Ndue Dedaj: Nga reforma agrare te Paketa e Maleve

1h më parë

NGA REFORMA AGRARE TE PAKETA E MALEVE

(Partia i bën “dhuaratë” popullit tokat e stërgjyshërve!?...)

NGA NDUE DEDAJ

Ëh, të gjitha i kemi dhuratë nga partia, edhe tokën, edhe lisat, edhe përrenjtë, edhe dhelprat, edhe zogjtë, edhe ajrin. U mësuam me këtë. Lum si ne për partinë, atë të vjetrën dhe këto të rejat. Partia edhe na i jep, edhe na i merr kur t’ia dojë puna, neve na mbetet në të dy rastet vetëm ta falënderojmë e duartrokasim fort. Dikur i këndonim rapsodi, tash i bëjmë like në facebook. I shërbejmë deri në pikën e fundit me përgjunje patronazhiste.

Ka nisur bamirësia e partisë që nga reforma agrare e vitit 1946, deri te kjo reforma më e re e quajtur “Paketa e Maleve”. Atëherë komandanti me tapi në duar në fushat e Myzeqesë duke sajdisur myzeqarët me tokat e shtetëzuara nga qeveria demokratike, domethënë që ua ishin marrë po atyre, jo vetëm bejlerëve e agallarëve. Sot kreu i qeverisë ngjitet në Theth po për t’iu dhuruar malësorëve malet e tyre të begata, që ata të mund të investojnë në to, e në mos ata, miqtë e ngushtë  “strategjikë” të partisë. Plot tetëdhjetë vjet që e bekuara shpërndanë dhurata për popullin. Por partia asnjëherë nuk ka harruar këtyre dhuratave t’iu vërë, jo emrin e popullit, por emrin e saj: “Drita e Partisë”, “Çeliku e Partisë” etj. Katër hidrocentralet e para ishin pagëzuar me emrat klasikëve të marksizëm-leninizmit. Universiteti i Tiranës, Porti i Durrësit do të mbanin emrin e Enverit, i cili kishte dhe një ditë në emrin e tij, të dielën, që ishte gjithmonë aksion raskapitës. Ama, përtej propagandës në zenit, fshihej një tjetër realitet trondotës. Kur u kthye nga jashtë shtetit, një specialisti të industrisë i shpëtoi goja e tha se kombinati metalurgjik i Elbasanit nuk ishte kombinat, por një punishte - kaq u desh që të shkonte drejt e në pranga, nja dhjetë vjet, se prangat nuk ishin aspak diçka e huaj për popullin, por nga paketa e “dhuratave” të partisë për të. Partia do të shembte “të vjetrën” për socializmin, veprat e të cilët patën dhe flijimet e veta, që të shumtën e herëve mund të ishin shmangur, kështu liqeni i Fierzës flijoi “Kukësin e vjetër”, liqeni i Vaut të Dejës hodhi në erë kishën e famshme të Shën Mërisë, qyteti i ri industrial i Laçit ia dorëzoi ushtrisë faltorën e Shnandojt në kodër, “Qyteti Stalin” ia fshiu emrin Kuçovës, Pallati i Kulturës i kryeqytetit flijoi kishën ortodokse, Muzeu Historik Kombëtar sakrifikoi godinën monumentale të Bashkisë së Tiranës etj.

Njerëzit menduan se me ardhjen e demokracisë shpëtuan nga “bamirësia” e partisë, por ishin gabuar. Tash do të kishin fatin të kishin parti sa të donin, për të gjithë, ku e dëmshme nuk qe vetëm njëra nga ato, partia ekologjike e Namik Hotit, qershia mbi tortën shumëpartiake. Mendoni ta kishte marrë pushtetin ajo, asnjë gjethe lisi, gur mali e curril uji nuk do t’i ishte prekur vendit. Por nuk e patëm atë fat, se kreu i saj kishte urtësinë që dinte t’i zbriste kalit...

E para, reforma politike e “emërimit” të Parlamentit

Kur u bënë shumë parti, aq më mirë apo më keq për popullin. Ato i dhuruan atij plot 35 vjet më parë, në korrik 1991, ligjin 7501 për Tokën, që solli aq shumë dëme, duke u kthyer në shkakun e konfliteve më të mëdha sociale mes banorëve lidhur me pronësinë, pasi iu mohonte pronën legjitime ish-pronarëve, çka solli dhe viktima. Ishte një “reformë agrare” në kushtet e shoqërisë së hapur, kur shteti bënte si zot i një prone që nuk ishte më e tija. Sot është ose e pamundur ose të duhet një “heroizëm” i vërtetë të arrish të regjistrosh në Kadastër atë pronë që e trashëgon gjysh pas gjyshi. E dinë se ç’heqin ata që marrin leje pas lejesh për të investuar në tokën e tyre dhe jo vetëm.

