Gjon Keka: Kisha e Shën Abrahamit dhe Katedralja “Nënë Tereza” do të jenë rezidenca pritjeje diplomatike

3h më parë

Në të ardhmen rezidenca e pritjes së përfaqësuesve diplomatikë do të jetë Kisha e Shën Abrahamit në Llapushnik dhe Katedralja „Nënë Tereza" në Prishtinë

Nga Gjon Keka

Duke parë se si pushtetarët, partitë, individët dhe grupe të caktuara po koketojnë me ideologjinë islamike – duke krijuar një imazh tmerrësisht negativ përballë botës demokratike, të qytetëruar e të lirë perëndimore, e cila na ndihmoi të çlirohemi dhe të bëhemi shtet i lirë, laik dhe europian, e jo një lloj shteti islamik në mesin e Europës – mund të them se së shpejti rezidenca e pritjes së përfaqësuesve diplomatikë perëndimorë nuk do të jetë më qeveria e as ndonjë institucion tjetër. Përkundrazi, ajo do të jetë Katedralja „Nënë Tereza" në Prishtinë Kisha e Shën Abrahamit në Llapushnik, të cilat po i mbajnë të gjalla shtyllat e identitetit kombëtar, respektivisht për „Atdhe e fe" dhe rrugën e Dardanisë europiane, sipas shembullit të Pjetër Bogdanit, Idriz Seferit, Nënë Terezës dhe Ibrahim Rugovës.

Koha do ta dëshmojë se, nëse vazhdohet kështu me futjen e ideologjisë islamike në çdo fushë të jetës institucionale e private, do të vijë dita kur bota e civilizuar që na ndihmoi do të zhgënjehet. Ajo do të ndërpresë marrëdhëniet me institucionet tona, do të izolojë shtetin dhe do të heqë ndihmat apo mbështetjen si në aspektin e sigurisë, ashtu edhe në atë të ekonomisë dhe integrimit euroatlantik. Sepse ata nuk e kanë ndihmuar popullin e Kosovës që të krijojë një shtet me ideologji fetare islamike, katolike apo ndonjë tjetër, por që të bëhet i lirë, i qytetëruar, i pavarur dhe një ditë pjesë e barabartë e familjes europiane.