Gjon Marku: Martesa dhe riti i saj zakonor në trevën e Mirditës
MARTESA
DHE RITI I SAJ ZAKONOR NË TREVËN E MIRDITËS

Martesa përbën një nga institucionet më të rëndësishme të
organizimit shoqëror në traditën shqiptare. Ajo nuk është vetëm bashkimi i dy
të rinjve, por një akt me rëndësi juridike, ekonomike, shoqërore dhe
shpirtërore, që përfshin familjen, farefisin dhe mbarë bashkësinë. Në trevën e
Mirditës, martesa ka qenë e rregulluar nga e drejta zakonore dhe është
shoqëruar me një sistem të pasur ritesh, ceremonish dhe besimesh, të
trashëguara brez pas brezi.
E
drejta dokësore e Mirditës, e lidhur ngushtë me normat e Kanunit, i kushtonte
rëndësi të veçantë martesës, jo vetëm si mjet për vazhdimësinë e familjes, por
edhe si mekanizëm për ruajtjen e strukturës fisnore, të marrëdhënieve të
farefisnisë dhe të rendit shoqëror.1 Përmes
martesës krijoheshin aleanca të reja ndërmjet familjeve dhe forcoheshin lidhjet
shoqërore ndërmjet fiseve dhe bajraqeve.²
Ritet
e martesës në Mirditë përfaqësojnë një pasuri të çmuar të kulturës shpirtërore
shqiptare. Në to gërshetohen elemente të së drejtës zakonore, të besimeve
pagane, të simbolikës së pjellorisë dhe të traditës së krishterë. Shumë prej
këtyre riteve - si vajtimi i nuses, kërcimi i kalit, ritet e ujit, buka dhe
kulaçi i nuses, këngët dhe vallet e dasmës – mbartin shtresa të lashta
kulturore, të cilat kanë mbijetuar për shekuj të tërë, duke ruajtur një
vazhdimësi të admirueshme historike.³
Riti
i martesës ka një rol të rëndësishëm në ruajtjen e identitetit kulturor dhe të
organizimit shoqëror të kësaj treve. Nëpërmjet tij pasqyrohen konceptet
tradicionale për familjen, farefisninë, vazhdimësinë e trungut familjar,
nderin, mikpritjen dhe organizimin shoqëror.?
Studimi
i këtyre dukurive paraqet rëndësi të veçantë, sepse një pjesë e konsiderueshme
e riteve të dikurshme sot janë zhdukur ose kanë mbetur vetëm në kujtesën e
brezave të moshuar. Për këtë arsye, dokumentimi dhe botimi i tyre përbën jo
vetëm një detyrë shkencore, por edhe një shërbim ndaj trashëgimisë kulturore
shqiptare.
Martesa
dhe dasma janë dy emërtime të ndryshme, por ngushtësisht të lidhura me
njëra-tjetrën dhe secila shpjegon tjetrën. Dasma përbën shfaqjen më të plotë
dhe më të gëzueshme të ritit martesor. Ceremonitë më të veçanta të martesës
vërehen në fazat e ndryshme të paradasmës dhe të dasmës, ku çdo veprim, këngë,
simbol dhe rit mbart një kuptim të caktuar shoqëror e kulturor.
Përmes
studimit dhe dokumentimit të këtyre riteve evidentohet jo vetëm pasuria e
kulturës tradicionale të Mirditës, por edhe roli që ka luajtur martesa në
ruajtjen e identitetit kulturor dhe të organizimit shoqëror të kësaj treve.
Vetë
Mirdita ishte një prej krahinave shqiptare që ka ruajtur më gjatë dhe më
besnikërisht institucionet e së drejtës dokësore dhe format tradicionale të
organizimit shoqëror. Martesa, si një nga institucionet themelore të jetës
njerëzore, zë një vend të rëndësishëm në kulturën popullore shqiptare dhe
paraqet interes të veçantë për etnologjinë, antropologjinë kulturore, historinë
e së drejtës dhe folkloristikën.?
Ajo
nuk ishte një moment i thjeshtë, por një proces i gjatë e i ndërlikuar. Duke
filluar nga fejesa, përgatitjet e dasmës, marrja e nuses, ceremonitë martesore
dhe ritet e integrimit të nuses në familjen e re, çdo veprim kishte rregulla
dhe norma të mirëpërcaktuara nga e drejta zakonore dhe tradita popullore.?
