Hamza Halabaku: Gjyshja

2h më parë

G J Y S H J A

NGA HAMZA HALABAKU

E tërë natyra kishte marrë ngjyrë purpuri të dielen e fundit të muajit të tretë. Dielli ishte shumë afër majave të Maleve të Sharrit. Donte të fshihej pas lartësive të atyre bjeshkëve, por dukej se i bënte me sy fushës së mbuluar me shtresën e hollë të borës, sikur donte të thoshte se, për sot, nuk pata fuqi tua heqë atë shtresë bore edhe pse ishte shumë e hollë.

Nga fusha e rrafshët të cilën e ndante Morava e Binçit, atë pasdite të vonë, barinjtë nguteshin të iknin nëpër shtëpitë e tyre me qeniet e tyre të gjalla që i kishin nxjerrë nga stallat, jo për t’i kullotur, me që atë kohë nuk kishte gati fare kullosë, por që bagëtitë të bënin lëvizjet e tyre të nevojshme fizike. Të thithnin ajër të pastër e të pinin ujin e freskët të fushës. Në këtë kohë më së shumti kënaqësi, nga bagëtitë e tjera, dukej se kishte një dele e galme, me që dallohej më lehtë, me dy qengjat binjak që lodronin dhe kënaqësinë e tregonin duke lëvizur andej e këndej e kur binin në gjunjë dhe thithnin qumështin e nënës lëviznin bishtin e tyre të shkurtër.

Dikujt nuk i bëhej vonë fare edhe pse gjysma e diellit ishte fshehur pas bjeshkëve të larta të Sharrit, prandaj, krihnin, pa u ngutur, kuajt apo i pastronin me kashai qimet e tyre atë mbrëmje ku fusha vende - vende ishte ende e mbuluar nga bora e ftohti që përballohej lehtë!

Në shtëpinë e Lumëbardhëve, të gjithë anëtarët e familjes, ata të gjinisë mashkullore, pas kryerjes së detyrave të ditës, ishin tubuar, kush më herët e kush më vonë, në odën e madhe që ishte afër dyerve kryesore të oborrit e, jo shumë larg shtëpisë. Secili që hynte në odë, natyrisht pas përshëndetjes së zakonshme  i tregonte të zotit të shtëpisë për punën që kishte kryer dhe në qetësi e zinte vendin e vet.

Ulja e secilit bëhej sipas moshës. Bile, mysafiri inteligjent nuk kishte nevojë asnjëherë të pyeste për moshën e asnjërit.

Atë natë temë muhabeti ishin dritat elektrike që herë pas here ndërpriteshin, pa ndonjë arsye të madhe si thoshte i zoti i shtëpisë! Oda ishte e pajisur me dy llamba vajguri dhe posa ndërpriteshin ato elektrike ngrihej fitili i atyre të vajgurit. Oda për asnjë çast nuk mbetej në terr!

- Po ju kemi paguar të hollat more i Madhi Zot ju bekoftë, thoshte i zoti i shtëpisë, me pak zemërim, sa herë ndërpritej korrenti.

Në krye të odës, në anën e djathtë të oxhakut ishte ulur, vëllai, babai, për dike gjyshi, për disa të tjerë xhaxhai e besa edhe stërgjyshi! Ishin katër breza në atë bashkësi familjare!

Në anën e djathtë të oxhakut, ishte i zoti i shtëpisë! Ai më i moshuari i familjes.

Të rinjtë që ishin ulur më larg oxhakut, në shtratin e majtë të odës, flisnin për përjetimet e ditës e herë - herë qeshnin me zë të ultë që të mos ua prishnin terezinë më të vjetërve.

Për një çast ishte hapur dera e odës. Gjyshja me shaminë ngjyrë kafe e me flokët e ngjyrosura me këna, ishte shfaqur në mes të odës. Të gjithë anëtarët e familjes e thërrisnin gjyshe edhe pse nuk ishte gjyshja e tyre biologjike.

I kishte përshëndetur, e gëzuar, të gjithë me një mirëmbrëma!

- A jeni lodhur të mirët e gjyshes?  Ju pastë gjyshja! - kishte uruar ajo.

E pyetja vijuese kishte qenë - çka dëshironi tu bëjë gjyshja për darkën e sontëme?

