Meti Rexhepi: Libri i nënkresës
(Homazh
për krijuesin Sherafedin KADRIU)
Të
nderuar familjarë të Sherafedinit, e nderuara Zymrije, bija e bijë, miq e
dashamirë!
Ju
shpreh ngushëllimet e mia të thella e të sinqerta për bashkëshortin, babin,
vëllamin e gjyshin tuaj Sherafedin Fetah KADRIU!
Miku
ynë Sherafedin KADRIU luftoi gjatë dhe durueshëm për jetën përball “sëmundjes
së keqe” dhe, më 8 prill të kësaj pranvere, të stinës që shpërfaq ngjyrat e
fshehura, mbylli sytë. Përkushtimi juaj ndaj të ndjerit është i pamatshëm...
Vatra e pikëllimit, e mërzisë dhe e krenarisë ndodhet te ju, te familja juaj,
por shpërndahet edhe te ne, miqtë e jetës, të letrave, të dijes dhe të
kulturës.
Lufta
kundruall kaplimit dhe largimit të sëmundjes nam-keqe për Sherafedinin u bë një
përditshmëri e rëndë! Vetë Sherafedini e kishte paranderë dhe paralajmëruar te
rrethi më i afërt. Kjo sëmundje ishte tinëzare dhe i mori Atij kohën më të
çmuar të jetës. Fundin e trupit e kishte pritur, por jo edhe dorëzimin
shpirtëror e moral të këtij përfundimi. Parandjenja e fund-jetës haset dendur
në vëllimin e tij mbresëlënës poetik “KUR VDESIN NGJYRAT”, i botuar përmes SHB
“Beqir Musliu”, më 2025. Pa dyshim një meritë të përkrahjes, jo vetëm për këtë
libër, e ka poeti, botuesi dhe miku i Sherafedinit Sabit RRUSTEMI, ndonëse
përkrahjet mes tyre shfaqeshin edhe në planet e ndërsjella të shkrimit.
IDENTIFIKIMI ME TË
HIRTËN
Motivimet
e parandjenjës së përcjelljes së parakohshme për në botën e pasosur të amshimit
në librin “KUR VDESIN NGJYRAT”, shtrihen te ciklet: “Kur u grisën ngjyrat”,
“Ngjyrat e vdekjes”, “Kur preken ngjyrat”, “Kur fshihen ngjyrat”, “Ngjyrat e
ngushëllimit”, “Për ngjyrën e zezë.” Krahas kësaj tipologjie dhe pamjeje
estetike të ngjyrimit të hirtë të jetës, kemi kontrastin e bardhësisë së
dritës: “Lakmi ngjyrash”, “Ngjyra fëmijërie”, “Ngjyrat e lirisë”, “Ngjyrat e
atdheut”...
Motivet
e parandjenjave të zjarrit të dhimbjes, të frymëmarrjes përcëlluese reflektojnë
në vargje thellësisht të përjetuara, pa asnjë fije poze për t’i përjetësuar jo
si apati ose vajtim, jo si rezignatë dhe assesi si pesimizëm që sjell fund-jeta
e parashikuar, kur i duhej më së shumti intelektualit, arsimuesit, studiuesit
dhe poetit tonë.
Çfarë
i mbetej këtij poeti kur i vdisnin ngjyrat? Ato janë trajta të përhitjes së
dashurisë për më të dashurit, për brezin e nipërve e të mbesave, për anames të
së bukurës në jetë e në magjiken e libër-shkrimit; për përmbushjen e lirisë së
shqiptarëve aq shumë të gjakuar dhe, e lagur me sakrifica të gjakut të brezave.
Pengu
i jetës njerëzore të Sherafedin KADRIUT mbeti te përmbushja e atyre dhuntive,
që ngërthente personaliteti plotësisht i pjekur dhe i vetëdijesuar për t’i
përjetësuar interesimet, dijet dhe, për t’i nxjerr në pah shtresimet e
madhërishme dhe bukurinë njerëzore në jetë dhe në art, në mjedisin ku frymoi
jeta e Tij.
JASHTË SHABLLONEVE TË
VLERËSIMIT
FRYMA E NGROHTË E
MIQËSISË
Si
karakter njerëzor Sherafedin KADRIU përçonte frymë të ngrohtë mes miqsh, afri
dhe gjallëri dialogimi, gjithnjë pa sedrën e mbizotërimit apo të përçmimeve
tekanjoze ndaj secilit prej nesh. Dijen dhe kompetencat intelektuale e
profesionale nuk i ruante, as i konservonte vetëm për vetvete; ishte i prirur
t’i shpërndante në çdo mjedis, veçmas me qartësinë që e karakterizonte.
Miku
ynë shquhej me mënyrën se si i kapte porositë ose mesazhet e ndërlikuara dhe, i
shtronte e qëronte lëvozhgat e trasha të moskuptimit, deri në thjeshtësimin e
admirueshëm të kuptimit. I tillë ishte në mësimnxënie e mësimdhënie, i tillë
ishte në zbërthimet e ngërthesave teorike - letrare të figuracionit poetik, i
tillë ishte edhe në përdorimin e terminologjisë së diskurseve gjuhësore,
kritike - estetike, hermeneutike e filozofike.
LIBRI I HAPUR NË
NËNKRESË
Pa
të zgjatur më tej, ka çka të thuhet mjaft për mikun tonë, krijuesin Sherafedin
KADRIU. Është domethënës akti kur mu në çastin e dhënies së shpirtit, te koka
iu kishte gjendur i hapur libri në nënkresën e Tij.
PËRKUJDESJE
Personalitete
si Sherafedin KADRIU nuk i përkasin vetëm familjarëve apo vetëm miqve, por të
këtillët janë begatia jonë dhe, duhej t’u përkisnin përkujdesës edhe të
institucioneve shtetërore për trashëgiminë krijuese të tyre.
Sherafedin
KADRIU e deshi familjen, e deshi atdheun, e deshi librin, i deshi dhe miqtë.
Atë dashuri të Tij ia kemi borxh ta kultivojmë të përhershme në mesin tonë.
Qoftë
e ndritur kujtesa për krijuesin dhe mikun tonë Sherafedin KADRIU!
Gjilan, më 16 prill 2026











