Llesh Ndoj: Ende… pa krye!

Nga
Llesh NDOJ
Në
një reagim disi të gjatë në faqen time në facebook, titulluar: “Në pritjen e
ndërgjegjësimit të vetes për pjesmarrje në protestë, është koha me qit kryet…”
qysh me datën 6 qershor 2026, modestisht shtroja karakterin politik të
protestës dhe nevojën që ajo, si e tillë, politike pra, të udhëhiqej
politikisht, së pari për të formuluar e artikuluar kërkesa të dëshiruara nga
njerëzit, të cilat të jenë të mundshme për realizim me mjete demokratike e jo
thjesht utopi, dhe së dyti, për të eleminuar kakofoninë, vulgarizmin, urrejtjen
e degjenerimin e asaj krijese, në dukje të bukur. Shënimi im i asaj dite
përfundonte me shprehjen “Zot na ruaj nga profetët e rremë dhe vetbesimi i
tepruar.”
Ja
ku kemi mbërrit sot, në një protestë që nisi uragan e përfundon në një grusht
shkurresh të shpërndara sa andej - këndej, pa drejtues, pa shtyllë kurrizore,
pa objektiva të qarta, e mbi të gjitha me tendenca personale dhe lakmi e
ambicje për pushtet, në vend që të ndodhte e anasjellta, kauza e drejtë dhe
lidershipi i duhur për t’i prirë asaj, të cilat do të duhej t’a shtonin numrin
e pjesmarrësve dhe nga një grusht njerëzish të kthehej në një uragan, që do të
trondiste themelet e këtij pushteti të kalbur, siç ndodh me ortekun, për ata që
e njohin këtë fenomen të frikshëm natyrorë. Nga ana tjetër, në vend që gjuha të
vinte drejt moderimit, sa më shumë kalonte koha nga ngjarja e pështirë e
dhunimit të një prej protestuesve në Zvërnec, e protesta të piqej në një
lëvizje të mundshme e të konceptueshme si e realizueshme, gjuha rrëshqiti çdo
ditë e më shumë drejt dhunës e vulgarizimit dhe kërkesat u kthyen në utopi, që
askush që ka dy pare mend rreth shtetit e shtetbërjes në shoqëritë moderne, nuk
i beson ato më (ndoshta as vetë “oratorët me megafon” që kanë mbushur ekranet e
mediat sociale, si të zbriturit nga qielli për të na shpëtuar nga zhdukja), në
vend që të bëhej çdo ditë e më frymëzuese, tani është bërë e frikshme t’a lësh
ekranin e televizorit hapur në familje, pasi gjuha ka shkuar “aty ku i dhemb dhëmbi”
pikërisht vulgut të saj.
Dje
më bënë përshtypje dy shfaqje degjeneruese: i ashtuquajturi kuvend kombëtar i
protestës ku “koka e munguar” në bulevard shfaqet si padashje me etjen për të
njëjtën formë pushteti, dhe fjala tepër vulgare dhe fjalori i degjeneruar i
atij të riut në podiumin e improvizuar në darkë, gjatë shfaqjes së zakonshme.
Shfaqja në të ashtuquajturin Kuvend Kombëtar reflekton etjen e ujqërve për ta
shqyer prenë e tyre. Për disa sish (jo për masën e protestuesve), nuk kanë
rëndësi rruga dhe mjetet, as koha e realizimit, por rëndësi ka me qenë aty për
ta ndarë tortën e fitores. Asnjë ndryshim nga opozita e vjetër në këtë aspekt,
për të cilën ka rëndësi kryesimi iopozitës, pasi pushteti do të bjerë një ditë…
Nga ana tjetër, ndërsa në fillimet e saj, në shesh kishte plot gra me fëmijë në
krahë dhe vajza të reja, shfaqje kjo frymëzuese e bindëse për karakterin
paqësorë e qytetar të protestës, tash çdo ditë e më shumë shihen “leshpalarë”,
meshkuj “të tredhur”, apo gra e burra që çirren se tashmë kanë marrë drejtimin,
sipas një skenari pa asnjë improvizim, thirrjet dhunuese (dhuna s’është vetëm
ajo fizike!), po ua lëshojnë vendin veprimeve deri edhe ekstremiste, ndërkohë
që intelekti ka marr arratinë.
