Don Fran Sopi: Kisha “Zoja e Këshillit të Mirë” në Klinë, ikonë e qëndresës shpirtërore
KISHA “ZOJA E KËSHILLIT TË MIRË” NË KLINË, IKONË E QËNDRESËS SHPIRTËRORE DHE VATËR E FESË, KUJTESËS, KULTURËS, DHIMBJES DHE SHPRESËS
Shkruan: Don Fran SopiKa
vepra në jetën e njeriut që nuk mbeten vetëm kujtime, por bëhen pjesë e
frymëmarrjes së tij. Ato nuk treten me kalimin e kohës, sepse nuk janë thjesht
ngjarje të jashtme, por vula të gdhendura në shpirt. Janë gjurmë që shiu i
viteve nuk i lan, as era e harresës nuk i shlyen, sepse nuk janë shkruar mbi
dhe, por mbi zemër. Njëra ndër këto vepra, për mua si meshtar i Dioqezës
Prizren–Prishtinë, është historia e lavdishme e Kishës Katolike “Zoja e
Këshillit të Mirë” në Klinë.
Për
mua, kjo nuk është vetëm historia e një ndërtese kishtare; nuk është vetëm
rrëfimi i një gurthemeli, i një date apo i një kremtimi jubilar. Kjo është
historia e një thirrjeje që lindi në heshtje, e një premtimi që u ruajt gjatë
në shpirt, e një sakrifice që u kalit në sprova, e një shprese që nuk u dorëzua
dhe e një mëshire hyjnore që, në kohën e vet, dha frytin e bekuar.
Prandaj,
sa herë e kthej mendjen pas dhe e sodis udhën e jetës sime meshtarake, e kuptoj
me përvujtëri se Zoti, me urtinë e Tij të qetë dhe të padukshme, ka ditur t’i
lidhë fijet e jetës sime me fatin shpirtëror të kësaj famullie. Nganjëherë ne
mendojmë se vetë e zgjedhim udhën tonë, por më vonë e kuptojmë se Hyji na ka
paraprirë në çdo hap. Ne ecim, por Ai na prin. Ne mbjellim, por Ai jep rritjen.
Ne ngrisim mure me gurë, por Ai u jep kuptim. Kështu ndodhi edhe me Kishën e
Klinës.
Në
dukje, ajo u ngrit me mund, me sakrificë, me përkushtim dhe me ndihmën e
popullit besimtar. Por, në thellësi, ajo u ndërtua mbi hirin e Zotit dhe mbi
një thirrje të hershme, të mbjellë në zemrën time si farë e shenjtë.
Qysh
në rininë time të hershme, kur isha nxënës në Gjimnazin Klasik të Pazinit, në
Istër të Kroacisë, ndodhi një prej atyre çasteve që në dukje duken të
zakonshme, por që, në të vërtetë, janë vizita të heshtura të Hyjit në ndërgjegjen
e njeriut. Profesorët tanë të teologjisë, filozofisë dhe psikologjisë, njerëz
të dijes dhe të fesë, flisnin me trishtim të thellë për fatin e Kishës Katolike
në Shqipëri. Ishin vite të rënda, vite në të cilat ateizmi shtetëror përpiqej
të shpallte vdekjen e fesë, të rrënonte Kishën, të burgoste meshtarët, të
përdhoste altarët dhe ta mbulonte ndërgjegjen me frikë.
Por
unë e kam besuar gjithmonë se, sa herë që pushtetet e kësaj bote përpiqen ta
shuajnë dritën e Hyjit, pikërisht atëherë zbulohet se drita e vërtetë nuk
shuhet me urdhër. Ajo mund të mbulohet për një kohë, por nuk mund të vdesë. Në
atë kohë të rëndë u përmend edhe emri i Zojës së Këshillit të Mirë, Zojës së
Shkodrës, Pajtores së Shqipërisë.
Ky
emër hyri thellë në shpirtin tim. M’u duk si një kumbim i lashtë arbëror, si
një tingull kambane që vinte prej shekujsh, si një kujtesë që nuk i përkiste
vetëm fesë, por edhe kombit, plagës, shpresës dhe identitetit tonë. Që atëherë,
e ndjeva se, për ne shqiptarët, Zoja e Këshillit të Mirë nuk është vetëm figurë
devocionale. Ajo është Nënë e kujtesës sonë, ngushëllim në plagë, urë ndërmjet
qiellit dhe popullit tonë.
