Idriz Zeqiraj: Tallja groteske e Kurtit me opozitën!
TALLJA GROTESKE E KURTIT ME OPOZITËN!

Kryeministri Kurti "edhe një herë
e zhveshi shpatën për situatën", janë vargjet e një kënge, kushtuar Enver
Hoxhës, për goditjen e armiqve të klasës! Hipokrizia dhe demagogjia e Albin
Kurtit, u shpërfaqen në mënyrën më groteske, në datën 28 prill 2026.
Nëse i takojnë ligjërisht partisë
fituese të tri postet kryesore pozitës, kjo nuk qenka trajtuar në Kushtetutë.
Por, t`i thuash se "tërheq kandidaturat e Glaukut dhe të Fatmirës, sillni
tre emra kandidatësh për presidentë", duke mos zbuluar se edhe nga LVV, do
të jetë i katërti!?!
Kosova ka 120 deputetë, 66 syresh janë
të LVV, me koalicionet e saj. Atëherë, gara përfundon, ende pa i numëruar
votat! Dhe kjo është lojë fjalësh, tallja cinike, groteske, e turpshme,
mujshare, me elementin bazë të rrugaçërisë.
Opozita, për ndryshim të bojkotit të
pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, e cila donte humbjen e pësuar, ta
kompensonte me marrjen e fitores në tavolinë, i barti pasojat në zgjedhjet e 28
dhjetorit 2025.
LDK gaboi kur nuk pranoi
bashkëqeverisjen me LVV, sepse pengoi klani i Isa Mustafës, argat i PDK-së.
Andaj, vendi shkoi në zgjedhje dhe për këtë u fajësua me të drejtë LDK-ja, me
humbjen e thellë në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025.
PAN-i shpëtoi më lehtë, ngaqë Kurti i
kishte refuzuar për koalicion, me arsyetimin sa parimor, aq edhe bindës:
"Nuk jeni reformuar, mbani barrën e krimeve vrastare dhe të hajnisë
zyrtare, duke e përgjakur dhe zhvatur Kosovën".
Kurti sikur pranoi ta dorëzojë postin e
presidentit opozitës. Dhe, duke qenë në pritje të tri kandidaturave, nxori
dy emra nga Shoqëria Civile. U tha se nuk kanë pasur dhe nuk kanë lidhje me
angazhimet politike. Feride Rushiti aktiviste për mbrojtjen e të drejtave të
viktimave të luftës, por rezulton se ishte në Këshillin Iniciues të
themelimit të Lëvizjes Vetëvendosje, dikur. Një pasaktësi e bërë në prezantimin
e saj, rezultoi të mos ishte rekomanduar nga ambasada britanike. Ambicie
politike kishte pasur për garën për presidente, me Atifete Jahjaga, por amerikanët
u përcaktuan për të dytën.
Opozita refuzoi të bëhet argate e LVV,
duke ia bërë numrat dhe turpëruar kandidatin/en e vet, në një garë të parathënë
humbëse, sepse LVV kishte 66
vota të siguruara, përkundër PDK-së dhe
LDK-së, që kishin, përkatësisht, 22 dhe 15 vota!
Maskarada zgjedhore, gjysmë ilegale dhe
krejt të jashtëligjshme, me praninë e vetme të deputetëve të LVV. Kurti u
mburrë me 63 votat e fituara nga zonja Feride Rushiti. Por, mungesa e Kuorumit,
e dështoi votimin.
Dështimi i parathënë, sepse opozita
paralajmëroi bojkotin, tashmë, bindshëm të arsyetuar.
Fjalimet akuzuese të katërshes së parë
të LVV: Albin Kurtit, Albulenë Haxhiu, Glauk Konjufca dhe Hekuran Murati, ishin
të një trajtshme, tautolologji, përsëritëse, bajate, me qëllimin e qartë, për
ta fajësuar opozitën se "po e çon vendin në zgjedhje të serishme".
Megjithatë, elokuenca e Albinit, me
vartës, doli huq dhe nuk bindi askënd. Përkundrazi, bëri efekt të kundërt. Këtë
herë shqiptarët u zhgënjyen goxha fort nga Kurti dhe LVV e tij me aleatë. Sepse
populli i kishte dhënë 51 % dhe për t`i pasur të gjitha, pra, të tre postet
kryesore, mungonin 49 % të votave.
