Gjon Marku: Kumona e Vjetër

Tregim nga Gjon Marku
Kel Bardhi e afroi karrocën e tij pranë grumbullit të tullave,
ku kishte rënë kumona e vjetër e kishës. Ai kishte marrë urdhër ta merrte dhe
ta shkallmonte kumonën e vjetër. Kelit i dhimbte zemra teksa mendonte se ajo
kumonë e vjetër do të prishej dhe do të shtypej e bëhej metal. Ai gjithnjë, sa
herë kishte rënë ajo kumonë, kishte bërë kryq dhe kishte mërmëritur me vete:
"Në emër të Atit, të Birit e të Shpirtit të Shenjtë." Ajo kumonë
kishte rënë në njërën anë kur kishte vdekur i ati, dhe ai e kishte dëgjuar
tringëllimën e saj sërish të binte në njërën anë në ditën e pikëllimit më të
madh të tij, pra kur i kishte vdekur e ëma.
Por ajo
kumonë kishte tringëlluar në një mënyrë fare të veçantë në ditët e festave, si
në ditën e Krishtlindjes e të Pashkëve.
- Merre dhe prishe, Kel, ajo i përket së shkuarës,
- iu drejtua Ismet Hoxha, - tashmë ne do të ndërtojmë një histori të re. Këto
kanë qenë e keqja jonë e përhershme, këto u kanë shërbyer të huajve. Kleri dhe
kishat janë opium për popullin. Ato kanë mbjellë injorancë dhe padije ndër ne...
Keli nuk
kishte folur, por në heshtje mendjen e kishte hedhur tek Pal Engjëlli, Gjon
Buzuku, Frang Bardhi, Pjetër Budi, Bogdani e gjer tek Prend Doçi, Mjeda,
Fishta, Marlaska, Prenushi etj.; ata kishin vënë themelet e kulturës kombëtare,
e tash thuhej se kanë mbjellë terr dhe padije. - Zot, fale se nuk di çfarë
thotë, - mendoi Kel Bardhi.
Ajo kumonë
e vjetër kishte të gdhendura në të disa figura mjaft interesante, e mes tyre
edhe një shqiponjë njëkrenëshe, por dhe një datë që datonte në vitin tetëqind e
një; duhej të prishej, të shtypej në emër të kulturës. Po të cilës kulturë, a
nuk ishte ajo vetë një monument kulture!?
U afrua
dhe bëri ta merrte ndër duar. Iu duk e rëndë, shumë e rëndë. Ca pika shiu të
mëdha vrullshëm filluan të sulen mbi tokë, sikur donin ta mbysnin në ujë.
"Mëshirë, o i Shpalë e i Shpjetër!" - mërmëriti me vete Kel Bardhi.
- Kel, a the ndonjë gjë? - pyeti Ismeti, që rrinte
në këmbë dhe vështronte e ndiqte me kujdes punën për prishjen dhe shkatërrimin
e kishës dhe kthimin e saj në qendër kulture.
- Jo, jo, shoku Ismet, - mërmëriti Keli me gjysmë
zëri.
- Nuk e ngre dot vetë ta vësh në karrocë. Hajde se
të ndihmoj unë, se u bëre ujë
Të dy e
ngritën kumonën dhe e vunë në karrocë.
Disa zigzage
drite shpuan qiellin e bërë pus prej reve të zeza. Pastaj një bubullimë e
pazakontë.
-Eh, more
Zot! - mërmëriti Keli, që tanimë kishte marrë në dorë frenat e kuajve që
tërhiqnin karrocën që mbante kumonën më të vjetër të kishës, që fatkeqësisht
nuk do të ishte më kishë por vatër kulture.
Si t'ia
bënte? Partia e shteti e kishin urdhëruar që ai ta shtypte dhe ta prishte
kumonën e vjetër. Po a mundej ai të vinte dorë mbi kumonën e kishës? A mundej
ai të vinte dorë mbi kumonën, lajmëtaren e riteve të të madhit Zot? Trupi i u
drodh. Kurrë, mendoi me vete.
Po të mos
e prishte atë kumonë të vjetër, e po të merrej vesh kjo, do t'i kushtonte
shtrenjt, do t'i këputej koka siç i qe bërë Ipeshkvit.
Kuajve u
jepte ngadalë, si të kishte mbi karrocë vezë, që nga një tronditje e lehtë do
të thyheshin. Nuk donte ta trondiste kot së koti kumonën e kishës, e aq më pak
ta prishte. E ktheu kokën mbrapa dhe pa pikat e shiut që përplaseshin mbi të, e
i u duk se po bënte një mëkat të madh. Deshi të hiqte xhaketën e vet e ta mbulonte
kumonën, por në moment e mblodhi veten.
I ra
rrotull e rrotull dy herë gjithë qytetit, pa ditur se çfarë të bënte.