Në
ikonën e saj unë kam parë gjithmonë fytyrën e një Nëne që nuk e harron kurrë
birin e vet, edhe kur ai mbetet nën hijen e pushtimeve, nën varfëri, nën
dhimbje apo nën përndjekje. Në të kam parë amësinë e butë të shtrirë mbi
Arbërinë, mbi gjuhën tonë, mbi historinë tonë të lënduar dhe mbi qëndresën tonë
të heshtur.
Historia
e Zojës së Këshillit të Mirë, e lidhur me Shkodrën, me Arbërinë dhe me Genazzano-n,
për mua nuk ishte kurrë vetëm tregim i së kaluarës. Ajo më dukej si metaforë e
fatit tonë shqiptar: një popull i goditur, por jo i zhdukur; i shpërndarë, por
jo i harruar; i plagosur, por jo i thyer në shpirt. Në atë ikonë unë kam parë
jo vetëm Nënën e Krishtit, por edhe amësinë e shtrirë mbi kombin tonë, mbi
gjuhën tonë, mbi dhembjen tonë dhe mbi shpresën tonë.
Pikërisht
atëherë, në heshtjen e zemrës sime, lindi një premtim. Nuk e bëra me zë të
lartë para botës, por e bëra para Zotit, i cili i dëgjon edhe fjalët që nuk
dalin nga buzët. Ndjeva se, nëse një ditë Ai do të më thërriste në meshtari,
unë do të përpiqesha t’ia ngreja në Kosovë një tempull Zojës së Këshillit të
Mirë. Nuk e dija se ku do të ishte, as kur, as si. Por e dija se premtimi i
dhënë para Hyjit nuk është dëshirë kalimtare. Është farë. Dhe fara, sado e
vogël të jetë, mban brenda vetes pyllin e së ardhmes.
Ky
premtim mbeti në mua si një kandil i ndezur. Nuk bëri zhurmë, por nuk u shua.
Sa herë që jeta ime meshtarake merrte drejtime të ndryshme, ai premtim më
rikthehej në zemër. Më kujtonte se jo çdo thirrje e Zotit kuptohet menjëherë.
Disa thirrje piqen gjatë. Kalojnë nëpër heshtje, nëpër pritje e nëpër sprova,
derisa vjen dita kur fjala e mbjellë bëhet vepër.
Pas
shugurimit tim meshtarak, shërbimi më çoi në vende të ndryshme: në Katedralen e
Prizrenit, në Bishtazhin e Gjakovës, në Zllakuqan. Çdo bashkësi, çdo altar, çdo
familje, çdo lot e çdo gëzim pastoral më mësoi se meshtaria nuk është vetëm një
mision i jashtëm. Ajo është edhe shkollë e brendshme e shpirtit. Meshtari nuk
është vetëm ai që flet për Zotin, por ai që mëson çdo ditë të ecë me Zotin në
mesin e popullit të vet. Dhe populli të mëson atë që librat nuk mund ta japin
plotësisht: përvujtërinë, durimin, dëgjimin, dhembshurinë, lotin, shpresën dhe
urtinë.
Kur,
më 1 janar 1983, ipeshkvi ynë i dashur i Dioqezës Shkup–Prizren, imzot Nikë
Prela, më caktoi famullitarin e parë të Klinës, e ndjeva këtë si një çast
providencial. Nuk ishte thjesht emërim kishtar. Ishte përgjigjja e Hyjit ndaj
premtimit tim të hershëm. Ishte sikur vetë Zoti po më thoshte: “Ja vendi ku do
ta mbjellësh atë që ke ruajtur prej kohësh në zemër.” Dhe unë e kuptova se Hyji
nuk harron asgjë nga ajo që njeriu i dorëzon me fe. Koha mund të kalojë,
rrethanat mund të ndryshojnë, por ajo që i jepet Zotit me sinqeritet mbetet
para Tij si lutje e gjallë.