Evidentimi
i elementeve të përbashkëta dhe të veçanta të traditës martesore të Mirditës në
raport me trevat e tjera shqiptare përbën një vlerë të jashtëzakonshme
shkencore dhe etnokulturore, sepse vjen si një dëshmi e kujtesës historike dhe
e vazhdimësisë kulturore të kësaj treve.?
Në
këtë këndvështrim, martesa në Mirditë paraqitet si një institucion kompleks, ku
ndërthuren elemente juridike, ekonomike, fetare, morale dhe simbolike. Ajo
përfaqëson jo vetëm një ngjarje familjare, por edhe një akt me rëndësi të madhe
për bashkësinë, përmes të cilit sigurohej vazhdimësia biologjike dhe shoqërore
e familjes dhe e fisit.?
Nga
koha në kohë, shumë rite dhe tradita të martesës e të dasmës kanë pësuar
ndryshime, duke u tjetërsuar në simbolikë, në përmbajtje dhe në praktikat e
tyre, të cilat dikur kishin një karakter të theksuar etnomoral dhe dokësor.9
Në
Mirditë, në dymbëdhjetë bajrakët, dikur të quajtur edhe "Dymbëdhjetë
Dhenat", ka ekzistuar një ekzogami e theksuar. Tre bajrakët e fisit -
Spaçi, Oroshi dhe Kushneni - që përbëheshin nga më shumë se pesëdhjetë fshatra,
nuk jepnin dhe nuk merrnin vajza për martesë ndërmjet tyre, duke e konsideruar veten
vëllezër dhe pasardhës të një trungu të përbashkët.10 Kjo
normë, e mbështetur në të drejtën zakonore dhe në besimin popullor, përbënte
një nga shtyllat e organizimit familjar dhe fisnor të krahinës.
Tre
bajrakët në fjalë lidhnin martesa me të gjithë bajrakët e tjerë të Mirditës dhe
me krahinat përreth. Djemtë merrnin vajza në Kthellë, në Selitë, në Dibër, në
Fan, në katër bajrakët e Malësisë së Lezhës dhe në Rranzë.11
Martesa
e fëmijëve, veçanërisht e djemve, konsiderohej një çështje me rëndësi jetike
për prindërit. Shpesh ata përpiqeshin t'i fejtonin fëmijët që në moshë të
vogël, madje në disa raste edhe në djep, ndonëse martesa zakonisht realizohej
kur të rinjtë arrinin moshën shtatëmbëdhjetë deri në njëzet vjeç, e ndonjëherë
edhe më vonë.12
Për
martesën e djalit, këshillat për zgjedhjen e vajzës jepeshin nga burra ose gra
që njihnin mirë familjen e saj, prindërit dhe vetë vajzën. Ata jepnin mendimet
e tyre për përshtatshmërinë e fejesës dhe për cilësitë e familjes së ardhshme.13
Lidhjen
dhe sqarimet më të hollësishme për fejesën i bënte shkuesi ose ndërmjetësi, i
cili, sipas traditës, ishte gjithmonë burrë dhe gëzonte besimin e të dy
familjeve.14 Ai kishte detyrën
të shqyrtonte me kujdes rrethanat e familjes së vajzës, të njihte prejardhjen,
gjendjen ekonomike dhe reputacionin e saj.
Një
rëndësi e veçantë i kushtohej edhe shëndetit të familjes së vajzës. Kërkohej që
te prindërit e saj të mos kishte sëmundje të trashëguara dhe vëzhgohej me
kujdes gjendja fizike e anëtarëve të familjes.15
Shkuesi
bënte lidhjen e fejesës dhe për këtë shpërblehej nga prindërit e djalit. Ai
shkonte te familja e vajzës dhe u paraqiste prindërve të saj cilësitë më të
mira të familjes së djalit, virtytet e vetë djalit dhe gjendjen ekonomike të
shtëpisë së tij.
