Lekë Mrijaj: Derisa të mos ndryshohet ligji, unë do të abstenoj nga votimi në zgjedhjet nacionale në Republikën e Kosovës
Derisa të mos ndryshohet ligji në drejtim të zonave zgjedhore proporcionale, unë do të abstenoj nga votimi në zgjedhjet nacionale në Republikën e Kosovës

Ka
disa ditë që ndodhem për vizitë në Hamburg të Gjermanisë. Gjatë kësaj kohe,
duke qenë larg Kosovës, por shpirtërisht gjithmonë i lidhur me vendin tim, kam
pasur rastin të lexoj dhe të reflektoj mbi disa modele zgjedhore të vendeve të
Ballkanit Perëndimor. Në këtë lexim krahasues, vëmendjen time e ka tërhequr në
mënyrë të veçantë modeli kroat i zgjedhjeve parlamentare, i cili, sipas
mendimit tim, vertetë e ofron një shembull më të afërt të përfaqësimit
territorial, qytetar dhe institucional.
Në
Kroaci, përfaqësuesit parlamentarë zgjidhen në dhjetë njësi zgjedhore
territoriale, ku secila zgjedh nga 14 përfaqësues. Ekziston po ashtu një njësi
e veçantë për qytetarët që jetojnë jashtë Kroacisë, si dhe një njësi e veçantë
për pakicat kombëtare, të cilave u garantohen tetë vende në Parlament. Ky model
nuk është i përsosur, sepse asnjë sistem zgjedhor nuk është i tillë, por ai ka
një cilësi të rëndësishme demokratike: e afron deputetin me qytetarin dhe e
lidh më qartë përfaqësimin politik me territorin, me zonën, me vendbanimin dhe
me bashkësinë konkrete njerëzore.
Prandaj,
nga këndvështrimi im qytetar, kombëtar dhe demokratik, mendoj se edhe Republika
e Kosovës duhet të hapë një debat serioz, institucional dhe gjithëpërfshirës
për ndryshimin e ligjit zgjedhor. Kosova nuk mund të vazhdojë pafundësisht me
një model ku i gjithë vendi trajtohet si një zonë e vetme zgjedhore. Sipas
sistemit aktual, Kosova konsiderohet një zonë e vetme shumëmandatëshe, ndërsa
Kuvendi ka 120 deputetë, prej të cilëve 100 ndahen proporcionalisht ndërmjet
subjekteve politike dhe 20 vende janë të garantuara për komunitetet joshumicë.
Unë
personalisht nuk e mohoj rëndësinë e përfaqësimit proporcional. Përkundrazi,
proporcionaliteti është një vlerë demokratike, sepse ruan peshën e votës dhe
shmang shtrembërimin e vullnetit qytetar. Por proporcionaliteti nuk duhet ta
zhdukë lidhjen ndërmjet deputetit dhe zonës prej nga vjen qytetari. Një deputet
që zgjidhet vetëm nga lista e përgjithshme partiake, pa një lidhje më të qartë
territoriale, shpeshherë mbetet më afër qendrës së partisë sesa qytetarit të
zakonshëm.
Pikërisht
këtu edhe qëndron nevoja për reformë. Kosova do të duhej të ndahej në 10 zona
apo njësi zgjedhore proporcionale, të ndërtuara mbi bazën e popullsisë, baraspeshës
territoriale dhe drejtësisë përfaqësuese. Pra, secila zonë do të zgjidhte një
numër të caktuar deputetësh, në mënyrë që qytetari i Dukagjinit, i Anamoravës,
i Llapit, i Drenicës, i Prizrenit, i Mitrovicës, i Prishtinës apo i viseve të
tjera të Kosovës ta dinte më qartë se kush e përfaqëson dhe kujt mund t’i
kërkojë përgjegjësi.