Klina,
në atë kohë, për mua nuk ishte vetëm një mision pastoral. Ishte plagë dhe
shpresë njëkohësisht. Ishte vend i mungesës, por edhe i etjes. Kishte mungesë
të tempullit, por jo mungesë të besimit. Kishte mungesë të mureve, por jo
mungesë të Hyjit. Dhe pikërisht aty e kuptova më thellë se Zoti shpesh fillon
aty ku mungesa ndihet më fort. Sepse mungesa, kur përjetohet me fe, bëhet
hapësirë për hirin.
Në
vitet e para të shërbimit tim në Klinë, jeta e bashkësisë sonë zhvillohej në
kushte të thjeshta. Shërbesat liturgjike mbaheshin në shtëpinë famullitare, në
oborr, në kapela, në varreza, në vende modeste. Por ajo thjeshtësi nuk ishte
varfëri shpirtërore. Përkundrazi, në ato rrethana ne e ndienim më afër se Kisha
lind nga Fjala e Zotit, nga Sakramenti, nga bashkësia dhe nga besnikëria, e jo
vetëm nga gurët e muret. Kur mungojnë mjetet e jashtme, njeriu mëson të
mbështetet më fort në Hyjin. Dhe kur nuk ka shumë siguri tokësore, shpresa
bëhet pasuria më e madhe e shpirtit.
Shpesh
e ndieja se po jetonim diçka nga përvoja e Kishës së parë: të vegjël në sytë e
botës, por të mëdhenj në bashkimin e zemrave; të thjeshtë nga jashtë, por të
pasur nga brenda. Ishim si një kope e vogël, por me dritën e fesë ndezur. Dhe
Krishti vetë nuk e ka parë kurrë vogëlsinë si humbje. Për Të, fara e sinapit
bëhet pemë, tharmi i vogël e mbrun masën, llamba e vogël ndriçon shtëpinë.
Kështu e matnim edhe ne jetën e famullisë: jo me madhështi njerëzore, por me
gjallërinë e besimit.
Megjithatë,
në thellësi të zemrës sime vazhdonte të jetonte fort premtimi për Kishën e
Zojës së Këshillit të Mirë. E ndieja se qytetit të Klinës nuk i duhej vetëm një
vend për kremtime liturgjike, por një shenjë më e madhe: një tempull që do të
bëhej vatër shpirtërore, pikë kujtese, strehë e ndërgjegjes dhe shenjë e
identitetit tonë katolik, kombëtar e kulturor.
Në
historinë tonë shqiptare, kisha nuk ka qenë kurrë vetëm vend riti. Ajo ka qenë
shkollë e gjuhës, vatër e kulturës, kujtesë e historisë, mbrojtje e ndërgjegjes
dhe strehë e dinjitetit kombëtar. Sa herë që pushtetet kanë dashur ta shlyejnë
shpirtin e popullit, kisha ka mbetur dëshmi se njeriu nuk është vetëm trup,
frikë apo nevojë. Ai është edhe ndërgjegje, edhe kujtesë, edhe shpresë, edhe
bir i Hyjit.
Prandaj,
për mua, ndërtimi i Kishës “Zoja e Këshillit të Mirë” në Klinë nuk ishte vetëm
përmbushje e një dëshire personale. Ishte pjesëmarrje në vazhdimësinë
shpirtërore të historisë sonë shqiptare. Ishte sikur po zgjatej një fill i
lashtë që vinte nga Arbëria, nga Shkodra, nga Zoja e Këshillit të Mirë, nga
martirët e Kishës Katolike, nga meshtarët e përvuajtur, nga nënat që e kishin
ruajtur fenë me lot dhe nga etërit që e kishin mbrojtur altarin me sakrificë.
Sa
herë që e meditoja figurën e Zojës së Këshillit të Mirë, e shihja jo vetëm si
Pajtore, por si urti të mishëruar në amësi. Bota shpesh jep këshilla të forta,
të ftohta e të zhurmshme. Por këshilli i Zojës është i butë, i qetë dhe i
kthjellët. Ai nuk e trondit shpirtin, por e orienton. Nuk e shtyn drejt
ngutjes, por drejt pjekurisë. Në një kohë kur njeriu shpesh humbet në zhurma,
në ideologji, në lëndime të brendshme dhe në pasiguri, Zoja e Këshillit të Mirë
mbetet për mua simbol i asaj urtie hyjnore që vjen me butësi dhe e drejton
zemrën pa e lënduar.