Reforma e re e maleve, apo çdo reformë tjetër do të paraprihej nga reforma politike mashtruese. Kështu, partitë hileqare i dhanë popullit një dhuratë të çmuar për vetë ato, ndryshimet kushtetuese 2008 për çelnikosjen e pushtetit të PD dhe PS, disa kohë dhe të LSI, duke ia lehtësuar popullit gjysmën e punës në zgjedhje, pse duhej që ai të lodhej për të votuar 140 deputetë, kur gjysmën e tyre do t’i fusnin drejt e në kuvend listat e mbyllura, që do të thotë se për ata kishte votuar partia, thënë ndryshe dy partitë historike. Dhe rezultati shihet, sot ka aq shumë deputetë kllounë të cirkut politik, sa batudat më të shumta janë me deputetë. Këta të fundit nuk i kërkojnë llagari qeverisë për punët publike, por rreshtohen në daullexhinjtë e saj, ngaqë shumica janë deputetë të emëruar nga kryetari i partisë dhe ia kanë “borxh” atij personalisht mbështetjen vend e pa vend. Ndërkohë që njëqind vjet më parë Kuvendi Kombëtar kishte deputetë që cilësoheshin si “gozhda e Parlamentit”. Të paktën, këta të sotmit, të ishin “thumba”!...

Mjerisht administrata shtetërore është shndërruar në shërbyese e ceremonive të pushtetarëve, ku ata i dorëzojnë popullit dhuratat elektorale të radhës. Të gjithëve ju kujtohet sesi përurimi i disa rrugëve dhe tuneleve është bërë me dajre e dyzen, me njerëz që këndojnë dhe kërcejnë sipas shijes së shiritprerësve, ndërkohë që Prokuroria kishte nisur të hetonte për abuzimet me fondet publike. Është kaq e vjetëruar kjo mënyrë “falënderimi” e popullit për partinë, e inskenuar nga kjo e fundit me regjisurë të përkryer. Pas çdo cope udhë që asfaltohet, pas çdo pemë që mbillet në kodrat e qytetit (që boll pak mbillen!), pas çdo kanali që hapet në fushën e madhe, do të shfaqet ministri apo kryebashkiaku e deputeti, për të pritur falënderimet e popullit, siç ka dhe raste që populli “shpërthen” në kritika ta hapura duke iu thënë se keni favorizuar këtë apo atë lagje për vota...

Slogani “reforma, reforma” –  pa strategji zhvillimi

Ka 35 vjet që dëgjojmë vetëm fjalën reformë, si të jetë diçka “biblike”. E megjithatë vendi ynë zhvillohet pa një projekt kombëtar, pa një strategji zhvillimi, pa një plan urbanistik të përgjithshëm, ndonëse me pjesëmarrjen e shumë studiove të huaja të arkitekturës. Përndryshe si do të kishin mbirë, “dhuratë” për këtë popull, kullat shumëkatshe të Tiranës, që ia kanë humbur asaj krejtësisht identitetin urban. Ekstravagancë ndërtimore në qendër dhe rrugë copë-copë, ferra, pluhur e ndotje në periferi. Ti nuk e di se ç’ndodhe realisht me Shqipërinë përtej Tiranës. Elbasani emblematik i Shën Gjon Vladimirit e Onufrit ka pushuar së qeni ai që ishte nga ana kulturore, arsimore dhe industriale dhe më shumë shfaqet në kronikat e krimit. Nuk flitet më për “Normalen” e famshme, Aleksandër Xhuvanin, Lef Nosin e kolosët e tjerë dhe nga andej tash e parë shihet të aktrojë një biznesmen shakaxhi me qytetin e tij të peshkut. Durrësi i Amfiteatrit të lashtë, Imzot Kaçorrit, Aleksandër Moisiut etj. e ka humbur atë identitetin e një qyteti detarësh duke u kthyer në pre e pushtetarëve dhe krimit. Askush nuk dinte se Shkodra vuante letargjinë e gjatë qeveritare, deri kur e majta fitoi zgjedhjet e atëherë Rozafa u bë e “vetja”, ku tash mund të ndërtojë dhe një kullë tridhjetë e sa katshe?...

