Edison Ypi: Ku s'lënë Shenjtor pa e përdhosur
Ku s'lënë Shenjtor pa e përdhosur

Many
tears ago, Zoti urdhëroi ta kryeja shërbimin ushtarak tre vjet në një bateri
kundërajrore në periferi të Vlorës. Jo brenda në Zvërnec, prej ku Zvërnecin nuk
mundesh me e pa. Pak më në jug të Zvërnecit, nga ku Zvërnecit i dukej gjithçka,
qielli, dielli, laguna, ishulli, pylli, manastiri.
Nga
kapanoni ku flija, gjatë netëve të qeta kur binte heshtja, dëgjoja bombarduesit
e NATO-s që kalonin mbi Zvërnec me një uturimë që dridhte krejt Gjirin e Vlorës.
Sa ushtarët të vishnin pantallonat, shtrëngonin rrypat, mbathnin këpucët, vinin
në kokë kapelet me yll, bombarduesi kishte ikur. Megjithatë, ushtarët vazhdonin
të flinin mbi top edhe disa orë deri në agim me shpresë se do të vinte një
tjetër bombardues ta asgjësonin me topa kinezë 57 milimetra. Por s'erdhi kurrë
një i dytë.
Një
pasdite si gjithë pasditet që i shtyja si Zangra i Jacques Brel-it në fortin e
Beloncias, një avion i vogël mësimor rus nga ata të Shkollës së Aviacionit, një
Yak i ndërtuar me dru dhe beze ngjyrë kaki, pasi bëri disa kollotumba mbi
Zvërnec, u ngul në det në drejtim të Sazanit. Dhe u zhduk. Asnjë fjalë nuk u
tha kurrë për çfarë ndodhi. Por, me siguri, "për trimin që ra duke
mbrojtur atdheun nga armiqtë e egër", ndonjë këngë, a të paktën ndonjë
pllakë përkujtimore me tekst rrenacak, diku mbërthyer me bulona mbi ndonjë mur,
duhet të jetë.
Një
herë tjetër, mbi qiellin e Zvërnecit u shfaq një aeroplan tjetër i vogël, jo me
dru e beze si Yaku fatkeq. Pasi bëri disa xhiro rrotull Zvërnecit, krejt i
pasigurt në manovrime, duke parë se pista e betonit ishte e bllokuar me fuçi,
më së fundi u ul mbi pistën mësimore me bar. Dera u hap pas nja dy orësh kur
erdhën dy ose tre civilë nga aeroporti. Aty për aty heshtje varri. Asnjë fjalë
për këtë "shkelje kufiri". Të nesërmen, rast i rrallë, ndoshta i
vetëm, i uljes së një aeroplani grek të rrëmbyer nga një aventurier komunist i
quajtur Vasili Tsironis u dëshmua me një rresht te Zëri i Popullit.
Qyfyret
e botës ndodhnin të gjitha në Zvërnec.
Komunistja
Liri Belishova, për shembull, që s'kishte asnjë lidhje me clausura monastica,
dhe dergjej natë e ditë në burg brenda manastirit të Zvërnecit, është e para
dhe e vetmja komuniste në botë që kaloi gjithato vite të jetës si murgeshë
shembullore.
Qitjet
stërvitore kundërajrore bëheshin nga Pishë Poro. Predhat kalonin mbi Zvërnec,
pastaj në det.
Një
oficer nga Smokthina kishte vite që eksperimentonte një lloj mortaje artizanale
për të hedhur lart në qiell një si gjyle që, pasi të prekte qiellin, të
shndërrohej në parashutë që ta godisnin predhat stërvitore. E gjeta dhe e lashë
delirantin duke eksperimentuar idenë folklorike.
Një
bateri kundërajrore me 6 topa 100 milimetra ndodhej në Zvërnec.
Më
ka mbetur gjithashtu në mendje një episod mbi qesharaken mbrojtje të pathyeshme
me hekur dhe beton të Gjirit të Vlorës. Një oficer nga Kuçi ose Tërbaçi më
solli me ngut një gjilpërë topi që i ishte këputur maja e hollë. I thashë se,
që gjilpëra e topit të mos këputej ose shtrembërohej nga goditja mbi gëzhojën,
duhej çeliku i përshtatshëm. Më pa me qesëndi dhe më urdhëroi ta bëja me atë
çelik që kisha. Ia bëra. Iku, ia vuri topit të Zvërnecit... që nuk shkrepi
kurrë.
Nuk
do ta harroj as në varr e përtej varrit pohimin më makabër që më kanë dëgjuar
veshët:
"Vajzat
zvërnecare dhe narqote janë elegante dhe të bukura, por prishen shpejt".
Pra,
vajzat e Zvërnecit, elegante si flamingot dhe delikate si mjelmat, pasi punojnë
10 vjet me kazëm e lopatë në kooperativë, s'shifen me sy.
Ose,
hiret që t'i fal Zoti, t'i vjedh partia.
E
verifikova gjatë vajtjeve në Zvërnec dhe Nartë. Po, 15-vjeçaret ishin përrira.
30-vjeçaret kishin marrë fund.
I
thashë një ditë Maks D. nga Tirana, i vetmi që ia arriti të rregullohej me një
zvërnecare:
-Zvërnecarja
jote, a prishet shpejt?
-Unë
prishem shpejt, tha Maksi, zvërnecakja prishet ngadalë.
Dhe,
duke parë shushatjen time, shtoi:
-Gjithçka
ndodh në vendin ku s'lënë Shenjtor pa e përdhosur.