Pasi
arrihej marrëveshja, të dyja familjet caktonin ditën e fejesës. Në shtëpinë e
vajzës shkonin i zoti i shtëpisë së djalit dhe shkuesi. Ata qëndronin aty një
natë dhe sillnin një shami me ngjyrë dhe disa stoli, të cilat përbënin simbolin
e fejesës dhe të lidhjes së re ndërmjet dy familjeve.16
I
zoti i shtëpisë së dhëndrit i jepte një shumë të caktuar parash babait të
vajzës, ndërsa gratë e shtëpisë i nderonte me dhurata të vogla në të holla.
Kur
të fejuarit afroheshin me moshën e martesës, prindërit e djalit, së bashku me
shkuesin, shkonin në familjen e vajzës dhe përcaktonin veshjet që do të
përgatiteshin për nusen e ardhshme. Këto përbëheshin nga rroba prej lini,
pambuku e mëndafshi dhe përfshinin elementet tradicionale të veshjes së
Mirditës.17
Pajisja
e nuses përbëhej zakonisht nga pesë palë petka, e në disa raste edhe më shumë.
Shpenzimet për përgatitjen e tyre i përballonin zakonisht prindërit e djalit,
ndërsa punimin dhe qepjen e tyre e kishte për detyrë nëna e vajzës.
Në
shumë raste, prindërit e djalit i jepnin familjes së vajzës një shumë më të
madhe sesa vlera e veshjeve të nuses, ndërsa herë pas here e gjithë pajisja e
saj përgatitej nga shtëpia e dhëndrit.
Pasi
përfundonin përgatitjet dhe kryheshin pagesat e kërkuara, i zoti i shtëpisë së
djalit dhe shkuesi shkonin sërish te familja e vajzës dhe caktonin ditën e
ardhjes së krushqve për marrjen e nuses.
Me
këtë rast vendoseshin edhe kushte të ndryshme për familjen e djalit, si pagesa
të papërfunduara, sendet që duhej të sillnin me vete, numri i krushqve dhe
detyrime të tjera, pa plotësimin e të cilave nusja nuk vishej dhe nuk mund të
merrej nga krushqit.
Kur
dita e martesës caktohej me marrëveshje ndërmjet dy familjeve, ajo nuk mund të shtyhej
në asnjë rrethanë. Në kujtesën popullore ruhet rasti i viteve 1920-1930, kur
një vajzë, megjithëse ishte rëndë e sëmurë, u vesh nuse dhe u hip në kalë për
shkak të ngulmimit të krushqve dhe të detyrimit zakonor për të mos e prishur
ditën e caktuar të martesës.18
Krushqit
udhëtuan për disa orë me nusen dhe nënën e saj. Gjatë rrugës, nusja kërkoi të
zbriste nga kali, sepse sëmundja i ishte rënduar. E zbritën dhe, pas një ose dy
orësh, ajo ndërroi jetë. Me vdekjen e saj, dasma u ndërpre dhe ngjarja mbeti
gjatë në kujtesën e banorëve si dëshmi e forcës së normës zakonore.
Një
natë para nisjes, krushqit darkonin te miku, ku shtroheshin gjellë dhe ushqime
nga më të zgjedhurat. Ata zgjoheshin pa zbardhur dita dhe menjëherë shtroheshin
për mëngjes, sipas zakonit të mikpritjes mirditore.19
Në
ngrënie i shoqëronin një ose dy burra të shtëpisë, ndërsa të pranishmit e tjerë
hanin më vonë. Pasi mbaronin së ngrëni, krushqit falënderonin për bukën,
mikpritjen dhe sajdinë e treguar ndaj tyre.
Shoqëruesi
i tyre, i cili kishte ngrënë me krushqit, thoshte sipas zakonit: «Na bini prapë
bukë, se këta kanë rrugë të gjatë dhe i kap uria.»