Muzgu
kishte rënë. Errësira ishte duke pllakosur në të gjitha anët, ndërsa shiu
vazhdonte të binte rrëmbyeshëm. U drejtua drejt shtëpisë së tij. E ndaloi
karrocën para portës së shtëpisë; askush nuk dëgjohej, sikur s'kishte njeri të
gjallë. E hapi portën ngadalë, pastaj i drejtoi kuajt drejt fundit të bahçes
dhe i ndaloi në rrëzë të murit. Ashtu nëpër shi u fut në një kotec të bërë me dërrasa,
ku mbante veglat e punës. Mori kazmën dhe një lopatë, dhe në fund të oborrit
hapi një gropë të thellë.
Njerëzit
varrosen, mendoi, e shpirti i tyre ngjitet në qiell. Edhe shenjtorët varrosen.
Bile edhe Krishti është varrosur, e Zoti e di se çfarë bën pastaj. Gërmonte e
gërmonte; edhe pse shiu e pengonte, ai nuk ndalej. Kurrë në jetën e tij nuk
kishte hapur një varr, por sikur gjithë jetën të kishte hapur veç varre, nuk do
ta kishte pasur kaq të vështirë. Edhe shiu nuk e linte, sikur lotonte gjithë qielli
për varrimin e saj. Ajo nuk do të tringëllojë as në ditë festash, as në ditë
mortesh. Veshët i buçitën, e i u duk se kumona diçka foli, por shiu nuk e linte
të kuptonte fjalët e saj. Mbajti vesh, mos po e përgjonte kush, apo e kishte
parë njeri. Por nuk dëgjohej asgjë veç shiut që binte pa pushim.
Ishte
zhytur deri në brez në gropën e hapur, e megjithatë vazhdonte të gërmonte pa u
ndalur; donte ta groposte sa më thellë.
Pasi u
sigurua se kishte bërë një varr të mjaftueshëm, u turr prapë drejt kotecit të
veglave. I vdekuri vishet, mendoi me vete. Hoqi xhaketën e tij dhe e mbështolli
kumonën me të. Mblodhi pastaj gjithë leckat që ishin aty dhe rendi drejt fundit
të oborrit; e mbështolli mirë e mirë edhe me to, dhe mori litarët e kuajve e i
lidhi fort, i shtrëngoi mirë e mirë përsëri. Pasi kishte mbaruar punë, u ndal
disa çaste. Po litarët do të kalben, o ditë e zezë, mendoi me vete. Kështu që u
fut prapë në kotec. Ndezi një qiri dhe kontrolloi për ndonjë copë teli. Në fund
të kotecit, mbi disa dërrasa druri, pa disa lëkurë që i kishte blerë veç disa
ditë më parë për të rregulluar karrocën. Ishin lëkurë të regjuara e mjaft
cilësore. Po, po, tha me vete, dhe i ngarkoi në shpinë. Të qofsh falë ty, o
vullnesë e të madhit Zot. O për kishën dhe kumonën e saj, o për kë tjetër,
mendoi. Pastaj ai po varroste një nga objektet e rëndësishme të kishës, pra
kumonën e saj, me ato lëkura që i kishte blerë sa nuk thuhet. E rimbështolli me
to kumonën e vjetër, pastaj e lidhi mirë e mirë me telat që kishte marrë në
kasolle. Kur e kishte kryer këtë punë dhe u gjend në buzë të gropës-varr, ajo
ishte mbushur me ujë. Mori lopatën dhe provoi edhe një herë sa e thellë ishte,
dhe pa se lopata humbi nën ujë bashkë me bishtin e saj; edhe pse e zgjati dorën
nën ujë, nuk arriti ta prekte fundin e gropës me lopatë, kështu që u kënaq.
Lëmshin
brenda të cilit ishte kumona e vjetër, mbështjellë me leckat dhe lëkurën, e
rrukullisi ngadalë, dhe pasi e afroi në buzë të gropës, u ul pranë saj dhe
filloi të thoshte urata e t'i lutej Zotit ta falte për mëkatin e tij; pastaj e
hodhi në pellgun e ujit, prej nga doli një shkulm uji i turbullt që mori drejt
kanalit. Në Veri, vetëtimat ndiqnin njëra-tjetrën. Mori lopatën dhe e mbuloi me
dhé mirë e mirë, dhe pasi u sigurua se kishte kryer gjithçka si duhet, i
zgjidhi kuajt dhe i rehatoi në kasollen e tyre.
Më falni,
u tha atyre kur po u jepte tagji, po s'kishim si të bënim ndryshe, ishte e
vetmja mënyrë.
Pasi
mbaroi gjithçka, i tronditur deri në palcë e i lodhur sa nuk thuhet, u drejtua
për në shtëpi. Trokiti në derë dhe po priste të hapej, kur i u duk se dëgjoi
kumonën duke thirrur prej nëndheu. Zëri i vinte i largët, i thellë e i mbytur,
si të ishte një njeri i mbytur në ujë që herë del në sipërfaqe e kërkon ndihmë,
e herë zhytet nën ujë ku nxjerr flluska. Po i merreshin mendtë e nuk po
orientohej më. U mbështet te dera e me zor po merrte frymë. Kur u hap dera, ai
u plandos përtokë dhe nuk mundi të thoshte asgjë. Njerëzit i dukeshin si hije
që turreshin nëpër natë. Dëgjonte turbull zërat e tyre që i vinin si buçimë në
vesh, pastaj ata i dukeshin si tingujt e zgjatur të kumonës, që zgjateshin dhe
shuheshin ngadalë.
