Edison Ypi: Familje

3h më parë

Familje

Nga Edison Ypi

Pas vdekjes së gruas Shpresa, Besimit i mbeti një tufë me jetimë; Shkëlqimi, Guximi, Krenari, Durimi, Përparimi, Gëzimi, Fatmiri, Zana, Dituria, Pranvera, Kujtesa, Drita.

Besimi, dikur i shëndetshëm, tani ka zënë qoshen, rënkon, kollitet, mezi lëviz, sytë i kanë vënë perde, veshët i janë rënduar, zëri i ka ikur.

Djali i madh Shkëlqimi është nxirë i tëri. Nusja Besa hyn e del te Luani, një komshi ngordhalaq.

Guximi, bashkë me gruan Lumturinë dhe nipçen Fitimin, kanë ikur larg. Ku njerëzit hanë oriz me shkopa dhe flasin sikur cicërrijnë. Kur marrin në telefon thonë se po u vete mbarë. Por nga zëri i mekur dhe numuri i celularit që nuk del në ekran, kuptohet që gënjejnë.

Krenari ikën e vjen kryeulur në Greqi ku ka ndërruar emrin, nga Krenar e ka bërë Dhjaks.

Durimi, kur pa në një gazetë se i kishin shpikur një pseudonim, u çmend.

Përparimit ja gjetën kufomën e kalbur hedhur në breg të detit tre ditë pasi kishte vdekur i asfiksuar brenda një kamioni duke ikur fshehtaz në Angli.

Gëzimi u ngatërrua me një trafik droge dhe u zhduk pa nam pa nishan.

Fatmiri po pret përfundimin e ca gjyqeve për kthimin e ca pronave që ja kanë xhvatur dhe s'do ja kthejnë kurrë.

Zana u fejua me Shpëtimin, një djalë nga Gramshi, dhe iku në Itali. Fejesa u bë një të premte te pazari i Rrogozhinës mes erës së qofteve dhe duhmave të rakisë. Babai Besimi dyshoi për dhëndërrin gramshak me Benz të madh me zhama të zinj dhe zinxhira floriri në qafën e dhjamur, por s'foli. Tha me vete; Kështu e ka kjo jetë, ai që duket i keq del djal' flori, ai që duket i mirë del ibret. Pas nja tre muajsh u muar vesh se dhëndërr Shpëtimin e kishin sharruar copa-copa në Rroskovec, e kishin futur në një thes, thesin e kishin hedhur në një përrua.

Meqënse Zana kishte nisur të dërgonte ndonjë lek nga trotuaret e Milanos, askush s'e zuri në gojë sharrimin e Shpëtimit. Mbetën në pritje që kur prostituta Zana nga përdorimi i tepërt të mos shihej dot me sy, të kthehej në fshat ku me paratë e kurvërisë të ndërtonte vilë me pishinë si ato të bosave të drogës në Amerikën latine.

Dituria ka mbetur beqare. Vijnë për ta parë Diturinë nga katundet e tjera. Askujt si mbushet mendja ta marri për grua. Dituria është e zbehtë, ata e duan faqekuqe. Ajo është delikate, ata e duan të bëshme. Ata e duan të ngutur, ajo është e kujdesshme. Ata e duan nëpërkë, ajo është Zonjë. Dituria beqare pi ndonjë kafe me djalin e xhaxhait, Kujtimin, edhe ai beqar. Dituria i ngrys ditët para pasqyrës duke parë se si muzgjet ja shtojnë nuret.

Pranvera nuk merret vesh kur hyn e del, kur ikën e vjen.

Kujtesa është harruar, ca thonë në Turqi, ca në Arabi.

Drita është futur në një shpellë të errët prejku refuzon të dali para se të vdesi.