Në
këtë rast, njeriu i shërbimit sillte një bukë të madhe dhe ia jepte krushkut të
parë, i cili ia dorëzonte shoqëruesit të krushqve, njeriut të shtëpisë. Ky e
vendoste bukën mbi tepsinë e fundit ku kishin ngrënë krushqit. Kjo quhej "buka e nuses".20
Më
pas, sillnin një kulaç, një bukë të vogël, të rrumbullakët dhe të hollë, të
cilin ia jepnin po atij shoqëruesi. Ai e thyente në copa të vogla dhe ua shpërndante
krushqve e të pranishmëve, të cilët e hanin sipas ritit. Ky quhej "kulaçi i nuses".21
Ky
rit kishte një karakter të qartë simbolik dhe përbënte një formë sajdie dhe
bekimi për nusen, duke shprehur dëshirën për mbarësi, begati dhe pjellori në
jetën e saj të re bashkëshortore.22
Sipas
traditës, pasi vajza vishej nuse, ajo qante me psherëtima dhe puthte magjen e
bukës dhe derën e shtëpisë, si shprehje e ndarjes nga familja e origjinës dhe e
shkëputjes nga vatra prindërore.23 Kjo
dukuri lidhet me shtresa shumë të lashta të martesës me rrëmbim, të njohura në
traditat e popujve të Ballkanit.24
Ky
vajtim ritual është një traditë me rrënjë shumë të lashta, e cila me kalimin e
kohës ka ndryshuar përmbajtje dhe është shndërruar në një akt ceremonial. Në
thelb, ajo ruan kujtimin e një periudhe të hershme, kur vajza merrej me forcë
për martesë dhe përpiqej t'i shpëtonte rrëmbimit. Këtë brendi të lashtë e
pasqyron edhe kënga që gratë këndonin kur niseshin krushqit për të marrë nusen:
Udha
e mbarë, o krushku i parë,
M'i
thuaj nuses të qajë ngadalë,
Të
qajë ngadalë e të qajë me lot,
Se
s'ia bëri kush me zor.
Dasma,
në një të kaluar jo shumë të largët, por edhe në kohë më të hershme, thuhet se
zgjaste tri ditë.25 Dy ose tri
ditë para fillimit të saj vinin për shërbim gra nga fshati ose të afërme me
lidhje miqësie e gjinie. Ato pastronin oborrin, rregullonin shtëpinë, sillnin
dru për gatim dhe fier për t'u shtruar në vendet ku do të uleshin të ftuarit.
Mbi
fier shtroheshin shtresa prej lëkurësh delesh me lesh, ndërsa në disa raste
përdoreshin edhe postaqe të punuara në avlëmend, sipas traditës së vjetër të
krahinës.26
Për
dasmën caktoheshin nga i zoti i shtëpisë njerëz të specializuar për përgatitjen
e ushqimeve, për therjen e bagëtive, për copëtimin e mishit dhe për përgatitjen
e kafesë. Kafexhinjtë duhej të ishin mjeshtër të njohur në zierjen e kafesë,
sepse mikpritja dhe shërbimi ndaj mysafirëve konsideroheshin çështje nderi.27
Këta
njerëz, të ngarkuar me detyra të ndryshme në dasmë, vinin zakonisht që të
enjten, e në disa raste edhe më herët, për të përgatitur gjithçka që nevojitej
për ceremoninë.
Krushka,
pra e ëma e nuses, qëndronte tri ditë në shtëpinë e dhëndrit dhe gjatë dy
netëve të para nusja flinte në një shtrat me nënën e saj. Vetëm ditën e tretë,
pasi largohej e ëma, nusja bashkohej me burrin e saj.28 Ky
zakon përfaqësonte një periudhë kalimtare dhe simbolike të integrimit të saj në
familjen e re.