Nuk mori
vesh asgjë, veç të nesërmen, kur u zgjua, kishte dalë dielli e ndriste pastër
në të katër anët. Kishte fjetur gjatë, dhe ora kishte kaluar nëntë të mëngjesit
kur i doli gjumi e u ngrit nga krevati. Doli në oborr, dhe menjëherë sytë i
shkuan nga cepi i fundit i oborrit, ku kishte hapur një varr që tash s'do ta
linte kurrë të qetë.
Mori
kazmën dhe lopatën, hapi anash dy gropa dhe mbolli në to dy trëndafila.
Vitet
shkuan, ai plakej, po kurrë nuk e hapi gojën. Por për trëndafilat në fund të
oborrit interesohej pa ndalë.
Kohët
ndryshuan. Pas 27 vjetësh, një natë, trokiti dera, dhe u shfaq një djalë i ri.
- Axha Kel, më dërgoi babai e më tha se nesër në
orën nëntë të mëngjesit, tek kisha, tek Arra e Madhe, do të vijë një prift e do
të ngrejë meshë, e nëse je i mundur, takohemi atje, më tha babai.
Kel Bardhi
u ngrit menjëherë në këmbë.
- Po ty të pastë axha, hajde, hajde brenda, se don
axha me të gostitë. - Dhe pasi gjeti disa ëmbëlsira, ia dha djaloshit. - Nesër,
të pastë axha, eja edhe ti, se është ditë e madhe.
Doli në
oborr, nuk i besohej. Vështrimin e hodhi nga perëndimi, ku dielli ishte duke u
fshehur pas malit, dhe qielli ishte skuqur sikur donte të merrte flakë.
Të
nesërmen, në kishë, një prift i plakur, të cilit i dridheshin duart e mezi
mbahej, i veshur si civil, ngriti meshë.
- Kemi vështirësi të mëdha, - tha ai diku në mes
të meshës. - Gjithçka na mungon: edhe teshat e priftërinjve që janë ende
gjallë, edhe pajisjet e meshës, edhe kumona e së lumes kishë.
Keli bëri
kryq, e zemra desh i doli jashtë, filloi t'i rrihte fort, fort.
-Jo! -
thirri Keli në mes të kishës së rrënuar, pa altar e pa stola, aq sa gjithë
besimtarët u kthyen drejt tij.
Prifti
plak e hodhi vështrimin andej nga kishte ardhur zëri. Pa Kelin, që u shkëput
prej njerëzve dhe u drejtua nga altari.
- Më falni, o vëllezër e motra! Më fal, o Atë, që
të ndërhyra në meshë, po nuk desha të dëgjoja gjithë këto mjerime e fatkeqësi.
Zoti ju pastë të gjallë e unë dua të dëshmoj se kumona e kishës është gjallë e
shëndoshë e mirë.
Një
mërmërimë e një gumëzhimë e pazakontë, çfarë nuk ndodhte shpesh gjatë meshës, e
pushtoi kishën. Pastaj qetësia.
- Po, Atë, - tha Keli, që tashmë ishte ulur në
gjunjë, - kumona e kishës është e varrosur në fund të oborrit tim, tash 27
vjet, dhe unë s'kam pasur kujt t'i rrëfehesha e t'ia tregoja. Nuk kam pasur
brengë më të madhe, dhe gjithnjë jam frikësuar se atë amanet s'kisha besë t'ia
thosha kujt.
Prifti
plak mori ujin e bekuar dhe me një furçë hodhi disa pika mbi Kelin, duke i
thënë:
- Qofsh bekuar, o bir i Perëndisë.
Pas asaj
meshe, të gjithë u drejtuan drejt shtëpisë së Kelit. - Shkulini ato, - tha
Keli, duke bërë me dorë nga trëndafilat, të cilëve, edhe pse u kishin rënë
gjethet, dukeshin tepër të shëndetshëm, - dhe gërmoni, bijtë e mi, aty është
fshehur kumona.
Prifti
plak, ulur në një karrige, e kishte marrë dorën e Kelit dhe e mbante ndër dy
duart e veta, por nuk po i pritej. Dy të rinjtë humbën në gropë, por kumona nuk
po dilte.
- Edhe më, - thoshte Keli, - se aty është.
Prej
thellësisë po dilte një lëmsh lëkurash.
Keli mori
pincat. Pastaj doli një grumbull leckash, një xhaketë e vjetër, me të cilën
ishte mbështjellë kumona, ashtu siç ishte ditën kur ishte groposur.
Mbi
kumbanaren e kishës ishte tue u ngritur kumona, kur e lajmëruan Kelin se Ismet
Hoxha kishte ndërruar jetë. Pa dashje ai tërhoqi litarin, dhe kumona ra në
njërën anë, por jo sipas ritit tri herë, veç një herë; megjithatë tingulli i
saj zgjati gjatë, gjatë, jo si zakonisht...


