Gjon Keka: Rrënjët apostolike dhe karakteri i paimponuar i krishterimit dardano-arbëror

3h më parë

Rrënjët apostolike dhe karakteri i paimponuar i krishterimit dardano-arbëror

Nga Gjon Keka

Krishterimi te ne iliro-arbërorët nuk erdhi përmes imponimit nga ndonjë perandori, por sepse këtu shkelën për herë të parë këmbët e dy apostujve, Pjetrit dhe Palit. Ky i fundit thoshte: „...me fuqi shenjash dhe çudirash, me fuqi të Frymës së Perëndisë; kështu, prej Jeruzalemit e përqark dhe gjer në Iliri, kam kryer shërbimin e ungjillit të Krishtit," [Rom. 15:19]

Bashkëngjitur harta e vjetër e udhëtimit misionar të Palit apostull nga një vepër e vitit 1883(Bibel-Atlas,von C. F. W.und C. A., 1883). Prandaj sikur shihet, krishterimi tek ne është apostolik dhe jo i imponuar, ky është fakt historik dhe biblik.

Nuk duhet gënjyer apo shtrembëruar e vërteta. Në histori duhet të lihen të flasin faktet, e jo imagjinata apo interesat tona. Madje, duhet ditur se krishterimi u luftua nga perandorët e Perandorisë Romake derisa erdhi Konstandini i Madh, i cili e bëri atë pjesë zyrtare të perandorisë duke nxjerrë Ediktin e Milanos për tolerancën fetare në vitin 313.

Në Mesjetë, ishte Gjergj Kastrioti (Skënderbeu) ai që dëshmoi me vepra se ishte një mbrojtës i denjë i atdheut tonë iliro-arbëror dhe i krishterimit, të cilin ai e konsideronte pjesë të shpirtit arbëror.

Ai e dinte se farën e Ungjillit të Jezu Krishtit e kishin sjellë vetë apostujt.

Sot, në shekullin XXI, dalin disa që mohojnë, shtrembërojnë dhe njollosin atë që më parë e kishte ruajtur në zemrën e tij edhe vetë kryeheroi ynë, Gjergj Kastrioti. Ne si komb, deshëm apo nuk deshëm, i kemi rrënjët e përbashkëta të qytetërimit me popujt e tjerë, tek të cilët krishterimi është bërë besim kombëtar, si dhe pjesë e kulturës dhe traditës së vetë kontinentit europian në përgjithësi.

Te të gjithë popujt e qytetëruar të Europës ka kisha të vjetra e të reja, të cilat janë dëshmi e shpirtit të përbashkët të besimit në Jezu Krishtin, si dhe e fryteve dhe personaliteteve që ka dhënë krishterimi në historinë e Europës.

Ndërkohë, është një fakt i njohur historikisht se përhapja e islamit te shqiptarët u realizua përmes forcës ushtarake(shpatës së sulltanit) dhe një sistemi taksash mjaft të rënda e të papërballueshme për popullsinë.

Për t'i shpëtuar këtij persekutimi e presioni, një pjesë e madhe e dardano- arbërorëve zgjodhën të emigronin drejt vendeve të Europës, ku edhe e ruajtën të pastër besimin në Jezu Krishtin ,traditat, zakonte dhe gjuhën iliro-arbërore.

Një shembull i shkëlqyer i këtij komuniteti që ruajti me pastërti gjuhën, besimin dhe doket e të parëve janë arbëreshët e kohës së Gjergj Kastriotit. Në këtë mënyrë, ata iu larguan rrezikut të ushtrisë osmane dhe sistemit të rreptë fiskal që zbatohej nga pashallarët dhe vezirët me ushtrinë otomane.

Qëllimi im nuk është të mbroj asnjë besim fetar, qoftë ai krishterimi, islami, protestantizmi apo ndonjë tjetër. Synimi im është të nxjerr në dritë të vërtetën historike përmes fakteve dhe dëshmive. Prandaj, përballë retorikave gënjeshtare, shtrembëruese dhe njollosëse, ne duhet të flasim vetëm me argumente. Faktet janë kokëforta; askush nuk mund t'i mohojë, pasi ato janë po aq të qarta sa dielli dhe drita e tij.