Idriz Zeqiraj: Disa nostalgjikë të PAN-it refuzojnë koalicionin me Vetëvendosjen!
DISA NOSTALGJIKË TË PAN-IT, REFUZOJNË KOALICIONIN ME VETËVENDOSJEN!

Shpallja si krye-kauzë të profilizimit
të së djathtës të Kosovës, nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka
shqetësuar disa nostalgjikë të PAN-it.
Shefi i tyre, Isa Mustafa, i
katapultuar në krye të LDK-së nga Hashim Thaçi, me SHIK-un e tij, "si
plaka në kacë", lëshon ndonjë slogan, për ta aktivizuar klanin e tij të
thekur. Ai nuk u mjaftua me sjelljen e partisë të kryetarit Dr. Rugova në prag
shuarje, me 9.8 %, (pa aleatë), në shkurt të vitit 2021. Dhe vazhdon t´i
instruktojë klanorët e tij, për të penguar çfarëdo reforme brenda LDK-së.
Klanorët e Isës nuk u pajtuan për
ngritjen që i bëri LDK-së kryetar Lumiri, me 9 shkurt 2025! Klani në fjalë
pengoi deri në refuzim, ofertën e LVV për koalicion, bashkëqeverisjen me
LDK-në, si të vetmet parti parlamentare të pakriminalizuara.
Ky klan me nostalgjinë për PAN-in, të
cilët i shërbyen si patericë, për ta mbajtur atë në pushtet, pavarësisht
mëkateve vrastare e hajnore, sot provokon shqiptarët, me kërkesën për
ta kthyer sërishmi në pushtet, madje pa kërkuar as falje.
Pikërisht në ditën e përfundimit të
numrimit të votave, klani i Isa Mustafës, si në kor bretkosash, kërkoi linçimin
e kryetarit të ligjshëm Dr. Lumir Abdixhikut dhe Dr. Vjosa Osmanit, duke i
akuzuar se nuk arritën ta nxjerrin LDK-në në vend të dytë!
Ndërkohë që "janë zënë me pelë për
dore", pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, duke bojkotuar dhe sabotuar
fushatën e LDK-së të 28 dhjetorit 2025, me qëllim të dështimit të
kryetarit Lumir Abdixhikut, duke zbritur rezultatin nga 18 % të shkurtit 2025,
në 13 % të dhjetorit 2025!
Edhe për fushatën e 7 Qershorit 2026,
të cilën e udhëhoqën Lumiri dhe Vjosa, me veprimtarët e rreshtuar rreth tyre,
disa nga klanorët më të zëshëm të Mustafës, e bojkotuan, madje duke lëshuar
sallën festive, kur fliste Vjosë Osmani! Dhe, kjo po ndodhte kur ishte aprovuar
slogani: "Bashkohu rreth të djathtës të Kosovës!"
Rrënimi i LDK-së dhe çmontimi i
rugovizmit ka filluar, kur treshja klasike e nënkryetarëve të LDK-së, të prirë
nga Isa Mustafa, aprovuan të gjitha marrëveshjet fatale për Kosovën, të
projektuara nga Serbia dhe të zbatuara nga agjenti i trefishtë, Hashim Thaçi.
Përfshirë këtu edhe shkeljen porosisë-amanet të Presidentit Rugova, "të
mos lejohet ngritja e Hashimit në poste të larta, se është i dëmshëm për
Kosovën!"
Andaj, është absurde ta akuzosh
kryetarin e mëvonshëm Abdixhikun, për humbjet zgjedhore, kur ato ishin
rrjedhojë të ekipit klanor, përfshi nostalgjikët e sotëm të PAN-it, sepse
hisedar në udhëheqjen e LDK-së ishte bërë edhe Hashimi.
Të gjitha sondazhet parashikonin se pa
Vjosë Osmanin LDK-ja do të këtë rreth 8 % të votave. Tani, për më pak se një muaj
angazhim të Vjosë Osmanit, ajo e ngriti në afro 17 %. Megjithatë, disa klanorë
bastardë kërkojnë llogari prej saj, pse LDK-ja është renditur në vendin e tretë
me rezultate votuese!?
Klanorët e Isa Mustafës kërkojnë
zgjedhje të shpejta partiake, me një ton shantazhues, madje kërcënues! Ata
harrojnë se ishin skllevërit e shekullit 21, nën tutelën e vrazhdët dhe cinike
të monistit Mustafa. Binomi Isa-Hashimi u dakorduan për zhbërjen e Aktivave, si
celulat e para të partisë të Dr. Rugovës, LDK-së. Këta tellall të sotëm të Isës
heshtnin, sus!
Përjashtuan debatin në të gjitha
nivelet e strukturave të partisë. E shpallën të paligjshëm votimin e fshehtë,
duke e zëvendësuar me aklamacionin, votimin e hapur, votimin e rrejshëm, me
ngritje dore. Për dy mandate radhazi "votuan" Mustafën me
aklamacionin e turpshëm dhe kriminal.