Çfarë nuk i dhuroi partia popullit? Një ushtri patronazhistësh, të cilët janë shumë më të dobishëm se spiunet e djeshëm të lagjes, pasi këta guxojnë e përballen me cilindo kundërshtar të partisë në pushtet, ia lëshojnë bojën përdhé çdonjërit që cënon nderin dhe figurën e shefit të madh, se për të tjerët s’pyet kush, a thua se nuk ekzistojnë. Edhe partia përballë nuk funksionon ndryshe, militantët e saj gjithashtu i falën në jetë të jetëve kreut të tyre blu, pa u shkuar ndërmend se në vend të tij mund të ishte një tjetër kryetar, qoftë dhe për faktin se kryetarët nuk janë një specie e përjetshme në fron. Bash për këto, populli që nuk ka asnjë mundësi tjetër, i “dhuron” politikës një protestë që po mbush dy muaj në sheshet dhe rrugët e kryeqytetit, duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë dhe largimin e krejt klasës politike mbërthyer në krizën e vetevetes. Doemos po të ishte opozita e pakapur nga kreu i saj, mbase protesta do të ishte e panevojshme, pasi do ta kishte kryer ajo misionin e dorëheqjes së qeverisë me kohë etj., por një forcë politike që nuk reformon veten nuk mund të reformojë të tjerët, kundërshtarët politikë.

Prisnim legalizimin e pronës, tjetër “dhuratë” na erdhi

Të gjithë kanë pritur që, më në fund, në këtë mandat qeverisës, shqiptarët të bëheshin me prona të legalizuara, por kjo me gjasë nuk do të ndodhë. Këtu fillon dhe problemi që është i të gjithëve dhe jo vetëm i Zvernecit, Rrjollit apo Thethit, i cili nuk mund të zgjidhet me dëshirën e mirë qeveritare për t’i kthyer malet në kantier zhvillimi. Me eksperimente, që nuk kanë munguar as në të shkuarën. “T’i kthejmë kodra dhe malet në fusha pjellore!” A u kthyen? Po kooperativat bujqësore, a nuk ishin një dështim kolosal? Ashtu si skandali “Krifca” me fondet e BE për bujqësinë. Dhe, ndërsa të gjithë prisnin tapitë e tokës, morën një platformë malesh dhe “bese”?...

Po çfarë ka ndodhur në të vërtetë? Mbas tre dekadash e gjysmë shpërdorim e abuzim me pronën publike, mbivendosje pronash në kadastra, mosdhënie drejtesia nga gjykatat për pronat, konflikte dhe vrasje për pronat etj., Shqipëria erdhi tek i vetmi preblem jetik i saj, ai i pronave, me gjithnur pronarësh, por pa të zotin legjitim. Çudia është se si është e mundur që qeveria beson se mund të ndodhë integrimi i vendit në Bashkimin Europian me këtë katrahurë të pronave? Cili vend tjetër i rajonit që aspirorn të njëjtin integrim e ka të tillë gjendjen e pronave? As e nënës, as e njerkës, por e krimit dhe korrupsionit. Askujt nuk i vjen mirë për këtë dhe këtu mbaron politika e kundërvënies, pasi as opozita kur ishte në pushtet nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim!

Bash për këtë ka shpërthyer protesta dhe nuk ndalet se nuk sheh zgjidhje nga kjo klasë politike. Ndaj do të ishte koha e një “bese” kombëtare për pronën dhe jo për mandatin e katërt partiak. Prona është ajo që djeg çdo mandat e qeveri të paaftë. Protesta e bulevardit, pavarësisht epiteteve, është në thelb zgjimi i ndërgjegjës së pronave dhe kështu duhet kuptuar. Por partia në fuqi, në vend që të vërë mend, bën një ndarja e re "klasore", në flamingo dhe korba e sorra. Domethënë ka nisur lufta e "shpendëve",  edhe ato ndahen në të mirë dhe të këqinj. Tërthorazi janë përfshirë në “betejë” dhe pulat, të cilat vetë janë të paqta, por kanë vezët agresive, se gjuajnë parlamentarët. Vjen puna, që pushteti i ndejtur gjatë në duart e një njeriu, i goditur fort nga potesta, çon në shpikje si ajo “besa”. Pse kërkohet besë për mandatin e katërt tani, kur ka kaluar një vit nga zgjedhjet? Si një "përforcim" i mandatit, pas thyerjes që shkaktuan flamingot e revoltuara? Nuk e kupton, besë me ke? Për çfarë? Mirë ai që e jep, se nuk humbet gjë, po kush e merr? Metafora e besës, edhe sikur të ishte e gjetur, nuk mund të jetë platformë politike. A di qeveria të thotë çfarë u bë me besën e “njëqind fshatrave”, ishte histori suksesi apo dështimi? Po me atë paketën e Alpeve? Qeverisja bën bilance, analiza, jep llogari dhe nëse gjërat nuk i kanë shkuar mbarë jep dhe dorëheqjen kur i kërkohet.

Qytetarët nuk i besojnë më një shteti, që me njërën dorë duket sikur ta jep tokën dhe me tjetrën ta merr!...