Florim Zeqa: Kalimi urgjent në sistemin Presidencial, zgjidhje e përhershme për Kosovën!
Kalimi urgjent në sistemin Presidencial, zgjidhje e përhershme për Kosovën!

Fillimisht
më duhet t'i sqaroj lexuesit e rreshtave të mëposhtëm, se qëllimi i këtij
shkrimi nuk është mbështetja për liderin e LVV-së dhe as kundërshtimi ndaj
liderëve të tjerë partiakë, por dalja nga labirinthi politik!
Vakum total i sistemit politik!
Situata e krijuar ditëve të fundit në
Kosovës, për më tepër se shqetësuese është edhe paradoksale: Kosova ka mbetur
pa Ushtrues Detyre të Presidentit, pa Komandantin Suprem të FSK-së, pa Kryesi
dhe pa Kryetar të Kuvendit, pa Kryeministër dhe pa Qeveri! Ky, për më tepër se
vakum institucional, paraqet rrënim të sistemit politik në vendin tonë!
Fenomeni i pengimit në vijimësi i
fituesit absolut të zgjedhjeve për krijimin e institucioneve të reja shtetërore
duhet të merrë fund sa më shpejtë dhe sa më parë, sa nuk është bërë tepër vonë
për shtetin e Kosovës!
Në anën tjetër, edhe shtyerja në pafundësi e seancës për
konstituimin e plotë të Kuvendit të Kosovës nga ana e partisë fituese, ka
irrituar qytetarët e vendit!
Përgjegjës kryesor dhe të vetmit për
situatën e re (të vjetër) bllokuese të krijuar në Kosovë janë partitë
parlamentare dhe të zgjedhurit e popullit, të kthyer në pengje të liderëve
partiak!
Përseritja
e situatave bllokuese në Kuvend, përveqse shkelje e të gjitha rregullave dhe
normave demokratike është edhe dhunim i vullnetit të elektoratit.
Është
dhunim i vullnetit të 36 % të elektoratit të dalë në zgjedhjet e 7 qershorit.
Ndryshe,
nuk ka si të quhen përpos dhunues mosrespektuesit e vullnetit të qytetarëve dhe
verdiktit popullor për qeverisjen e vendit.
Mos
respektimi i rezultatit zgjedhor paraqet shkeljen e parë dhe më flagrante të
aktit më të lartë juridik të vendit-Kushtetutës së Republikës së Kosovës! Me
prolongim të seancave dhe me dhunë fizike në Kuvend po vazhdohet me shkeljet
serike të Kushtetutës dhe rregullores së punës së Kuvendit!
Reforma e harruar, urgjente për dalje
nga kriza e thellë politike
Reforma zgjedhore e filluar në vitin
2010, e bllokuar nga qeveritë e kaluara dhe e harruar së fundmi nga pushtetarët
aktualë duhet të ri-inicohet nga deputetët e legjislatures së 11-të, për të
shpëtuar vendin nga katandisja e mëtutjeshme!
Por,
për të ardhur deri tek kjo, fillimisht duhet të konstituohet Kuvendi me
marrëveshje politike për zgjedhjen e Presidentit.
Pastaj,
ligjvënësit të fillojnë urgjentisht ndryshimet Kushtetuese, përkatësisht ligjin
dhe aktet nënligjore që mundësojnë reformën e mirëfilltë zgjedhore për kalimin
nga sistemi Parlamentar në atë Presidencial, i cili përveqse imperativ i
ngutshëm kohorë, ka mbetur e vetmja zgjidhje për nxjerrjen e vendit nga kolapsi
i një sistemi të dështuar qeverisës 26 vjeçarë!
Sistemi
Presidencial paraqet çelësin e evitimit të ngërçeve politike dhe krizave
artificiale paszgjedhore të paraqitura në mënyrë serike në Kosovën e pasluftës!
Sistemi
Presidencial automatikisht krijon premisat e dy blloqeve të forta
parazgjedhore, respektivisht bipolarizimin e skenës politike, gjegjësisht
krahun e djathtë dhe të majtë në Kuvendin e Kosovës.
Përderisa
në sistemin Parlamentar mundësia e manipulimit me zgjedhjet është
jashtëzakonisht e madhe, në sistemin Presidencial evitohet ajo mundësi, pasi
vota e sovranit (qytetarit) është vendimtare në përcaktimin e kaheve qeverisëse
të vendit.
