Frank Shkreli: Shqiptarët në Mal të Zi mes kontributit historik dhe pritshmërive të papërmbushura
NJË SHTET I RI ME PLAGË TË VJETRA: MALI I ZI NË 20-VJETORIN E PAVARËSISË -- SHQIPTARËT NË MAL TË ZI MES KONTRIBUTIT HISTORIK DHE PRITSHMËRIVE TË PAPËRMBUSHURA

Shpallja e pavarësisë së Malit të Zi me
21 maj 2006, ishte një nga momentet më të rëndësishme politike në
historinë moderne të rajonit të Ballkanit Perendimor. Në atë referendum historic 20-vjet më pare ,
shqiptarët luajtën një rol vendimtar, duke mbështetur, masivisht, projektin e
shtetit të pavarur malazez. Vota e shqiptarëve në trevat e Ulqinit, Malësisë,
Anës së Malit, Plavë-Gucisë e të tjera, është konsideruar dhe konsiderohet gjithnjë
nga vërejtës të jashtëm dhe të brendshëm, si gjëja kyçe që përcaktoi rezultatin
përfundimtar në favor të pavarësisë së Malit të Zi nga Serbia.
Por, pavarësia e Malit të Zi nuk ishte vetëm rezultat i një
procesi të brendshëm politik. Ajo u mbështet fuqishëm edhe nga diaspora
shqiptaro-amerikane nga ato troje, me arsyetimin dhe bindjen në atë kohë, se Mali
i Zi, shtet i pavarur nga Serbia do të ishte një vend më i mirë për shqiptarët
dhe për të drejtat e tyre. Mërgata shqiptare në Amerikë, për dekada kishte
ndërtuar ura komunikimi mes shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor dhe
institucioneve më të larta federale dhe shtetërore amerikane, si asnjë herë më
parë në historinë e këtij komuniteti. Mërgata shqiptare në Shtetet e Bashkuara
të Amerikës me prejardhje nga Malësia, Ulqini, Kraja, Plavë-Guci e tjera, luajti
rol të rëndësishëm politik, diplomatik dhe ekonomik për disa dekada të fund
shekullit të kaluar. Përmes organizatave siç ishte Këshilli Kombëtar
Shqiptaro-Amerikan (NAAC), aktivistët shqiptarë në Amerikë arritën të
sensibilizojnë politikën amerikane për gjëndjen e vështirë të shqiptarëve anë e
mbanë trojeve shqiptare, përfshirë shqiptarët në Mal të Zi duke argumentuar për
të drejtën e qytetarëve, përfshir shqiptarët autoktonë në atë vend, për vetvendosje.
Në këtë kontekst, vizita e Kongresmenit amerikan Eliot Engel në atë vend, në Korrik,
2005 së bashku me përfaqsues të NAAC-ut, kishte simbolikë dhe peshë të veçantë
politike. Kongresisti Engel, njëri prej zërave më të fuqishëm pro-shqiptar në
Kongresin Amerikan dhe kryetar i Grupit të Çeshtjeve Shqiptare në legjislativin
amerikan, mbështeti publikisht procesin demokratik dhe të drejtën e Malit të Zi
për të vendosur mbi pavarësinë dhe të ardhmen e vet politike. Ajo vizitë u pa, në atë kohë, si një sinjal i
qartë se komunitetit shqiptaro-amerikan kishte fituar ndikim real në qarqet e
larta vendimarrëse në Washingtonin zyrtar. Eliot Engel dhe grupi i ligjvenësve
të tjerë amerikanë, përfshir Grupin e antarëve të Kongresit që merrej me
çeshtjet shqiptare, kanë mbështetur, fuqimisht. integrimin euro-atlantik të vendeve
të Ballkanit Perëndimor, sidomos, avancimin e të drejtave të shqiptarëve në
Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe në Mal të Zi.
Përveç dimensionit politik, diaspora shqiptare, sidomos, ajo
nga trevat shqiptare nën Malin e Zi, kontriboi fuqishëm edhe në fushën ekonomike
duke financuar projekte të ndryshëm si rrugë, shkolla e tjera në trojet nga
vinin, origjinalisht. Investimet e mergimtarëve në infrastruturë, arsim,
kulturë dhe biznes, ndihmuan dukshëm zhvillimin e zonave shqiptare në Mal të Zi,
në një periudhë tranzicioni shumë të vështirë ekonomike për to. Në shumë raste,
diaspora zevendësoi mungesësn e investimeve shtetërore në ato krahina të
banuara nga shqiptarët, që fatkeqsisht, vazhdodn edhe sot.
Prandaj, sot dy dekada
pas shpallljes së pavarësisë të Malit të Zi, mbetet pyetja thelbësore që pret
ende përgjigje të plotë dhe të kënaqshme: A janë realizuar pritshmëritë e
shqiptarëve, megjithë mbështetjen e tyre për pavarësinë e atij vendi, 20-vite
më parë?
Përgjigjja është e ndërlikuar. Nga njëra anë, me pavarësinë e
vendit, mund të thuhet se shqiptarët kanë fituar deri diku, më shumë hapësirë
demokratike dhe institucionale, në krahasim me periudhën, para pavarësisë.
