Lekë Mrijaj: Bashkëbisedim mirënjohjeje me Prof. Dodë Ndrecajn

10m më parë

Bashkëbisedim mirënjohjeje me prof. Dodë Ndrecajn, ish-pedagogun që mbolli dije, kulturë dhe respekt në kujtesën e nxënësve të tij

(Në vend të urimit në ditëlindjen e prof. Dodë Ndrecaj)

Shkruan: Lekë Mrijaj

Para se ta fillojë këtë bashkëbisedim me ish profesorin tim të nderuar të gjuhës angleze, prof. Dodë Ndrecajn, paraprakisht e ndiej nevojën e veçantë që, para pyetjeve dhe përgjigjjeve, para kujtimeve dhe rrëfimeve, para fjalës së shkruar dhe fjalës së thënë, të ndalem me respekt para jetës së tij, para kontributit të tij dhe para ditëlindjes së tij. Kjo ditëlindje e tij, nuk është vetëm një datë personale në jetën e tij, por është një rast i veçantë mirënjohjeje për një jetë të lidhur ngushtë me shkollën, gjuhën, kulturën, familjen dhe shërbimin ndaj njerëzorës. Ka figura madhore njerëzish që hyjnë në jetën tonë si mësues të një lënde, por me kalimin e kohës ato figura mbeten shumë më tepër se kaq. Ata vendosen në kujtesën tonë si udhërrëfyes të parë të dijes, si zëra të maturuar të edukimit dhe si prani të çmuara që nuk vlerësohen vetëm me orët e mësimit, por me gjurmën që lënë në formimin tonë intelektual, kulturor dhe njerëzor. Për mua, prof. Doda është njëri prej këtyre figurave pedagogjike dhe intelektuale. Ai nuk ishte vetëm profesor i gjuhës angleze, por ishte një dritare e hapur drejt botës, një njeri që, përmes gjuhës së kultivuar, na mësonte se fjala nuk është vetëm tingull, por urë, sepse gjuha nuk është vetëm mjet komunikimi, por horizont; se mësuesi nuk është vetëm shpjegues i një teksti, por ndërtues i karakterit, i mendimit dhe i vetëbesimit të nxënësit.

Në ditëlindjen e tij nuk mjafton të thuhet vetëm: “Urime, profesori im!” Për një njeri si ai, urimi i zakonshëm do të ishte i pamjaftueshëm. Duhet thënë më shumë. Duhet thënë se jeta e tij është një udhëtim i qetë, por i madh; një ecje e maturuar, por e thellë; një dëshmi se njeriu mund t’i shërbejë vendit të vet pa zhurmë, me punë, me dinjitet dhe me fjalë të peshuar. Nga Dresniku i Klinës, nga lagjja Përlina dhe nga Lugu i Drinit, ai mori rrënjën, kujtesën, thjeshtësinë dhe dashurinë për vendin. Nga familja e tij mori edukatën, maturinë dhe nderin. Nga libri mori dritën. Nga gjuha angleze mori horizontin. Nga mësimi shkollor dhe universitar mori misionin. Nga përkthimi mori përgjegjësinë e fjalës së saktë. Nga botimi mori kujdesin për kulturën. Nga toka amë e mori përulësinë. Nga familja mori kuptimin e vazhdimësisë. Ndërsa nga jeta mori atë urtësi që nuk mësohet vetëm në libra shkollor e universitar, por ndërtohet me punë, me durim, me përvojë dhe me qëndresë.

Prof. Ndrecaj i përket atij brezi të arsimtarëve shqiptarë që nuk e panë shkollën vetëm si vend pune, por si mision në tempullin e dijes dhe të qëndresës. Në kohë të vështira, kur arsimi shqip në Kosovë u godit, kur nxënësit dhe mësimdhënësit shqiptarë, nga okupatori serb, u dëbuan nga objektet shkollore dhe kur shkolla u detyrua të mbijetonte në kushte të jashtëzakonshme, profesorët si ai nuk u tërhoqën nga përgjegjësia. Ata e kuptuan se mësimi nuk ishte vetëm proces pedagogjik, por mbrojtje e identitetit; sepse klasa shkollore nuk ishte vetëm hapësirë edukimi, por fortesë morale, dhe se libri nuk ishte vetëm tekst, por flamur i heshtur i dinjitetit kombëtar.

Ndaj në figurën e tij bashkohen disa segmente: profesori, përkthyesi, leksikografi, botuesi, njeriu i kulturës, njeriu i familjes, dhe miku i fjalës së mirë. Ai ka ditur dhe aktualisht di të komunikojë me nxënës, me kolegë, me diplomatë, me njerëz të thjeshtë, me autorë, me lexues dhe me miq, duke ruajtur gjithmonë të njëjtin parim: respektin për njeriun. Sepse njerëzit e vërtetë nuk peshohen me pozitat që kanë mbajtur, por me njerëzinë që kanë ruajtur; nuk peshohen me spikamen e kohës, por me gjurmën e heshtur që lënë në ndërgjegjen e të tjerëve.

Në ditëlindjen e tij të sotme, nuk dua vetëm ta uroj si ish-profesorin tim, por dua ta falënderoj si njeri që ka lënë gjurmë në breza. Njëkohësisht dua ta nderoj si një punëtor të palodhur të dijes dhe të kulturës shqiptare. Pikërisht dua ta kujtoj si një profesor që, në kohën kur ne ishim nxënës të tij, na hapi një portë drejt botës euroatlantike përmes gjuhës angleze, por njëkohësisht na mësoi se asnjë gjuhë e huaj nuk ka vlerë të plotë nëse njeriu harron gjuhën amtare, rrënjën, familjen dhe vendlindjen.

Prandaj, ky bashkëbisedim, për mua, nuk është vetëm një intervistë me një profesor të nderuar, as vetëm një bisedë me një intelektual të formuar, por mbi të gjitha është një kthim në kujtesën e shkollës, një shenjë respekti për mësuesin dhe një akt mirënjohjeje ndaj një njeriu që, me punën e tij të qetë, me fjalën e tij të maturuar dhe me jetën e tij të ndershme, ka dëshmuar se dija, kultura dhe njerëzia mbeten ndër pasuritë më të qëndrueshme të një shoqërie. Me këtë ndjenjë respekti, mirënjohjeje dhe kujtese të mirë, me pyetje dhe pergjegjje me radhë, po e fillojmë bashkëbisedimin tonë të përbashkët me prof. Dodë Ndrecajn.

