Gjon Marku: Tregtari i qumështit

Tregim nga Gjon Marku
Samiu i kishte kaluar të gjashtëdhjetat, megjithatë i duhej të
përballonte një lodhje të dyfishtë. Jeta e kishte përplasur me lloj-lloj
njerëzish e problemesh, por ai kishte ditur t'ia dalë mbanë. I kishte provuar
të gjitha: humbjen e prindërve në moshë të re, rritjen me njëmijë mundime të
motrave dhe vëllezërve, varfërinë e tejskajshme, rrëzimin nga makina, përbuzjen
dhe nderimin, madje edhe burgun. Por ajo që e kishte gjunjëzuar kishte qenë
vdekja e djalit të vetëm dhe e të vëllait, të cilët ishin aksidentuar një natë
furtune dimri. I heshtur, pinte vazhdimisht duhan, aq sa krijohej përshtypja se
nuk mund të jetonte pa atë tymosje. Që pas daljes prej burgut, ai ishte bërë
fjalëpak dhe fytyra i kishte marrë një pamje të vrazhdë; vuante përbrenda.
Çdo ditë ngrihej herët që të kapte trenin e
parë dhe lëvizte me të drejt një qyteti të vogël, strukur mes malesh, me dy
çanta ku kishte vendosur shishet e qumështit, me të cilat mbante njëkohësisht
dy palë jetimë: ato të të vëllait, i cili kishte lënë tetë fëmijë si zogj pule,
dhe ato të djalit të vetëm që ia kishte tharë zemrën. Kthehej darkave vonë, i
lodhur e raskapitur, e merrte në krahë nipin, po zemra gati e linte. Pastaj
ndalej te shtëpia e të vëllait, ku jepte paratë e shitjes së qumështit të lopës
së tyre, dhe pasi hante darkën, bëhej gati për të nesërmen. Kështu, me
qumështin e dy lopëve të tij dhe të fëmijëve të të vëllait, rrugtonte sërish
herët drejt qytetit mes malesh. Kështu, dimër verë, e njëjta gjë.
Vitet iknin e ai plakej, fuqitë e linin,
pastaj bora dhe shiu kishin bërë të vetën, e kishin filluar t'i shfaqeshin një
zot e di se çfarë sëmundjesh, veçse mezi vente e kthehej.
Një natë, në televizorin shtetëror, kishte
parë ministrin në krye të një ekipi që derdhnin qumësht në lumin që rridhte
mespërmes kryeqytetit. "O zot", kishte mërmëritur, "po sikur një
ditë t'i dilnin para atij e t'i derdhnin 'bukën' e dy palë jetimëve në ndonjë
përroskë të atyre anëve?" Ishte përqendruar i tëri në kronikën televizive
dhe pinte duhan gjithë hidhërim. Atë natë s'e zuri gjumi. Ishte përpëlitur në
krevat në mundimin që të gjente një moment qetësie, po më kot. Një ofshamë
kishte dalë prej thellësisë së shpirtit kur kishte kujtuar ditëmortin e të
vëllait dhe të të birit, që ishin vënë në arkivole pranë e pranë. O zot, tridhjetë
vjeç, në kulmin e rinisë së tij. Fëmijët nuk kuptonin pse "flinin" aq
gjatë, aty në arkivol, baballarët e tyre. Ai vetë s'kishte mundur ta mbante
veten dhe ishte shkrehur në atë vajë me dënesë. Ashtu duke dënesur e kishte
zënë mëngjesi, kur i ishte dashur të nisej me çantat në krah, të cilat i ishin
dukur plumb të rënda. Vetëm pasi kishte dalë prej shtëpisë, e kishte kuptuar se
kishte vuajtur shumë në krevat, ku nuk kishte mundur të flinte as edhe një
minutë të vetme.
Kishte zënë një vend në vagonin bosh të trenit
dhe kishte tymosur njërën pas tjetrës disa cigare. Në shpirt ndjente një
shtrëngim të fortë. Edhe pse ishte një ditë korriku, koha ishte e errët.