Kur
nusja, hipur mbi kalë, mbërrinte në oborrin e shtëpisë së dhëndrit, e zbrisnin
nga kali dhe një grua, deri në treqind metra larg oborrit, prishte gjurmët e
kalit. Besohej se në gjurmët e tij mund të bëhej magji kundër nuses dhe se prej
saj mund të vinte ndonjë fatkeqësi.29
Në
oborrin e shtëpisë mblidheshin shumë dasmorë dhe fëmijët vraponin për të
mbledhur arrat që hidheshin para nuses, të cilat konsideroheshin simbol i
begatisë dhe i pjellorisë.30
Një
nga ritet më të veçanta të dasmës ishte kërcimi
i kalit të nuses. Në këtë rit përfshihej një djalë i vogël, pesë deri në
shtatë vjeç. Dy burra qëndronin në të dy anët e kalit: njëri e ngrinte fëmijën
mbi shpinën e kalit, ndërsa tjetri e merrte dhe e kalonte nën barkun e tij, për
ta ngritur përsëri mbi shpinë. Ky veprim përsëritej tri herë.31
Ky
rit lidhej me besime të lashta mbi pjellorinë, vazhdimësinë e trungut familjar
dhe dëshirën që nusja të lindte djem dhe të siguronte trashëgimtarë për
shtëpinë e re.32
Nusja,
në këtë moment, qëndronte e ulur në karrigen e nuses dhe po atë fëmijë që kishte
kryer kërcimin e kalit ia vendosnin në prehër, ku ai qëndronte për dhjetë deri
në njëzet minuta. Në disa raste, një ose dy gra e merrnin fëmijën nga gjunjët e
nuses dhe e rrotullonin nga njëra anë në tjetrën të krevatit të nuses, ku pas
dy ose tri ditësh ajo do të flinte me burrin e saj.33
Me
këtë rast, nusja i dhuronte djalit një palë çorape të qëndisura. Këto praktika
rituale mbështeteshin në besime të lashta, sipas të cilave sigurohej mbarësia
dhe lumturia e çiftit, si edhe pjelloria e nuses dhe lindja e djemve, të cilët
konsideroheshin vazhduesit e trungut familjar. 34
Në
pjesën më të madhe të Mirditës, martesa dhe dasma zhvilloheshin në ditën e
festës më të rëndësishme të bajrakut. Disa bajrakë i kremtonin dasmat në ditën
e Shën Kollit, disa në ditën e Shna Premtes, të tjerë në festën e të
Shëlbuemit, ndërsa disa të tjerë në ditën e Shën Mërisë.35 Martesat
zhvilloheshin më së shumti gjatë festave të vjeshtës, kur kishte më shumë
prodhime dhe ushqime, por sipas rastit ato organizoheshin edhe në festat e
pranverës.
Dita
kryesore e dasmës ishte gjithmonë e diela, edhe pse kremtimet mund të zgjasnin
tri ose katër ditë. Në Mirditë, muaji dhjetor quhet edhe "muaji i lidh", dhe gjatë tij nuk
zhvilloheshin martesa e dasma, sepse besohej se ato do të sillnin fatkeqësi dhe
mbarësi të pakët për çiftin e ri.36
Në
traditën popullore, të gjitha veprimtaritë që lidhen me këtë manifestim
lumturues quheshin thjesht "dasmë",
ndonëse në brendinë e saj mund të dallohen disa faza dhe dukuri të veçanta
sipas rendit kronologjik të zhvillimit të tyre.
Ritet
e hyrjes së nuses në oborrin e shtëpisë së dhëndrit, kërcimi i kalit, vendosja
e djalit në prehërin e nuses dhe ritet e ujit përbëjnë praktika me simbolikë të
qartë të pjellorisë dhe të integrimit të nuses në familjen e re.37
Dasma
në Mirditë përfaqësonte një institucion të rëndësishëm shoqëror, ku përfshihej
e gjithë bashkësia. Kënga, vallja, lojërat e burrave dhe të shtënat me armë
ishin pjesë e pandarë e shprehjes së gëzimit, të nderit dhe të prestigjit
familjar.38
Në
mendësinë popullore, dasma konsiderohej si një rilindje e familjes, sepse
përmes saj sigurohej vazhdimësia e trungut familjar dhe përjetësia e emrit të
shtëpisë.39
Një
rëndësi të veçantë kishte paradasma.
Kjo fazë, e cila përgjithësisht fillonte të enjten, por ndonjëherë edhe më
herët, përfshinte përgatitjen e shtëpisë nga gratë për pritjen e krushqve dhe
të të gjithë të ftuarve, sigurimin dhe therjen e kaut, lopës, deleve apo deshve
që do të përdoreshin si ushqim për dasmorët, si dhe argëtimin me këngë e valle,
me çifteli e më rrallë me lahutë, të shoqëruara me batuta e thumba për
njëri-tjetrin.40
Më
pas vinte ardhja e krushqve dhe e të ftuarve në dasmë. Të ftuarit sillnin me
vete dhurata, më së shumti një dash, por në raste të veçanta edhe një ka ose
bagëti të tjera. Ata që nuk kishin mundësi të sillnin bagëti, hidhnin para në
filxhanin e kafesë si shenjë nderimi dhe pjesëmarrjeje në gëzimin e familjes.41
Momenti
kur krushqit mbërrinin në shtëpinë e dhëndrit së bashku me nusen shënonte
fillimin e dasmës së madhe, me pjesëmarrjen e një numri të madh të ftuarish.
