Mihal Gjergji: Ullinjtë e Vlorës

3h më parë

Mihal Gjergji

ULLINJTË E VLORËS

Qyteti ngrihet mbi rrënoja

Ku flenë romakë e bizantinë

Deti rënkon kur skuqet Vlora

I vishet balli suferinë

Ullinjtë-kurorë i rrinë mbi krye

Këtij bastioni mijëvjeçar

Me fasha drite lidhin yjet

Ca plagë që s’duan dëshmitar

Andartët pas me urë të zjarrit

E sollën Trojën gjer këtu

Kujtoj një dhimbje Kurveleshi

Ndaj rri ca çaste tok me ju

Lastarë blerimi mbi humnera

Duar të zgjatura në erë

U mbiu syri te pranvera

E s’gjetët paqe asnjëherë

S'u shter kjo sofër bujarie

Sa shpesh më fton të shkoj atje

Të tret në shpirt një çast mërzie

T’i fshij një rrudhë a ndonjë re!

Vlorë, Prill 2017