Idriz Zeqiraj: Opozita e frikësuar nga autoritarizmi kërkon hise presidentin/en
OPOZITA E FRIKËSUAR NGA AUTORITARIZMI, KËRKON HISE PRESIDENTIN/EN

Me hallet e Kosovës, vazhdojnë të merren
edhe të huajt. Në mesin e tyre është edhe analisti gjerman Bodo Weber, i cili
ka njohuri të bollshme, për politikat në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë.
Andaj, vlerësimet e tij të bëra janë të sakta, reale dhe pa ekzagjerime.
Edhe pse qeverisjen aktuale të Albin
Kurtit e cilëson si "relativisht autoritare", tentimi i tij për ta
vendosur shtetin nën kontrollin e plotë politik, nuk është relativ, por faktik.
Kjo është një shpërfaqje tipike ideologjike moniste e Kurtit. Dhe, kjo bie ndesh
me kohën dhe pluralizmin partiak bashkëkohor.
Që këtej rrjedhë edhe kriza e
demokracisë të sotme, me të cilën, mjerisht, vazhdon të përballet Kosova, madje
për arsye krejt subjektive.
Historia e gjysmës së parë të shekullit
të kaluar në Gjermani dhe Itali, politikat populiste, me fjalimet elokuente të
liderëve të tyre, me premtimet imagjinare, për të bërë perandorira, duke
pushtuar shtete dhe robëruar popuj, arritën autoritarizmin të fryrë
artificialisht. Dhe, duke u matur "me hijen e mengjezit", përgjakën
botën dhe vetë popullin e tyre.
Shembulli krahasues duket paksa i
ekzagjeruar. Por, autoritarizmi populist mund ta prodhojë diktaturën brenda
shtetit, kundër popullit të vetë. Këtë na dëshmon diktatura staliniste e Enver
Hoxhës, përgjaku shqiptarët për gjysmë shekulli radhazi.
Qeveria e Përkohshme e Kosovës, e
krijuar nga zyrtarët social-komunistë në Tiranë, e cila barti dhe aplikoi
metodën satanike komuniste e fashiste të Enver Hoxhës nga Tirana në Kosovë,
duke i eliminuar politikisht dhe fizikisht kundërshtarët politikë.
Dhe, po të mos ishin ndërkombëtarët në
Kosovë, shqiptarët me ndjenjën e mangët të lirisë dhe të demokracisë, do ta
aprovonin dhe duartrokisnin diktaturën e "komandantëve" dhe të
"gjeneralëve" të vetëshpallur.
Është pikërisht kjo frikë, goxha e
bazuar, pse opozita kundërshton pushtetin absolut, përmes zotërimit të tri
shtyllave kryesore: Presidencën, Kuvendin dhe Qeverinë!
Paqartësitë kushtetuese janë një nga
shkaqet kryesore të cikleve të pafund zgjedhore. Sepse Kushtetuta aktuale nuk e
përcakton nëse fituesi me shumicë të votave, ka të drejtë apo jo të ushtrimit
të tri funksioneve kryesore: kryetarin e Kuvendit, Presidentin dhe
Kryeministrin.
Nuk ka as ndonjë klauzolë që i detyron
deputetët opozitarë të qëndrojnë në sallën e Kuvendit, për t`ia bërë kuorumin e
domosdoshëm prej 81 deputetëve pozitës.
Mungesa e kuorumit të nevojshëm, prej
81 deputetësh, automatikisht, shkakton bllokadën institucionale, pra, zgjedhjen
e Presidentit të vendit.
Përgjegjësia për krijimin e
institucioneve shtetërore dhe pushtetare është e përbashkët, pra, pozitë dhe
opozitë. Por, përgjegjësia kryesore bie mbi partinë fituese, pra, pozitën.
Ngulmimi i pozitës se "populli më
ka votuar me shumicë dhe më takojnë tri funksionet kryesore", nuk qëndron.
Sepse, vërtet, populli t`i ka dhënë gjysmën e votave, por jo të tëra. Andaj,
diçka nga pushteti i takon edhe gjysmës tjetër, pra, opozitës.
Në rastin konkret, për zgjedhjet e
parafundit dhe të fundit, kompromisin po e refuzon pozita dhe jo opozita. Sepse
pozita ligjerisht, sipas Kushtetutës, ka të drejtë ta kushtëzojë postin e
Kryeparlamentarit dhe Kryeministrin, por jo edhe të Presidentit, për arsye se
nuk ka arritur fitore absolute, por relative.
Pikërisht për këtë analisti me përvojë
ndërkombëtare, Bodo Weber, është kritik për qeverisjen "relativisht
autoritare", me retorikë agresive dhe lëndim të demokracisë, duke trajtuar
krizën institucionale në Kosovë, në gazetën prestigjioze gjermane
"Frankfurter Rundshau".
Analisti Weber, me bindje dhe
përkushtim në shërbim të demokracisë, të popujve ballkanikë, me theks të
veçantë të Kosovës, duke parë kryeneçësinë totalitare të liderëve të Kosovës,
"parashikon skenar të keq, me rrjedhoja të vazhdimit të krizës
institucionale dhe të bllokadës hiç normale politike. "Do të shohim
përsëri zgjedhje të reja dhe i njëjti cikël do të përsëritet", - shkruan
Weber.