1. Profesor i dashur Dodë, kur njeriu hyn në shtëpinë tuaj në Klinë dhe sheh bibliotekën, plisin e bardhë, librat, fotografitë familjare dhe kujtimet e shumta, ka përshtypjen se hyn në një shtëpi ku libri dhe tradita jetojnë së bashku. Çfarë përfaqëson për ju kjo botë familjare, kulturore dhe shpirtërore?

? Ai hyn në një botë që për mua nuk është vetëm hapësirë banimi, por një pjesë e shpirtit tim. Libri përfaqëson dijen, përpjekjen dhe horizontin intelektual; plisi i bardhë përfaqëson rrënjën, identitetin dhe dinjitetin shqiptar; ndërsa fotografitë familjare janë ura që më lidhin me brezat, me kujtimet dhe me njerëzit që kanë lënë gjurmë në jetën time. Për mua, familja, kultura dhe tradita nuk janë gjëra të ndara. Ato plotësojnë njëra-tjetrën dhe krijojnë atë ndjenjën e vazhdimësisë, pa të cilën njeriu ndihet i shkëputur nga vetvetja.

2. Profesor, ju keni lindur në Dresnik, lagja Përlina të Klinës, në Lugun e Drinit. Çfarë kujtimesh ruani nga fëmijëria në Dresnik dhe çfarë ndikimi pati ajo tokë në formimin tuaj si njeri, profesor dhe intelektual?

? Dresniku antik i Klinës, Lagjja Përlina dhe Lugu i Drinit janë pjesë e pandashme e kujtesës sime. Aty kam marrë mësimet e para të jetës, jo vetëm në kuptimin shkollor, por edhe në kuptimin njerëzor. Fëmijëria në këtë vend ishte e lidhur me natyrën, me familjen, me punën, me fjalën e dhënë dhe me respektin për më të vjetrit. Ajo kohë më mësoi durimin, përulësinë dhe dashurinë për vendin tim. Mendoj se ndikimi i asaj fëmijërie ka qenë vendimtar në formimin tim si njeri, si profesor dhe si intelektual, sepse aty u krijua ndjeshmëria ime për gjuhën, për historinë dhe për fatin e njeriut shqiptar.

3. Babai juaj, Marku, i njohur edhe si Malë, përmendet si figurë e shqiptarit të vjetër, të urtë dhe autentik. Çfarë kujtoni më së shumti nga ai dhe cilat vlera ua la si amanet?

? Im at, ka qenë një figurë e shqiptarit të vjetër: i urtë, i qëndrueshëm, i matur dhe autentik. Nga ai kujtoj më së shumti karakterin, mënyrën si e mbante fjalën, si e respektonte njeriun dhe si nuk e ndante kurrë dinjitetin nga thjeshtësia. Ai nuk fliste shumë, por fjala e tij kishte peshë. Amaneti më i madh që më ka lënë është të jetoj me nder, të mos harroj rrënjët dhe të ruaj besnikërinë ndaj familjes, kombit dhe së vërtetës.

4. Nëna juaj, Dila Lulgjuraj nga Tuzi, vinte nga një trevë me traditë të fortë shqiptare. Çfarë vendi zë ajo në kujtesën tuaj dhe çfarë trashëguat prej saj në edukatë, durim dhe fisnikëri?

? Nëna ime, nga Selishti, Tuz, Grudë, Malësi e Mbishkodrës, vinte nga një trevë me traditë të fortë shqiptare, ku familja, besa, nderi dhe durimi kishin kuptim të veçantë. Në kujtesën time ajo zë vendin e ngrohtësisë, sakrificës dhe fisnikërisë së heshtur. Prej saj kam trashëguar shumë në edukatë: kujdesin për tjetrin, durimin në vështirësi dhe ndjenjën e përgjegjësisë familjare. Ajo ishte një nënë që nuk edukonte vetëm me fjalë, por me shembullin e saj të përditshëm.

5. Si u lidhët për herë të parë me librin? A e kujtoni librin e parë, mësuesin e parë apo ndonjë moment të veçantë që ju hapi rrugën drejt dijes?

? Lidhja ime me librin ka nisur herët, pasi që babai dinte shkrim lexim dhe lexonte, motra e madhe kishte kryer gjimnazin e ultë dhe dy vëllezërit ishin disa gjenerata shkollore para meje. Andaj në një mjedis ku fjala e të vjetërve kishte peshë dhe kujtesa përcillej gojarisht, libri erdhi si një dritare tjetër drejt botës. Natyrisht se Abetarja ishte libri i parë që ma hapi rrugën e dijes, e pastaj kjo rrugë u ndërtua nga shumë libra, nga mësuesja e parë, e ndjera Fatime Syka nga Peja, dhe nga kureshtja ime e brendshme. Megjithatë, e mbaj mend mirë emocionin e parë kur kuptova se libri nuk është vetëm fletë e shkruar, por një bashkëbisedim me mendjen dhe shpirtin e njeriut.

6. Në bibliotekën tuaj si e ruani edhe romanin “Pse” të Sterjo Spasses me një dedikim nga koha kur ishit nxënës. Çfarë kuptimi ka për ju ai libër dhe ai kujtim i hershëm shkollor?

? Romani “Pse” i Sterjo Spasses, me atë dedikim nga koha kur isha nxënës i shkollës tetëvjeçare, për mua nuk është vetëm një libër i ruajtur në bibliotekë, por edhe një dëshmi e një kohe, moshe dhe e një etjeje për dije. Ky libër më kthen te vitet e hershme shkollore, kur leximi ishte zbulim, kur çdo libër hapej si një botë e re. Si për koincidencë, si temë diplome të maturës zgjodha; “Pikëpamjet sociale në veprat e Sterjo Spasses”.

7. Ju u diplomuat në vitin 1980 në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Anglo-Amerikane në Fakultetin Filozofik të Prishtinës. Pse zgjodhët anglishten dhe çfarë domethënie kishte kjo zgjedhje në Kosovën e asaj kohe?