I
vetmi që bën politikë është Edi Rama!
Unë
e di mirë se turma nuk mund të lexojë e le të jetë kjo fjalia e fundit e imja
“një kockë” për ata që s’duan të kuptojnë, por ndaj bindjen e thellë që Edi
Rama e shpura e tij politico - qeverisëse, bashkë me Berishën e shpurën e tij
të provuar kriminale e të korruptuar, bashkë me mendësitë, se pushteti “është
lopa pëlle për t’a mjelë çdo lloj hori”, e maskuar por lehtësisht e dallueshme
edhe në revolucionin e pagëzuar “Flamingo”, duhet të ikin, duhej të kishin
ikur, u duhet ndaluar rruga drejt pushtetit përgjithmonë, por pushtetin duhet
t’a marrin njerëz me pergatitje intelektuale të formuar në Perëndim, pasunar me
djersë e atdhetarë të zjarrtë me shpirt patriotic që mendojnë çdo cast për
fatet e atdheut dhe të kombit, qe mendojnë për popullin, gjendjen dhe aspiratat
e tij, jo spurdhjakë që s’dinë ç’është familja, shoqëria, as shteti, njerëz
delirantë që mendojnë të shfryjnë epshet e tyre rastësore. Nuk e kuptoj, kush i
nxjerr në podium njerëz të tillë?
E
Edi Rama e ka kuptuar këtë prej kohësh, ndoshta edhe kontribon që gjërat të
shkojnë kështu. Ai e di se s’duhet të bëjë asgjë për të qëndruar në pushtet, se
ne duhet “t’ia dimë për nder” në se bën diçka, ndokund e ndonjëherë, sa ka
përballë opozitën “e vdekur” të Saliut (jo të PD - s), edhe me kontributin e tij,
po aq sa e kupton se asnjë rrezik nuk i vjen nga protesta si kjo, sa kohë që
ato mbeten lëvizje pa krye. Mund t’a drejtojë popullin drejt kutive të votimit
kur t’ia thotë truri e prap i fiton ato… Shoh të krekosen në ato shkallë të
improvizuara disa protestues, të cilët thonë se protesta ka mbështetje
ndërkombëtare. Pika…! Ku është ajo mbështetje? Ku duket ajo? Apo shohin disa
deputetë që në vendin e tyre s’i njeh dhe as si përfill askush? Disa fjalë
artikuluar si nëpër dhëmbë, “mbështesim protestën paqësore”, “dënojmë dhunën
ngado që të vije ajo”, apo disa individë që “mastrubohen” para kamerave, disa
që krihen si ku…para ekranit, disa… Këta janë mbështetja? Jo, kurrë jo!
Nëse
do të kishte mbështetje ndërkombëtare kjo protestë, qeveria Rama tashmë duhej
të ishte harruar. Po pse s’vjen mbështetja? Ajo nuk vjen sepse protesta s’ka
krye, se protesta s’ngjallë besim, e nga bulevardi s’ndërtohet shteti, se aty
askush dhe kurrë gjatë këtyre 50 ditëve, s’shprehet për destinacionin tonë të
pamëdyshje europian, as për miqësinë me amerikën aleate të përjetshme, se aty
s’gjenë një flamur të BE - së as të SHBA - s, ose ata përdhosen duke i
mbështjellë pas prapanice disa që as horra s’mund t’a meritojnë të quhen, nisur
nga veprimet që kryejn, thirrjet që bejnë, fjalori i rendomtë që perdorin… Dhe
shërbimi më i madh i kësaj proteste, edhe ky i paralajmëruar nëse do të vinte
kështu deri këtu ku ka mbërritur, është një qeverisje më arrogante. Për fat,
nuk janë rrethanat që ajo të bëhet diktatoriale. Bile tashmë ngjanë shumë më
demokratike, krahasuar me të djeshmen e Saliut, por edhe me artikulimin e vetë
protestës.
Kjo
protestë ende nuk ka kry, as nuk ka krye. E gjërat pa krye përfundojnë të
përdorura.
E
fundit… daltë për hajër!


