Ilir Çumani: Shqipëria nuk është një njeri…!
SHQIPËRIA NUK ËSHTË NJË NJERI…!

Ka
kaluar më shumë se një dekadë që pushteti përpiqet të ndërtojë një mit të
rrezikshëm politik: idenë se Shqipëria identifikohet me një emër të vetëm, me
një figurë të vetme, me një njeri të vetëm.
Për
vite me radhë, Edi Rama është paraqitur si “marka” që i jep fytyrë Shqipërisë
në botë, si njeriu që e bëri vendin të dukshëm, modern dhe të pranueshëm për
Perëndimin.
Përmes
një industrie të fuqishme dhe njëherazi të frikshme propagande, të ngritur me
kujdes gjatë viteve të sundimit të tij, ai ka ushqyer hapësirën shqiptare,
brenda dhe jashtë vendit, me luks vizual, marketing politik dhe kontroll të
komunikimit publik.
Përmes
kësaj makinerie, është përpjekur t’i bindë shqiptarët se emri dhe pesha e Shqipërisë
në botë vlejnë vetëm aq sa vlen imazhi personal i kryeministrit autokrat dhe
narcistik i Edi Ramës.
Por
historia ka një mënyrë të veçantë për t’i rrëzuar këto mite të rreme politike
duke i përmbysur ato pikërisht në çastin kur pushteti mendon se i ka bërë të
përjetshme.
Sot,
flamurin e Shqipërisë në opinionin ndërkombëtar nuk po e mbajnë më mercenarët
influencierë dhe propagandistët e lëtyrosur të pushtetit korruptiv, të
shpërndarë ngado studiove televizive të superpaguar me paratë e krimit dhebtë
korrupsionit shtetëror.
Nuk
po e mbajnë as zyrat e kushtueshme të lobimit, as fjalimet e kuruara për
samitet diplomatike, as fotografitë e orkestruara me liderët botërorë.
Sot,
emri i Shqipërisë po qarkullon në median ndërkombëtare përmes zërit të qytetarëve
që protestojnë kundër padrejtësisë, kundër korrupsionit, kundër arrogancës së
pushtetit dhe kundër kapjes së shtetit.
Janë
protestat, revolta qytetare dhe denoncimet publike ato që kanë depërtuar në
ekranet dhe faqet e mediave më të rëndësishme ndërkombëtare.
Dhe
kjo nuk ndodh sepse bota po admiroka suksesin e propagandës qeveritare, por
sepse demokracitë perëndimore kanë filluar të shohin me shqetësim atë që po
ndodh në Shqipëri.
Në
të vërtetë, problemi më i madh i çdo pushteti të gjatë nuk është opozita, por
momenti kur ai fillon ta ngatërrojë veten me shtetin dhe liderin me kombin. Kjo
është sëmundja më klasike e regjimeve që humbin kufirin midis mandatit
demokratik dhe pronësisë mbi vendin.
Asnjë
kryeministër nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë Shqipëria, sepse Shqipëria
nuk është një zyrë qeveritare, nuk është një propagandë e shfrenuar televizive.
Nuk është një fasadë turistike e kuruar për rrjetet sociale. Shqipëria e
vërtertë është populli i saj, historia e saj, dinjiteti i qytetarëve të saj dhe
e drejta e tyre për të kundërshtuar pushtetin pa u shpallur armiq të vendit.
Janë ata djem dhe vajza të mrekullueshëm në protestë që qëndrojnë si yje të
shndritshëm në ballin e Shqipërisë dhe e kanë qëndisur kaq bukur dinjitetin dhe
krenarinë e një kombi të tërë.
Në
çdo regjim me prirje autoritare dhe kleptokrate, kritika ndaj qeverisë
paraqitet si sulm ndaj kombit. Kush proteston etiketohet si “armik”, “i
shitur”, “peng i politikës”, “anti-shqiptar” apo “turp për vendin”. Por ky
është pikërisht diversioni me logjikën me djallëzore dhe më malinj që kanë
përdorur gjithmonë pushtetet që kanë frikë nga qytetari i lirë, ngase qytetari
i lirë është i vetmi që mund ta rrëzojë iluzionin e paprekshmërisë.
Iluzioni
i rremë dhe më i madh i kësaj kohe ka qenë besimi se imazhi ndërkombëtar
ndërtohet me regji propagandistike, ndërkohë që realiteti social brenda vendit
rrënohet nga korrupsioni, emigracioni masiv, varfëria, kapja e institucioneve
dhe humbja e besimit tek drejtësia.