Edhe
Kuvendi i Arbërit ka për mua peshë të veçantë. Jo vetëm si ngjarje historike
kishtare, por si shenjë e vetëdijes shpirtërore dhe kulturore të popullit tonë.
Ai dëshmon se shqiptarët nuk i kanë kaluar shekujt vetëm me trimëri luftarake,
por edhe me qëndresë morale, me urti ungjillore, me disiplinë shpirtërore dhe
me kujtesë të gjallë. Prandaj, sa herë e mendoja kishën në Klinë, e ndieja si
bijë të asaj fryme arbërore: si vazhdimësi të një tradite që bashkon fenë,
kulturën, gjuhën, sakrificën dhe identitetin.
Por
rruga drejt kësaj kishe nuk kaloi pa kryq. Çdo vepër që mban në vete diçka nga
e vërteta e Ungjillit, herët a vonë kalon nëpër sprova. Më 6 qershor 1996, kur
nisëm përpjekjet për ndërtimin e kishës, bashkë me grigjën e famullisë sime, e
ndieja në shpirt gëzimin, por edhe peshën e rrezikut. Ne nuk po vendosnim vetëm
tulla mbi tokë. Po guxonim të thoshim se feja jonë, identiteti ynë dhe e drejta
jonë për ta pasur tempullin tonë nuk mund të mbeteshin më nën mohim.
Administrata
komuniste e më pas ajo okupuese serbe, policia dhe forcat paramilitare, erdhën
për ta ndalur ndërtimin. Ai çast mbetet i gdhendur thellë në kujtesën time. Nuk
ishte vetëm ndërprerje pune. Ishte përplasje e një shprese me një dhunë, e një
drite me një përpjekje për errësim. Besimtarët, burra, gra e fëmijë, ishin të
gatshëm të qëndronin. Në sytë e tyre pashë dashurinë për Kishën, dhimbjen për
padrejtësinë dhe vendosmërinë për të mos u nënshtruar. Ishte çast i vështirë,
sepse bariu duhet të zgjedhë jo vetëm me zemër, por edhe me urti.
Atëherë
e kuptova se urtia është një formë e lartë trimërie. Nuk është gjithmonë më i
forti ai që përplaset. Nganjëherë më i fortë është ai që ruan popullin e vet
nga gjaku, që duron plagën e çastit për ta shpëtuar të ardhmen. Prandaj u
kërkova besimtarëve të largoheshin. Ishte dhimbje e madhe për mua. Por, në
thellësi të shpirtit, besoja se Zoti nuk humb asgjë nga ajo që bëhet me fe, me
përgjegjësi dhe me qëllim të pastër.
Ato
vite u bënë për mua shkollë e pritjes. Dhe pritja është ndër sprovat më të
thella të shpirtit njerëzor. Njeriu, ndonjëherë, e duron më lehtë një humbje të
prerë sesa një shpresë të shtyrë gjatë. Por pikërisht aty piqet besimi. Besimi
nuk është vetëm gëzimi kur gjithçka ecën mirë. Besimi është të qëndrosh kur
rruga errësohet, të lutesh kur nuk sheh fryte, të mos dorëzohesh kur koha të
lodh dhe të ruash dritën e brendshme kur rrethanat bëhen armiqësore.
Në
planin psikologjik, ato vite më mësuan shumë. Më mësuan se shpresa e vërtetë
nuk është optimizëm i lehtë, por qëndresë e thellë e zemrës. Më mësuan se
njeriu, kur mbështetet vetëm në vetvete, thyhet shpejt, ndërsa kur mbështetet
në Hyjin, edhe kur lëkundet, nuk rrëzohet plotësisht. Më mësuan se plagët më të
thella shpesh janë ato që nuk duken dhe se pikërisht në ato plagë hyn hiri i
Zotit si dritë e heshtur që shëron pa zhurmë.
Në
ato kohë të vështira, Zoja e Këshillit të Mirë mbeti për mua prani e afërt. Nuk
e ndjeja si figurë të largët, por si amësi të qetë mbi udhën time. Më dukej se
ajo rrinte mbi këtë ëndërr të pezulluar si Nënë që nuk e lë fëmijën e vet të
humbasë në natë. Ka dhembje që nuk shërohen me shumë fjalë, por me praninë e
dikujt që qëndron pranë. Kështu e kam përjetuar unë Zojën: si prani që nuk bën
zhurmë, por nuk largohet; si dritë që nuk verbon, por udhëzon; si qetësi që të
mëson ta presësh orën e Hyjit.