Gjuha shqipe përdoret, zyrtarisht, në komunat shqiptare. Shqiptarët janë pjesë
e Parlamentit dhe qeverive malazeze, ndërsa themelimi i komunës së plotë të
Tuzit në vitin 2018 – që ishte temë kryesore në bisedimet me zyrtarët e lartë
malazezë gjatë vizitës së delegacionit të NACC-ut në Korrik të viti 2005 -- është
konsideruar si një fitore historike politike për Malësinë. Po ashtu edhe
orientimi euroatlantik i Malit të Zi dhe antarësimi i Podgoricës në NATO, megjithse
kundërshtohej nga një pjesë e popullsisë serbe në vend, janë parë si një
garanci për stabilitet dhe përmirësim të gjëndjes së komuniteteve të pakicave,
veçanërisht, shqiptarëve. Por nga ana
tjetër, shumë nga pritshmëritë ekonomike dhe institucionale -- por jo vetëm --
mbeten të pa realizuara. Krahinat shqiptare vazhdojnë të përballen me emigrim
masiv të të rinjve, me një mungesë të dukshme të investimeve strategjike, papunësi
të theksuar, zhvillim të ngadalshëm ekonomik dhe asmilim në zonat me shumicë
shqiptare. Shqiptarët shpesh ankohen për përfaqsim jo proporcional në
adminstratë, në polici dhe në sistemin gjyqësor. Probleme të pazgjidhura mbeten
edhe çështjet e pronave, urbanizimit dhe zhvillimit të qendrueshëm, sidomos në
komunën e Ulqinit.
Një faktor tjetër që ka ndikuar negativisht dhe që nuk
ndihmon përmirësimin e gjëndjes politike dhe ekonomike të komunitetit shqiptar
atje, është edhe fragmentarizimi politik i vet shqiptarëve në Mal të Zi, një
plagë e rëndë kjo, fatkeqsisht, në jetën politike shqiptare kudo. Ndarjet,
përçarjet dhe rivalitetet mes partive politike shqiptare shpesh kanë dobësuar
fuqinë negociuese të shqiptarëve gjatë viteve, përballë qeverive qendrore në Podgoricë. Megjithatë,
pavarsisht zhgënjimeve dhe sfidave politike dhe ekonomike të kaluara dhe
aktuale, shqiptarët mbeten një faktor i rendësishëm shtetformues dhe
pro-perëndimor në Mal të Zi. Ata duhet të jenë krenarë se kontributi i tyre në
procesin e pavarësisë së atij vendi 20-vjet më parë, ishte historik, ndërsa
roli i diasporës shqiptaro-amerikane fund shekullin e kaluar, në përgjithsi,
mbetet një nga kapitujt më domethënës të angazhimit shqiptar -- me mbështetjen
e pa kursyer të miqëve amerikanë në Washington -- në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni
të Veriut, Mal të Zi Preshevë kudo tjetër.
Në 20-vjetorin e pavarësisë së Malit të Zi, rikujtimi i këtij
kontributi nuk është vetëm një reflektim historik. Por është edhe një kujtesë
se stabiliteti dhe demokracia ndërtohen mbi partneritet të vërtetë, si dhe
barazi e rerspekt të ndërsjelltë. Dhe pikërisht, kjo pikë, pas dy dekadash
pavarësi, vazhdon të mbetet sfida më e madhe e shtetit malazez në raport me
shqiptarët në atë vend, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e objektivave
politike, ekonomike dhe institucionale mbeten ende të papërmbushura. Si rrjedhim, sa u përket shqiptarëve, mbetet
për tu parë nëse pavarësia e Malit të Zi -- e shpallur para dy dekadave --
ishte vërtetë një fitore historike edhe për ta, apo një projekt i papërfunduar?

Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan
(KKSHA/NAAC) i përbërë nga miku i madh i shqiptarëve, Kongresisti amerikan,
tani i ndjeri Eliot Engel, nga Drejtori Ekzekutiv i (KKSHA/NAAC) Frank Shkreli,
disa anëtarë të bordit drejtues si Harry Bajraktari, dhe përfaqsues të komunitetit nga Nju Jorku
dhe Detroiti, vizituan Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi nga data 2 deri me 10
Korrik, 2005. Frank Shkreli: Zëri i Diasporës
dhe fuqia e Washingtonit, roli i Eliot Engel, Këshilli Kombëtar
Shqiptaro-Amerikan (NAA C) dhe lobimi për Kosovën | Gazeta Telegraf Në Mal të Zi, delegacioni ka vizituar Ulqinin, Tuzin dhe Podgoricën për
të parë nga afër gjendjen e shqiptarëve në atë vend, për të dëgjuar ankesat e
udhëheqsve të komuniteit shqiptar atje dhe për të takuar udhëheqsit më të lartë
të shtetit malazez në Podgoricë, përfshir Presidentin e vendit, Gjukanoviç me qëllim për tu paraqitur atyre
ankesave e shqiptarëve në Mal të Zi, duke theksuar shqetsimin amerikan mbi gjëndjen
e të drejtave themelore të shqiptarëve të Mal të Zi.