Kurti e shpiku kriterin bazë:
"President jo partiak, nga jashtë politikës!" Kjo u lexua si
president i pavarur, me aludimin e qartë, përjashtimin e presidentes Vjosë nga
konkurrenca, edhe pse Albini e kishte vlerësuar në shkallën sipërore, "presidentja
më e mirë e shekullit 21". Të gjithë presidentët e botës janë
politikanë të thekur. Kujt i duhet një president që nuk ka qasje në
politikën e brendshme dhe ndërkombëtare?! Presidenti është përfaqësues i parë i
popullit dhe neutral ndaj partive politike në vend. Dhe, kjo mjafton që ai të
manifestojë paanshmëri politike, për ndonjë subjekt të veçantë.
Albin Kurti ndryshoi qëndrimin dhe
mohoi obligimin, për ta nominuar Dr. Vjosë Osmanin, për mandatin e dytë
presidencial. Ndërkohë që prurjet të Vjosës në "GUXO", përkatësisht,
LVV, llogaritën në shumë-mijëra njerëz. Kjo ka irrituar shqiptarët, sepse
gjenerali freng, Napoleon Bonaparti, ka thënë se "më shumë i urrej
mosmirënjohësit, se sa tradhtarët".
Vjosë Osmani në intervistën e saj,
dhënë televizionit "Syri" të Çim Pekës, shpalosi punën e saj
përkushtuese në detyrën e lartë të Presidentes. Ajo foli për punën
bashkëpunuese të suksesshme, në shtrirjen e sovranitetit me kryeministrin Kurti
si dhe çështjet tjera shtetërore.
Me shpërndarjen e Parlamentit, Dr.
Vjosë Osmani bëri detyrën e Presidentes, duke mos bërë asnjë shkelje të
Kushtetutës. Ajo e njeh mirë mallin e vetë dhe kjo u dëshmua për dërgimin e
serishëm të vendit në zgjedhjet, sa të panevojshme, aq edhe të turpshme.
Sulmet e egra, kriminale dhe
rrugaçërore janë të sinkronizuara, tashmë, jo vetëm nga aktivistët e LVV, por
edhe nga PAN-i dhe të tjerë anësorë, me shpifje denigruese të qëllimshme.
Vetëm LDK-ja u përmbajt, madje e mori në mbrojtje, bashkë me popullin e Kosovës.
Edhe pas gjithë asaj kampanje shpifëse, kundër Vjosë Osmanit, në sondazhet e
shumta, rezulton për një përkrahje masive të shqiptarëve.
Janë dy takime të organizuara nga
administrata amerikane, me presidentë ballkanikë. Grenell ka për mision krizat.
Asnjë relacion Grenel-Vjosa nuk ekziston. Madje, Grenell, së fundit, i quajti
"Albinin dhe Vjosën katastrofë", sepse denoncuan dhe prishën pazaret
me miqtë e tij Vuçiq, Thaçi, Rama, për ndarjen e Kosovës.
Është konspiracion pa asnjë bazë, sikur
Vjosa është ndikuar nga Edvin Rama, për kundërvënie Kurtit, sepse në atë kohë,
kur u takuan në aktivitete ndërkombëtare, Vjosa dhe Albini kishte marrëdhënie
të relaksuara dhe ajo priste mbështetjen e Kurtit për mandatin e dytë
presidencial.
Roli i presidentes Vjosë Osmani është i
mirënjohur për mbrojtjen e Kurtit, në Evropë dhe SHBA. "E shihni këtë
zonjë këtu, të ulur para meje? Ajo meriton të gjithë respektin tonë, sepse po
lufton dhe punon për mbrojtjen e vendit të saj", - deklaroi presidenti
Trump, para një audience të hapur. Dhe kjo vlente edhe për Kurtin, sepse të dy,
Vjosa dhe Albini, po bënin të njëjtën gjë, po luftonin dhe punonin për
konsollidimin e shtetit të Kosovës.
Turneu i vizitave të bëra nga Dr. Vjosë
Osmani në Evropë, SHBA dhe disa vende të tjera në botë, ishte i suksesshëm.