Dita më madhështore ishte e diela, e mbushur me këngë, valle, lojëra dhe me
sofrat e pasura me ushqime dhe pije të ndryshme.
Fundi
i dasmës ishte zakonisht dita e hënë, ndonëse në disa raste kremtimet vazhdonin
edhe të martën. Ditën e fundit, para se burrat të uleshin për të ngrënë, nusja
u hidhte ujë duarve për t'u larë, një veprim që kishte karakter simbolik dhe
lidhej me mbarësinë dhe pastërtinë.42
Po
atë ditë nusja shkonte për të mbushur ujë. Në përgjithësi, kroi i fshatit
ndodhej larg shtëpisë dhe te kroi e shoqëronin krushqit, burra e gra të dasmës.
Nusja mbushte ujë dhe ua jepte të gjithëve për të pirë, por secili pinte vetëm
pak, sa për të lagur buzët. Më pas ajo e mbushte përsëri enën dhe të gjithë
ktheheshin në shtëpi.43
Në
oborr e prisnin dasmorët dhe ajo u jepte përsëri ujë për të pirë. Vjehrrit ose
ndonjërit prej të zotëve të shtëpisë, nusja u hidhte pak ujë për të larë faqet,
një veprim krejtësisht simbolik.
Ritet
e ujit, ashtu si edhe disa veprime të tjera të kësaj dite, shërbenin për të
treguar se nusja tashmë ishte bërë pjesë e familjes së re, kishte marrë mbi
vete detyrën e gruas së shtëpisë dhe ishte integruar plotësisht në marrëdhëniet
familjare e shoqërore të fisit të burrit.44
Në
dasmat tradicionale të Mirditës bie në sy organizimi i përkryer i të gjitha
veprimeve që zhvilloheshin gjatë tyre. Që para fillimit të dasmës caktoheshin
njerëz të veçantë, të aftë dhe të përkushtuar, me detyra të mirëpërcaktuara, në
mënyrë që gjithçka të zhvillohej sa më mirë dhe mysafirëve t'u ofrohej shërbimi
më i denjë.
Përgatitej
ushqimi, rregullohej shtëpia, shtroheshin vendet ku do të uleshin të ftuarit
dhe siguroheshin enët e nevojshme për sofrat. Zgjidhej kafexhiu, një njeri me
përvojë dhe i njohur për mjeshtërinë e tij në përgatitjen e kafesë, të cilit i
viheshin në dispozicion të gjitha mjetet e nevojshme. Po ashtu caktoheshin
njerëz të veçantë për drejtimin e dasmës dhe të kuvendit të burrave.45
Kënga
dhe vallja fillonin natyrshëm që në periudhën përgatitore të dasmës, por ato
merrnin përmasa më të mëdha dhe më të gjalla gjatë dy ditëve qendrore të saj.
Gratë këndonin në grup, dy, tri, shtatë apo edhe dhjetë së bashku, ndërsa
burrat këndonin zakonisht veç e veç, të shoqëruar nga tingujt e çiftelisë ose,
më rrallë, të lahutës, të cilës i binte vetë këngëtari ose një tjetër në
shërbim të tij.46
Këngët
këndoheshin që në fillim të dasmës dhe lidhnin ngushtë përmbajtjen e tyre me
shërbimet dhe veprimet që zhvilloheshin gjatë ceremonisë. Në jo pak raste ato
kishin karakter ngacmues, humoristik ose lavdërues për personin të cilit i
drejtoheshin:
Mirësevjen,
o kafexhi,
Na
piq kafe sheqerli,
Se
sheqerin e kemi gati,
Se
na e kanë dërguar në Shqipni.
Mos
qit një, po qit nga dy,
Mbushe
mirë barkun e bardakut,
Zbardhja
faqen të zotit të konakut.
