Ndue Dedaj: Ardhje e re e Senekës në shqip

3h më parë


ARDHJE E RE E SENEKËS NË SHQIP

Nga Ndue Dedaj

Këto ditë në Prishtinë është vënë në qarkullim një seri e re e veprës së filozofit të shquar romak, Seneka. Shtëpia botuese “Faik Konica” sapo ka nxjerrë nga shtypi titujt: “Mbi shkurtësinë e jetës”, “Mbi providencën”, “Mbi jetën e lumtur”, “Mbi qetësinë e shpirtit” dhe “Mbi zemërimin”, në vazhdën e publikimeve të mëparshme të këtij filozofi në Kosovë, si të kryeveprës “Letra morale” etj.

Shqipëruesi i këtyre veprave është Gjon Mark Krasniqi nga Nepolja e Lugut të Beranit, që jeton prej vitesh në Zvicër, por që njëherësh shquhet si veprimtar humanitar në vendlindjen e tij, Kosovë, Mirditë, Lezhë etj., ku është shpallur “qytetar nderi”. Ai ka në proces botimi një roman, si dhe në përfundim një libër kushtuar poetit Ndue Sinishta me dëshmi autentike nga jetë dhe vepra e tij etj.

Librat e Senekës, shqipëruar rrjedhshëm prej tij, ai i ka paraprirë më nga një hyrje, shënime për autorin etj.

Ky edicion i ri i veprës së Senekës shoqërohet më parathënie të thelluara të secilit libër nga profesor Anton Nikë Berisha, vështruar dhe në qasje me filozofët e mëvonshëm si Shopenhauer etj.

Ajo që mund të thuhet nga shfletimi i kësaj vepre të rëndësishme është se mendimtarët e mëdhenj të njerëzimit, si Seneka në Romën e lashtë, janë aktualë dhe në kohën e sotme, pasi asgjë që ka të bëjë me kuptimin e jetës, moralit, virytit, shpirtit, karakterit njerëzor, lumturisë nuk është tejkaluar, por është “vjetëruar” si vera.