Ardhja e fatorines e kishte zgjuar nga ato
mendime të trazuara që po ia coptonin zemrën. Ajo e kishte parë disa çaste të
vetmin udhëtar në atë vagon, ndërsa Samiu diku në xhep kërkonte një
qindëlekëshe. Por kur ai kishte nxjerrë kartëmonedhën, ajo ishte duke kapërcyer
në fund të vagonit.
"O zot, më le mendjen e kokës",
kishte mërmëritur me vete. Po afronte stacioni ku duhej të zbriste. Binte një
shi kokërrmadh, megjithatë ai ngarkoi çantat dhe u nis drejt furgonit që
lëvizte asaj lugine të thellë dhe mbërrinte në qytetin mes malesh, ku ai shiste
atë të bekuar qumësht.
E hodhi vështrimin përjashta, ku vërshonte një
lumë i tërbuar, duke sjellë kërcunj e pemë që kushedi se ku i kishte përlarë.
Kurrë nuk kishte rastisur ta shihte atë lumë ashtu, edhe pse kishte vite që
rrugtonte brigjeve të tij. Ndoshta ai vetë ishte i trazuar, dhe tani lumi i
dukej ndryshe. Në vesh sikur i buçiste këngëvajë e një gruaje, ditëmortin, kur
kishte vajtuar pikërisht Samiun për barrën e rëndë që tani kishte për të rritur
njëherësh dy palë jetimë.
Ishte tërësisht i zhytur në vetvete, kur në
një buzë kthese kishte ndaluar furgoni dhe brenda kishin hyrë një polic dhe një
mesoburrë i kollarisur, që ishte më i gjerë se i gjatë, dhe e kishin urdhëruar
të zbriste. Përnjëherësh, në mendje i kishte ardhur kronika televizive dhe
derdhja e qumështit.
Ashtu tejet i lodhur, mundi t'i zbresë çantat
e qumështit para një grupi policësh dhe disa civilësh. Njëri prej këtyre të
fundit kishte nisur të shkruante, nën strehën e një kioske të vjetër e të
braktisur, mbi një letër. Disa metra më tej, një përroskë vente drejt lumit të
tejmbushur. Asnjë dokumentacion nuk kishte ai i ngrati për të tregtuar atë
qumësht të flamosur. E ku kishte kohë ai të merrej me letra.
- Sa shishe janë?
- Shtatëmbëdhjetë, shef Astriti - kishte thënë
njëri prej kontrollorëve - të gjitha në ambalazh plastik, të destinuara për një
përdorim. Samiu e kishte drejtuar vështrimin nga ai shef që kishte emrin e të
birit, tashmë të vdekur.
- Si do të bëjmë? - kishte pyetur ai, të cilin
dikush, pak minuta më parë, e kishte thirrur "shef".
- Do të derdhet - kishte këmbëngulur mesoburri
- si në gjithë vendin, a nuk e patë ministrin?
- E kam parë, e kam parë - u përgjigj tjetri,
ku dukej haptazi pakënaqësia - po ne mund...
- Do të derdhet! - tha mesoburri, pa e lënë
shefin të mbaronte mendimin, dhe vrullshëm kishte rrëmbyer njërën prej
shisheve, kishte nisur të derdhte, me gjithë nxitim, atë lëng të bardhë në atë
shesh të asfaltuar.
- Mos, bre burra! - kishte ndërhyrë Samiu. -
Më lejoni ta marr në shtëpinë time. Aman, bre Astrit. Kam dy palë jetimë. - Një
ligështim e kishte pushtuar dhe nuk kishte mundur të thoshte gjë tjetër.
- Le t'i marrë - kishte ndërhyrë shefi.
Kjo fjali e tij i ishte dukur si një lutje
Samiut, dhe ishte përqendruar tek ai. Ishte një djalë i ri, aty rreth të
tridhjetave. Për një moment, Samiu gati sa nuk e kishte pyetur për moshën, pse
kishte menduar se ishte në një moshë me të birin. Në atë mjegullim sysh, i
ishte dukur krejt si ai.
