Gjon Keka: Është koha e orientimit të qartë europian të Kosovës, dhe jo e ''sulltanizmit'' dhe ''mullave'' në Parlament

2h më parë

Është koha e orientimit të qartë europian të Kosovës, dhe jo e ''sulltanizmit'' dhe ''mullave'' në Parlament

Nga Gjon Keka

Që pas vdekjes së presidentit vizionar dhe të urtë dr. Ibrahim Rugova, Kosova nuk ka pasur më një dardan si ai, që e kishte qëllimin e qartë të bërjes së Kosovës shtet demokratik, të lirë, europian dhe pjesë të familjes euroatlantike.

Ai ishte jo vetëm një dardan-arbëror i edukuar rrënjësisht, me identitet të vërtetë dardan-arbëror europian dhe i ndriçuar me vizion të qartë europian, por ishte edhe një idealist e patriot i madh, që mori frymëzimin nga figurat themeltare të kombit tonë, siç ishin: Gjergj Kastrioti, Pjetër Bogdani dhe Idriz Seferi.

U pa tepër qartë se, pas vdekjes së tij, Kosova nga një vend me mbështetje të madhe ndërkombëtare, e njohur dhe e bekuar që ishte në krah me ShBA-në dhe vendet mike europiane, ra në një pozitë të pafavorshme për shkak të pushtetarëve pa vizion, pa identitet të qartë kombëtar dardan-arbëror europian. Thënë më saktë, Kosova humbte ditë për ditë mbështetjen e madhe që e kishte nga vendet mike dhe aleatët për shkak të politikave të gabuara dhe dritëshkurtra të pushtetarëve dhe orientimit të gabuar oriental-sulltanist.

Humbja e mbështetjes së madhe të miqve e aleatëve të Kosovës ka ndodhur më së shumti viteve të fundit nga pushtetarët e tanishëm. Kjo u pa me rënien e besimit nga miqtë dhe mungesën e koordinimit me ta, sepse, siç dihet, për të pasur miq e aleatë duhet të ketë edhe besim reciprok, respekt dhe koordinim të ndërsjellë për veprimet e përbashkëta, ngase Kosova u bë e lirë dhe e pavarur falë ndihmës së madhe të vendeve mike si ShBA, NATO dhe vendeve të tjera mike europiane. Pra, thënë më qartë, çlirimi dhe pavarësia e Kosovës janë projekte të përbashkëta shqiptaro-amerikano-europiane.

Pa këtë trekëndësh nuk do të kishte as Kosovë të lirë, as Kosovë të pavarur e as Kosovë që sot, falë ndihmës së tyre, ka arritur të njihet nga shumë vende, të anëtarësohet në shumë organizata ndërkombëtare dhe që pret anëtarësimin në NATO dhe integrimin në Bashkimin Europian.

Edhe anëtarësimi në NATO dhe integrimi në Bashkimin Europian nuk do të mund të realizohen kurrë pa mbështetjen vendimtare dhe të madhe të miqve e aleatëve si ShBA, vendeve kryesore të NATO-s dhe miqve të dëshmuar nga disa shtete me ndikim të Bashkimit Europian.

Sidoqoftë, duke parë këtë që u tha, tani Kosova si shtet gjendet në një pozitë të pafavorshme dhe aspak të mirë. Ajo është bërë nga një vend i shpresës dhe me orientim të qartë europian, siç ishte kur ishte gjallë presidenti Rugova, sot një vend me më pak shpresë, me rrëshqitje nga orientimi europian në orientim sulltanist.

Kosova, e cila sot po të kishte pushtetarë vizionarë do të ishte jo vetëm e zhvilluar, e forcuar si shtet dhe e bekuar me dorën ndihmëtare të ShBA-së dhe vendeve mike europiane që do t'i qëndronin pranë, por edhe e anëtarësuar në organizata të rëndësishme europiane e botërore, në Këshillin e Europës, në NATO dhe në hapin e fundit të hyrjes në Bashkimin Europian.