Kur
kafexhiu vononte, sepse përgatitja e kafesë kërkonte kohë, gratë e ngacmonin me
këngë të shpotitshme:
Kafexhi,
more dembel,
Je
ndry mbrenda e nuk po del,
Me
na pru xhezmen me kafe,
Po
bajmë gaz e po bajmë llafe.
Grupet
e grave këndonin edhe në konakun e burrave. Këngët më mbresëlënëse dhe më të
pëlqyera shoqëroheshin me të shtëna pushkësh nga dritaret, të kryera nga një
ose disa burra, si shenjë vlerësimi për bukurinë dhe forcën artistike të këngës.47
Vallet,
të cilat ishin krejtësisht vendase, shoqëroheshin me këngë të ndryshme gëzimi
dhe hareje. Ato përbënin një pjesë të rëndësishme të ceremonisë dhe shërbenin
si mjet argëtimi, por edhe si shprehje e identitetit kulturor të bashkësisë.48
Në
dasmë këndoheshin shumë këngë gazmore, por edhe këngë me kunja e me humor të
hollë. Një numër i madh këngësh i kushtohej nuses dhe kishte për qëllim të
lartësonte bukurinë, virtytet dhe cilësitë e saj etiko-morale. Po kështu, këngë
të tjera kishin natyrë urimi dhe bekimi për nusen, për dhëndrin dhe për
anëtarët më të rëndësishëm të familjes ku zhvillohej dasma, sidomos për të
zotin e shtëpisë.49
Në
çdo moment kulmor të dasmës shtiheshin pushkë. Të shtënat shoqëronin ardhjen e
nuses në oborrin e shtëpisë, vendosjen e saj në nusërim, urimet drejtuar të
zotit të shtëpisë, si dhe përfundimin e këngëve më të bukura e më të fuqishme
të dasmës.50 Në traditën
popullore, pushka ishte shenjë gëzimi, nderimi dhe madhështie dhe përbënte një
element të rëndësishëm të ceremonisë martesore.51
Studimi
i martesës dhe i riteve të saj zakonore në trevën e Mirditës dëshmon se ky
institucion ka përbërë një nga shtyllat themelore të organizimit shoqëror dhe
familjar të krahinës. Martesa nuk ishte thjesht bashkimi i dy të rinjve, por
një ngjarje me rëndësi juridike, ekonomike, morale dhe shpirtërore, e cila
përfshinte jo vetëm familjet e të rinjve, por edhe farefisin dhe bashkësinë në
tërësi.51
Një
nga tiparet më të rëndësishme të organizimit martesor në Mirditë ishte
ekzogamia e theksuar. Ndalimi i martesave ndërmjet tre bajrakëve të fisit -
Spaçit, Oroshit dhe Kushnenit - dëshmon për mbijetesën e një ndërgjegjeje të
fortë të përkatësisë fisnore dhe të lidhjeve të gjakut. Kjo normë zakonore, e
ruajtur për shekuj, luajti rol të rëndësishëm në rregullimin e marrëdhënieve
shoqërore dhe në ruajtjen e rendit tradicional.53
Nga
analiza e riteve të fejesës dhe të dasmës del qartë se ato mbartin shtresa të
ndryshme kulturore, të krijuara në periudha të ndryshme historike. Disa prej
tyre lidhen me normat e së drejtës dokësore, të tjera me besime të lashta
popullore, ndërsa një pjesë pasqyrojnë ndikimin e traditës së krishterë në
jetën shpirtërore të banorëve të Mirditës.54
Ritet
e vajtimit të nuses, kërcimi i kalit, buka dhe kulaçi i nuses, ritet e ujit, të
shtënat me armë dhe këngët rituale dëshmojnë për mbijetesën e elementeve të
lashta kulturore, të cilat, ndonëse kanë ndryshuar me kalimin e kohës,
vazhdojnë të ruajnë një simbolikë të pasur dhe një rëndësi të veçantë për
identitetin kulturor të krahinës.55
Dasma
mirditore përfaqësonte një institucion të gjerë shoqëror, ku merrte pjesë e
gjithë bashkësia dhe ku çdo individ kishte një rol të caktuar. Përmes saj
