Frank Shkreli: Kur një komb harron gjigantët e vet
KUR NJË KOMB HARRON GJIGANTËT E VET
Naim
Frashëri, Gjergj Fishta dhe kriza e kujtesës kombëtare shqiptare

Në të vërtetë, ky është një subjekt që e kam trajtuar
sa herë gjatë viteve, si për shëmbëll dhe sa për ilustrim: Frank Shkreli: A është
trashëgimia kulturore dhe historike shqiptare në zhdukje e sipër? | Gazeta
Telegraf
. Sot, shkak për këtë shënim u bë
180-vjetori i lindjes së Naim Frashërit (25 maj të vitit 1846) sepse, për fat të keq, historia e
trajtimit/mos trajtimit të kujtesës së figurave kombëtare, vazhdon.
Ka
popuj që ndërtojnë shtete me forcën e armëve.
Por ka edhe kombe që mbijetojnë falë forcës së mendjes, gjuhës dhe
kulturës. Shqiptarët janë një prej tyre. Në
kohët më të errëta të historisë, kur Shqipëria ende nuk ekzistonte si shtet,
kur gjuha shqipe ndalohej, kur shqiptarët ishin të përçarë në fe, krahina e
vilajete, dolën disa burra të mëdhenj që ndërtuan me penë atë që nuk ekzistonte
ende në hartë: ndërgjegjen kombëtare shqiptare. Mes tyre qëndrojnë si dy maja të pashlyeshme Naim Frashëri
dhe Gjergj Fishta -- dy figura që i dhanë kombit shpirt, gjuhë, krenari dhe
ideal.
Naim
Frashëri i mësoi shqiptarët ta duan Shqipërinë si atdhe shpirtëror. Ai ngriti
gjuhën shqipe në nivelin e një gjuhe kulture dhe i dha shqiptarëve ndjenjën se
ishin një komb i vetëm. Në një kohë robërie dhe padijeje, ai mbolli shpresë,
vetëdije dhe dritë. Fishta, nga ana
tjetër, u dha shqiptarëve epikën kombëtare, forcën morale dhe krenarinë e
qëndresës. Me “Lahutën e Malcis”, ai ngriti në art shpirtin heroik të shqiptarëve malësorë, dhe e bëri gjuhën shqipe
të jehojë me madhështinë europiane.
Pa
këta njerëz -- dhe pa rilindas të tjerë si Faik Konica, Luigj Gurakuqi, Mid'hat
Frashëri, Ndre Mjeda apo Ernest Koliqi e Martin Camaj -- kombit shqiptar do t’i
mungonte vetë themeli i identitetit të tij. Do t’i mungonte gjuha shqipe e
kultivuar, vetëdija kombëtare, ndjenja patriotike, arsimi kombëtar, kultura
europiane dhe rezistenca shpirtërore ndaj asimilimit. Sepse Shqipëria nuk u krijua as nga
komunistët e sbhkullit të kaluar as nga klasa politike pseudo-komuniste
35-viteve trannzicion, as nga lufta. Ajo u krijua, fillimisht, në mendje, në
libra, në poezi dhe në sakrificat e këtyre gjigantëve.
Prandaj,
ka diçka thellësisht të dhimbshme në heshtjen që po shoqëron figurat më të
mëdha të kulturës dhe identitetit shqiptar. Në vitin e 180-vjetorit të lindjes
së Naim Frashërit, mungesa e një përkujtimi dinjitoz mbarëkombëtar nuk është
thjesht neglizhencë institucionale, por ajo është simptomë e një krize më të
thellë: krizës së kujtesës, kulturës dhe atdhedashurisë shqiptare. Sepse kur flitet për Naim Frashërin, nuk
kujtojmë vetëm një poet të zakonshëm. Po
flasim për njeriun që i dha shpirt gjuhës shqipe, që mbolli idenë e Shqipërisë
moderne në zemrat e shqiptarëve shumë kohë përpara se shteti shqiptar të
ekzistonte. Naim Frashëri ishte zëri i ndërgjegjes kombëtare shqiptare. Ai nuk
kishte pushtet, ushtri apo shtet. Kishte vetëm penën, idealin dhe dashurinë për
kombin. Dhe megjithatë, 180 vjet pas
lindjes së tij, Shqipëria zyrtare, por edhe shqiptarët kudo, ky përvjetor duket
i ftohtë, rutinor dhe pothuaj të painteresuar për të nderuar siç meriton, Naim
Frashëri. Në vende të tjera europiane, por edhe në çdo shtet normal të
botës, figura të përmasave të tilla do të shoqëroheshin me akademi kombëtare,
botime speciale, konferenca shkencore, aktivitete në shkolla, emisione
televizive, ekspozita, ribotime të veprave, dhe homazhe shtetërore. Ndërsa në
Shqipëri, ashtu edhe në Kosovën e pavarur, deri tani, përkujtimet publike në
180-vjetorin e Naim Frashërit, duken të kufizuara, kryesisht, me ndonjë lajm të
shkurtër në media individuale apo iniciativa private. Ashtu si zakonisht në të
kaluar[n me raste të tilla,nuk pati jehonën që meriton poeti i cili u bë vetë
ndërgjegjja e kombit.
