Eduard M. Dilo: Një mbrëmje dimri në Manhattan

Një mbrëmje dimri në Manhattan
Nga
Eduard M. Dilo
Sipas
orarit të afishuar, treni po vinte në stacionin ku kisha dalë për të shkuar në
Manhattan. Nuk isha i vetëm; edhe njerëz të tjerë po prisnin.
Zura
vend në një stol dhe, disi i shkujdesur, po shikoja telefonin — mesazhet dhe
Facebook-un, mos kishte ndonjë gjë të re. Pas pak treni u fut në tunel dhe
sinjali u dobësua.
Mendova
të vizitoja Pemën e Krishtlindjes në Rockefeller Center dhe më pas Katedralen e
Shën Patrikut. Ishte vërtet bukur, edhe pse pak ftohtë. Ftohtë, por dimri i Nju
Jorkut ka një bukuri të veçantë.
Gjithandej
flitej se sot Nju Jorku do të mbulohej nga dëbora — thuhej se do të binin 8–12
inç.
Në
mbrëmje, dëbora filloi të binte. Fillimisht e lehtë, pastaj më e dendur, duke
mbuluar rrugët, ndërtesat dhe njerëzit. Dritat e qytetit pasqyroheshin mbi
bardhësinë dhe krijonin një atmosferë pothuajse të pazakontë për një metropol
kaq të madh.
Bardhësi
dhe bukuri nën shkëlqimin e dritave kudo. Sa e bukur është Krishtlindja!
Pema
e Krishtlindjes në Rockefeller Center shfaqej madhështore. Dritat e saj
ndriçonin fytyrat e njerëzve që ndaleshin për fotografi, për një kujtim, për
një çast gëzimi.
Çifte
të reja përqafoheshin e putheshin pa u shqetësuar nga i ftohti, ndërsa pak më
tutje patinatorët rrëshqisnin mbi akull, mes muzike dhe dritash festive.
Gjithçka
ishte e rregulluar me shije, por ajo që binte më shumë në sy ishte gjallëria.
Në
një qytet të njohur për ritmin e shpejtë, ajo mbrëmje dukej sikur i kishte
ndalur njerëzit për pak çaste. Qëndrova aty duke vëzhguar, pa nxituar.
Ndonjëherë mjafton të jesh i pranishëm, të shohësh dhe të ndjesh, për ta
kuptuar se edhe në një qytet të madh, momentet e vogla kanë peshën e tyre.


















