Idriz Zeqiraj: Klanorët e Mustafës njësh me PDK-në, kundër koalicionit LDK–LVV!
KLANORËT E MUSTAFËS NJËSH ME PDK, KUNDËR KOALICIONIT LDK-LVV!

LDK-ja, PSHDK dhe ndoca partiza në
epokën e Dr. Rugovës, përfaqësonin të djathtën e Kosovës. Spektri tjetër
politik, i dalë nga Lëvizja Marksiste-Leniniste (LPK) e djeshme, PAN-i i
tashëm, ishte majtiste ekstreme enveriste-staliniste.
Papritur PDK dhe AAK, mashtrueshëm dhe
falsifikueshëm, e shpallën vetën parti të djathta!?
Hashim Thaçi me SHIK-un e tij, u
përkujdesen ta kontrabandojnë Isa Mustafën në krye të LDK-së, e cila braktisi
rugovizmin dhe djathtizmin, duke u bërë njësh me PDK-në.
Balli Kombëtar dhe disa organizime
djathtiste minore, nuk arritën kuotën, për t`u bërë subjekte politike
parlamentare.
Rrjedhimisht, djathtizmi i mirëfilltë
në skenën politike të Kosovës mungonte. Koalicionet e LDK-së me PDK-në
rrafshuan dallimet ideologjike, madje amnistuan dhe rehabilituan të
penalizuarit për krime faktike politike.
Pasoja e koalicioneve të përsëritura të
LDK-së me PAN-in, degraduan deri në degjenerim partinë e Rugovës, dikur
kryezonjë krenare.
Së fundi, kryetari Lumir Abdixhiku dhe
Dr. Vjosa Osmani, nismuan bashkimin dhe profilizimin e të djathtës të Kosovës.
Është nismë fisnike e shumëpritur, që
kërkon mbështetje të parezervë dhe masive, sepse djathtistët e Kosovës janë
shumicë numerike e popullatës të Kosovës.
Klani i Isa Mustafës dhe disa kuadro të
tjerë, qendrorë dhe lokalë, qëllimshëm dhe padrejtësisht, duan t`ia faturojnë
fajin kryetarit Abdixhikut, pse LDK-ja ngeli në vendin e tretë në zgjedhjet e
fudit?!
Përgjigjën e saktë ua dha kryetar
Lumiri: "Ju, zotërinj, në konspiracion me PDK, penguat koalicionin
LDK-LVV, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 dhe sabotuat fushatën zgjedhore të
28 dhjetorit 2025 dhe atë të 7 qershorit 2026!!!?"
Vërtet, LVV është deklaruar si parti e
majtë. Por, në fakt, elektorati i saj është heterogjen, i përzier. Kauza e
përbashkët është largimi nga pushteti i krimit dhe hajnisë. Në përbërjen
partiake dominon rinia e pa inkriminuar. Dhe, kjo është shpresëdhënëse,
premtuese, për t`u rreshtuar në kahen nga rrjedhë fryma kombëtare e Kosovës.
PAN-i dhe lakejt e tij me mediat dhe
jashtë tyre, janë shumë të merakosur, për ta shkarkuar Lidershipin aktual të
LDK-së, duke e zgjedhur e zëvendësuar ndonjërin nga klanorët apo mik të PDK-së.
Merakxhinjtë e Kuvendeve Zgjedhore janë
trimëruar, sepse strukturat e partisë janë përzgjedhje e klanit të Isa
Mustafës, madje pa u provuar kurrë me votën e fshehtë demokratike. Pikërisht,
dalja nga binaret e rugovizmit, që fillon me mbylljen e Aktivave, anekënd
Kosovës, ishte fillimi i çmontimit të rugovizmit.
Kryetari Lumir Abdixhiku, në njërën nga
bisedat, në një televizionin publik, TV Dukagjini", shpalosi idenë e
"debatit demokratik të shpenguar dhe votimin e fshehtë, duke filluar nga
baza e deri në qendër, në Kuvendin e ardhshëm, në vitin 2027". Klanorët e
Isa Mustafës, të mësuar me "zgjedhjet" aklamative, të hapur, të
rrejshme, me ngritje dore, i tmerron vota e fshehtë, vota në kuti.
Andaj, me nguti, me strukturat e tyre
të vjetra të aklamacionit, pa debat të mirëfilltë, pse me shefin e tyre
Mustafën dhe hisedar Hashimin në drejtimin e LDK-së, qëllimshëm e ngeshëm,
rrënuan partinë e Presidentit Rugova. Tani revanshohen "alla
komunisçe", për ta përçarë dhe ndarë partinë e parë pluraliste në Evropën
Juglindore, LDK-në famëmadhe, e cila bëri paqen dhe luftën; LDK-në themeltare e
Shtetit të Kosovës.
Rebelimi i Vjosë Osmanit është
pikërisht kundër ndalimit të debatit demokratik dhe të votimit të fshehtë, në
Kuvendin e 8-të "Zgjedhor" të LDK-së, më 25 maj 2015, kur
kryetari Mustafa po "zgjidhej" kryetar i LDK-së, për të dytën herë me
aklamacion! Mendoni dhe vajtoni plot 11 vjet demokraci të humbur!!!
Rrjedhimisht, Dr. Vjosë Osmani u bë kurban në mbrojtjen e rugovizmit, të
demokracisë dhe të Atdheut-Kosovë. Dhe, megjithatë ia vlen, sepse liria pa
demokraci është një "përrallë dimri", - siç shkruante poeti kombëtar
gjerman Gete.
LDK-ja e Mërgatës, përfshirë edhe
autorin e këtij shkrimi, për dy dekada radhazi, e kanë denoncuar dhe kanë
ngritur zërin, për tradhtinë e madhe që po i bëhej LDK-së dhe Kosovës, me
Kuvendet maskaradë dhe bërrylime tipike komuniste, duke i seleksionuar dhe
"harruar" kuadrot e përkushtuar dhe bashkëpunëtorët besnikë e fisnikë
të Presidentit Rugova. Klanorët, duke u bërë patericë të persekutorëve të
LDK-së dhe Kosovës, po i rivrasin qëndresëtaret idealistë të martirizuar, në
mbrojtje të akronimit LDK dhe vetë Kosovës.
Sot, kur krye-kauzë është shpallur
bashkimi dhe profilizimi i të djathtës të Kosovës, grupe dhe individë të
shantazhuar nga PDK-ja, duan ta pengojnë këtë nismë, si shpresë e vetme për ta
tejkaluar krizën artificiale aktuale brenda LDK-së.
PAN-i i injoruar nga LVV, për arsye
parimore, të krimeve faktike penalizuese, përmes njerëzve të tij në strukturat
e LDK-së, vazhdon ta pengojë koalicionin LDK-LVV, si të vetmet parti
parlamentare të pakriminalizuara.
Subjektet politike të koalicionuara në
PAN, janë derivate të sektit marksis-leninist-stalinist, të cilët protestonin
për mbrojtjen e "Murit të Berlinit", sepse "po dobësohet
komunizmi në shkallë botërore!"