Përshpejtoi heqjen e sanksioneve; u bë zhbllokimi i Fondeve evropiane dhe
ndërkombëtare dhe të tjera. Mbi të gjitha imazhi për Kosovën po ndryshonte
dukshëm, në kahje pozitive.
Një zyrtar i administratës amerikane,
bëri një vizitë në Kosovë, menjëherë pas pezullimit të Dialogut Strategjik me
SHBA, me ç`rast akuzoi rëndë kryeministrin Kurti, për mungesë bashkëpunimi dhe
koordinimi. Ishte pikërisht Vjosë Osmani, e cila me vizitat e saj
amortizoi ndëshkimin e mëtejmë të Kurtit. Vjosa duke mbrojtur Kurtin, tha
se "të gjitha vendimet i kemi marrë së bashku, qoftë për shtrirjen e
sovranitetit në veri dhe të tjera". Dhe kjo duhej të mjaftonte për
reflektim dhe trajtim dinjitoz të Vjosës. Dhe, mbi të gjitha, ta mbante
premtimin e dhënë për nominimin e Vjosës për mandatin e dytë.
Albini ka deklaruar se "Amerika
ishte partner i luftës dhe i të shkruarës, por jo i tashmes dhe i së
ardhmes"! Ko është blasfemi dhe mosmirënjohje, për çliruesin vendimtar të
Kosovës. SHBA kanë memorje, mbamendje të fortë dhe nuk falin lehtë.
Ka shpifje lehaqene, për afera
korruptive të Vjosë Osmanit-Sadriu. Dy banesat në kompleksin banesor
"Marigona", janë legjitime. Ajo është nuse preshevare, prindërit e
bashkëshortit të saj, Prindon Sadriut, kanë jetuar dhe punuar për
gjysmë-shekulli në Australinë e largët. Atje kanë pasuritë dhe shtëpitë e tyre,
nga të cilat vjelin qiratë e majme. Dhe e gjithë pasuria e çiftit
Osmani-Sadriu, kanë mbulesë faktike financiare.
Dr. Vjosë Osmani përgjatë karrierës të
saj politike nuk ka ushtruar poste ministrore dhe as dikastere, ku ka të bëjë
me financa, paranë e shtetit.
Vërtet, ka pasur një mundësi abuzimi me
postin e presidentes: Nëse do të vepronte si PAN-i me OVL-në e tij, siç bënë me
shitjen e dhjetëra-mijëra të "Dëshmive të Veteranit". Presidentja
mund të abuzonte me zbritje dënimesh apo lirime të parakohshme të dënuarve.
Por, përgjatë gjithë mandatit 5-vjeçar të saj, ajo ka falur vetëm një
grua-nënë, me arsyetimin humanitar.
Përkundrazi, është akuzuar nga opozita,
pse nuk ka ushtruar të drejtën e faljes për të burgosurit? Por, Vjosë Osmani
është juriste e doktoruar në drejtësi dhe është e bindur se, pothuaj se, gati
asnjë dënim i dhënë nuk është në masën që meriton, për arsye të drejtësisë
korruptive në Kosovë.
Kujtoj rastin e Gjakovës, kur
krimineli, në vijimësi, tmerron me kërcënimin me armë familjen e
ish-bashkëshortes. Dhe në fund, e ekzekuton ish-gruan e ndarë, së bashku me
vajzën e mitur. Gjykata e shkallës së parë nuk gjeti asnjë rrethanë lehtësuese
dhe e dënoi me burg të përjetshëm. Por, Gjykata e shkallës së dytë,
paradoksalisht, e ndryshon në 24 vjet burg!?
Me gjithë shpifjet e orkestruara
denigruese, sondazhet goxha serioze e vlerësojnë performancen e shkëlyer të
presidentes, me përkrahjen solide popullore.
"Aty ku ka propagandë e shpifje,
duhet ta mbrojmë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën. Uroj që të bashkohemi në
këtë mision. Rrugët që mbyllën nga padrejtësitë, gjithmonë hapën nga
populli", - deklaron Dr. Vjosë Osmani, në mesazhin e saj domethënës,
drejtuar popullit, në përmbylljen e suksesshme dhe brilante të mandatit
presidencial.