? Zgjedhja e anglishtes në atë kohë ishte një zgjedhje e rëndësishme dhe, do të thosha, edhe me vizion. Në Kosovën e asaj kohe, anglishtja nuk ishte vetëm një gjuhë e huaj; ajo ishte një mundësi për t’u lidhur me një botë më të gjerë, me kulturën, letërsinë dhe mendimin perëndimor. Gjenerata ime si nxënës të klasës se pestë të shkollës fillore  kishim fatin që të parët të fillonim me mësimin e gjuhës angleze, me mësuesin Avdyl Demaj nga Dollci i rezistencës.  Për mua, gjuha angleze përfaqësonte hapje, komunikim dhe horizont. Në një kohë kur mundësitë ishin të kufizuara, mësimi i një gjuhe kryesore botërore ishte një mënyrë për të dalë përtej kufijve të ngushtë të rrethanave.

8. Pas diplomimit, në vitin 1981, filluat punën si profesor i gjuhës angleze në shkollën fillore të qytetit të Klinës. Si e kujtoni fillimin tuaj si profesor i ri, përballë nxënësve dhe përgjegjësisë së parë arsimore?

? Punësimi si mësimdhënës i gjuhës angleze në vitin 1981 në shkollën fillore  të Klinës ka qenë një moment shumë i rëndësishëm në jetën time. Isha i ri, me dëshirë të madhe për punë dhe me ndjenjën e përgjegjësisë që sjell profesioni i mësuesit. Përballja me nxënësit e parë ishte emocionuese, por edhe serioze. E kuptova menjëherë se mësuesi nuk jep vetëm mësim; ai ndikon në karakter, në sjellje, në ëndrra dhe në vetëbesimin e fëmijëve. Kjo përgjegjësi më ka shoqëruar gjatë gjithë jetës sime profesionale.

9. Unë vetë kam qenë ish-nxënësi juaj në atë kohë, kur ju sapo e kishit filluar punën në shkollën fillore të qytetit të Klinës. Si i kujtoni brezat e parë të nxënësve tuaj dhe çfarë ndjenje ju jep sot fakti se shumë prej tyre ju kujtojnë me respekt e mirënjohje?

? Brezat e parë të nxënësve i kujtoj me shumë respekt dhe mall. Ata ishin pjesë e fillimit tim si mësimdhënës, prandaj ju Lekë dhe gjenerata e juaj keni një vend të veçantë në kujtesën time. Shumë prej jush sot jeni bërë njerëz të formuar, familjarë, profesionistë dhe bartës të përgjegjësive në shoqëri. Fakti që shumë prej ish nxënësve më kujtojnë ende, më përshëndesin dhe ruajnë respektin për atë kohë, më jep një ndjenjë të veçantë kënaqësie. Për një mësues, nuk ka shpërblim më të madh sesa të shohë se puna e tij ka lënë gjurmë të mira te nxënësit.

10. Më vonë punuat në gjimnazin “Luigj Gurakuqi” në Klinë deri në mars të vitit 1999. Çfarë dallimi kishte puna me nxënësit e shkollës fillore dhe më pas me gjimnazistët?

? Puna në gjimnazin “Luigj Gurakuqi” në Klinë ishte një përvojë tjetër, më e gjerë dhe më kërkuese. Me nxënësit e shkollës fillore puna lidhej më shumë me hapat e parë, me krijimin e bazës dhe me edukimin e hershëm. Ndërsa me gjimnazistët, komunikimi ishte më i pjekur, më i thellë dhe më sfidues. Ata kishin pyetje, mendime, dilema dhe kërkonin më shumë argumentim. Puna me ta më dha mundësi të zhvilloj jo vetëm mësimin e gjuhës angleze, por edhe bisedën kulturore, intelektuale dhe qytetare.

11. Çfarë kujtoni nga gjimnazi “Luigj Gurakuqi” para viteve të rënda të represionit serb? A ishte ai një qendër e rëndësishme e arsimit, kulturës dhe formimit kombëtar në Klinë?

? Gjimnazi “Luigj Gurakuqi” deri në kohët vështira të represionit serb ishte një qendër shumë e rëndësishme e arsimit dhe formimit kombëtar në Klinë. Ai nuk ishte vetëm objekt shkollor, por një vatër ku formoheshin breza të tërë të rinjsh. Aty nxënësi merrte dije, por edhe vetëdije. Profesorët, me punën e tyre, mbanin gjallë respektin për arsimin, kulturën, gjuhën dhe identitetin kombëtar. Për Klinën, ai gjimnaz ka pasur peshë të veçantë, sepse prej tij dolën shumë kuadro që më vonë i shërbyen shoqërisë në fusha të ndryshme.

12. Pas vitit 1990, regjimi serb i dëboi nxënësit dhe mësimdhënësit shqiptarë nga objektet shkollore. Si e përjetuat personalisht atë goditje ndaj arsimit shqip?

? Dëbimi i nxënësve dhe mësimdhënësve shqiptarë nga objektet shkollore pas vitit 1990 ishte një goditje shumë e rëndë, jo vetëm për arsimin, por për gjithë qenien shqiptare në Kosovë. Personalisht e kam përjetuar si padrejtësi të madhe dhe si përpjekje për ta ndërprerë vazhdimësinë tonë arsimore e kulturore. Kur të largohet nxënësi nga shkolla dhe mësuesi nga katedra, goditet e ardhmja e një populli. Por pikërisht aty u dëshmua edhe forca jonë: arsimi nuk u shua, sepse ishte kthyer në mision kombëtar.

13. Në atë kohë shkolla shqipe vazhdoi në kushte të jashtëzakonshme. Ku mbahej mësimi, si organizoheshin profesorët dhe si ruhej motivimi i nxënësve?

? Po, shkolla shqipe vazhdoi në kushte të jo të zakonshme, shpesh në shtëpi private, në hapësira të improvizuara dhe me shumë mungesa materiale. Mësimi mbahej me sakrifica të mëdha, por me vullnet të jashtëzakonshëm. Profesorët organizoheshin me kujdes, me përgjegjësi dhe me vetëdijen se po mbanin gjallë një institucion shpirtëror e kombëtar. Motivimi i nxënësve ruhej përmes fjalës së mirë, shembullit personal dhe bindjes se dija ishte forma më e fortë e rezistencës sonë.

14. Çfarë do të thoshte, në ato vite, të ishe profesor shqiptar në Kosovë: mësimdhënës, edukator, rezistues apo dëshmitar i një kohe të vështirë?