Fitoret e përsëritura të LVV, nuk janë
as mashtrim turmash dhe aq më pak rastësi. Përkundrazi, janë mesazh i qartë për
opozitën PAN-iste, se ata që vranë kundërshtarët politikë, zhvatën shtetin, me
hajni galopante dhe kontrabandë industriale, nuk mund të amnistohen dhe as të
rehabilitohen, siç kërkojnë argatët e Isa Mustafës. Përkundër, ata duhet të
japin llogari për krimet, tashmë, të bëra.
Fatmirësisht, LDK-ja nuk është pjesë e
krimeve të përmendura. Por, Kryesia dhe deputetët e saj, mbartin fajësinë të
bërë me votën e tyre, të dhënë në Parlament, në tufëzim (blegtoral), me urdhër
të Isa Mustafës. Prandaj, distancimi nga këto akte të rënda, deri në tradhti,
duhet bërë.
Kryeministri Albin Kurti, me LVV të tij
dhe aleatët, e bëri hapin e duhur, të drejtë dhe thellësisht parimor, kur
përjashtoi çfarëdo koalicioni dhe bashkëqeverisje me PAN-in kriminal, duke e
qartësuar edhe arsyen madhore të këtij vendimi të mençur. Andaj edhe fitoi
besimin dhe simpatinë e shqiptarëve, duke e shprehur në votën masive të dhënë
LVV.
Njëkohshëm, Kurti e pranoi botërisht se
LDK-ja nuk ka konsumuar elementet e penalizimit. Dhe, si e tillë është partner
i besueshëm për sot dhe mot. Por, sipas tij, PDK-ja me argatët e saj, vazhdon
ta mbaj peng LDK-në, duke penguar bashkëqeverisjen me Vetëvendosjen.
Përndryshe, nuk do të kishim zgjedhje të përsëritura as në dhjetor 2025 dhe as
në qershor 2026.
Aktualisht, nuk është koha e
shkarkimeve linçuese. Tani duhet të mendohet dhe të veprohet për stabilitet
shtetëror, në shërbim të popullit dhe tejkalimin e bllokadave subjektive, nga
cilado palë që paraqitën. Dhe, këtë stabilitet e siguron, bindshëm dhe
qëndrueshëm, partneriteti i bashkëqeverisjes të subjekteve të pa inkriminuara
LVV-LDK. Kjo zgjidhje stabilizuese, do ta ndihmonte edhe opozitën katrahurë
PAN-iste, për t`u riformuar, duke spastruar subjektet i tyre nga krimi dhe
kriminelët.
Pa mëdyshje, LDK-ja ka nevojë për një
reformë ndryshe nga retushimet e deritashme. Plagët nuk shërohen vetëm me
balsam, por duhet përdorur edhe bisturia, në raste të stërkeqjes së tyre. Në
gjuetinë e tij mizore, ujku zgjedh mjegullën për gjahun-viktimë. Mjegullnajë
duan edhe nostalgjikët e PAN-it, brenda LDK-së.
Në asnjë kohë dhe rrethanë, Lidershipi
aktual nuk duhet të pranojë zgjedhje të parakohshme, të imponuara nga
nostalgjikët e PDK-së. Zgjedhje të radhës do të këtë, por, paraprakisht, do të
këtë analizë të mirëfillte, e cila është përjashtuar nga fjalori dhe praktika e
LDK-së, pikërisht nga nostalgjikët aktual të PAN-it, përkatësisht, Isa Mustafa
me klanin e tij.
Vazhdimi i mandatit për kryetarin Lumir
Abdixhikut, në Kuvendin e fundit Zgjedhor, është bërë me strukturën goxha të
seleksionuar të Këshillit të Përgjithshëm, nga kryetari paraprak, me klanin e
tij. Praktika klanore që kryetarët e komunave të votojnë në Kuvend, ashtu siç
porositë kryetari lokal, nuk është e shëndetshme për demokracinë. Dr. Rugova
mendonte dhe vepronte se kryetarit i komunës të mjaftohet me atë post.
Kalaveshja me poste shtesë, ka reflektuar edhe në rezultatin zgjedhor.
Në garat klanore bëhen edhe gabime.
Lidershipi i Lumir Abdixhikut mund të mos "harronte" disa kuadro,
bashkëpunëtorë të devotshëm dhe besnikë të Presidentit Rugova. Në mesin e tyre
po citoj dy syresh, që nuk duhej të anashkaloheshin, Adem Salihaj e Skënder
Zogaj, të rrezikuar me jetë.
Banda e Shukri Bujës, ia solli në zyrën
e tij kryetarin e LDK-së të Ferizajit. "Unë të vras, ose hiç dorë nga
LDK-ja!" Robi me porosi e vuri në shënjestër, Zoti e shpëtoi!
Kuadri i LDK-së dhe doajeni i
gazetarisë kosovare, Zogaj, u rrezikua në Tiranë dhe Prishtinë, por, pranoi
sfidën dhe penda e tij nuk heshti, në përballje me krimin dhe kriminelët
shqipfolës!
I gjithë ky zhurmim agjitativ, i
porositur nga PAN-i, për t`i aktivizuar nostalgjikët e tij, kundër Lidershipit
aktual, nuk i shërben as LDK-së dhe as Kosovës. Andaj, duhet të
injorohen deri në përmasën e shprehjes, paksa, pezhorative,
"pordhi kali në derë të Hanit!"