Por
Naim Frashëri nuk është i vetmi në këtë mungesë kujtese. Një ndër ta edhe At Gjergj Fishta — kolosi i
letërsisë shqipe, autori i “Lahutës së Malcis”, poeti që i dha kombit epikën,
krenarinë dhe dinjitetin e fjalës shqipe -- vazhdon të mbetet figurë e nderuar,
më shumë nga populli, por jo edhe nga institucionet zyrtare të shtetit shqiptar. Për dekada, diktatura komuniste e përjashtoi
Fishtën nga kultura zyrtare shqiptare. Veprat e tij u ndaluan, emri iu fshi nga
tekstet, ndërsa kujtesa kombëtare u deformua me vetëdije ideologjike.
Tragjikisht, edhe sot duket sikur Shqipëria ende nuk është çliruar plotësisht
nga ajo frymë harrese zyrtare. Frank Shkreli: Vazhdon krimi shtetëror
ndaj At Gjergj Fishtës, i përjashtuar nga shteti që ai mbrojti | Gazeta
Telegraf
-
Por
ç’të themi për Naimin e Fishtën, kur kjo harresë institucionale nuk ka kursyer
as figurën më të madhe të historisë shqiptare: Gjergj
Kastriotin Skënderbeu. Dhe ky është paradoksi më i madh i Shqipërisë “modern”.
Kombi që, ndonjëherë, mburret me Skënderbeun në çdo fjalim patriotik, shpesh
nuk arrin ta trajtojë atë me dinjitetin kulturor dhe shtetëror që meriton
figura e tij. Përvjetorët historikë kalojnë shpesh me aktivitete të
fragmentuara, pa një vizion serioz kombëtar për ta kthyer figurën e Skënderbeut
në pjesë të gjallë të edukimit, kulturës dhe vetëdijes qytetare të mbarë Kombit.
Frank
Shkreli: Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, i harruari i Kombit në ditëlindjen e tij
| Gazeta Telegraf
Ndërkohë,
që në Europë dhe në botë, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu njihet si një nga figurat
më të rëndësishme botërore dhe rezistencën kundër Perandorisë Osmane. Emri i
tij gjendet në historiografinë europiane si simbol i qëndresës dhe identitetit
perëndimor të shqiptarëve, por edhe si shpëtimtari i Evropës. Ndërsa në vetë
Shqipërinë, shpesh duket sikur ai përmendet më shumë si dekor ceremonial sesa
si themel moral e historik i Kombit shqiptar.
Kjo
krijon një pyetje të rëndë, por të domosdoshme: Duke mos-kujtuar figura të
tilla kombëtare, ashtu siç u ka hije, apo
humbet Shqipëria dhe shqiptarët, lidhjen
me vetveten? Sepse atdhedashuria nuk
matet me retorikë politike, me flamuj në festa apo me deklarata patriotike në
rrjete sociale. Atdhedashuria matet me respektin ndaj njerëzve që ndërtuan
shpirtin e kombit. Duhet theksuar edhe një here se një komb që harron poetët,
mendimtarët dhe rilindasit e vet, domosdoshmërisht, mfillon të humbasë busullën
e vet morale. Sepse kombet e shtetet nuk jetojnë vetëm me ekonomi, pallate të
larta, pushtet apo propagandë. Kombet jetojnë me kujtesë, kulturë dhe
identitet. Sot, për fat të keq, shumë të
rinj shqiptarë njohin më mirë personazhe virtuale të rrjeteve sociale sesa
veprën e Naimit apo madhështinë e Fishtës, e lere më figurën e madhe të
shqiptarëve, kudo që janë. Shkollat
shpesh i trajtojnë si kapituj formalë provimesh, jo si shtylla të ndërgjegjes
kombëtare. Ndërkohë që hapësira publike dominohet nga konfliktet politike e
partiake, nga banaliteti, spektakli dhe kultura e harresës.
Dhe
kjo është drama modern e shqiptarëve. Ndonëse shqiptarëve nuk u mungojnë
gjigantët gjatë gjithë historisë, Kombi shqiptar që prodhoi gjigantë kulturorë
si Naim Frashëri e Gjergj Fishta, po rrezikon të mbetet pa kujtesë kombëtare. Por ende nuk është vonë. Sepse rikthimi te
Naimi, te Fishta, te Faik Konica, te Luigj Gurakuqi, te Mid'hat Frashëri dhe te
rilindasit e tjerë nuk është nostalgji për të kaluarën, por është një nevojë e madhe për identitetin e shqiptarëve në të
ardhmen . Sepse pa ta, Shqipëria ndoshta do të ishte vetëm një emër në hartën e
Evropës dhe asgjë tjetër.
Kur
një një komb që nuk kujton me respekt gjigantët e vet të kulturës e të
historisë, rrezikon që një ditë të mbetet, jo vetëm, pa gjigantët e historisë
së vet – por edhe pa shpirt!