forcoheshin lidhjet e farefisnisë, ripërtëriheshin marrëdhëniet e miqësisë dhe
afirmoheshin vlerat themelore të shoqërisë tradicionale, si nderi, mikpritja,
solidariteti dhe vazhdimësia e trungut familjar.56
Dokumentimi
dhe studimi i këtyre riteve paraqet një rëndësi të veçantë shkencore, sepse një
pjesë e madhe e tyre sot janë zhdukur ose kanë mbetur vetëm në kujtesën e
brezave të moshuar. Për këtë arsye, ruajtja dhe botimi i tyre përbën jo vetëm
një detyrë shkencore, por edhe një shërbim të vyer ndaj trashëgimisë kulturore
shqiptare dhe kujtesës historike të Mirditës.57
Ritet
e përcjelljes së nuses, vajtimi i saj, puthja e magjes së bukës dhe e derës së
shtëpisë, kërcimi i kalit, vendosja e fëmijës në prehërin e nuses dhe ritet e
ujit përbëjnë dëshmi të rëndësishme të një trashëgimie kulturore shumë të
lashtë. Këto rite, në thelb, synonin të siguronin mbarësi, pjellori,
vazhdimësinë e familjes dhe integrimin e nuses në shtëpinë e re.58
Dasma,
si manifestimi më i rëndësishëm i jetës familjare, paraqitet si një ngjarje
kolektive ku merrte pjesë e gjithë bashkësia. Organizimi i saj i përkryer,
ndarja e detyrave, këngët, vallet, lojërat, mikpritja dhe ceremonialet e shumta
dëshmojnë për nivelin e lartë të organizimit shoqëror dhe për pasurinë e
kulturës shpirtërore të Mirditës.59
Këngët
e dasmës, urimet, shpotitë dhe lojërat përbëjnë një pjesë të rëndësishme të folklorit
shqiptar. Ato pasqyrojnë botën shpirtërore të banorëve të Mirditës, idealet e
tyre për familjen, bukurinë, nderin, mikpritjen dhe vazhdimësinë e fisit. Në to
ruhen elemente të rëndësishme të kujtesës kolektive dhe të identitetit kulturor
të krahinës.60
Në
psikologjinë popullore, martesa konsiderohej si një rilindje e familjes. Përmes
saj sigurohej vazhdimësia e trungut familjar, lindja e brezave të rinj dhe
përjetësimi i emrit të shtëpisë. Në këtë kuptim, dasma nuk ishte vetëm një
festë familjare, por edhe një akt me rëndësi të madhe shoqërore, juridike dhe
kulturore.61
Sot,
një pjesë e konsiderueshme e këtyre riteve është zhdukur ose ka mbetur vetëm në
kujtesën e brezave të moshuar. Ndryshimet shoqërore, lëvizjet demografike,
modernizimi i jetës dhe dobësimi i traditave kanë bërë që shumë prej zakoneve
të dikurshme të mos praktikohen më ose të ruhen vetëm në forma të pjesshme.62 Për këtë arsye, mbledhja,
sistemimi dhe botimi i tyre përbëjnë një detyrë të rëndësishme shkencore dhe
një kontribut të çmuar në ruajtjen e trashëgimisë etnokulturore shqiptare.
Studimi
i martesës dhe i riteve të saj në Mirditë nuk ka vlerë vetëm për njohjen e
historisë së kësaj treve, por edhe për kuptimin më të thellë të qytetërimit
tradicional shqiptar, të normave të tij dokësore dhe të pasurisë së kulturës
sonë kombëtare.63 Nëpërmjet
këtyre riteve bëhet e mundur të kuptohet më mirë mënyra e organizimit të
shoqërisë tradicionale shqiptare, raportet ndërmjet individit, familjes dhe
bashkësisë, si edhe sistemi i vlerave morale e shpirtërore që ka udhëhequr
jetën e shqiptarëve ndër shekuj.
Martesa
dhe riti i saj zakonor në trevën e Mirditës përfaqësojnë, kështu, një pasuri të
vyer të trashëgimisë sonë kulturore, e cila meriton të studiohet, të
dokumentohet dhe të ruhet si pjesë e identitetit historik dhe kombëtar shqiptar.64