? Në ato vite, të ushtroje detyrën e mësuesit të shkollës shqipe, nënkuptonte të ishe njëkohësisht mësimdhënës, edukator, rezistues dhe dëshmitar i një kohe të vështirë. Nuk mjaftonte vetëm të shpjegoje lëndën; duhej të ruaje dinjitetin e nxënësit, t’i jepje kurajë familjes dhe t’i shërbeje një sistemi arsimor që funksiononte nën trysni të jashtëzakonshme. Mësuesi shqiptar i asaj kohe ishte pjesë e qëndresës paqësore dhe bartës i një përgjegjësie historike

15. Ju ishit anëtar i Drejtorisë së Arsimit në nivel të komunës së Klinës, në kuadër të organizimit të arsimit shqiptar. Cilat ishin përgjegjësitë tuaja konkrete në atë periudhë?

? Si anëtar i Drejtorisë së Arsimit në nivel të komunës së Klinës, përgjegjësitë ishin të shumta dhe të ndjeshme. Duhej të merreshim me organizimin e procesit mësimor, me koordinimin e shkollave, me komunikimin me drejtorët, profesorët, prindërit dhe strukturat arsimore të kohës. Detyrë e rëndësishme ishte që mësimi të mos ndërpritej, që nxënësit të kishin mundësi të vijonin shkollimin dhe që sistemi arsimor shqiptar në Kosovë të mbetej funksional, pavarësisht kushteve të rënda.

16. Si funksiononte emërimi i drejtorëve, organizimi i shkollave dhe mbajtja gjallë e sistemit arsimor shqiptar në rrethanat e okupimit?

? Sistemi arsimor në institucionet shkollore në rrethanat e okupimit funksiononte mbi bazën e besimit, përgjegjësisë dhe përkushtimit. Nuk ishin rrethana normale administrative; çdo vendim kërkonte kujdes, guxim dhe maturi. Drejtorët duhej të ishin njerëz me integritet, të pranuar nga kolektivi dhe të gatshëm të bartnin barrën e kohës. Shkollat mbaheshin gjallë falë bashkëpunimit të profesorëve, prindërve dhe komunitetit, të cilët e kuptonin se arsimi ishte themeli i qëndresës sonë.

17. Në kohën e rezistencës paqësore të udhëhequr nga dr. Ibrahim Rugova, mësimdhënësit, nxënësit, studentët, minatorët dhe qytetarët ishin pjesë e një qëndrese të përgjithshme. Si e kujtoni atë mobilizim popullor?

? Mobilizimi popullor në kohën e rezistencës paqësore të udhëhequr nga dr. Ibrahim Rugova ishte një nga dëshmitë më të mëdha të vetëdijes qytetare dhe kombëtare të shqiptarëve të Kosovës. Mësimdhënësit, nxënësit, studentët, minatorët, punëtorët dhe qytetarët u bënë pjesë e një qëndrimi të përbashkët. Ajo nuk ishte vetëm rezistencë politike; ishte rezistencë morale, kulturore, por thuaja se paralelisht me kalimin e kohës edhe ushtarake, me fillimin e stërvitjeve të grupeve të para të organizuara në Shqipëri. Secili, në mënyrën e vet, dha kontribut që Kosova të mos dorëzohej dhe që dinjiteti shqiptar të ruhej.

18. Si njohës i gjuhës angleze, ju u angazhuat si lehtësues gjuhësor në takime me diplomatë, organizata humanitare dhe organizata për të drejtat e njeriut. Cili ishte roli juaj konkret në këto takime?

? Po, do thosha se ishte si mision, angazhimi si përkthyes në takime me diplomatë, organizata humanitare dhe organizata për të drejtat e njeriut. Roli im konkret ishte të ndihmoja në komunikim, të përktheja me saktësi mesazhet, dëshmitë dhe shqetësimet e njerëzve tanë, si dhe të siguroja që pala tjetër ta kuptonte drejt realitetin që po përjetonim. Në ato raste, përkthimi nuk ishte vetëm çështje gjuhësore, por edhe përgjegjësi morale, sepse fjala e përkthyer duhej të bartte të vërtetën e një populli të shtypur

19. A e ndienit atëherë se përkthimi nuk ishte vetëm përkthim fjalësh, por edhe përkthim i dhimbjes, i padrejtësisë dhe i së vërtetës së Kosovës para botës?

? Po, atëherë e ndieja qartë se përkthimi nuk ishte vetëm përkthim fjalësh, por edhe përkthim i dhimbjes, i padrejtësisë dhe i së vërtetës së Kosovës para botës. Kur përktheje dëshmitë e njerëzve, vuajtjet, frikën, humbjet dhe kërkesat e tyre për drejtësi, nuk mund të ishe vetëm një ndërmjetës gjuhësor. Duhej të ishe i saktë, i ndershëm dhe i ndërgjegjshëm se fjala e përkthyer mund të bëhej dëshmi para ndërgjegjes ndërkombëtare.

20. Me vendosjen e Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, nën drejtimin e ambasadorit William Walker, ju u caktuat koordinator për gjetjen e dhjetë përkthyesve në Klinë. Si ndodhi ky angazhim dhe çfarë përgjegjësie ishte për ju?

? Me ardhjen e Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, nën drejtimin e ambasadorit William Walker, lindi nevoja e madhe për përkthyes të gjuhës angleze edhe në komunën e Klinës. Angazhimi im si koordinator për gjetjen e dhjetë përkthyesve erdhi për shkak të njohjes së terrenit, të njerëzve dhe të gjuhës. Përgjegjësia ishte e madhe, sepse nuk mjaftonte vetëm të gjeje njerëz që dinin anglisht. Duhej të ishin të besueshëm, të matur, të guximshëm dhe të aftë të punonin në kushte të rrezikshme. Ishte një detyrë që kërkonte kujdes, sepse përkthyesi në atë kohë ishte shpesh në vijën e parë të kontaktit ndërmjet realitetit të Kosovës dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë.

21. Si përzgjidheshin përkthyesit për një terren aq të rrezikshëm lufte, ku duhej jo vetëm njohje e anglishtes, por edhe guxim, maturi dhe besueshmëri njerëzore?

? Përzgjedhja për një terren aq të rrezikshëm lufte bëhej me shumë kujdes. Përkthyesit duhej të kishin njohuri të mirë të anglishtes, por edhe aftësi për të komunikuar qartë në situata të tensionuara. Guximi ishte i domosdoshëm, por guximi pa maturi mund të ishte i rrezikshëm. Prandaj kërkohej edhe qetësi, përgjegjësi, karakter dhe besueshmëri njerëzore. Në ato rrethana, përkthyesi nuk ishte vetëm përkthyes; ai ishte edhe dëshmitar, udhërrëfyes, ndërmjetës dhe shpeshherë njeri që duhej të ruante gjakftohtësinë në momente shumë të rënda.

