Ndue Dedaj: Mirdita, jo vetëm historia, por kryekrejet e sotmja!...
MIRDITA, JO VETËM HISTORIA, POR KRYEKREJET E SOTMJA!...

Shkruhet
e flitet me shqetësim të dukshëm qytetar për Mirditën, tash që po punohet për
t’i dhënë dorën e fundit reformës së re territoriale, nga “frika” e zhbërjes së
saj nga lart.
Në
një vend me politika zhvillimi normale, kjo do të ishte më e pakta habi, pasi
kush na qenka ai, apo ata, atje lart që paskan tagrin me e bë “lëmsh e li”
hartën territoriale të vendit, duke e katandisur atë në një hartë elektorale,
kjo copë të hiqet këtu e të kalojë atje, kjo tjetra t’i pritët kësaj e t’i
ngjitet asaj tjetrës?!...
E
njëjta gjë mund të thuhet dhe për treva të tjera shqiptare autentike, si
Malësia e Madhe, Hasi, Skrapari, Tepelena, Himara, Kolonja etj. Ruajtja dhe
zhvillimi i tyre si njësi territoriale, administrative dhe ekonomike më vete
është përgjegjësi e drejpërpdrejtë e institucioneve qendrore vendimarrëse të
shtetit, çka është plotësisht në përputhje me kartën europiane të autonomisë
vendore. Në këtë rast i bie që kryekomisionerët e reformës dhe aktorët e tjerë
politikë të përfshirë, qeveritarët dhe deputetët të jenë thjeshtë “noterët” e
një procesi që bën me efiksase qeverisjen vendore dhe jo e sharton atë.
Faktorët lokalë dhe rajonalë në këtë proces duhej të ishin pjesë e vendimarrjes
dhe jo thjeshtë pjesëmarrës të atyre “dëgjesave publike” formale që organizojnë
si nga hera të deleguarit që vijnë nga lart, të paktën që nga Letra e Hapur e
Komitetit Qendror e vitit 1966.
Por
ajo që duam të vëmë në dukje në këto radhë është qasja ndaj kësaj ekzistence,
si nga qeverisja qendrore, ashtu dhe nga vetë faktorët lokalë. Në rastin e
Mirditës, nuk themi asgjë të re, nëse rreshtojmë disa realitete apo ngjarje
historike autentike, që i përkasin vetëm asaj, si dëshmimi i Shtetit të Arbërit
(shekulli XII-XIII) përmes zbulimit të Shqiponjës së Arbërit dhe Mbishkrimit
Epigrafik të Gëziqit, “Lidhja e Mirditës” e krerëve dhye vegjëlisë e vitit
1570, Abacia e Mirditës në Orosh (e fundit e Ballkanit), Pricnia apo Kapidania
e Mirditës, po ashtu unike për disa shekuj, deri tek Revolta e Burgut të Spaçit
e vitit 1973 etj. Mirdita ka begatinë e një korpusi monumental arkeologjik të
dorës së parë, që nis me "Gurin e Xhuxhës", "Piktogramet e
Rubikut" etj. Kemi një rrugëtim përrallor të arsimit në Mirditë - nga
shkolla dioqezane e Velës e gjysmes së parë të shekullit XVII te shkolla e
mesme profesionale “Shën Jozefi punëtor” e Rrëshenit. Në Mirditë e prej gojës
së mirditasve At Shtjefën Gjeçovi mblodhi Kanunin e shqiptarëve. Në Mirditë
Prend Doçi krijoi një ndër lirikat e para atdhetare të Rilindjes “Një kushtrim
shqiptarëve” dhe Gjok Beci një nga himnet e bashkëkohësisë “Rrjedh në këngë e
ligjërime”. Mirdita ka dëshmuar vitalitet artistik, me etnofolkun e saj dhe
marrjen e flamurit të festivalit folklorik të Gjirokastrës në vitin 1978,
krijimin e një trupe mësimore-pedagogjike të aftë, të një ekipi mjekësor
spitalor të përkushtuar në Rrëshen, të një elite shkrimtarësh, artistësh,
gazetarësh, pedagogësh dhe studiuesish të mirënjohur, që e luajnë rolin e tyre
dhe jashtë vendit.
Këto
e të tjera ngjarje kulmore të Mirditës, kulturës dhe etnokulturës së saj, që i
përkasin po aq dhe kundrajës kombëtare, janë argumente jo për zhbërjen
territoriale të kësaj bashkësie, por për të investuar rreth muzeimit dhe
progresit ekonomik e turistik të saj. Ekspertë të njohur të ekonomisë kanë
argumentuar se si duhet të përfitojë të ardhura Bashkia e Mirditës nga rentat
minerale etj. Të “shkelësh” përditë mbi thesare dhe të mbetësh prapë i varfër,
edhe në kohë moderne, kjo është e pashpjegueshme për qytetërimin perëndimor.