Sistemet
Presidenciale janë forma të paraqitjes së demokracisë reprezentative që
dallohen nga sistemet Parlamentare, pasiqë tek këto forma të qeverisjes fuqia
politike dhe ekzekutive bartet nga Kryeministri tek Presidenti i shtetit të
pavarur i cili është (do të jetë) edhe komandant suprem i Forcave të Armatosura
të Republikës së Kosovës.
E
veçanta e sistemit Presidencial është zgjedhja e presidentit nga ana e
popullit. I zgjedhuri i popullit është fuqiplotë dhe nuk mund të shkarkohet nga
detyra nga ana e parlamentarëve, pasi nuk ka veto parlamentare në këto sisteme
qeverisëse.
Presidenti
edhe pse nuk ka të drejtë iniciative për nxjerrjen e ligjeve, e ka të drejtën e
vetos kundër parashtrimit të ligjit nga ana e parlamentarëve. Asnjë anëtarë i
anës ekzekutive nuk ka drejtë të i takojë anës legjislative të sistemit në të
njëjtën kohë.
Presidenti
është fuqiplotë në anën ekzekutive dhe kontrolluese i institucioneve shtetërore
në përgjithësi.
Sistemi presidencial, i përshtatshëm
për Kosovën
Sistemini qeverisës Presidencial, i
adaptuar për rrethanat e Kosovës do të ishte model i suksesshëm, i cili do të
garantonte stabilitet politik dhe mirëqeverisje të vendit.
Përfaqësimi
në parlament bëhet sipas fuqisë elektorale, e jo si deri më tani, me kontrabandim
të deputetëve në Kuvend. Kompetencat ekzekutive i merr Presidenti bashkë me
politikën e jashtme, ndërsa kryeministri merret më shumë me çështjet e
brendshme organizative, si; Ministrinë e Punëve të Brendshme, pastaj Ministrinë
e Arsimit, të Shëndetësisë, Kulturës, etj.
Sistemi
Presidencial garanton më shumë stabilitet qeverisës dhe pavarësi më të madhe
për institucionet e pavarura në vend; si bie fjala; sistemin e drejtësisë
(pavarësimin e plotë të prokuorive dhe gjykatave.
Ajo
çka është më kryesorja, sistemi Presidencial garanton pavarësi më të gjërë të
institucioneve shtetërore edhe në raport me bashkësinë ndërkombëtare,
gjegjësisht ndaj përfaqësive diplomatike të akredituara në vendin tonë.
Që
i bie, se përfaqësitë diplomatike nuk mund të marrin më vendime për Kosovën,
pra roli i tyre është reprezentativ dhe këshillues për drejtuesit shtetëror!
Ridizajnim i Kushtetutës së vendit
konformë kërkesave të kohës
Sistemi parlamentar, gjegjësisht
Republikat parlamentare nuk janë treguar të suksesshme në zgjidhjen e krizave
politike paszgjedhore shkaku i polarizimit të skajshëm të skenës politike.
Probleme
të kësaj natyre janë shfaqur dhe po vazhdojnë të manifestohen kriza të thella
paszgjedhore edhe në shtetet më të zhvilluara si; Gjermania, Italia, etj, e të
mos flasim për Kosovën me një demokraci të brishtë paralamentare.
Jo
vetëm për zgjedhjen e presidentit drejtëpërdrejt nga populli, por edhe për
shumë arsye të tjera, legjislatura e re e Kuvendit të Republikës së Kosovës e
ka për detyrë të themelojë urgjentisht një komision të pavarur (jasht)
parlamentar, të përbërë nga ekspert të fushës juridike për të ridizajnuar
Kushtetutën e vendit konformë kërkesave të kohës, për evitimin e ngërçeve
paszgjedhore.
Përfundimisht,
sistemi Presidencial i qeverisjes së vendit, do ta nxjerrte Kosovën nga
"çarku i mbyllur" politik.
Kjo, përveqse do të pamundësonte kontrabandimin e postit të presidentit nga partitë politike vendore, do të pengonte edhe ndërhyrjet e tmerrshme nga jashtë, siq ishte rasti i zgjedhjes së presidentes përmes zarfit në vitin 2011, dukuri kjo e paprecendent në vendet e lira dhe demokratike!
Përveç
krizës së thellë politike në të cilën e kanë katandisur vendin politikanët e
papërgjegjshëm, shtetin e Kosovës e kanë mbërthyer një varg krizash si ajo:
ekonomike, energjetike, financiare, shëndetësore dhe arsimore, etj, ku shteti i
Kosovës është duke përjetuar momentet më të vështira të krizës morale në
Parlament!
Florim Zeqa, analist i pavarur politik