Bota
demokratike nuk mashtrohet pafundësisht nga marketingu politik. Ajo sheh
shifrat e largimit të të rinjve, raportet për korrupsionin, akuzat për lidhjet
mes politikës dhe interesave të botës kriminale. Sheh tensionin social dhe
frikën e qytetarëve për të folur lirshëm, dhe mbi të gjitha, sheh protestën si
shenjën më të qartë se një shoqëri nuk pranon më të heshtë.
Pikërisht
këtu rrëzohet narrativa e “brendit personal” e një njeriu që me të gjitha
mënyrat e tij ka ngritur kultin personal mbi atë të Shqipërisë dhe të kombit.
Në
demokraci, reputacioni i një vendi nuk matet me madhështinë e liderit, por me
lirinë e qytetarëve të tij. Nuk matet as me dekorin, por me drejtësinë; as me
propagandën, por me të vërtetën.
Historia
moderne e Europës e ka provuar vazhdimisht se pushtetet që përpiqen të
monopolizojnë identitetin kombëtar përfundojnë duke u izoluar nga vetë popujt e
tyre. Dhe kur ndodh kjo, zëri i qytetarëve bëhet më i fortë se çdo makineri e
errët dhe i frikshme propagandistike.
Sot,
Shqipëria nuk po përfaqësohet në botë nga heshtja, por nga guximi i atyre që
guxojnë të flasin, që protestojnë, që kërkojnë llogari, nga ata që refuzojnë ta
pranojnë idenë se vendi i tyre i përket një njeriu apo një partie.
Shqipëria
nuk është pushteti, dhe aq më pak, nuk është pronë e një individi që prej 13
vitesh ka kapur pothuajse çdo hallkë të jetës institucionale, politike dhe
publike të vendit, duke sunduar përmes grabitjes, përçarjes, frikës,
propagandës dhe kontrollit mbi gjithçka që mund të prodhojë mendim ndryshe apo
kundërshti.
Sepse
rreziku më i madh i çdo pushteti të gjatë është momenti kur ai nuk kërkon më të
qeverisë, por të zotërojë dhe sundoj pafundësisht duke shkelur parimet dhe
rregullat me elementare të funksionimit të demokracisë.
Të
zotërojë institucionet, drejtësinë, median, administratën, ekonominë, opinionin
publik dhe, mbi të gjitha, vetë të vërtetën.
Kur
një qeveri fillon të sillet sikur shteti është pronë private dhe qytetarët
thjesht spektatorë pa zë, atëherë demokracia nuk është më në krizë, por në një
rrezik të hapur.
Historia
politike botërore ka treguar gjithmonë se asnjë pushtet nuk është aq i fortë sa
të mund të mbajë peng përjetësisht një popull të tërë.
Propaganda
mund të manipulojë për një kohë. Frika mund të heshtë njerëzit përkohësisht.
Kontrolli mund të deformojë institucionet. Por asnjë regjim nuk mund ta shuajë
pafundësisht ndjenjën e dinjitetit dhe nevojën e qytetarëve për liri, drejtësi
dhe barazi, ngase Shqipëria është më e madhe se çdo kryeministër, më e vjetër
se çdo pushtet dhe më e fortë se çdo makineri propagandistike.
Shqipëria
nuk jeton në zyrat e qeverisë, por në ndërgjegjen dhe vetëdijen e qytetarëve të
saj, në të drejtën për të folur lirshëm, në kurajën për të kundërshtuar
padrejtësinë, në refuzimin për të pranuar se demokracia mund të zëvendësohet me
kultin e një njeriu të vetëm.
Pikërisht
në ditët kur pushteti përpiqet të bindë se ai është vetë shteti, lind reagimi
më i fortë qytetar.
Ndaj,
beteja e sotme nuk është thjesht politike, por një betejë e madhe morale dhe
qytetare për të rikthyer idenë se Shqipëria u përket shqiptarëve dhe jo atyre
që qeverisin përkohësisht në emër të saj.
Shteti
nuk është pronë, pushteti nuk është identitet kombëtar dhe demokracia nuk mund
të mbijetojë aty ku një njeri sado i pushtetshëm që të jetë kërkon të jetë më i
madh se vetë vendi që ai drejton përkohësisht….
Tiranë, e premte - 5 qershor, 2026







