Idriz Zeqiraj: Vjosa dhe Donika u barrikaduan në mbrojtjen e rugovizmit, andaj klani i përzuri nga partia!

58m më parë

VJOSA DHE DONIKA U BARRIKADUAN NË MBROJTJEN

E RUGOVIZMIT, ANDAJ KLANI I PËRZURI NGA PARTIA!

(-Vijon nga: "Rebelimi i Vjosë Osmanit kundër ndalimit

të debatit dhe të votës të fshehtë në Kuvend" -)

NGA IDRIZ ZEQIRAJ

Vjosë Osmani dhe Donikë Gërvalla nuk janë larguar vullnetarisht nga LDK-ja, por i përzuri klani i Isa Mustafës, bisht e patericë të PDK-së. Ato ishin barrikaduar në mbrojtjen e parimeve rugoviane. Ndalimi i debatit demokratik dhe i votës të fshehtë degraduan, deri në degjenerim jo vetëm LDK-në, por të gjithë klasën politike të Kosovës. Kujtoni bllokadën e zgjedhjes të kryetarit të Kuvendit, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, kur nuk u lejua votimi i fshehtë dhe vendi shkoi në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025!

Qe kur ka lindur votimi, bazë krijuese ka pasur pikërisht votimin e fshehtë, si prova më e mirë seleksionuese zgjedhore. Votimin e fshehtë e kanë shpërfillur dhe mohuar diktatorët kriminelë, sundues deri në cofje. Po të zbatohej votimi i fshehtë, shtetarët e dhunshëm dhe kriminelë: Stalin, Hitler, Enver Hoxha, Pol Poti dhe soji i tyre kriminelë dhe rrugaçë, kurrë nuk do të sundonin një mandat të dytë. Ashtu siç nuk do të "zgjidheshin" për një mandat të dytë as të kriminalizuarit Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj, Isa Mustafa dhe zuzarë të tjerë.

Thonë se "çdo e keqe ka një të mirë!" Kështu ndodhi edhe me dy veprimtaret e shquara, njëherësh edhe drejtuese të suksesshme, Vjosë Osmani dhe Donikë Gërvalla. Shoqëria kosovare kutërbonte nga krimi dhe hajnia. Bandat vrastare dhe mafia hajnore e grabitçare, ua kishte gërditur Atdheun-Kosovë popullit të saj. Ndryshimi ishte jo vetëm i nevojshëm, por edhe i domosdoshëm. Këtë moment të parat e diktuan dhe e përqafuan dy veprimtaret unike, Vjosë Osmani dhe Donikë Gërvalla. Por, ndryshimi kërkon edhe forcë faktike, mbështetje masive morale. Këtë nevojë e përmbushi Albin Kurti me LVV tij numerike.

Ndryshimi i shumëpritur u realizua paqësisht, me votën e fshehtë popullore. Populli i refuzoi, me neveri, për qeverisje subjektet politike PDK-AAK-NISMA, të koalicionuara në PAN, duke i larguar nga pushteti i përgjakur "komandantët" e vetëshpallur dhe kriminelë. Ndërsa LDK-ja, e cila ishte pushtuar nga një klan, shefin e të cilit e kishte katapultuar në krye të partisë Hashim Thaçi me SHIK-un e tij kriminal, frymoi lirshëm me Lidershipin e ri.

Pesëshja simpatike: Albin Kurti, Glauk Konjufca, Vjosë Osmani, Donikë Gërvalla, Mimoza Kusari, përtej 5 (pesë) viteve u bënë shpresa e shqiptarëve të kudondodhur. Binomi Vjosa-Albini funksionoi mrekullisht mirë. Shqiptarët prisnin ta vazhdonin bashkëpunimin e suksesshëm. Por, ndodhi e papritura. Kurti edhe pse i tha Vjosës se "Ti je Presidentja më e mirë e shekullit 21", megjithatë, ai refuzoi njëanshëm mandatin e dytë presidencial të Vjosë Osmanit?! Ishte një premtim i dhënë Vjosës dhe fort i pritshëm nga shqiptarët. Por, Kurti e hëngri fjalën e dhënë, bëri kalkulime hiç të dinjitetshme, deri në besë-prerje, duke lënduar dhe zhgënjyer skajshëm shqiptarët. Dhe, mbi të gjitha, dëmtoi disa procese të pritshme, të cilat Vjosa do ta kishte parësinë për zgjidhje pozitive, madje në një të ardhme të afërt.

Klasa politike e Kosovës është mjaft e kontaminuar, e helmuar. Mundësia për të zgjedhur partnerë ideal, është zëro. Të vetmet parti parlamentare të pa kriminalizuara, janë LDK-ja dhe LVV. Andaj, duhet pasur vëmendjen porosinë e shkrimtarit Gorki: "Kurrë mos u prishni me fund me tjetrin, sepse një ditë mund të pajtoheni dhe të bëheni miq të mirë". LVV ka ndryshuar, sepse është spastruar nga elementë individualë dhe gruporë ekstremë majtistë. Prurjet janë rinorë, pa asnjë ngarkesë ideologjike majtiste. Përkundër, janë properëndimorë. Prandaj, parësia e koalicionit LDK me LVV, është lehtësisht i pranueshëm, se sa partitë ekstreme të majta të PAN-it, por falsifikueshëm thirrën si të djathta.