Lekë Mrijaj: Abstenimi im në votimin e sotëm në zgjedhjet parlamentare është ndërgjegje qytetare
Abstenimi im në votimin e sotëm në zgjedhjet parlamentare është ndërgjegje qytetare dhe kërkesë për reformë zgjedhore në Republikën e Kosovës

Para
disa ditësh kam dalë me një opinion timin publik, në të cilin kam shprehur
qartë qëndrimin tim se, derisa në Republikën e Kosovës të mos ndryshohet ligji
zgjedhor në drejtim të krijimit të zonave zgjedhore proporcionale, unë do të
abstenoj nga votimi në zgjedhjet lokale e parlamentare. Ky qëndrim nuk ka qenë
i rastësishëm, as emocional dhe as i nxitur nga ndonjë pakënaqësi e përkohshme
politike. Përkundrazi, ai është fryt i një reflektimi qytetar, demokratik,
moral dhe institucional mbi mënyrën se si funksionon sot përfaqësimi politik në
vendin tonë.
Edhe
abstenimi im në votimin e sotëm në zgjedhjet parlamentare në Republikën e
Kosovës duhet kuptuar pikërisht në këtë frymë. Pra, jo si indiferencë ndaj
shtetit, jo si një ikje nga përgjegjësia ime qytetare dhe jo si mohim i
demokracisë, por si një formë e ndërgjegjshme e reagimit publik ndaj një
sistemi zgjedhor që, sipas mendimit tim, nuk e afron sa duhet deputetin me
qytetarin dhe nuk krijon përgjegjësi të qartë territoriale, politike dhe
institucionale.
Në
çdo shoqëri demokratike euroatlantike, vota është një nga aktet më të
rëndësishme të qytetarit. Ajo nuk është vetëm një shenjë në fletëvotim, as
vetëm një pjesëmarrje formale në një proces elektoral. Vota është zëri i
ndërgjegjes, fjala e qytetarit përballë pushtetit dhe besimi që i jepet një
vizioni, një programi dhe një përgjegjësie publike. Pikërisht për këtë arsye,
vota nuk mund të trajtohet si akt automatik, si zakon elektoral apo si detyrim
formal pa bindje të brendshme.
E
kam theksuar edhe më parë se Republika e Kosovës, në sistemin aktual zgjedhor,
e trajton tërë vendin si një zonë të vetme zgjedhore shumëmandatëshe. Kuvendi i
Republikës së Kosovës ka 120 deputetë, prej të cilëve 100 ndahen
proporcionalisht ndërmjet subjekteve politike, ndërsa 20 vende janë të
garantuara për komunitetet joshumicë. Po ashtu, po e shpreh edhe mendimin
tjetër se edhe Presidenti i Republikës së Kosovës duhet të zgjidhet
drejtpërdrejt nga populli, në mënyrë që të shmangen krizat institucionale që
vendi ynë po i përjeton dhe i ka përjetuar ndër vite.
Modeli
aktual zgjedhor ka pasur rëndësinë e vet në fazat e para të ndërtimit
institucional të vendit, sepse ka siguruar përfaqësim proporcional dhe
përfshirje politike. Mirëpo, pas më shumë se dy dekadash të jetës
institucionale, është koha të shtrohet pyetja nëse ky sistem vazhdon t’u
përgjigjet në mënyrë të plotë nevojave të qytetarëve dhe standardeve të një
demokracie më të pjekur përfaqësuese.
Unë,
me të vërtetë, nuk e mohoj rëndësinë e përfaqësimit proporcional. Përkundrazi,
proporcionaliteti është një vlerë demokratike, sepse ndihmon që vota e
qytetarit të shndërrohet sa më drejt në përfaqësim parlamentar. Por
proporcionaliteti nuk duhet ta dobësojë lidhjen ndërmjet të zgjedhurit dhe
zgjedhësit. Një sistem zgjedhor nuk duhet të prodhojë vetëm përfaqësim partiak,
por edhe përgjegjësi qytetare, territoriale dhe institucionale. Deputeti nuk
duhet të jetë vetëm emër në listën e subjektit politik, por përfaqësues i një
bashkësie konkrete qytetarësh, me të cilët ka lidhje të qartë politike, publike
dhe morale.
Pikërisht
këtu qëndron nevoja për reformë. Kosova duhet të hapë një debat serioz,
institucional, akademik dhe gjithëpërfshirës për ndryshimin e ligjit zgjedhor.
Ky debat nuk duhet të mbetet vetëm çështje e partive politike dhe as të
reduktohet në interesa të ngushta elektorale. Ai duhet të përfshijë ekspertë të
së drejtës kushtetuese dhe zgjedhore, përfaqësues të shoqërisë civile,
akademikë, gazetarë, qytetarë, mërgatën dhe komunitetet joshumicë. Reforma
zgjedhore nuk është vetëm çështje teknike e administrimit të votës; ajo është
çështje e arkitekturës demokratike të shtetit.