22. A ka ndonjë rast nga puna me OSBE-në, me diplomatë apo me organizata ndërkombëtare, që ju ka mbetur i pashlyer në kujtesë?

? Ka shumë raste që kujtojmë nga puna me OSBE-në, me diplomatë dhe me organizata ndërkombëtare. Mbaj mend sidomos takimet ku njerëzit tanë rrëfenin vuajtjet, frikën dhe padrejtësitë që kishin përjetuar. Ishin momente kur fjala bëhej e rëndë, sepse nuk përkthehej vetëm një ngjarje, por një plagë njerëzore. Më kujtohet serioziteti me të cilin disa përfaqësues ndërkombëtarë dëgjonin dëshmitë dhe përpjekja jonë që çdo gjë të përcillej saktë, pa zmadhim dhe pa zvogëlim. Në ato takime e kam kuptuar edhe më shumë rëndësinë e fjalës së vërtetë.

23. Nga viti 1995 deri në vitin 1999 keni drejtuar shkollën private të gjuhëve të huaja në Klinë. Pse e hapët këtë shkollë dhe cilat ishin synimet e saj?

? Shkollën private të gjuhëve të huaja u hap në prill të vitit 1995, fillimisht si degë e Shkollës se gjuhëve të huaja “Oxford Studio”, me menaxhere Shpresa Malazogu, në një kohë kur nevoja për dije dhe për komunikim me botën po bëhej gjithnjë e më e madhe. Synimi ishte t’u jepej të rinjve mundësia të mësonin gjuhë të huaja, sidomos anglishten, si një mjet për arsimim, komunikim dhe hapje kulturore. Në një kohë izolimi dhe vështirësish, një shkollë e tillë ishte një dritare e vogël drejt botës. Ajo kishte për qëllim të përgatiste nxënës, studentë dhe të rinj që nesër të mund të komunikonin më lirshëm me institucionet, me organizatat ndërkombëtare dhe me kulturën perëndimore.

24. A mund të thuhet se ajo shkollë ishte një përgatitje e heshtur për Kosovën e ardhshme, e cila do të kishte nevojë për njerëz që dinin të komunikonin me botën në gjuhën angleze?

? Në institucion i tillë i vogël arsimor, ishte në njëfarë mënyre një parapërgatitje për Kosovën që breza të tërë sakrifikuan dhe synonin me ngulmë. Ndoshta atëherë nuk e thoshim gjithmonë me këto fjalë, por e ndienim se Kosova do të kishte nevojë për njerëz të shkolluar, të hapur dhe të aftë për të komunikuar me botën. Gjuha angleze u bë më vonë shumë e rëndësishme në institucionet ndërkombëtare, në organizatat humanitare, në diplomaci dhe në rindërtimin e vendit. Prandaj, çdo nxënës që mësonte anglisht në atë kohë, në njëfarë mënyre po përgatitej për një realitet të ri.

25. Në bashkautorësi me profesor Bajram Becin hartuat fjalorë anglisht-shqip. Si lindi kjo ide dhe çfarë nevoje plotësonte fjalori në atë kohë?

? Ideja për hartimin e fjalorit anglisht-shqip në bashkautorësi me profesor Bajram Becin nga Mitrovica, që sot fatkeqësisht ende përballohet me pasojat e luftës, lindi nga nevoja praktike e kohës. Kishte mungesë të literaturës së përshtatshme, mungesë fjalorësh dhe mungesë materialesh që do t’u ndihmonin nxënësve, studentëve dhe mësimdhënësve. Fjalori synonte të plotësonte një boshllëk konkret: t’i ndihmonte njerëzit të kuptonin më mirë anglishten dhe ta përdornin atë në mënyrë më të saktë. Ishte punë që lidhej drejtpërdrejt me misionin arsimor dhe kulturor të kohës.

26. Çfarë vështirësish kishit në hartimin e fjalorit, duke pasur parasysh kushtet e kohës, mungesën e mjeteve dhe nevojën e madhe për literaturë praktike?

? Vështirësitë në hartimin e fjalorit ishin të mëdha. Nuk kishim mjetet teknike që ekzistojnë sot, as qasje të lehtë në burime, baza të të dhënave apo literaturë të bollshme. Puna kërkonte lexim, krahasim, përzgjedhje të kujdesshme të kuptimeve dhe shumë durim. Duhej të mendonim jo vetëm për përkthimin e fjalës, por edhe për përdorimin e saj praktik. Një fjalor i mirë nuk është vetëm listë fjalësh; ai duhet t’i shërbejë përdoruesit në shkollë, në punë, në përkthim dhe në komunikim të përditshëm. Për këtë arsye, hartimi i tij ishte një punë e lodhshme, por shumë e vlefshme.

27. Pas luftës punuat në organizatën humanitare “World Vision” në Prishtinë. Çfarë kujtoni nga Kosova e pasluftës, kur vendi ishte i plagosur, por plot shpresë për rindërtim?

? Pas luftës, puna në organizatën humanitare “World Vision” në Prishtinë ishte për mua një përvojë e veçantë dhe shumë njerëzore. Kosova e pasluftës ishte e plagosur: kishte familje të dëmtuara, shtëpi të rrënuara, njerëz të zhvendosur dhe shumë dhimbje të freskët. Por, në të njëjtën kohë, kishte edhe shpresë të madhe për rindërtim. Njerëzit kishin nevojë për ndihmë materiale, por edhe për mbështetje morale. Puna në një organizatë humanitare më bëri të shoh nga afër se rindërtimi i një vendi nuk bëhet vetëm me tulla dhe çati, por edhe me besim, solidaritet dhe kujdes për njeriun.

28. Në shtator të vitit 1999 filluat punë në Zyrën Amerikane në Prishtinë. Çfarë përvoje ishte për ju puna në një institucion amerikan në vitet e para pas luftës?

? Fillimi i punës në Zyrën Amerikane në Prishtinë, në shtator të vitit 1999, ishte një përvojë shumë e rëndësishme profesionale dhe njerëzore. Ishte koha e parë pas luftës, kur Kosova po hynte në një etapë të re dhe prania amerikane kishte domethënie të madhe për qytetarët. Puna në një institucion amerikan kërkonte disiplinë, saktësi, përgjegjësi dhe profesionalizëm të lartë. Për mua ishte edhe një mundësi për të parë nga afër mënyrën se si funksionon një administratë serioze ndërkombëtare dhe si ndërtohen urat e bashkëpunimit mes Kosovës dhe botës demokratike.

29. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Zyra Amerikane u ngrit në nivel Ambasade. Si e përjetuat këtë ndryshim historik dhe çfarë domethënie kishte për Kosovën?

? Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ngritja e Zyrës Amerikane në nivel Ambasade ishte një moment historik dhe shumë emocional. Për ne që kishim kaluar vitet e rënda të okupimit, luftës dhe pasluftës, kjo ishte dëshmi se Kosova po hynte në familjen e shteteve të lira. Prania amerikane kishte qenë vendimtare për lirinë dhe sigurinë e Kosovës, prandaj hapja e Ambasadës përfaqësonte jo vetëm marrëdhënie diplomatike, por edhe mirënjohje, miqësi dhe garanci për rrugën euroatlantike të vendit tonë.

30. Përkundër udhëtimit të vështirë Klinë–Prishtinë nëpër rrugë të dëmtuara nga lufta, ju vazhduat të jepnit mësim anglishte për njerëz të traumatizuar nga barbaria serbe. Çfarë ju shtynte ta bënit këtë?

? Edhe pse rruga Klinë–Prishtinë ishte e vështirë, e dëmtuar nga lufta dhe shpesh e lodhshme, unë vazhdova të mbaja kurse të niveleve te ndryshme të gjuhës angleze, sepse e ndieja si detyrë morale dhe njerëzore. Njerëzit kishin përjetuar trauma të mëdha, por kishin edhe nevojë të fitonin  njohuri të reja si rasti me mësimin e  gjuhës se huaj. Gjuha angleze në atë kohë nuk ishte vetëm lëndë mësimore; ishte mjet komunikimi me botën, me organizatat ndërkombëtare, me institucionet dhe me shpresën për një jetë të re. Më shtynte bindja se dija ndihmon njeriun të mos mbetet peng i dhimbjes.

31. Nga viti 2001 jeni i licencuar si përkthyes dhe intërpret gjyqësor nga Gjykata e Pejës. Çfarë përgjegjësie morale dhe profesionale ka përkthyesi gjyqësor?

? Përkthyesit e licencuar gjyqësor kanë përgjegjësi shumë të madhe morale dhe profesionale. Në gjykatë, fjala duhet të jetë e saktë, e paanshme dhe e plotë. Përkthyesi nuk ka të drejtë të shtojë, të heqë apo të zbukurojë asgjë. Ai duhet të jetë besnik ndaj fjalës së thënë dhe ndaj kuptimit juridik të saj. Në shumë raste, përkthimi lidhet drejtpërdrejt me të drejtat e njeriut, me dinjitetin, me lirinë dhe me fatin e një personi. Prandaj ky profesion kërkon jo vetëm njohuri gjuhësore, por edhe ndërgjegje të lartë etike.

32. A ndodh që në përkthimin gjyqësor fjala të ketë peshë vendimtare për të drejtën, dinjitetin dhe fatin e njeriut?

? Po, në përkthimin gjyqësor fjala mund të ketë peshë vendimtare. Një term i përkthyer gabimisht, një nuancë e humbur apo një fjali e paqartë mund të ndikojë në mënyrën se si kuptohet dëshmia, deklarata apo vendimi. Për këtë arsye, përkthyesi gjyqësor duhet të jetë jashtëzakonisht i kujdesshëm. Ai nuk përkthen vetëm gjuhë; ai ndihmon që drejtësia të kuptohet drejt. Në këtë kuptim, saktësia e përkthimit është pjesë e respektimit të dinjitetit dhe të të drejtave të njeriut.

33. Zyra juaj e përkthimeve mban emrin “Shën Jeronimi / Hieronymus”. Pse zgjodhët pikërisht këtë emër dhe çfarë përfaqëson Shën Jeronimi për ju si përkthyes?

? Emrin “Shën Jeronimi / Hieronymus” përkthyesin ‘vulgata’(në gjuhën e popullit) të Biblës, e kam zgjedhur sepse Shën Jeronimi është figura simbolike e përkthyesit, dijetarit dhe njeriut që ia kushtoi jetën fjalës së shkruar. Për mua, ai përfaqëson përkushtimin ndaj gjuhës, ndaj dijes dhe ndaj urës që krijohet ndërmjet kulturave. Përkthyesi, në thelb, është njeri që ndërton ura: mes gjuhëve, popujve, traditave dhe mendimeve. Ky emër më është dukur i natyrshëm për një zyrë përkthimesh dhe për një shtëpi botuese që e ka në qendër fjalën.

34. Përveç përkthimit, jeni edhe editor dhe botues. Çfarë misioni ka shtëpia botuese “Shën Jeronimi / Hieronymus” në jetën kulturore shqiptare?

? Shtëpia botuese “Shën Jeronimi / Hieronymus” ka për mision të japë ndihmesën e vet në jetën kulturore shqiptare përmes botimit, redaktimit dhe përkrahjes së librit shqip. Për mua, botimi i një libri nuk është vetëm akt teknik apo tregtar. Është shërbim kulturor. Çdo libër i mirë që botohet, pasuron kujtesën, mendimin dhe kulturën tonë. Misioni i kësaj shtëpie botuese është të ndihmojë autorët, të ruajë vlerën e fjalës së shkruar dhe të kontribuojë në zhvillimin e kulturës shqiptare.

35. Ju keni sponsorizuar botimin e librave të disa autorëve shqiptarë. Çfarë ju shtyn ta ndihmoni librin dhe autorin shqiptar edhe financiarisht e moralisht?

? Sponsorizimi i botimit të librave të disa autorëve shqiptarë ka ardhur nga bindja se libri dhe autori shqiptar kanë nevojë për përkrahje. Jo çdo autor ka mundësi financiare për ta botuar veprën e vet, edhe kur ajo ka vlerë. Mua më ka shtyrë dëshira që fjala e mirë, studimi, kujtesa dhe krijimtaria të mos mbeten në dorëshkrim apo në heshtje. Ndihma për librin është ndihmë për kulturën. Kur ndihmon një autor, ndihmon edhe lexuesin, edhe kujtesën kulturore të vendit.

36. Në bibliotekën tuaj gjenden edhe botime të Akademik Zef Mirditës, me të cilin ju lidh edhe origjina familjare. Çfarë vendi zë Zef Mirdita në vlerësimin tuaj intelektual dhe familjar?

