protestës, kurajo, thirrjet për ndryshim, kumti dhe mesazhet e
saj, qetësia dhe urtësia e saj dëshmuan se nuk ishte e mjaftueshme protesta
partiake, se ajo është e paragjykuar në çdo rast nga pala tjetër, edhe kur
ishte më shumë se partiake, si rasti i Teatrit dhe kësisoj shtypej me pahir nga
policia e urdhëruar.
Protesta
ishte edhe e diasporës, që shkëlqeu në dy ardhjet e saj masive, përpos se ajo u
tubua dhe atje ku rron, punon e vepron. Asnjëherë mërgata e re shqiptare në
Perëndim nuk ka qenë më protestuese dhe e interesuar për zhvillimet në
Shqipëri, që këtu të mos tjetërsohet natyra, trashëgimia, identiteti kulturor
dhe ekonomik. Kishim thënë aq shumë supërlativa patriotike për mërgatën në
konferencat kushtuar saj, ngaqë e dinim diçka të largët, “të huaj”, por
ndryshoi krejt diskursi politik i mazhorancës, kur ajo u dynd këtu për të na
thënë, jemi dhe ne të këtij atdheu, nuk kemi një tjetër.
Protesta
ishte pasqyra ku e pa veten, të munguar Presidenti, të lodhur e irrituar
Kryeministri, të përgjumur ministrat, të pazëshëm deputetët e pozitës,
daullexhinjtë e qeverisë - lidhur pas saj për intersa përfitimesh të
paligjshme, patronazhistët e shumtë mediatikë etj.
Protesta
u tregoi anëtarëve të partive politike, punëtorëve të zellshëm të partisë se
kjo e fundit nuk është e para, por Shqipëria dhe me mirë një “mosbindje”
partisë sot se sa një skuqje fytyre nesër para historisë.
Duhet
thënë se koha dhe jeta politike mbas Protestës gjerat nuk do të jenë kurrësesi
si më parë, protesta qeverisë do t’i shfaqet në ëndrra si makth, qoftë dhe
vetëm nga prania në tubime e grave me karrocat me fëmijë, kurse qytetarëve si
një fatbardhësi e mundësi që ata të ndikojnë drejtpërdrejt në qeverisjen e
vendit, se tranzicioni nuk ishte i dhënë njëherë e përgjithmonë. Se vërtetë
duhen shfuqizuar disa ligje që protesta i ka evidentuar, që kanë të bëjnë me
investimet strategjike, zonat e mbrojtura etj., por para së gjithash duhet
prishur marrëveshja dy-moniste PS-PD e vitit 2008 për emërimin e deputetëve dhe
kryebashkiakëve nga krerët e këtyre dy partive. Kjo ka sfumuar forumet partiake
dhe vetë qeverinë, e cila nuk del në lajme as sa podcasti i kreut të saj, çka,
si pa e kuptuar, e ka shndërruar Shqipërinë në një si republikë presidenciale,
ku rolin e liderit të vendit e luan kryeministri.
Protesta
si një skanër i shoqërisë, zbuloi gjithashtu sa e vogël dhe e kompleskuar është
bota e interesave të shumëkujt, me të vetmen “lopë” për t’u mjelë, qeverinë,
duke përfituar nga lekët e popullit dhe privilegjet e shtetit.
Shumë
fytyra (asesi figura) publike nuk do të dëshironim kurrësesi t’i shihnim në
pozitën mjerane të puthadorit, disa që vinin nga 8 nëntori i largët i 41-it,
duke u stërmunduar për të gjetur argumente në favor të qeverisë së rënë në
zollumin e vet. Kjo tregon se sa keq është instaluar ky pushtet në mediat e
sponsorizuara nga asetet shtetërore, kanale televizive, portale etj. Do mbetën
një shëmti televizive, i ndonjë stacioni patronazhist, filmimet me dron në
kohën që protestuesit po tuboheshin në shesh, për të treguar kinse numrin e
paktë të protestuesve, si kundrapeshë e tejmbushjes së tij bulevardit dhe rreth
kryeministrisë në ditët kulmuese të protestës, që sigurisht nuk mund të ishte
ashtu në të gjitha ditët.
Protesta
mbipartiake nuk ndalet më dhe ky është thelbi i kësaj proteste historike.
Doemos,
siç ka ngjarë gjithmonë, për të qenë trendi, nuk do të mungojnë “trimat pas
luftës”. Kur të shkruajnë kujtimet, pas do vitesh, edhe vetë pushtetarët, le
pastaj ata që u bëjënë fresk do të na thonë me krenari se nipat i kishim dhe ne
në protestën e verës 2026, paçka se domokracia nuk i kërkon llogari askujt: “Ku
ishte ti Adam?”, në kuptimin që ka marrë kjo shprehje e famshme në kohën e sotme.