Një
nga drejtimet më të arsyeshme të kësaj reforme do të ishte krijimi i zonave
zgjedhore proporcionale. Kosova do të mund të ndahej në disa njësi zgjedhore,
të ndërtuara mirë mbi bazën e numrit të popullsisë, baraspeshës territoriale,
koherencës rajonale dhe drejtësisë përfaqësuese. Në këtë mënyrë, qytetarët e
rajoneve të ndryshme të Kosovës do ta kishin më të qartë se cilët deputetë i
përfaqësojnë dhe nga kush mund të kërkojnë përgjegjësi politike.
Në
një sistem me zona zgjedhore proporcionale, qytetari i Dukagjinit, i
Anamoravës, i Llapit, i Drenicës, i Prizrenit, i Mitrovicës, i Prishtinës apo i
viseve të tjera të Kosovës do ta dinte më qartë se kush është zëri i tij në
Kuvend. Deputeti, nga ana tjetër, nuk do të mund të fshihej vetëm pas logos së
partisë, pas autoritetit të liderit apo pas retorikës së përgjithshme
elektorale. Ai do të duhej të përballej më drejtpërdrejt me qytetarët e zonës
së vet, t’i dëgjonte hallet e tyre, t’i njihte nevojat e tyre dhe të raportonte
për punën e tij publike.
Një
model i tillë fare nuk do ta dobësonte demokracinë Kosovare, por do ta bënte më
konkrete. Demokracia nuk jeton vetëm në studio televizive, në debate të
zhurmshme, në fushata elektorale apo në seli partiake. Demokracia jeton në
terren: në lagje, në fshat, në qytet, në shkollë, në spital, në rrugë, në
familje, në tokën e bujkut, në punën e punëtorit, në ëndrrën e të riut, në
brengën e pensionistit dhe në sakrificën e mërgimtarit. Prandaj, përfaqësimi
politik duhet të zbresë nga abstraksioni i listave partiake në realitetin
konkret të jetës qytetare.
Në
këtë kuadër, rëndësi të veçantë ka edhe përfaqësimi i mërgatës. Diaspora
shqiptare dhe qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit nuk mund të shihen
vetëm si burim remitencash, si mbështetje ekonomike apo si trup elektoral që
kujtohet vetëm gjatë fushatave. Mërgata është pjesë e pandashme e jetës
kombëtare, shoqërore, ekonomike dhe politike të Kosovës. Ajo ka dhënë kontribut
të jashtëzakonshëm në mbijetesën, çlirimin, rindërtimin dhe zhvillimin e
vendit. Për këtë arsye, çdo reformë zgjedhore duhet të shqyrtojë seriozisht
mënyrat e përfaqësimit më të qartë dhe më dinjitoz të qytetarëve të Kosovës që
jetojnë jashtë vendit. Po ashtu, reforma zgjedhore duhet ta ruajë dhe ta
garantojë përfaqësimin e komuniteteve joshumicë. Ky përfaqësim nuk duhet parë
si barrë politike, por si një nga themelet e rendit kushtetues dhe demokratik
të Republikës së Kosovës. Një shtet demokratik nuk matet vetëm me mënyrën se si
e përfaqëson shumicën, por edhe me mënyrën se si i mbron pakicat, si e garanton
pjesëmarrjen e tyre dhe si ndërton kulturë të bashkëjetesës institucionale.
Megjithatë,
reforma zgjedhore nuk mjafton nëse nuk shoqërohet edhe me reformë të kulturës
politike. Ndryshimi i ligjit është i domosdoshëm, por jo i mjaftueshëm. Një
sistem më i mirë mund të krijojë kushte më të mira për përfaqësim, por ai nuk
mund ta zëvendësojë ndershmërinë, vizionin, përgjegjësinë dhe etikën publike.
Kosova nuk ka nevojë vetëm për zgjedhje të shpeshta; ka nevojë për politikë të
pjekur. Nuk ka nevojë vetëm për fushata; ka nevojë për vizion. Nuk ka nevojë
vetëm për liderë që flasin bukur; ka nevojë për njerëz që shërbejnë me
përulësi, me dije, me karakter dhe me ndershmëri.
Pra,
këtu qëndron edhe dimensioni moral i abstenimit tim. Kur një numër i madh
qytetarësh nuk gjejnë vizion të qartë, kur nuk shohin sinqeritet politik, kur
partitë duken më shumë të zëna me interesin e vet sesa me hallet e popullit,
atëherë lind një formë tjetër e qëndrimit qytetar: abstenimi. Në këtë rast,
abstenimi nuk është refuzim i demokracisë, por thirrje që demokracia të mos
mbetet vetëm procedurë, por të bëhet kulturë, përgjegjësi dhe shërbim.
