Fejzulla Berisha: Subjektivizimizimi i Plotë Ndërkombëtar i Kosovës

2h më parë

Subjektivizimizimi i Plotë Ndërkombëtar i Kosovës - Domosdoshmëria Strategjike për Fuqizimin e Shtetit dhe Partneritetin me Shqipërinë

(Duhet ta fuqizojmë Kosovën dhe ta subjektivizojmë plotësisht në Organizatën e Kombeve të Bashkuara; vetëm një Kosovë e njohur, e konsoliduar ndërkombëtarisht dhe e integruar në institucionet globale mund ta ndërtojë në mënyrë të sigurt të ardhmen e saj në partneritet të ngushtë strategjik me Shqipërinë.)

Nga Prof. Dr. Fejzulla BERISHA

Kosova në procesin e konsolidimit shtetëror dhe ndërkombëtar

Në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare, krijimi i një shteti nuk përfundon me shpalljen e pavarësisë. Ai është një proces i vazhdueshëm i ndërtimit të institucioneve, forcimit të sovranitetit, sigurimit të legjitimitetit ndërkombëtar dhe afirmimit të rolit të tij në bashkësinë e shteteve.

Republika e Kosovës paraqet një rast të veçantë në zhvillimin e së drejtës ndërkombëtare bashkëkohore. Rruga e saj drejt shtetësisë është e lidhur me një histori të gjatë politike dhe juridike, me përpjekjet për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, me ndërhyrjen e komunitetit ndërkombëtar në vitin 1999 dhe me procesin e administrimit ndërkombëtar nën autoritetin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 shënoi një moment historik për popullin e Kosovës dhe për zhvillimet politike në Evropën Juglindore. Ajo krijoi një realitet të ri shtetëror, të mbështetur mbi parimet e demokracisë, respektimit të të drejtave të njeriut dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Megjithatë, përvoja historike e shteteve dëshmon se pavarësia është vetëm fillimi i një procesi më të gjerë. Një shtet e forcon pozitën e tij kur arrin të konsolidohet brenda dhe të afirmohet plotësisht jashtë kufijve të tij.

Për Kosovën, objektivi strategjik i kohës sonë është fuqizimi i shtetit dhe përmbyllja e procesit të subjektivizimit të plotë ndërkombëtar, veçanërisht përmes anëtarësimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Kosova në dritën e së drejtës ndërkombëtare dhe kriteret e shtetësisë

Në zhvillimin e së drejtës ndërkombëtare, shteti paraqet subjektin themelor mbi të cilin është ndërtuar rendi juridik ndërkombëtar. Ekzistenca dhe funksionimi i një shteti nuk mbështeten vetëm në aktin politik të krijimit të tij, por në përmbushjen e disa kritereve themelore që përcaktojnë kapacitetin e tij për të ushtruar autoritet, për të garantuar rendin juridik dhe për të marrë pjesë në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Një nga referencat më të rëndësishme në këtë drejtim është Konventa e Montevideos e vitit 1933 mbi të Drejtat dhe Detyrat e Shteteve, e cila përcakton katër elemente kryesore të shtetësisë: popullsinë e përhershme, territorin e përcaktuar, qeverinë efektive dhe aftësinë për të hyrë në marrëdhënie me shtetet e tjera.

Republika e Kosovës i përmbush këto kritere themelore të shtetësisë. Ajo ka një popullsi të përhershme, një territor të përcaktuar, institucione shtetërore të krijuara mbi bazën e një rendi kushtetues demokratik dhe aftësi të dëshmuar për të zhvilluar marrëdhënie ndërkombëtare.

Realiteti shtetëror i Kosovës dhe procesi historik i krijimit te saj

Rruga e Kosovës drejt shtetësisë është rezultat i një procesi të gjatë historik, politik dhe juridik. Gjatë dekadave të fundit të shekullit XX, Kosova u përball me një periudhë të rëndë të cenimit të të drejtave politike, institucionale dhe qytetare të popullsisë së saj.

Këto zhvillime krijuan një krizë të thellë politike dhe humanitare, e cila çoi në angazhimin e drejtpërdrejtë të komunitetit ndërkombëtar. Ndërhyrja ndërkombëtare e vitit 1999 shënoi një kthesë të rëndësishme dhe vendosi bazat për një proces të ri institucional nën administrimin ndërkombëtar.

Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara krijoi një kornizë juridike për administrimin e përkohshëm ndërkombëtar në Kosovë dhe për ndërtimin e institucioneve vetëqeverisëse. Ky proces hapi rrugën drejt përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës.

Pas një procesi të gjatë politik dhe diplomatik, Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008, duke u paraqitur si një shtet i ri në hartën politike të Evropës.

Legjitimiteti juridik i shtetësisë së Kosovës

Pavarësia e Kosovës duhet të analizohet në kuadër të zhvillimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe rrethanave konkrete historike. Çështja e Kosovës nuk ishte një proces i izoluar, por rezultat i një periudhe të gjatë konfliktesh, përpjekjesh diplomatike dhe angazhimit të bashkësisë ndërkombëtare për krijimin e një zgjidhjeje të qëndrueshme.

Një moment i rëndësishëm juridik ishte mendimi këshillimor i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë i 22 korrikut 2010, ku u vlerësua se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Ky mendim i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë përbën një referencë të rëndësishme në debatin juridik ndërkombëtar, sepse konfirmoi se akti i shpalljes së pavarësisë nuk ishte në kundërshtim me normat e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare.

Kosova drejt konsolidimit të plotë ndërkombëtar

Megjithëse Kosova ka ndërtuar institucionet e saj shtetërore dhe ka arritur njohje nga një numër i konsiderueshëm shtetesh, procesi i konsolidimit ndërkombëtar vazhdon të mbetet një objektiv strategjik.

Qëllimi kryesor është fuqizimi i mëtejshëm i shtetit dhe subjektivizimi i plotë në institucionet ndërkombëtare. Vetëm një Kosovë e fortë, demokratike dhe e integruar në strukturat universale mund ta sigurojë në mënyrë të qëndrueshme të ardhmen e saj.

Prandaj, forcimi i institucioneve, zhvillimi ekonomik, diplomacia aktive dhe integrimi euroatlantik duhet të jenë shtyllat kryesore të strategjisë së ardhshme shtetërore të Kosovës.

Subjektiviteti ndërkombëtar i Kosovës dhe domisdoshmëria e anëtarësimit në OKB-ës

Subjektiviteti ndërkombëtar përbën një nga shtyllat themelore të ekzistencës së një shteti në rendin juridik bashkëkohor. Një shtet nuk përcaktohet vetëm nga institucionet e tij të brendshme, por edhe nga aftësia për të marrë pjesë në mënyrë të barabartë në marrëdhëniet ndërkombëtare, për të krijuar marrëveshje, për të mbrojtur interesat e veta dhe për të kontribuar në institucionet që drejtojnë bashkëpunimin global.

Republika e Kosovës, që nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008, ka ndërtuar një realitet të ri shtetëror në Evropën Juglindore. Ajo ka krijuar institucione demokratike, ka zhvilluar marrëdhënie diplomatike me shumë shtete dhe ka dëshmuar kapacitetin e saj për të vepruar si subjekt i së drejtës ndërkombëtare.

Megjithatë, konsolidimi i plotë i pozitës së Kosovës në sistemin ndërkombëtar kërkon përmbylljen e procesit të integrimit në institucionet universale, veçanërisht në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Anëtarësimi në OKB-objektiv strategjik i shtetësisë së Kosovës

Organizata e Kombeve të Bashkuara është institucioni më gjithëpërfshirës i rendit ndërkombëtar dhe simboli kryesor i bashkëpunimit ndërmjet shteteve. Anëtarësimi në këtë organizatë përfaqëson një shkallë të lartë të afirmimit ndërkombëtar dhe i mundëson një shteti të marrë pjesë në proceset ku përcaktohen çështjet globale të paqes, sigurisë dhe zhvillimit.

Për Kosovën, anëtarësimi në OKB nuk është vetëm një çështje diplomatike, por një objektiv me rëndësi historike dhe juridike. Ai do të forconte pozitën e saj ndërkombëtare, do t'i jepte mundësi më të mëdha për përfaqësim dhe do të konfirmonte rolin e saj si faktor konstruktiv në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Rruga drejt OKB-së kërkon një kombinim të argumenteve juridike, diplomacisë aktive dhe mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë. Në këtë proces, Kosova duhet të vazhdojë të dëshmojë se është një shtet i orientuar drejt paqes, demokracisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Mendimi këshillimor i gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë dhe rëndësia e tij

Një nga momentet më të rëndësishme juridike për Kosovën ishte mendimi këshillimor i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë i datës 22 korrik 2010.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, si organi kryesor gjyqësor i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, vlerësoi se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Ky zhvillim kishte rëndësi të veçantë, sepse konfirmoi se akti i shpalljes së pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me normat e përgjithshme juridike ndërkombëtare.

