Hasan M. Shahinaj: Mesazhet jetësore, nga Vilhelme Vrana Haxhiraj

47m më parë

"MESAZHET JETËSORE, NGA VILHELME VRANA HAXHIRAJ”

Nga Hasan M. Shahinaj

Pas një pune të gjatë shumëvjeçare të plotsuksesshme si publicist, prozator, poet e kritik letrar; këtë behar të 2026-ës, z. Kadri Tarelli fitoi meritueshëm një libër tjetërlloj e origjinal; të cilin ai me të drejtë e quan CV-në, me rrënjë e degë, një lloj pasaporte shkrimoro-dokumentare, gjë që do ta kish zile e madje dëshirë me patjetër, çdokush krijues/e prej nesh.

Këtë përmbledhje letraro-vlerësuese, përkushtuar Kadriut, e ka realizuar mirëfilli e talentuara mjeshtre e penës, e mirënjohura kombëtarisht, Vilhelme Vrana Haxhiraj nga plejada dinjitoze e krijuesve vlonjatë. Libri në fjalë emërtohet "Në botën letrare të Kadri Tarellit" (Analiza të K. T. për autorë të ndryshëm dhe të tjerët për Kadriun); për të cilin kam nderin të bëj skanerin sa më përmbledhës, në trajtën e një eseje argumentuese si vijon:

Së pari, - sepse z. Kadri Tarelli, përpos zotërimit profesional të mësimdhënësit dhe drejtuesit të zot shkollor nëpër 4 dekada, derisa doli faqebardhë në pension; ka ushtruar pa ndërprerje qysh në rininë studentore e deri më sot, në moshën e tretë, veprimtari të dendur publicistiko-pedagogjike, letrare, poetike po edhe me analiza të drejtpërdrejta kritiko-opinioniste për mjaft autorë e vepra të gjinive të veçanta letrare në poezi, prozë, dramaturgji e kulturologji.

Unë personalisht kam pasur rastin fatlum të botoj një shkrim analitik në gazetën "Fjala e lirë" të Londrës, për vëllimin e tij të parë poetiko-lirik "Koha në vargje"; botim i vitit 2020, dhe sinqerisht jam gëzuar e frymëzuar fort-këndshëm nga larmia e vargëzimit të tij bio të pasur tematik, metrik, stilistik e veçmas metaforik-alegorik e satirik me sens të thukët social e qytetrues të aktualitetit tonë në rafsh mbarë- kombëtar. Dhe kjo meritë e autorit Kadri flet për krijimtari sa të përgjegjshme e delikate aq edhe dinjitoze e njëherësh mirëpritëse prej lexuesve.

Së dyti: Autorja Vranari mjeshtërisht ka përzgjedhur z. Tarelli, sepse përpos erudi-cionit të gjerë, veçanërisht në lëmin historiko-memoralistik e publicistik, dallohet sidomos si një vëzhgues i hollë i dukurive shoqërore, analist objektiv e serioz; falë një vullneti të lakmueshëm që di të reflektojë në kohë e hapësirë për shumëçka në fushat diturore që njeh më mirë e të lëvruara zellshëm si më lart. Kjo rezultante faktohet sheshit edhe në 217 faqet e librit, që kemi ndër duar; të realizuar në mënyrën sa më të mundshme prej autores së talentuar Vilhelme V. Haxhiraj; optika origjinale e këndvështrimit të së cilës, ka bërë si të thuash një "autopsi" indore e palcore të aftësive shkrimore e botuese të autorit tone Kadri Tarelli në rrafshin dimensional për fushën arsimore, hulumtuese, publicistike, letraro- artistike e kulturologjike në tërësi, duke gjëmtuar e pasuruar e pasuruar librin në fjalë me shembuj konkretë të larmishëm, të faktuar e të publikuar vijimisht ndër dekada nga z. Tarelli. Botimi i ri i Vivrës sonë, me sens publicistiko-biografik (krahas atij letraro-artistik), na pasuron dijet tona me mesazhe të sakta, aktuale e ardhmërore po edhe me sentenca të gjetura me nëntekst meditativo-filozofik; gjë që e përveçësojnë stilin e saj tashmë të mirënjohur kombëtarisht.