Nga
këndvështrimi biblik dhe moral, abstenimi nuk është gjithmonë ikje. Ka raste
kur abstenimi është vetëpërmbajtje, pastrim i ndërgjegjes dhe refuzim për t’u
bërë pjesë e një gjendjeje që nuk e bind shpirtin. Ashtu si njeriu abstenon nga
diçka për të ruajtur pastërtinë e brendshme, ashtu edhe qytetari mund të
abstenojë nga një proces kur vlerëson se oferta politike dhe sistemi
përfaqësues nuk u përgjigjen pritjeve të tij demokratike dhe morale.
Megjithatë,
abstenimi nuk duhet të jetë i lehtë, i verbër apo i papërgjegjshëm. Ai duhet të
jetë akt i menduar, i peshuar dhe i ndërgjegjshëm. Nuk duhet të burojë nga
përtacia, nga zemërimi i çastit apo nga indiferenca ndaj fatit të vendit.
Abstenimi ka kuptim vetëm kur buron nga analiza, nga kërkesa për reformë dhe
nga refuzimi për ta legjitimuar një model që qytetari e konsideron të pamjaftueshëm.
Partitë
politike në Kosovë duhet ta lexojnë me seriozitet këtë lloj abstenimi. Pra, me
fjalë nuk duhet ta shohin qytetarin që abstenon vetëm si të painteresuar apo si
të larguar nga procesi demokratik. Përkundrazi, shpesh qytetari që abstenon me
vetëdije është qytetar që kërkon më shumë nga demokracia. Ai nuk e refuzon
shtetin; ai kërkon shtet më të përgjegjshëm. Ai nuk e mohon votën; ai kërkon që
vota të ketë më shumë kuptim. Ai nuk e përbuz politikën; ai kërkon politikë më
të ndershme, më përfaqësuese dhe më të lidhur me jetën reale të qytetarëve.
Abstenimi
im, pra, nuk është mohim i Kosovës. Kosova është më e madhe se partitë, më e
shenjtë se interesat e ngushta dhe më e thellë se fjalimet elektorale. Kosova
është gjaku, mundi, ëndrra dhe sakrifica e shumë brezave. Pikërisht për këtë
arsye, vota nuk mund të jepet pa ndërgjegje. Ajo nuk mund të shitet për
premtime, nuk mund të dorëzohet nga frika, nuk mund të përdoret si zakon
familjar apo partiak. Vota duhet të jetë akt i lirë, i pastër dhe i përgjegjshëm.
Edhe
në traditën biblike thuhet: “Po-ja juaj le të jetë po, dhe jo-ja juaj le të
jetë jo.” Kjo fjalë mund të lexohet edhe si parim moral për jetën publike.
Qytetari ka të drejtë të thotë “po” kur sheh drejtësi, vizion, sinqeritet dhe
përfaqësim të denjë. Por ai ka të drejtë të thotë edhe “jo” kur sheh mungesë
reforme, mungesë përgjegjësie dhe politikë të shkëputur nga qytetari.
Ndonjëherë kjo “jo” shprehet me votë kundër; ndonjëherë shprehet me abstenim.
Prandaj, qëndrimi im mbetet i qartë: derisa të mos hapet seriozisht çështja e
reformës zgjedhore dhe derisa të mos ndryshohet ligji zgjedhor në drejtim të
krijimit të zonave zgjedhore proporcionale, dhe zgjedhja e Presidentit nga vota
e popullit, unë do të abstenoj nga votimi në zgjedhjet e përhershme
parlamentare në Republikën e Kosovës.
Ky
qëndrim nuk është kundër Kosovës, por në të mirë të saj. Nuk është kundër
demokracisë, por në kërkim të një demokracie më të thellë. Nuk është kundër
votës, por në mbrojtje të kuptimit të saj. Unë dua të votoj në një sistem ku
vota ime ka lidhje më të qartë me vendin tim, me zonën time, me bashkësinë time
dhe me përgjegjësinë konkrete të deputetit. Dua të votoj në një sistem ku
qytetari nuk është vetëm pjesë e listave partiake, por pjesëmarrës real në
ndërtimin e përfaqësimit demokratik.
Në
fund e përmbyll me këtë këndvështrim timin, se abstenimi im është një qëndrim i
kthjellët qytetar, moral dhe demokratik, i cili nuk është refuzim i atdheut,
por kërkesë për një shtet më të drejtë. Nuk është kundërshtim ndaj demokracisë,
por thirrje për ta hapur atë më shumë ndaj qytetarit. Nuk është heshtje e
zhgënjyer, por heshtje e ndërgjegjshme. Është një kambanë e heshtur që nuk
bërtet, por tingëllon në ndërgjegjen e politikës. Dhe kush ka veshë për të
dëgjuar, le ta dëgjojë.
Klinë, 7 qershor 2026



