Lekë Mrijaj: Deputetët klinas – hallka e parë e heronjve institucionalë të Kosovës

DEPUTETËT KLINAS NIKOLLË SHABANAJ, HALIL MAXHARRAJ, HYSEN BASHOTA DHE DEPUTETËT E TJERË JANË HALLKA E PARË E HERONJVE INSTITUCIONALË TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS

Historia
e një shteti nuk fillon vetëm ditën kur ngrihet flamuri shtetëror apo kur
arrijnë njohjet ndërkombëtare. Por, ajo nis shumë më herët, pikërisht atëherë
kur një popull arrin ta shndërrojë aspiratën për liri në vullnet politik,
vullnetin në përfaqësim, ndërsa përfaqësimin në të drejtë dhe institucion.
Në
këtë këndvështrim timin analitik e shoh 7 shtatorin e vitit 1990, Kushtetutën e
Kaçanikut dhe plejadën parlamentare që mori mbi vete një prej përgjegjësive më
të mëdha politike të kohës. Brenda atij brezi intelektualësh dhe veprimtarësh
qëndrojnë edhe tre përfaqësues të Klinës: Nikollë Shabanaj (1931–1999), Halil
Maxharraj (1926–Bashota dhe Hysen Bashota (1925–1995), së bashku me deputetët e
tjerë pjesëmarrës.
Prania
e tyre në këtë histori nuk mbështetet vetëm në kujtesën lokale apo në dëshmitë
institucionale të Kosovës. Emrat e tyre janë dokumentuar nominalisht edhe në
literaturën akademike në gjuhën angleze. Në studimin The Political Movement for
the Republic of Kosovo – July 2, 1990, në tabelën “Delegates of the
Constitutional Declaration of July 2nd”, në faqen 168, të tre figurojnë në
listën e delegatëve: Hysen Bashota, nr. 43; Nikoll Shabani, nr. 95; dhe Halil
Maxhari, nr. 96. Format Shabani dhe Maxhari janë ato që përdoren në këtë burim
akademik, ndërsa në burimet biografike hasen edhe trajtat Nikollë Shabanaj dhe
Halil Maxharraj. Kështu, përfaqësuesit e Klinës dokumentohen së bashku
nominalisht në një botim akademik në gjuhën angleze, në lidhje të
drejtpërdrejtë me Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut 1990.
Për
mua, deputetët klinas, së bashku me deputetët e tjerë pjesëmarrës, përbëjnë
hallkën e parë të heronjve institucionalë në themelet e Republikës së Kosovës:
njerëzit që, në një kohë kur Republika ende nuk kishte fuqinë t’i mbronte, patën
guximin ta mbronin idealin e saj me mandat, votë dhe Kushtetutë.
Heroizmi
në historinë e një kombi nuk shkruhet vetëm në fushëbetejë. Ekziston edhe
heroizmi qytetar e institucional: të votosh kur vota mund të të kushtojë
lirinë; të nënshkruash kur nënshkrimi mund të sjellë përndjekje; ta mbrosh
mandatin kur institucioni yt mbyllet me forcë. Deputetët e vitit 1990 u gjendën
pikërisht përballë kësaj prove.
2
korriku dhe 7 shtatori 1990 janë dy gurë të së njëjtës urë historike. I pari
artikuloi politikisht Republikën e Kosovës, ndërsa i dyti i dha asaj trajtën
kushtetuese. Menjëherë pas Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990,
autoritetet serbe, më 5 korrik, shpërndanë Kuvendin dhe organet ekzekutive të
Kosovës. Por mbyllja e dyerve të institucionit nuk e mbylli vullnetin politik
të përfaqësuesve shqiptarë të asaj kohe. Pushteti mund ta mbyllte një sallë,
por nuk mund ta mbyllte një ide që tashmë kishte zënë rrënjë në ndërgjegjen
politike të popullit. Dhe kështu erdhi 7 shtatori 1990.
Në
rrethana të jashtëzakonshme dhe nën kërcënimin e represionit serb, delegatët e
Kuvendit të shpërndarë u mblodhën fshehurazi në Kaçanik. Aty u miratua
Kushtetuta e Republikës së Kosovës, duke i dhënë aspiratës politike për
Republikë një trajtë të organizuar kushtetuese.
Edhe
dokumentacioni i paraqitur vite më vonë në procedurën para Gjykatës
Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë e dëshmon këtë zhvillim historik. Në
parashtresën e Republikës së Polonisë përmenden akti i 7 shtatorit dhe
Kushtetuta e Kaçanikut, ndërsa edhe parashtresa e Serbisë, megjithëse nga një
pozicion juridik krejtësisht i kundërt, evidenton mbledhjen e delegatëve dhe
miratimin e Kushtetutës. Kjo përputhje faktike ndërmjet burimeve me
interpretime të kundërta i jep 7 shtatorit një peshë të veçantë dokumentare. Vlerësimet
juridike mund të ndryshojnë, por fakti historik mbetet: deputetët u mblodhën
dhe, në kushte të jashtëzakonshme, i dhanë aspiratës për Republikë trajtën e
një akti kushtetues.