Pastaj
erdhi lufta dhe paslufta. Vendi ynë kaloi nëpër flakë, humbje, zhvendosje,
frikë, mjerim dhe plagë të thella. Por historia e shpëtimit na mëson se Hyji
shpesh e përgatit ringjalljen pikërisht aty ku njeriu sheh vetëm rrënim. Pas
natës vjen mëngjesi. Pas së Premtes së Madhe vjen Pashka. Pas varrit të mbyllur
vjen guri i rrokullisur. Kjo nuk është vetëm teologji; është ritëm i jetës së
shpirtit dhe i historisë së popujve.
Ndaj,
më 30 gusht 1999, kur me vendim të administratorit të UNMIK-ut, z. Kastaneda,
dhe me mbështetjen e besimtarëve të famullisë sime, të rrethinës dhe të
mërgatës sonë shqiptare, filluan punimet për ndërtimin e kishës, e ndjeva se po
jetonim një çast hiri. Ajo ditë nuk ishte vetëm datë administrative. Ishte
hapje dere pas një mbylljeje të gjatë. Ishte ardhje pranvere pas dimrit. Ishte
përgjigje hyjnore ndaj lutjeve të heshtura dhe shpresës që kishte refuzuar të
vdiste.
Kur
u vu gurthemeli, nuk u vendos vetëm një copë betoni apo një gur. U vendos një
kujtesë, një amanet, një dëshmi, një fjalë besimi. Për mua, ai gurthemeli u bë
simbol i premtimit tim rinor, i durimit të bashkësisë, i vuajtjeve të popullit
tonë dhe i asaj të vërtete se ajo që ndërtohet me fe, edhe kur pengohet, e gjen
ditën e vet. U bë si guri i këndit, që bota e hedh poshtë, por Zoti e lartëson.
E
kujtoj atë ditë me mirënjohje të thellë. Lutjet, këngët, lotët dhe gëzimi i
besimtarëve formonin një liturgji të gjallë. Në ato çaste, njeriu e kupton sa i
vogël është dhe sa i madh është hiri. Ne sjellim mundin tonë, por vetëm Zoti e
kthen veprën në bekim. Vetëm Ai e shndërron ndërtesën në tempull, gurin në
kujtesë, premtimin në dëshmi dhe historinë lokale në amanet për brezat.
Kisha
“Zoja e Këshillit të Mirë” në Klinë, për mua, nuk është vetëm ndërtesë. Ajo
është ikonë e qëndresës shpirtërore. Është vatër ku bashkohen feja, kujtesa,
kultura, dhimbja dhe shpresa. Është vend ku populli ynë e gjen veten jo vetëm
si bashkësi fetare, por edhe si bashkësi ndërgjegjeje. Në të unë shoh një pjesë
të shpirtit shqiptar: të lënduar, por jo të mposhtur; të butë, por të
qëndrueshëm; të përulur para Zotit, por të pathyeshëm në dinjitet.
Në
planin kombëtar, kjo kishë më shfaqet si një flamur i bardhë mbi Klinën e Lugut
të Drinit e të Dukagjinit. Flamur paqeje, por jo paqeje të zbrazët. Paqe të
mbështetur mbi të vërtetën, sakrificën dhe kujtesën. Populli ynë ka vuajtur
shumë, por madhështia e tij nuk qëndron vetëm te qëndresa kundër armikut;
qëndron edhe te ruajtja e shpirtit nga urrejtja. Të ruash shpirtin në kohë
padrejtësie është trimëri më e madhe se shumë beteja. Dhe kisha, në këtë
kuptim, mbetet shkollë e paqes së Krishtit, e cila nuk lind nga frika, por nga
dinjiteti, falja dhe drejtësia.