Një
reformë e tillë do ta bënte deputetin më pak figurë abstrakte partiake dhe më
shumë përfaqësues konkret të qytetarëve. Ai nuk do të mund të fshihej vetëm pas
logos së partisë, pas liderit apo pas fushatës qendrore. Ai do të duhej të
dilte para qytetarëve të zonës së vet, të dëgjonte hallet e tyre, të njihte
rrugët, shkollat, spitalet, bujqit, të rinjtë, mërgimtarët, familjet dhe
problemet reale të vendit. Demokracia nuk jeton vetëm në studio televizive dhe
në seli partiake, por jeton në terren, në lagje, në fshat, në qytet dhe në
hallet dhe në jetën e përditshme të qytetarëve.
Në
këtë model, një vend të veçantë duhet ta ketë edhe diaspora shqiptare dhe
qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit. Mërgata jonë nuk është thjesht
burim remitencash. Ajo është pjesë e gjallë e trupit kombëtar, ekonomik,
kulturor dhe politik të Kosovës. Prandaj, mergata duhet të ketë përfaqësim më
të qartë, më të dinjitetshëm dhe më institucional. Nuk mjafton që mërgata të
kujtohet vetëm gjatë fushatave, vetëm për vota, vetëm për para, vetëm për
tubime dhe fotografi. Ajo duhet të ketë zë real në Kuvendin e Republikës së
Kosovës.
Po
ashtu, çdo reformë zgjedhore duhet të ruajë dhe të garantojë vendet e veçanta
për komunitetet joshumicë në Kosovë. Kjo nuk duhet parë si barrë, por si pjesë
e arkitekturës demokratike të shtetit. Një shtet i drejtë nuk peshohet vetëm me
mënyrën se si e trajton shumicën, por edhe me mënyrën se si e mbron pakicën. Në
këtë aspekt, modeli kroat, me një njësi të veçantë për pakicat kombëtare, mund
të shërbejë si shembull i dobishëm krahasues, pa u kopjuar verbërisht, por duke
u përshtatur me realitetin kushtetues dhe shoqëror të Republikës së Kosovës.
Prandaj,
qëndrimi im personal është i qartë, përderisa të mos hapet seriozisht çështja e
reformës zgjedhore dhe derisa të mos ndryshohet ligji në drejtim të zonave
zgjedhore proporcionale, unë do të abstenoj nga votimi në zgjedhjet nacionale
në Republikën e Kosovës.
Ky
abstenim nuk është ikje nga përgjegjësia qytetare. Nuk është indiferencë ndaj
shtetit. Nuk është mohim i demokracisë. Përkundrazi, është një formë proteste
qytetare, një thirrje për ndryshim dhe një shenjë pakënaqësie ndaj një sistemi
që, sipas mendimit tim, nuk e afron sa duhet përfaqësuesin me qytetarin.
Unë
si qytetar i Republikës së Kosovës, dua të votoj, por dua të votoj në një
sistem ku vota ime ka lidhje më të qartë me vendin tim, me zonën time ku jetoj
dhe veproj, me bashkësinë time dhe me përgjegjësinë konkrete të deputetit. Dua
të votoj në një sistem ku qytetari nuk është vetëm numër në listat partiake,
por pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në ndërtimin e përfaqësimit demokratik të
shtetit.
Kosovës
i duhet një ligj i ri zgjedhor dhe më i drejtë, më përfaqësues, më territorial,
më i afërt me qytetarin dhe më i përgjegjshëm ndaj mërgatës. Vetëm atëherë
zgjedhjet nacionale do të kenë kuptim më të plotë demokratik. Dhe vetëm atëherë
deputeti si deputet do të jetë jo vetëm njeri i partisë, por edhe njeri i zonës
së tij zgjedhore, jo vetëm zë i liderit, por zë i qytetarit, dhe jo vetëm pjesë
e listës, por bartës i përgjegjësisë publike.
Ndaj
edhe deri atëherë, abstenimi im mbetet qëndrim qytetar, moral dhe demokratik,
me një heshtje aktive kundër një sistemi që duhet ndryshuar për të mirën e
qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Hamburg, më 28 maj 2026.