- Nëna është e gatshme, tu përgatis çka të doni  – kishte vazhduar ajo!?  Ishte natë dimri, dhe kishte kohë sa të duash të përgatitej cilado gjellë që ta donin, ose të gatuhet sipas dëshirës së të gjithëve.

Kryegjyshit që ishte ulur në ballë të oxhakut me të vëllain dhe me trashëgimtarët e brezit të dytë, që vinte pas tyre, nuk u kishte bërë përshtypje fare pyetja e gjyshes. Ata kishin vazhduar muhabetin e tyre.

Të rinjtë, dy-tre nga ata, kishin thënë se duan pite me lakra të tharta, disa të tjerë kishin folur se donin një kryelanë, disa kishin kërkuar petulla e disa patate të ziera, e njëri nga ata kishte thënë se bënë edhe të pjekura. Një tjetër, që dorën në zemër ishte i vetmuar në kërkesë, krejt në fund, kishte thënë se do të ishte mirë që gjyshja të përgatiste një kaçamak.

Gjyshja doli nga oda dhe u nisë drejtë shtëpisë ku gatuhej e ku rrinin më shumë pjesëtaret e gjinisë femërore. Ishin aty vjehrrat, kunatat, njerkat, fëmijët e vegjël, e shpeshherë kishte edhe bija, të cilat, pak më vonë, kur i rehatonin fëmijët e tyre, nëse në odë nuk kishte nga të huajt, shkonin aty e takoheshin dhe bënin muhabete me etërit e tyre, xhaxhallarët e gjyshin po edhe me kushërirë e me nipat e gjinisë së gjakut.

Gjyshja hyri në shtëpi. Kur hyri brenda u ngritën të gjitha ato që duhej të ngriheshin në këmbë, të gatshme t´ia fillojnë punës për përgatitjen e darkës për të gjithë anëtarët e familjes.

Gjyshja u tha që të mos bëheshin shumë merak se ajo do ta rregulloj vet darken për ata që ishin në odë!

Për neve, tha gjyshja, do të përgatisim çka tu vjen më lehtë juve magjetoreve, ose diçka për të cilën kanë dëshirë bijat, kurse për ata në odë e di unë vet dhe u drejtua drejtë shporetit mbi të cilin ziente një enë, më e vogël se kazani, e mbushur plotë me kallinj – tramak misri dhe copa të vockëla kunglli, që magjetoret i kishin vendosur për t’i zier për ushqimin e viçave që i ruanin në stallë. Nga ena e madhe që ishe mbi shporet nxori shumë kallinj të zier misri e ca copa kungulli,  i vendosi në një enë pak më të vogël dhe u nis drejtë odës ku meshkujt pritnin darkën. Kur e panë gjyshen me enën nga e cila dilte avull, dy djemtë që ishin kujdestar të odës e morën sofrën dhe e shtruan me shpejtësi mbi trapazanin e odës. Aty, më të rinjtë ushqeheshin kur ishin së bashku. Gjyshja e vuri tavën e thellë prej balte në mes të sofrës e cila ishte mbushur rreth e më rreth me të rinjtë e familjes.

-Ju bëftë mirë! -  tha gjyshja.

Hëëëëëë, e shikuan disi ndryshe gjyshen të gjithë ata që e kishin rrethuar sofrën.

- Hane këtë, deri sa, ju të merreni vesh se çka doni për darkë! Gjyshja ju bëri këtë që të mos keni uri! Pushoi pak dhe vazhdoi prapë: Kur të merreni vesh në mes veti, gjyshja ua përgatit darkën si të doni e çka të doni ju! Po asnjë herë, e në asnjë familje, për një herë, e për një darkë, nuk mund të përgatisë pite me lakra turshi, edhe kryelanë, edhe petulla edhe patate të ziera ose ose të pjekura a kaçamak. Merruni ju vesh një herë mes veti e loken e keni këtu me më të mirën darkë të përgatitur!

Gjyshi me ata të tjerët që rrallë herë hanin darkë, qeshen dhe iu gëzuan vendimit të gjyshes, kurse disa nga ta që ishin rreth sofrës thanë: - Mirë e ka gjyshja! Na duhet së pari të merremi vesh mes veti!

Gjyshja nuk i ka të gjithë ato enë, për t’i përgatitur për të njëjtën darkë.