Helidon Xhixha, shqiptari që rilind kullat binjake
Një artist shqiptar do të çojë drejt Nju Jorkut një vepër monumentale kushtuar tragjedisë së 11 shtatorit 2001. Vepra quhet "Renaissance of Towers" ("Rilindja e kullave") dhe mban për autorësi emrin e Helidon Xhixhës. Vepra e tij jo e zakontë është prezantuar për herë të parë në Bienalen e Venecias, në qershor të vitit 2007. Ndërkohë që një vit më pas, më saktë muajin e kaluar, vepra e Helidon Xhixhës u prezantua në Firence në sheshin "Piazza de Rucellai" të qytetit të njohur italian. Skulptura monumentale e Xhixhës iu prezantua publikut si një projekt ku parashikohet një udhëtim i veprës drejt Nju Jorkut për të mbërritur më 11 shtator aty, duke bërë disa ndalesa dhe në qytete të tjera të njohura të botës. Në ceremoninë e prezantimit ishin të pranishëm shumë personalitete lokale të Firences, si dhe ambasadori shqiptar në Itali, Llesh Kola, i cili e konsideroi punën e Helidon Xhixhës si një arritje të kulturës shqiptare në botë.
Skulptura monumentale e Xhixhës është 6 metra e gjysmë e lartë, e ndërtuar me çelik të paoksidueshëm. Mënyra se si është konceptuar dhe punuar është shumë origjinale. Vizualisht, ajo është e kapshme për çdo kategori njerëzore, sepse është sa e thjeshtë aq dhe impaktive në madhështinë e saj. Skulptura ka gjashtë kolona çeliku në dy grupe e ku në njërën prej tyre kulmojnë gjashtë yje, po të punuara me çelik. Sipas autorit, aty përçohet uniteti i dy simboleve amerikane, i arkitekturës së një qyteti dhe i flamurit të tij. Kritika italiane e ka vlerësuar me superlativa punën dhe veprën e artistit shqiptar, ku profesor Andrea B. del Guercino, në shkrimin e tij me titull "Dita që kthehet në monument", publikuar në katalogun "Xhixha Firence - Nju Jork 08", shkruan: Aktiviteti artistik i Helidon Xhixhës, i nisur në brendësi të një raporti domethënës të një tradite familjare, i pjekur në një proces përpunimi dhe informimi në kaleidoskopin krijues të Akademisë Brera në Milano, gjen pohim e zhvillim të vazhdueshëm në brendësi të laboratorëve të mëdhenj të hekurit dhe çelikut: dhe në fakt në natyrën e materialeve metalikë dhe prodhimit industrial, në vlerat e forcës dhe të linjave, të tensionit dhe sipërfaqes, që skulptori vëzhgon e nxjerr idenë e projektimit dhe prodhimit të skulpturës dhe të çdo vepre të madhe monumentale. Kjo vepër e nisur nga lotët e dhimbjes, për të përjetësuar forcën e rezistencën, në shtator do të njohë destinacionin e saj final: Nju Jork, qyteti nga ku ky monument u frymëzua të krijohej e ku përjetësisht kërkon të qëndrojë si dëshmi e mbijetesës ndaj tragjedisë.
Deri te vepra në fjalë, Helidon Xhixha, ka arritur disa maja suksesi. Ai njihet si autori i skulpturës në çelik "Il Cavallino rampante", 500 metra e lartë dhe 800 kg, që në 2003-shin u vendos para stabilimentit "Ferrari" në Maranello. Kjo e bëri Xhixhon që të jetë protagonist në kronikat e mediave më në zë në Itali e jashtë saj. Ndërkohë ai vijon të jetë në qendër të vëmendjes për ekspozimet e tij në sheshet e qytetit Novara, ku dhe jeton e punon prej vitesh, apo në udhëkryqet e qytetit Alesandria ku hapi ekspozitën e tij pak muaj më parë.
Helidon Xhixha lindi në Durrës, në dhjetor të vitit 1970. Fëmijërinë e kaloi në studion e babait të tij artist, nga i cili trashëgoi pasionin për skulpturën. Rrugën e formimit profesional në artet figurative e nisi në qytetin e lindjes, në Liceun Artistik, e më pas në Akademinë e Arteve në Tiranë. Transferimi në Itali, në fillim të viteve ‘90, i jep rrugë të re studimeve të Helidonit, i cili regjistrohet në Akademinë e Arteve të Bukura "Brera", në Milano dhe diplomohet në vitin 1999.
Në 1998-n frekuenton për tre muaj "Kingston University" të Londrës (duke thelluar kështu njohjet e duke përmirësuar teknikat në skulpturë e fotografi.
Gjatë viteve të studimit, bëhet i njohur në sferën akademike për stilin e tij, duke realizuar skulptura në çelik inoks me një teknikë krejtësisht të re.
Helidoni ka bashkëpunuar ngushtë këto vite për realizimin dhe ekspozimin e shumë veprave të artit me të vëllanë, skulptorin e kritikun Ilirjan Xhixha, diplomuar dhe ai në Brera. Veprat monumentale të Helidon Xhixhës janë shumë të njohura në Itali e disa vende evropiane.