Njëkohësisht,
edhe International Crisis Group, në raportin Kosovo Spring, e regjistron 7
shtatorin si ditën kur delegatët e Kuvendit të shpërndarë u mblodhën fshehurazi
në Kaçanik dhe miratuan Kushtetutën që e afirmonte Kosovën si republikë sovrane
brenda Jugosllavisë.
Për
hir të saktësisë historike, kjo nuk ishte ende pavarësia e plotë shtetërore dhe
juridike e 17 shkurtit 2008. Ishte, megjithatë, një etapë vendimtare në rrugën
që, nga kërkesa për Republikë, do të kalonte drejt vetëvendosjes dhe, shumë
vite më vonë, drejt shtetit sovran e të pavarur.
Kaçaniku,
prandaj, nuk ishte një seancë parlamentare e zakonshme. Nuk kishte gardë
shtetërore, protokoll diplomatik apo sigurinë e një parlamenti të lirë. Kishte
fshehtësi, kërcënim dhe pasiguri. Por kishte diçka që pushteti nuk mund ta
shpërndante me dekret: vullnetin për Republikën. Deputetëve ua kishin marrë
sallën, por jo mandatin; ua kishin mbyllur institucionin, por jo ndërgjegjen.
Përballë forcës vendosën Kushtetutën; përballë nënshtrimit politik, Republikën.
Edhe çmimi i këtij veprimi ishte real.
Sipas
dokumentimit të International Crisis Group, vetëm dhjetë ditë më vonë, më 17
shtator 1990, 111 delegatë dhe gjashtë anëtarë të Qeverisë së Kosovës u akuzuan
lidhur me aktet e 2 korrikut dhe 7 shtatorit. Human Rights Watch/Helsinki Watch
ka dokumentuar gjithashtu klimën e rëndë të represionit në Kosovën e fillimit
të viteve nëntëdhjetë: arrestimet, presionin policor, largimin e shqiptarëve
nga institucionet dhe vendet e punës, si dhe shkelje të tjera të të drejtave të
njeriut. Në atë atmosferë, vota merrte një kuptim tjetër. Nuk ishte vetëm
procedurë parlamentare; ishte qëndrim, rrezik dhe përgjegjësi historike.
Pikërisht
këtu i vendos edhe tre përfaqësuesit e Klinës: jo të shkëputur nga deputetët e
tjerë dhe as mbi ta, por si pjesë të së njëjtës plejadë parlamentare që nuk
pranoi që shpërndarja e Kuvendit të shndërrohej edhe në shpërndarje të
aspiratës për Republikë.
Në
këtë kuptim, përfaqësuesit klinas, së bashku me kolegët e tyre, mbeten hallka e
parë e heronjve institucionalë të Republikës së Kosovës. Heroizmi i tyre ishte
heroizëm i mandatit, i votës dhe i Kushtetutës. Ata nuk e kishin ende pas vetes
shtetin sovran e të pavarur; e kishin përpara si ideal. Nuk e kishin Republikën
si fuqi që mund t’i mbronte; e kishin si amanet historik që duhej mbrojtur.
Historia
që pasoi dëshmoi se Kaçaniku ishte një hallkë themelore, por jo fundi i rrugës.
Referendumi i vitit 1991 e çoi më tej kërkesën për vetëvendosje. Në vitet
pasuese u ngrit sistemi institucional paralel. Studiuesi britanik Howard Clark,
në veprën Civil Resistance in Kosovo, e ka analizuar këtë organizim si një
formë të gjerë të rezistencës civile, përmes së cilës shqiptarët e Kosovës
mbajtën gjallë jetën politike, arsimore dhe shoqërore jashtë strukturave të
kontrolluara nga Beogradi.
Ishte,
në një kuptim më të gjerë, një popull që përpiqej ta mbante ndezur kandilin e
shtetësisë, ndërkohë që rreth tij frynte era e represionit.
Pastaj
erdhi etapa më e rëndë dhe më e përgjakshme: lufta e viteve 1998–1999. Ushtria
Çlirimtare e Kosovës, luftëtarët dhe dëshmorët e saj, viktimat civile,
masakrat, dëbimet masive dhe qëndresa e popullit shqiptar e çuan çështjen e
Kosovës në një dimension tjetër.
Dokumentimi
ndërkombëtar, përfshirë raportet e Human Rights Watch, ka paraqitur gjerësisht
përmasat e dhunës, krimeve dhe dëbimeve gjatë konfliktit. Ndërhyrja e NATO-s
dhe përfundimi i luftës hapën kapitullin e çlirimit, kthimit të të dëbuarve,
administrimit ndërkombëtar dhe rindërtimit institucional.
Prandaj,
shtetësia e Kosovës së sotme nuk është fryt i një date të vetme. Ajo është një
zinxhir historik sakrifice, qëndrese dhe përgjegjësie. Në njërën hallkë
qëndrojnë deputetët që artikuluan Republikën politikisht dhe
kushtetueshmërisht; në tjetrën, rezistenca qytetare dhe institucionet paralele.
Më pas vijnë luftëtarët dhe dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
viktimat civile, sakrifica e popullit, aleatët ndërkombëtarë, çlirimi dhe
rindërtimi institucional.