Dje mineralet e nëntokës u përdorën për të prodhuar bunkere, po sot kë
pasurojnë bakri e kromi, përkatësisht, i Mirditës e Bulqizës? Kompanitë e huaja
dhe shtetarët tanë që bien në ujdi paraprakisht në Tiranë, ndërkohë që
minatorët protestojnë e nuk dëgjohen? Po aq bujare është treguar natyra me ketë
trevë, edhe sa u përket pyjeve, ujërave, bjeshkëve, bimëve industriale etj.
Mirditorët,
bizneset e tyre, emigracioni, donatorët e huaj e kanë bërë të veten gjithë këto
vite, dëshmi e të cilëve janë: një “Katund i Vjetër” i kthyer në atraksion i ri
turistik, i përveçëm në krejt zonën verilindore, bujtina të tjera mikpritëse në
Perlat, Kaçinar, Orosh, Fan, Selitë etj., kompleksi modern tregtar dhe i
shërbimeve “NBT Oil” në Udhën e Kombit, i populluar veçanërisht nga udhëtarët
që vijnë nga Kosova apo shkojnë për atje. Këtij realiteti mund t’i shtohen dhe
plot kulla të restaurura nga banorët nëpër fshatra, si dhe “Infokulla” një
qendër muzeale dhe informimi turistik për Mirditën, Pukën dhe më gjerë. Kryhet
çdo vit peligrinazhi i Zojës në Malin e Velës, është rikthyer festa shekullore
e Shën Gjonit në Orosh, festohet dita e Selitës etj. Shtegtimet dhe ngjitjet në
Munellë etj. janë një ritual i ri i malësive tona. Ndërkohë që, me vitet, falë
projekteve qeveritare e bashkiake, drejtuar nga të majtë e të djathtë, kanë
marrë pamjen e duhur urbane tri qytetet e Mirditës, Rrësheni, Rubiku dhe Repsi.
Ka projekte bashkëpunimi me Kosovën, ashtu siç shkohet e vihet dhe tek
Arbëreshët me të njëjtin synim.
I
vumë në dukje këto arritje komunitare, jo për të bërë të thënë se ka ndodhur
mrekullia, por për të theksuar idenë se vërtetë kemi një histori që na bën
krenarë për gjithmonë e jetës, por kemi dhe një të sotme që meriton mbështetje
nga të gjithë, në radhë të parë nga pushteti qendror dhe ai vendor. Si mund të
themi se i kemi dalë “borxhit” historisë, kur nuk kemi ende një rrugë makine
për të shkuar në Oroshin historik e turistik? Ka dyzet vjet që ngrihet zëri për
“Kroin e Bardhë”, një nga pikat më kurative të vendit, privatët kanë bërë
ç’kanë mundur, kurse shteti ende nuk ka bërë 7 km rrugë për në bjeshkën e
Kunorës! Bëhen njëherë në gjashtë muaj seminare për lirinë dhe demokracinë,
hapen ekspozita në Spaç, por mungon projekti qeveritar për ta shndërruar në një
muze të kujtesë ish-burgun politik më të rëndësishëm të Shqipërisë? Doemos
historia nuk mund të jetë qëllim në vetvete e as stoli, por e gërshetuar me të
sotmen, atraksionin e objekteve të restauruara, që natyrshëm kanë dhe biletën e
tyre.
Kështu
e shohim ne “reformën” territoriale të vendit, duke e kthyer në pol zhvillimi
bashkëkohor çdo trevë e rajon me potenciale historike dhe ekonomike, çka do të
frenonte braktisjen e metejshme dhe do të kthente emigrantët me investime.
Retorikat
e tjera, shpesh të tejkaluara, ose ngushtësisht politike, nuk i shërbejnë këtij
progresi. Me apo pa pushtet, e kemi secili nga një mundësi, ani se ajo mund të
jetë e vogël në dukje. Vërtet kanë rëndësi sipërmarrjet e mëdha prodhuese, por
në gjykimin tonë është me mjaft interes dhe rikthimi i traditës, si ajo e
vathnajëve dhe prodhimit të bulmetit në bjeshkët e Selitës etj., e
agropërpunimit në Rubik, i punimit të enëve prej dheu në Gojan, e valanicës
(shkeljes së shajakut) në Kryezi etj. Nuk mund ta harroj një të njohur, mbi të
70-at, që jeton familjarisht në Itali prej vitesh dhe kishte ardhur për të
ndërtuar me shpenzimet e veta një urë në fshatin e tij të lindjes, por kishte
mbetur duke u rropatur zyrave të burokrasisë për të marrë lejen!?
Të
parët e bënë historinë, neve na bie barra të ndërtojmë të sotmen, me politika
zhvillime të sukseshme.