Në
planin kulturor, kjo kishë është vazhdimësi e asaj fryme që ndër shekuj i ka
mbajtur gjallë shqiptarët: frymës së Arbërisë, të Shkodrës, të Kuvendit të
Arbërit, të gjuhës sonë, të këngës sonë shpirtërore dhe të kujtesës sonë të
krishterë. Ajo nuk është vetëm shtëpi e lutjes, por edhe shenjë kulture. Sepse
aty ku ruhet altari, ruhet edhe kujtesa; aty ku ruhet kujtesa, ruhet edhe
identiteti; dhe aty ku ruhet identiteti, ruhet edhe dinjiteti i popullit.
Në
planin filozofik, kjo histori më ka mësuar se jeta nuk matet vetëm me atë që
arrihet shpejt. Ka vepra që duhet të kalojnë nëpër kohë, nëpër pengesa dhe
nëpër dhembje që të fitojnë peshën e tyre të vërtetë. Gjërat e mëdha piqen
ngadalë. Pema e fortë nuk rritet për një natë. Edhe shpirti i njeriut nuk
thellohet në rehati, por në durim, në sprova dhe në besim. Kjo është një ndër
të vërtetat më të mëdha që kam mësuar nga kjo udhë: koha e Zotit nuk është
vonesë, por pjekuri.
Në
planin shpirtëror dhe psikologjik, kjo kishë është bërë edhe vend shërimi.
Populli ynë bart plagë të shumta të brendshme: kujtime lufte, humbje familjare,
varfëri, mërgim, vetmi dhe lodhje të shpirtit. Njeriu ynë flet pak për plagët e
veta, por i bart thellë në zemër. Dhe kisha bëhet vendi ku këto plagë mund të
marrin frymë para Zotit. Nën hijen e Zojës, njeriu guxon të qajë, të heshtë, të
lutet e të shpresojë. Aty ku bota e detyron të duket i fortë, kisha i lejon të
bëhet bir. Dhe kur njeriu bëhet bir para Hyjit, zemra nis të shërohet.
Për
mua personalisht, kjo kishë mbetet autobiografi e shpirtit tim meshtarak. Jo
autobiografi krenarie, por autobiografi mirënjohjeje. Sepse unë e di mirë se
kam qenë vetëm shërbëtor. Nuk isha unë burimi i kësaj vepre. Burimi ishte Hyji.
Nuk isha unë drita. Drita ishte Krishti. Nuk isha unë mbrojtja. Mbrojtja ishte
Zoja. Nuk isha unë forca e vërtetë. Forca ishte populli besimtar dhe hiri që e
mbajti gjallë atë besim. Por unë jam thellësisht mirënjohës që Zoti më lejoi të
jem pjesë e kësaj historie.
Sa
herë e sodis Kishën “Zoja e Këshillit të Mirë” në Klinë, unë nuk shoh vetëm
kishën, rezidencën dhe zyrën e saj famullitare të ndërtuar; as vetëm muret,
dritaret, çatinë apo kambanoren. Nuk shoh vetëm truallin përreth kishës, të
zgjeruar dhe të blerë nga njerëz vullnetmirë dhe nga famullia, sa isha unë
famullitar, me mund e largpamësi, që një ditë t’i kushtohet shtëpisë së të
moshuarve dhe çerdhes së fëmijëve. Unë shoh shumë më tepër. Shoh vite pritjeje
e qëndrese. Kujtoj fytyra besimtarësh të ndriçuara nga feja dhe të lara nga
dhembja. Kujtoj lot të heshtur që kanë rënë si lutje mbi këtë tokë. Shoh duar
të lodhura që kanë punuar me përvujtëri për ta ngritur këtë vepër. Shoh lutje
të shqiptuara në kushte të vështira, kur shpresa dukej e brishtë, por besimi
mbetej i pathyeshëm. Shoh kujtesën e Arbërisë që merr frymë në heshtjen e kësaj
kishe. Shoh frymën e Kuvendit të Arbërit që endet si jehonë e shenjtë nëpër
këtë truall. Shoh hijen amnore të Zojës së Shkodrës të shtrirë mbi këtë tokë të
bekuar. Dhe, mbi të gjitha, shoh një pjesë të shpirtit shqiptar të shndërruar
në altar, në kujtesë, në dritë dhe në dëshmi.