Së treti: Ndodhi që personazhi Kadri Tarelli, si rrallë kush koleg/e tjetër, në pjesën e parë të këtij libri tërheqës studimoro-publicistik, ka zbërthyer thuajse tërë krijimtarinë e pasur dhe të larmishme të së talentuarës Vilhelme V. Haxhiraj, të epitetuar bukur e simbolikisht me emrin Vivra (që, sipas meje, tingëllon po aq binjakërisht me Viva... dmth, rroftë e qoftë nga mot, madje përjetësisht emri i ndritur i saj!), gjë që e përveçësojnë stilin e saj tashmë të mirënjohur kombëtarisht.

Së katërti: Gjithashtu, sipas meje H. M. Sh, rezultantja e thelbit libror të znj. Vilhelme, konkurron denjësisht, bile diku edhe sfidon krijimtarinë e plejadës së të mirënjohurave krijuese femra, si psh: Mira Meksi, Helena Kadare, Vera Bekteshi, Elvira Dones, Besa Myftiu, Flutura Açka, Iliriana Sulkuqi, Diana Çuli, Mimoza Bici e dhjetëra syresh. Shkurt e prerë: autorja Vilhelme me talentin e spikatur letraro-eseistik është një flamurtare e emancipimit mendor e shpirtëror të femrës e nënës shqiptare dhe në kushtet aktuale të tranzicionit tonë të plakur stanjatik e bardhezi; Ajo, porsi një Musine Kokalari. (e saktësisht shqiponjë Labërie), u çjerr maskën puthadorëve, bukëshkelësve, servilëve, të paaftëve politikokua?, kameleonëve tanë, gjithologëve tanë kinse lidershipër "modernë"; që e fundosën mirëqënien e bashkëatdhetarëve, në vend që ta kishin prioritet të përparësive, siç e ka në ballë të programeve çdo demokraci qytetëruese evropiano-botërore.

Rilexoni thelbin e tërë veprave të znj. së respektuar Vilhelme, si psh: "Çmimi i dualizmit"; "Elitat e mohuara, krenari kombëtare"; "Kurth, mashtrim e vetmashtrim"; "Genti, mbreti ilir i Ardianëve"; romanin "Ankthi i së vërtetës"; "Bashkë në dashuri dhe atdhetari", etj. Etj, dhe do të brumoseni siç duhet, e më pas do të më jepni veçse të drejtë!

Së pesti, sepse autori i aftë, i palodhur dhe tejet koherent Kadri Tarelli, prurjet letraro-artistike në rafsh kombëtar e veçmas të autorëve durrsakë; ai me zotësinë e spikatur e finesë mjeshtërore, i ka analizuar objektivisht e me paanëshmëri. Kësisoj ka vepruar për krijimtarinë e autorëve Shpendi Topollaj, Bashkim Kadiu, Bajram Gashi, Mark Zadeja, Hamdi Hysuka etj etj, duke hyrë në thelbin substancial të veprave, që ka marrë përsipër t’i zbërthejë në laboratorin e tij krijues. Kjo punë e vështirë dhe specifike, që merr barrën e rëndë Sizifiane të kritikut letraro-artistik, ka rëndësi të veçantë; sepse ve në provën e zjarrit proverbin e shquar latin "Verba volant, skriva manent! (dmth, shkrimi mbetet, fjalët fluturojnë!)". Komenti është i tepërt, ngase është qartazi nëntekstual për çdo lexues/e e sidomos për çdo krijues/e në "këtë kohë të pakohë; kur kritika letraro-artistike profesionale shqiptare ka mbi tre dekada që po bën gjumin letargjik, ose tek-tuk ka kaluar në analiza sipërfaqësore, klanore, superlative e pse jo dhe Behluliano-gjeraqineske të sheqerosura e tashmë të dalë boje!

Në këtë mes, ka një detaj interesant, i cili në pamje duket i vogël, por ka thelbin e vet. Autori Kadri Tarelli me mëvetësi origjinale, shprehet me gojë e me shkrim, se: fjalën e huaj “promovim” të X. libri, ai e ka zëvendësuar me kohë me gjegjësen shqipe: “Kuvend libror”. Bukur. Kuptueshëm, qartazi, Madje, fjala e bukur shqipe Kuvend, zëvendëson krenarisht edhe të huajën parlament, (e cila është neolatine, saktësisht italiane: parla, parlare; dmth me folë).