? Akademik Zef Mirdita zë një vend të veçantë në vlerësimin tim intelektual dhe familjar. Ai është një prej figurave të rëndësishme të dijes shqiptare, me kontribut të çmuar në historiografi, kulturë dhe mendim shkencor. Lidhja familjare e bën edhe më të afërt për mua, por vlerësimi im për të nuk mbështetet vetëm në afërsinë familjare. Ai mbetet shembull i njeriut të dijes, i studiuesit serioz, shkencëtarit kulmor dhe i intelektualit që i shërbeu kulturës shqiptare me përkushtim dhe dinjitet.

37. Ju me titull jeni profesor, përkthyes, leksikograf, botues, sponsor librash, por edhe bujk në fermën tuaj në Përlinë. Si bashkëjetojnë tek ju libri, fjala dhe toka?

? Libri, fjala dhe toka bashkëjetojnë natyrshëm. Ndoshta dikujt mund t’i duken botë të ndryshme, por për mua ato plotësojnë njëra-tjetrën. Libri më lidh me dijen dhe mendimin; fjala më lidh me përkthimin, mësimin dhe komunikimin; ndërsa toka më lidh me rrënjën, me punën dhe me jetën konkrete. Të jesh pranë tokës do të thotë të mos shkëputesh nga realiteti, nga thjeshtësia dhe nga burimi i jetës. Edhe bujqësia, në mënyrën e vet, ka urtësinë e saj.

38. Çfarë ju jep puna me tokën, me drithërat dhe bagëtitë e imta, që ndoshta nuk jua jep as zyra, as libri, as jeta publike?

? Punimi i tokës, mbjellja e drithërave dhe mbarështimi i bagëtive të imta, më jep një qetësi që nuk ta jep gjithmonë as zyra, as libri, as jeta publike. Ajo të mëson ritmin e natyrës, durimin, përulësinë dhe respektin për mundin. Në zyrë njeriu merret me fjalë, dokumente dhe përgjegjësi; në libër merret me mendim dhe kulturë; ndërsa në tokë takohet me jetën në formën e saj më të thjeshtë e më të pastër. Aty njeriu e kupton më mirë vlerën e punës, të pritjes dhe të frytit.

39. Në miqësi dhe në shoqëri njiheni si njeri i matur, modest, i përvuajtur dhe me fjalë të peshuara. A është kjo trashëgimi familjare, përvojë jetësore apo bindje personale?

? Mendoj se kjo është një kombinim i trashëgimisë familjare, përvojës jetësore dhe bindjes personale. Nga familja kam marrë mësimin se njeriu duhet të jetë i matur, i përmbajtur dhe i drejtë në fjalë. Jeta pastaj ta forcon këtë bindje, sepse të mëson se fjala ka peshë dhe se njeriu nuk vlerësohet nga zhurma që bën, por nga qëndrimi, puna dhe sjellja e tij. Modestia nuk është dobësi; për mua është formë dinjiteti.

40. Ju keni komunikuar me ambasadorë amerikanë, diplomatë të lartë dhe politikanë, por edhe me njerëz të thjeshtë të vendit tuaj. A keni pasur gjithmonë të njëjtin parim në raport me njeriun, pavarësisht pozitës së tij?

? Po, gjithmonë jam përpjekur të kem të njëjtin parim në raport me njeriun, pavarësisht pozitës së tij. Kam komunikuar me ambasadorë, diplomatë e politikanë, por edhe me njerëz të thjeshtë të vendit tim, dhe kam besuar se secili meriton respekt, dëgjim dhe sjellje të ndershme. Pozita është e përkohshme, ndërsa njerëzia mbetet. Për mua, vlera e njeriut nuk matet vetëm me detyrën që mban, por me karakterin, fjalën dhe veprën e tij.



41. Çfarë është për ju miqësia shqiptare? A është miku pjesë e nderit të shtëpisë, e besës dhe e kujtesës sonë njerëzore?

? Miqësia shqiptare për mua është diçka e shenjtë. Ajo lidhet me besën, me nderin e shtëpisë, me mikpritjen dhe me kujtesën njerëzore. Miku nuk është vetëm njeriu që të shoqëron në ditë të mira, por ai që të qëndron pranë edhe në kohë të vështira. Në traditën tonë, miku ka pasur gjithmonë vend të veçantë, sepse përmes miqësisë ruhen lidhjet, besimi dhe fisnikëria njerëzore.

42. Ju jeni i martuar me zonjën Hana, bijë aristokrate e familjes Jakaj, dhe keni pesë fëmijë: Antigonën, Antonin, Petritin, Donikën dhe Markun. Çfarë vendi zë familja në jetën tuaj?

? Familja zë vendin qendror në jetën time. Bashkëshortja ime, Hana, dhe fëmijët tanë, Antigona, Antoni, Petriti, Donika dhe Marku, janë mbështetja, gëzimi dhe kuptimi më i thellë i jetës sime. Çdo punë, çdo angazhim dhe çdo sakrificë merr vlerë më të madhe kur lidhet me familjen. Familja është vendi ku njeriu kthehet gjithmonë, ku gjen qetësi, dashuri dhe vazhdimësi.



43. Biri juaj Marku lindi në kohë lufte. Si e përjetuat atë lindje në mes të frikës, dhimbjes, pasigurisë dhe shpresës për liri?

? Ardhja në jetë e Markut në kohë lufte ishte një përjetim shumë i veçantë, i mbushur njëkohësisht me dhimbje, pasiguri dhe shpresë. Në një kohë kur rreth nesh kishte rrezik dhe vuajtje, ardhja në jetë e një fëmije ishte si një dritë në errësirë. Ajo lindje na kujton se jeta vazhdon edhe në kohët më të rënda dhe se shpresa për liri nuk mund të shuhet. Marku për ne ishte edhe gëzim familjar, edhe simbol i besimit se do të vinte një ditë më e mirë.

44. Si bashkëthemelues e nënkryetar i Forumit të Intelektualëve “Luigj Gurakuqi” në Klinë, si e vlerësoni jetën kulturore dhe intelektuale të Klinës sot?

? Jeta kulturore dhe intelektuale e Klinës sot ka njerëz me vullnet, talente dhe mundësi, por gjithmonë ka nevojë për më shumë organizim, përkrahje dhe vazhdimësi. Forumi i Intelektualëve “Luigj Gurakuqi” kishte për qëllim të bashkonte njerëzit e dijes, kulturës dhe fjalës, që Klina të mos mbetej vetëm hapësirë administrative, por edhe vatër mendimi e krijimtarie. Një qytet ka nevojë për shkolla, biblioteka, debate, botime dhe aktivitete që e mbajnë gjallë shpirtin kulturor.