Prandaj
besoj thellë se ky tempull do të flasë ndër breza. Do të flasë jo me zë
njerëzor, por me gjuhën e heshtur të dëshmisë. Do t’u tregojë brezave se feja
nuk është zbukurim i jetës, por themel i saj. Do t’u tregojë se kisha nuk është
luks, por frymëmarrje e shpirtit. Do t’u tregojë se kombi nuk mbahet gjallë
vetëm me kujtesë politike, por edhe me rrënjë shpirtërore. Do t’u tregojë se
ajo që mbillet me lot, kur ruhet me besim, korret me gëzim.
Në
mbrëmjet e qeta të jetës sime, kur rikthehem me mendje mbi këtë histori, zemra
ime mbushet me falënderim. E falënderoj Zotin që më dha forcë kur rruga u bë e
rëndë, durim kur koha u zgjat, urti kur duhej të përmbahesha dhe gëzim kur
erdhi dita e bekimit. E falënderoj Zojën e Këshillit të Mirë që më shoqëroi si
Nënë. E falënderoj ipeshkvin tim për besimin. E falënderoj popullin tim për
qëndresën. E falënderoj mërgatën për dashurinë. E falënderoj çdo dorë që
ndihmoi, çdo zemër që u lut dhe çdo njeri që besoi.
Sot
mund ta them me qetësi shpirtërore se Kisha “Zoja e Këshillit të Mirë” në Klinë
është më shumë se një ndërtim i së kaluarës. Ajo është dritë për të ardhmen.
Është testament i gjallë i një feje që nuk u mposht, i një populli që nuk u
shua, i një kujtese që nuk u thye dhe i një shprese që nuk pranoi të vdesë. Ajo
është si një llambë e vendosur në lartësi, që nuk ndizet për vete, por për t’u
dhënë dritë atyre që ecin në rrugë. Ajo është si një pemë e mbjellë pranë
ujërave, që jep fryt në kohën e vet. Ajo është si një nënë që rri në prag të
shtëpisë dhe i pret bijtë e saj me dritë në dorë.
Dhe
unë, si meshtar i Dioqezës Prizren–Prishtinë dhe si ish-famullitari i parë
historik i kësaj kishe, mund të dëshmoj me përvujtëri se kjo vepër më ka mësuar
një të vërtetë të madhe: Zoti vepron ngadalë, por thellë. Ai nuk nxiton si ne,
por kur vepron, rrënjos. Ai nuk ndërton vetëm mure, por formon zemra. Nuk jep
vetëm shenja të dukshme, por e ndërton njeriun edhe nga brenda. Dhe ndoshta kjo
është mrekullia më e madhe e Kishës “Zoja e Këshillit të Mirë” në Klinë: jo
vetëm se u ngrit një tempull në këtë tokë, por se gjatë ngritjes së tij u kalit
durimi, u pastrua qëllimi, u forcua bashkësia, u thellua besimi dhe u
shndërruan zemrat.
Prandaj
kjo kishë do të mbetet për mua gjithmonë si një ungjill i shkruar me gurë, me
lutje, me lot, me mund, me shpresë dhe me dashuri. Është ungjill shqiptar,
sepse mban në vete kujtesën e Arbërisë, hijen e Shkodrës, frymën e Kuvendit të
Arbërit dhe qëndresën e popullit tonë. Është ungjill shpirtëror, sepse dëshmon
se Hyji nuk e lë asnjë farë të mirë pa fryt. Është ungjill njerëzor, sepse
tregon se edhe njeriu i lodhur, kur mbështetet në hir, mund të bëhet mjet i një
vepre që e tejkalon vetveten.
Në
hijen e saj, unë ende e dëgjoj një fjalë të butë që më flet në zemër: se Zoti
është besnik, se Zoja nuk harron, se kisha ndërtohet së pari në shpirt, se
populli që lutet nuk humbet dhe se ajo që lind nga dashuria e pastër bëhet një
ditë bekim për shumë të tjerë.
Dhe
kjo është arsyeja pse, sa herë e përmend Kishën “Zoja e Këshillit të Mirë” në
Klinë, unë nuk e përmend vetëm si vend. E përmend si hir. E përmend si amanet.
E përmend si plagë të shëruar. E përmend si dëshmi. E përmend si dritë të Zojës
mbi tokën tonë. E përmend si pjesë të shpirtit tim meshtarak. E përmend si një
lutje të bërë gur, si një shpresë të bërë altar dhe si një premtim të bërë
tempull.
Pejë, më 27 prill 2026