Dhe akoma më tej: autori Kadri, me një kënaqësi të epërme atdhetarizmi të spikatur; refleks të të qënit historian hulumtues, përdor fjalën iliriko-etnike Dardani për Kosovën tone martire e qëndrestare. Dhe ka shumë të drejtë, sepse faktikisht nga ana semantiko- etimologjike, emri toponimik Kosovë spjegohet me fjalën serbokroate "Koj se?", (cilët janë?). Komenti im është: Ashtu siç thirrën ata/ato, (të befasuar kur gjetën popullsi vendase dardane); pra ardharakët e zbritur furishëm prej stepave të Uralit shekuj më parë; pra sllavët e jugut dhe kur u shpërndanë si farë e keqe mortore trojeve tona etnike!

Mendoj kështu sepse, duke qenë se autori Kadri Tarelli, siç cituam më lart, është një shkrimtar tashmë me penë të sprovuar e të merituar; si rrjedhojë për vlerat që mbart Ai, kanë reflektuar me vlerësime reale, bindëse, objektive e të paanëshme mjaft pena të mirë- njohura durrsake dhe më gjerë, kryesuar siç pohuam nga kryeautorja Vilhelme (Vivra) dhe pasuar nga Merita Kuçi (Thartori), prof. dr.Murat Gjecaj, prof. dr. Fatmir Terziu, Shpendi Topollaj, Bashkim Saliasi, Bashkim Kadiu, Agim Bajrami, Viron Kona, Bajram Gashi, Ibrahim Hajdarmataj, Fran Gjoka etj etj.

Komenti është i tepërt, ngase janë vënë në dritë të diellit disa nga arritjet publicistike e letraro-artistike, por sidomos vlerat e vjela shkrimoro-librore të penës së kaltër, të sprovuar, të parapëlqyer, misionare në fushën e dijes të autorit tonë të nderuar Kadri Tarelli. Dhe kjo, pa mëdyshje, flet edhe njëherë qartazi përmes 217 fq. të dendura të këtij libri të këndshëm; shkruar me pasion nga Vivra jonë dhe e të gjithëve, porsi vlerë e shtuar gjithashtu e pranuar; e provuar në kolanën e pasur të kësaj shkrimtareje erudite, e cila në çdo rresht të penës ka derdhur shpirtin e saj të pasur e të pastër poetik me ngjyrat vlonjato-joniane!

Së fundi, sepse, krahas vlerave të dukshme të këtij “libri tjetër lloj” e me kahje publicistiko-biografik dhe letraro-artistik, sipas meje H.Sh, duhej treguar më tepër kujdes korrektonjëso-gjuhësor në zbatimin e normës standarte të drejtshkrimit të shqipes. Psh: qysh në fq. 3, 5 etj, në vijimësi, vihen re shmangie të karakterit fonetiko-morfologjik në përdorimin e: ë-së fundore; të apostrofit; të trajtave të shkurtra të përemrave; të fjalëve të përbëra; të shkronjës së madhe; të disa formave foljore; të ndonjë shenje të pikësimit të munguar ose të tepërt etj, etj.

Megjithatë, libri i bukur, i realizuar "Në botën letrare të Kadri Tarellit", ka sharmin dinjitoz të vlerave, si rrjedhojë e skanerit të mirëzbërthyer e të hollësishëm nga dora dhe mendja e së talentuarës Vilhelme Vrana Haxhiraj, kushtuar autorit të nderuar Kadri Tarelli; të cilin e uroj unë përzemërsisht për lartësi të reja krijimtarie në të ardhmen. Sepse Ai punon ditë e natë porsi bleta punëtore, e si milingona e dheut; sfidantet e tejnjohura fabulistike, kundra gjinkallave autolavdaraqe, maniake e gramafoniake përreth nesh, që shpesh vegjetojnë e plagjarojnë, se sa prodhojnë!

Një dëshmi optimiste është më se e sigurt: autori i sprovuar Kadri Tarelli, bazën themeltare piramidale, e ka ndërtuar me 10 librat e tij (6 të botuar dhe 4 të gatshëm dorëshkrimorë); me 600 artikuj publicistikë të botuar etj etj; të cilët flasin qartazi eskluzivisht për garanci e vijimësi krijimtarie; gjë që na gëzon miqësisht.

Ndaj i uroj suksese të merituara së bashku me një jetëgjatësi moshore!...

Hasan M. Shahinaj

Fund Prilli, 2026.