45. Çfarë duhet të bëjë Klina më shumë për ta ruajtur kujtesën, arsimin, librin dhe jetën kulturore?

? Institucionet relevante dhe ne qytetarët e Klinës duhet të bëjmë edhe më shumë për ta ruajtur kujtesën, arsimin, librin dhe jetën kulturore. Të ketë më shumë përkujdesje për bibliotekat, për figurat e arsimit e të kulturës, për dokumentimin e historisë lokale dhe për mbështetjen e autorëve e krijuesve. Shkollat duhet të jenë jo vetëm vende mësimi, por edhe qendra edukimi kulturor. Një shoqëri që nuk e ruan kujtesën dhe librin, rrezikon të humbasë lidhjen me vetveten.

46. Ju jeni laureuar me çmime kombëtare dhe ndërkombëtare. Si i përjetoni këto vlerësime për punën tuaj shumëvjeçare?

? Çmimet dhe vlerësimet kombëtare e ndërkombëtare i përjetoj me mirënjohje dhe përulësi. Ato janë një nder për punën shumëvjeçare, por nuk i shoh si qëllim në vetvete. Vlerësimi më i madh për mua mbetet ndërgjegjja se kam punuar me përkushtim, kam ndihmuar aty ku kam mundur dhe kam bërë diçka të dobishme në fushën arsimit, përkthimit, botimit dhe kulturës. Mirënjohjet e çmimet na gëzojnë, por edhe të kujtojnë përgjegjësitë që puna të vazhdojë me dinjitet.

47. Kur e shikoni rrugëtimin tuaj nga Dresniku (Përlina) në Klinë, nga shkolla në diplomaci, nga përkthimi në botime, nga biblioteka në fermë, cila ju duket fija kryesore që i ka lidhur të gjitha këto etapa?

? Fija kryesore që i lidh të gjitha këto etapa është përkushtimi ndaj dijes, fjalës dhe njeriut. Gjithmonë kam kërkuar të mbetem i lidhur me rrënjën time dhe me punën e ndershme. Në forma të ndryshme, të gjitha këto kanë qenë një lloj shërbimi: shërbim ndaj nxënësit, gjuhës, kulturës, vendit dhe familjes.

48. Çfarë i mungon më shumë shoqërisë sonë sot: kultura e leximit, përgjegjësia qytetare, respekti për mësuesin, dashuria për gjuhën shqipe apo besimi te njeriu?

? Do kisha thënë, ndoshta i mungojnë nga pak të gjitha këto: kultura e leximit, përgjegjësia qytetare, respekti për mësuesin, dashuria për gjuhën shqipe dhe besimi te njeriu. Por unë do ta veçoja sidomos mungesën e leximit dhe të përgjegjësisë. Kur njeriu lexon më pak, mendon më cekët; kur qytetari ndien më pak përgjegjësi, shoqëria dobësohet. Duhet ta rikthejmë respektin për dijen, për mësuesin, për gjuhën dhe për njeriun e ndershëm.

49. Çfarë mesazhi do t’u jepnit të rinjve shqiptarë që mësojnë gjuhë të huaja dhe duan të ecin me botën, por pa e harruar gjuhën shqipe, familjen, vendlindjen dhe Kosovën?

? Do t’u thosha se rruga drejt botës është e domosdoshme, por ajo nuk duhet të bëhet duke harruar gjuhën shqipe, familjen, vendlindjen dhe Kosovën. Gjuha e huaj të hap dyer, të jep mundësi dhe të lidh me kultura të tjera, por gjuha amtare të mban të lidhur me rrënjën tënde. Njeriu mund të jetë qytetar i botës vetëm atëherë kur e di mirë kush është dhe nga vjen. Prandaj, mësoni gjuhë të huaja, lexoni, udhëtoni, komunikoni me botën, por ruajeni shqipen, nderojeni familjen dhe mos e harroni vendlindjen.

50. Në fund, profesor Dodë, çfarë do t’u thoshit ish-nxënësve tuaj, kolegëve, miqve dhe gjithë atyre që ju njohin si profesor, përkthyes, botues, njeri të librit, të tokës dhe të fjalës së mirë?

? Faleminderit për respektin, kujtesën dhe mirënjohjen. Jeta e njeriut ka vlerë kur lidhet me punë të ndershme, me fjalë të mira dhe me shërbim ndaj të tjerëve. Kam bëjmë aq sa dimë dhe aq sa mundemi, gjithmonë me dëshirën që të lëmë pas vetes diçka të dobishme. Nëse ndokujt i kam dhënë edhe sadopak dije, kurajë, ndihmë apo ndonjë fjalë të mirë, atëherë e ndiej se mundi nuk na ka shkuar kot. Libri, toka, familja, nxënësit, miqtë dhe fjala e ndershme mbeten pasuria më e madhe e jetës sime.

Krejt në përmbyllje të këtij bashkëbisedimi, i dashur profesor Ndrecaj, dëshiroj t’ju shpreh falënderimin tim të sinqertë për kohën që e keni ndarë me mua, si dhe për kujtesën që sollët, për sinqeritetin që dëshmuat dhe për fjalën tuaj të urtë e të maturuar. Sinqerisht e them se për mua, ky bashkëbisedim nuk ishte vetëm një intervistë me ish-profesorin tim të gjuhës angleze, por edhe një kthim i bukur në kujtesën e shkollës, në respektin për mësuesin e mirë dhe në mirënjohjen për një jetë të tërë të kushtuar dijes, fjalës dhe kulturës shqiptare. Ndaj edhe ju uroj edhe një herë ditëlindjen me respekt të veçantë e përzemërsi të sinqertë, duke ju dëshiruar shëndet të mirë, jetë të gjatë, gëzim familjar dhe paqe shpirtërore shumëdimensionale. Qoftë jeta juaj gjithmonë e rrethuar nga dashuria e familjes, nga nderimi i miqve, nga kujtesa mirënjohëse e ish-nxënësve dhe nga drita e librave që aq shumë i keni dashur dhe të cilëve u keni shërbyer me përkushtim gjatë gjithë jetës suaj. Mirënjohje!

Klinë , më 30 maj 2026