Ky
rrugëtim arrin në një prej datave më të mëdha të historisë sonë moderne: 17
shkurtin 2008. Asnjëra hallkë nuk ia merr lavdinë tjetrës, por asnjëra nuk
duhet harruar.
Studiues
si Noel Malcolm, Julie A. Mertus, Howard Clark dhe Tim Judah, nga këndvështrime
të ndryshme, i kanë trajtuar krizën kushtetuese të fundit të viteve tetëdhjetë,
aktet politike të vitit 1990, rezistencën civile dhe konfliktin e mëvonshëm si
pjesë të një procesi më të gjatë të transformimit të çështjes së Kosovës. Në
këtë perspektivë, Kaçaniku nuk është një episod i shkëputur nga rrjedha e
historisë. Ai është një prej gurëve të rëndësishëm në rrugën nga mbrojtja e pozitës
kushtetuese të Kosovës drejt artikulimit të Republikës dhe shtetësisë.
Më
17 shkurt 2008, Republika e Kosovës shpalli pavarësinë, duke u deklaruar shtet
sovran dhe demokratik. Më 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë,
në Opinionin e saj Këshillëdhënës, arriti në përfundimin se miratimi i
Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën
ndërkombëtare. Natyrisht, nuk duhet ndërtuar artificialisht një vijë juridike e
pandërprerë nga Kaçaniku deri te pavarësia e vitit 2008. Historia kushtetuese
dhe ndërkombëtare është më komplekse. Por ekziston një vazhdimësi e fuqishme
historike, politike dhe shtetformuese. Dhe brenda saj qëndron brezi parlamentar
i vitit 1990. Përfaqësuesit e asaj kohe nuk mund ta dinin se si do të përfundonte
historia. Nuk mund ta dinin se do të vinte lufta, ndërhyrja ndërkombëtare,
çlirimi dhe, përfundimisht, 17 shkurti 2008. Ata njihnin vetëm përgjegjësinë e
çastit të tyre. Pikërisht këtu qëndron madhështia e tyre.
Guximi
historik nuk matet vetëm me atë që dimë ne sot, por edhe me atë që ata nuk mund
ta dinin atëherë. Në vitin 1990 nuk kishte garanci për fundin e rrugës. Përpara
qëndronin pasiguria, represioni dhe rreziku. Zgjedhja ishte ndërmjet pranimit
të shuarjes politike dhe vazhdimit të përpjekjes për Republikën e Kosovës.
Prandaj,
tre deputetët klinas nuk duhet t’i shohim vetëm si emra të një komune. Ata janë
pjesë e një brezi shumë më të gjerë parlamentar dhe e një kujtese shtetformuese
që i përket gjithë Kosovës.
Republika
nuk u shkrua nga një njeri. Ajo u artikulua nga një brez, u mbrojt dhe u pagua
me sakrificë, ndërsa u ndërtua nga breza të tjerë. Për këtë arsye i konsideroj
deputetët pjesëmarrës të vitit 1990 hallkën e parë të heronjve institucionalë
të Republikës së Kosovës. Pas tyre erdhën veprimtarët e rezistencës, të
burgosurit politikë, luftëtarët e lirisë, dëshmorët, martirët dhe viktimat e
pafajshme. Të gjithë, në etapa dhe forma të ndryshme, përbëjnë mozaikun e madh
të shtetformimit tonë. Sepse shteti nuk ngrihet në një etapë të vetme. Ai
ndërtohet brez pas brezi: njëri vendos themelet, tjetri ngre muret, ndërsa një
brez tjetër e çon çatinë deri te drita e lirisë.
Më
7 shtator 1990, ata nuk e kishin Republikën e Kosovës si shtet sovran dhe të
pavarur pas vetes. E kishin përpara. Nuk e kishin si realitet të përfunduar. E
kishin si ideal. Nuk e kishin si fuqi që mund t’i mbronte. E kishin si amanet
dhe përgjegjësi që duhej mbrojtur.
Prandaj,
kur sot shqiptojmë emrin Republika e Kosovës, duhet t’i kujtojmë edhe ata që e
artikuluan Republikën shumë përpara se pavarësia të bëhej realitet. Në mesin e
atij brezi, për Klinën dhe kujtesën tonë historike, qëndrojnë Hysen Bashota
(1925–1995), Nikollë Shabanaj (1931–1999) dhe Halil Maxharraj (1926–1998), së
bashku me deputetët e tjerë pjesëmarrës. Një brez. Një mandat historik. Një
Kushtetutë. Një ideal – Republika e Kosovës.
Kjo
është arsyeja pse 7 shtatori 1990 mbetet një gurthemel i kujtesës shtetërore të
Kosovës, ndërsa ata që morën mbi vete barrën e atij akti meritojnë të kujtohen
si hallka e parë e heronjve institucionalë të Republikës, sepse, atëherë kur
Republika e Kosovës ende nuk kishte forcën për t’i mbrojtur, ata, pra vet
deputetët e patën guximin ta mbronin Republikën e Kosovës.
Klinë, më 7 shtator 2026



