Gjon Keka: Turqisë nuk i intereson fati i Kosovës, por rikthimi i neootomanizmit
Turqisë nuk i intereson aspak fati i shqiptarëve të Kosovës, por vetëm objektet e saj ideologjike fetare, ekonomike dhe rikthimi i neootomanizmit

Jo
rastësisht tani, 27 vjet nga çlirimi i Kosovës pas ndërhyrjes së miqve tanë
ndërkombëtarë si ShBA-ja dhe vendet e tjera në kuadër të NATO-s, dalin disa
individë dhe deklarohen se gjoja „Turqia paska pasur për të ndërhyrë pa e
pyetur askënd, nëse ndodh në Kosovë ajo që ka ndodhur në Bosnjë".
Kjo
ngase tani në Kosovë është krijuar një klimë negative antiamerikane dhe
antieuropiane apo perëndimore, ku nga kjo klimë negative e helmuese, pastaj nga
kjo padëgjueshmëri e mungesë koordinimi, është lodhur e zhgënjyer edhe mikja
jonë ShBA-ja dhe shumë vende mike europiane.
Tani
pikërisht këta pushtetarë pa identitet dhe të pa vizion, individë e grupe
renegatësh e haxhiqamilësh, shohin një ëndërr se në të ardhmen, kur Amerika dhe
Europa të zvogëlojnë prezencën e tyre në Kosovë, sipas tyre rolin kryesor do ta
marrë Turqia. Sepse disa e thërrasin atë „vëlla", disa e shohin atë si më
të pranueshme për shkak se ajo ka mbjellë xhami e hamame, dhe pikërisht Turqia,
së bashku me aleaten e saj serbe si më parë, duan t'i ruajnë së bashku këto
objekte të mbjella për qëllime të ndikimit dhe pushtimit nëpërmjet ideologjive
fetare-politike e gjoja kulturore.
Në
fakt, kjo deklaratë është një përgatitje e terrenit që në të ardhmen gjoja roli
i Turqisë në Kosovë të jetë më i madh se ai amerikan e europian, gjë që është
tepër e dëmshme dhe vetëshkatërruese për popullin e Kosovës dhe të ardhmen e
saj europiane; sepse një armiku të vjetër, sikur është Turqia, nuk i intereson
aspak fati i shqiptarëve të Kosovës, por vetëm objektet e saj ideologjike
fetare, ekonomike etj., dhe ajo dëshiron që nëpërmjet tyre të rikthejë
neootomanizmin në këto pjesë të rajonit të Gadishullit Ilirik.
Duhet
pasur kujdes që në të ardhmen të mos lejojmë as ne, por të mos lejojnë as miqtë
ndërkombëtarë që na ndihmuan, që Turqia të marrë ndonjë rol përkujdesjeje ndaj
Kosovës, si në siguri apo edhe në fusha të tjera, sepse kjo ka të bëjë me një
pushtim ideologjik fetar, ekonomik dhe ringjallje të ëndrrave sulltaniste
otomane.
Dardania
e Arbëria jonë është toka e Konstantinit të Madh, Gjergj Kastriotit
(Skënderbeut), Pjetër Bogdanit, Nënë Terezës, Idriz Seferit, Adem Demaçit,
Ukshin Hotit, Ibrahim Rugovës etj., e jo toka e pushtuesve shekullorë që na
ndalën të mos ecim krah dinamikave të kombeve të tjera dhe na morën lirinë e
pavarësinë për të na mbajtur të lidhur në zinxhirët e robërisë, injorancës,
mjerimit e larg familjes sonë europiane – aty ku ne marrim frymë lirshëm dhe
jemi të natyrshëm e origjinalë, si pjesë e civilizimit të përbashkët europian.