Edhe pse ky mendim nuk përbënte akt formal të njohjes së shtetit të Kosovës, ai krijoi një bazë të fuqishme juridike për afirmimin e pozitës së saj ndërkombëtare dhe për procesin e mëtejshëm të njohjeve.

Diplomacia si mjet i konsolidimit ndërkombëtar

Në marrëdhëniet ndërkombëtare bashkëkohore, fuqia e një shteti nuk varet vetëm nga madhësia e tij, por edhe nga aftësia për të ndërtuar aleanca, për të mbrojtur interesat e veta dhe për të paraqitur një vizion të qartë politik.

Për Kosovën, diplomacia duhet të jetë një instrument strategjik i afirmimit shtetëror. Ajo duhet të mbështetet në profesionalizëm, në argumente juridike dhe në partneritete të qëndrueshme me shtetet demokratike të botës.

Vetëm përmes një politike të tillë, Kosova mund ta përmbyllë me sukses procesin e subjektivizimit të saj ndërkombëtar dhe të sigurojë një pozitë të qëndrueshme në familjen e kombeve.

Partneriteti strategjik Kosovë–Shqipëri dhe roli i tij në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar

Në realitetin e ri gjeopolitik evropian dhe ndërkombëtar, marrëdhëniet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë përbëjnë një faktor të rëndësishëm me ndikim në stabilitetin, zhvillimin dhe perspektivën euroatlantike të hapësirës shqiptare në Ballkan.

Dy shtetet shqiptare, si subjekte të pavarura të së drejtës ndërkombëtare, kanë përgjegjësi historike që bashkëpunimin e tyre ta ndërtojnë mbi parimet e fqinjësisë së mirë, respektit reciprok, integrimit evropian dhe forcimit të pozitës së tyre ndërkombëtare.

Partneriteti strategjik Kosovë–Shqipëri nuk duhet të kuptohet vetëm si një lidhje historike dhe kulturore, por si një projekt i përbashkët zhvillimi dhe sigurie, i cili respekton plotësisht realitetin e dy shteteve sovrane dhe kontributin e tyre në paqen rajonale.

Fuqizimi i Kosovës si interes strategjik kombëtar dhe ndërkombëtar

Një Kosovë e fuqishme, demokratike dhe e konsoliduar ndërkombëtarisht është në interes jo vetëm të qytetarëve të saj, por edhe të stabilitetit të gjithë rajonit.

Forcimi i institucioneve të Kosovës, zhvillimi ekonomik, sundimi i ligjit dhe afirmimi diplomatik janë elemente themelore për ndërtimin e një shteti të qëndrueshëm dhe me ndikim.

Shqipëria, si shtet anëtar i NATO-s dhe faktor i rëndësishëm në rajon, ka një rol të veçantë në mbështetjen e proceseve që kontribuojnë në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës. Ky rol duhet të zhvillohet përmes diplomacisë së përgjegjshme dhe në përputhje me parimet e së drejtës ndërkombëtare.

Bashkëpunimi Kosovë–Shqipëri si model evropian

Evropa moderne është ndërtuar mbi parimin se bashkëpunimi ndërmjet shteteve është rruga më e sigurt drejt paqes dhe zhvillimit. Në këtë frymë, bashkëpunimi Kosovë–Shqipëri duhet të shihet si pjesë e procesit të integrimit evropian.

Bashkëpunimi në ekonomi, energji, arsim, kulturë, infrastrukturë dhe siguri krijon mundësi që të dyja shtetet të rrisin kapacitetet e tyre dhe të kontribuojnë më fuqishëm në rajon.

Një Kosovë e integruar plotësisht në strukturat ndërkombëtare dhe një Shqipëri me rol të konsoliduar euroatlantik do të përbënin një faktor të rëndësishëm stabiliteti në Ballkanin Perëndimor.

Vizioni euroatlantik dhe e ardhmja e përbashkët

E ardhmja strategjike e Kosovës dhe Shqipërisë është e lidhur me vlerat demokratike, integrimin evropian dhe forcimin e partneritetit me aleatët ndërkombëtarë.