- Në asnjë mënyrë, kështu bëjnë këta. Do të
derdhet dhe pikë! - kishte ndërhyrë sërish mesoburri, që vazhdonte vrullshëm
dhe gjithë zell të derdhte njërën pas tjetrës shishet e qumështit.
- Për hatër të zotit, mos! Jo aty, mbi asfalt,
se nuk më ecën më lopa - kishte lëshuar atë thirrje-lutje Samiu.
- Mjaft! - kishte urdhëruar shefi. - Mjaft!
Të gjithë ishin përqendruar atje. Fytyra e tij
kishte marrë një pamje të rreptë dhe toni i fjalëve ishte tepër i prerë. -
S'keni turp!...
Polici dhe mesoburri kishin mbetur me shishet
e qumështit ndër duar, ndërsa Samiu sikur kishte ngrirë.
"Po sikur të urdhëroj ta lëmë të
ikë" - kishte menduar një moment - pastaj ishte kujtuar për kritikat në
mbledhjen e fundit, ku ishin pale edhe përfaqësues nga të gjitha institucionet
e kontrollit. Ai e dinte mirë përpjekjen e vartësit të tij për t'i zënë vendin.
Por më së shumti e njihte karakterin e tij për thurje intrigash.
- Jo aty. Pse e poshtëroni? Derdheni në
përroskë, po jo mbi asfalt.
Mesoburri e kishte shikuar në sy, dhe me vete
kishte menduar atë sharje banale, por nuk kishte folur; ishte spostuar disa
metra dhe, me një mllef edhe më të madh, kishte vijuar derdhjen e shisheve
vetëm pak metra më tej.
Djaloshi kishte kërkuar një cigare, dhe pasi e
kishte ndezur, u kishte kthyer shpinën kolegëve të vet, që në fakt bënin
detyrën.
Samiu ishte ulur në një gur, aty në strehën e
asaj kioske, me vështrimin përtokë. E kishte mbërthyer ndër duar kokën dhe nuk
kishte folur më asnjë fjalë, po ishte zhytur në atë botën e tij.
Makina e kontrollorëve ishte nisur për në
qytet. Astriti ishte ndjerë zbrazët tek e kishte parë Samiun në atë gjendje,
dhe vështrimi i tij kishte mbetur tek ai, derisa makina kishte kaluar kthesën
dhe nuk mund ta shihte më.
Makina ishte kthyer sërish pas një ore, dhe
ashtu e kishte gjetur Samiun duke vajtuar me vete.
Astriti kishte zbritur menjëherë prej makinës
dhe ishte ndaluar përpara tij. Kur ia kishte parë fytyrën e lodhur e të
drobitur dhe sytë e skuqur, gjunjët gati sa e kishin lëshuar përdhe.
Inspektorët, si të ngrirë, vështronin atë plak në atë gjendje të mjerë.
- Sa kushtonte gjithë qumështi, Sami? - kishte
pyetur, me zërin e tij që dridhej, shef Astriti.
Vështrimi i Samiut ishte ndalur tek ai, i cili
i kishte ngjarë me të birin.
Tjetri kishte nxjerrë nga xhepi disa
kartëmonedha dhe ia kishte zgjatur.
- Jo, bre bir, kurrsesi. Merri, merri - kishte
mërmëritur - kushedi si e ke hallin. Po ne s'kishim ç'të bënim...
- Jo, jo - kishte mërmëritur Samiu - unë po
marr vetëm këtë, sa për biletë, dhe ta kthej nesër... - Sytë e tij të lagur ia kishin
mjegulluar vështrimin, por zërin e Astritit e dëgjonte.
- Më fal, Sami... - i dukej si një zë që vinte
nga nëntoka, si të ishte zëri i të birit. Dhe as vetë s'e kishte kuptuar se si
e kishte artikuluar atë fjali, që askush s'e kishte kuptuar.
- Për hatër të zotit, edhe një herë, më lini
ta përqafoj tim bir...