Por, siç thashë më lart, pas vdekjes së presidentit vizionar e historik dr. Ibrahim Rugova, atdheu ynë nuk pati një udhëheqës që do ta vazhdonte rrugën e natyrshme europiane të tij drejt rikthimit të Kosovës në familjen europiane, por mbeti në duar të ndryshme e të papërgjegjshme, pa vizion e pa orientim të qartë europian, sa që edhe sot, me udhëheqjen e tanishme, ajo po vuan, sepse edhe pushtetarët e sotëm në Kosovë nuk kanë vizion, as orientim të qartë europian, por po e dëmtojnë edhe atë që është arritur në shtetin e Kosovës bashkë me miqtë ndërkombëtarë dhe aleatët.

Dëmi që i është bërë kohëve të fundit Kosovës është se ajo po udhëhiqet nga njerëz pa vizion, pa urtësi, pa orientim të qartë, me tendenca për ta futur edhe ideologjinë fetare islamike brenda Kuvendit dhe institucioneve të tjera, gjë që do të paraqiste rrezik për dëmtimin në palcën kurrizore të kombit tonë, pastaj të kushtetutshmërisë dhe laicitetit në shtetin e Kosovës dhe në shoqërinë e saj.

Po ashtu, kohëve të fundit Kosova dhe politika e saj e gabuar, nga të dy krahët – pozitë dhe opozitë – po prodhojnë kriza politike të njëpasnjëshme, që dëmtojnë perspektivën dhe ndalin rrotën e zhvillimit të Kosovës, si dhe pengojnë në rrugën e anëtarësimit në NATO dhe të integrimit në Bashkimin Europian.

Zgjedhjet e përsëritura, për shkak të paaftësisë për të gjetur një zgjidhje apo për të arritur një kompromis, po ashtu e dëmtojnë sistemin demokratik e politik të shoqërisë dhe shtetit të brishtë të Kosovës, i cili ende nuk ka traditë të fortë demokratike e politike për të mbajtur mbi supe probleme pa mbështetjen e miqve dhe aleatëve, sidomos përballë rreziqeve nga ndikimet globale të krizave, të sigurisë dhe të stabilitetit vendor, rajonal e më gjerë.

Me pak fjalë, mund të thuhet se e vetmja e mirë që tani qytetarët e ndërgjegjshëm dhe syhapur mund t'ia bëjnë Kosovës si shtet është të mos i votojnë ata që e udhëhoqën deri më tani vendin pa vizion, pa orientim të qartë europian, që prodhuan kriza të panevojshme për shkak të paaftësisë jo vetëm për të gjetur zgjidhje e kompromis, por edhe për të mbajtur shtet; që po i restaurojnë objektet e pushtuesit otoman (xhamitë dhe objektet e tjera që janë simbole të pushtuesit), që po duan t'i fusin brenda Parlamentit laik të shtetit të Kosovës „mullat" dhe individë me prirje radikale islamike, kur dihet se po këta pushtetarë të tanishëm arritën t'i fusin në disa institucione të tjera individë me prirje ideologjike islamike, dhe kjo është tepër e rrezikshme për shtetin laik të Kosovës dhe të ardhmen e tij europiane.

Po ashtu, e vetmja e mirë që qytetarët e vetëdijshëm dhe syçelë mund t'ia bëjnë atdheut të tyre është të mos i votojnë ata që i shkatërrojnë urat e miqësisë me ShBA-në dhe vendet mike europiane, por të mbështesin ata që i ruajnë dhe i forcojnë edhe më shumë ato. Pastaj, të mos votojnë ata që nuk e kanë dëshmuar veten se janë dardan-arbërorë të vërtetë europianë, por me dy fytyra, ku natën sillen me mentalitet sulltanist e oriental, e ditën si europianë.

Ka ardhur koha që Kosova të udhëhiqet nga njerëz që kanë identitet të qartë kombëtar europian dhe janë patriotë të vërtetë, e jo nga pushtetarë të papërgjegjshëm, pa identitet të qartë kombëtar europian, pa vizion dhe me dy fytyra.

Po ashtu, është koha që të ketë njerëz që e duan lirinë, që respektojnë të drejtat themelore të njeriut, që e duan Kosovën jo si një vend me imazh sulltanist (islamik), por me imazh europian (Gjergj Kastriotian-Skënderbegian) dhe si pjesë të natyrshme të familjes europiane.