Për Kosovën, rruga drejt integrimit euroatlantik është e lidhur drejtpërdrejt me konsolidimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar dhe me anëtarësimin në organizatat universale.

Një Kosovë e njohur dhe e fuqishme ndërkombëtarisht do të jetë në gjendje të zhvillojë marrëdhënie të barabarta me të gjithë partnerët dhe të kontribuojë në ndërtimin e një rajoni më të sigurt e më demokratik.

Prandaj, partneriteti strategjik Kosovë–Shqipëri duhet të mbetet një nga shtyllat kryesore të vizionit për të ardhmen: dy shtete sovrane, të fuqishme dhe të integruara në familjen euroatlantike.

Kosova si subjekt i plotë ndërkombëtar dhe misioni historik për të ardhmen

Procesi historik i Kosovës është një dëshmi e përpjekjes së vazhdueshme për liri, demokraci dhe afirmim ndërkombëtar. Nga një periudhë e vështirë e përballjes me shkeljen e të drejtave themelore, deri te krijimi i institucioneve shtetërore dhe shpallja e pavarësisë, Kosova ka kaluar nëpër një rrugë të gjatë dhe komplekse.

Megjithatë, historia e shteteve dëshmon se pavarësia politike duhet të shoqërohet me konsolidim të vazhdueshëm juridik, institucional dhe ndërkombëtar. Për këtë arsye, objektivi themelor i Kosovës mbetet fuqizimi i saj dhe përmbyllja e procesit të subjektivizimit të plotë në sistemin ndërkombëtar.

Kosova në familjen e Kombeve

Anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara do të përfaqësonte një hap të rëndësishëm në konsolidimin e saj ndërkombëtar. Ai nuk do të ishte vetëm një arritje diplomatike, por një shprehje e pozitës së saj si shtet që kontribuon në paqe, siguri dhe bashkëpunim ndërkombëtar.

Rruga drejt këtij objektivi kërkon unitet institucional, diplomaci të mençur dhe një vizion afatgjatë shtetëror. Në marrëdhëniet ndërkombëtare, shtetet që kanë sukses janë ato që kombinojnë legjitimitetin juridik me fuqinë institucionale dhe aftësinë për të krijuar aleanca të qëndrueshme.

Kosova duhet të vazhdojë të dëshmojë se është një faktor stabiliteti në Ballkanin Perëndimor dhe një partner i besueshëm për komunitetin ndërkombëtar.

Fuqia e brendshme – themeli i pozitës ndërkombëtare

Subjektiviteti ndërkombëtar nuk ndërtohet vetëm përmes njohjeve diplomatike, por edhe përmes cilësisë së shtetit. Një Kosovë e fortë është ajo që ka institucione demokratike, drejtësi funksionale, ekonomi të zhvilluar, arsim cilësor dhe qytetarë që besojnë në shtetin e tyre.

Prandaj, fuqizimi i brendshëm i Kosovës duhet të jetë prioritet kombëtar dhe shtetëror. Vetëm një shtet i qëndrueshëm nga brenda mund të ketë një rol të fuqishëm dhe të respektuar jashtë kufijve të tij.

Zhvillimi i demokracisë, lufta kundër korrupsionit, forcimi i sundimit të ligjit dhe krijimi i një administrate profesionale janë elemente që e rrisin besueshmërinë ndërkombëtare të Kosovës.

Mesazhi për të ardhmen

E ardhmja e Kosovës duhet të ndërtohet mbi një vizion të qartë: një shtet i fuqishëm, i njohur ndërkombëtarisht, i integruar në strukturat euroatlantike dhe i aftë për të kontribuar në paqen rajonale.

Partneriteti strategjik me Shqipërinë duhet të mbetet një faktor i rëndësishëm i këtij vizioni, duke u zhvilluar mbi bazën e respektit reciprok, interesave të përbashkëta dhe standardeve evropiane.

Parimi udhëheqës mbetet i qartë: së pari duhet ta fuqizojmë Kosovën dhe ta subjektivizojmë plotësisht në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Vetëm një Kosovë e konsoliduar ndërkombëtarisht mund ta ndërtojë në mënyrë të sigurt të ardhmen e saj dhe të luajë rolin që i takon në familjen e kombeve.

Ky nuk është vetëm një objektiv politik i kohës sonë, por një mision historik ndaj brezave të ardhshëm dhe një kontribut për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin e Evropës Juglindore.