Dom Niksoni: Shadërvani nuk është shesh parade për perandori të mundura. Gurët e Prizrenit mbajnë mend, edhe kur institucionet harrojnë

1h më parë

Shadërvani nuk është shesh parade për perandori të mundura. Gurët e Prizrenit mbajnë mend, edhe kur institucionet harrojnë

Prizren, 25 prill.

Nga Dom Niksoni

Në Shadërvan, në zemrën historike të Prizrenit, në qytetin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, aty ku u hodhën themelet e shtetit tonë, aty ku u mbrojt gjuha jonë me gjak pikërisht nga kjo dorë e huaj, u mbajt një paradë me uniforma osmane, marshim ushtarak osman, me flamuj osmanë e turq, me bandën ushtarake osmane "Mehteran" dhe me marshim që dominoi hapësirën publike. Kjo nuk ishte kulturë. Kjo ishte provokim i pastër.

Le ta themi qartë që në fillim: kjo nuk ka të bëjë me komunitetin turk në Kosovë. Bashkëqytetarët tanë turq janë pjesë e pandarë e shoqërisë sonë, kontribuojnë në të dhe gëzojnë të drejta të plota. Çështja nuk është etnike, është historike dhe simbolike.

Nga realiteti historik e dimë se Prizreni është qyteti i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878), është qyteti në të cilin mori jetë akti themelues i lëvizjes sonë kombëtare për çlirim nga Perandoria Osmane. Është qyteti ku u ngrit zëri për gjuhën, identitetin dhe shtetin shqiptar. Në Kararnamenë (Aktin Themelues) të kësaj Lidhjeje shkruhej: "Qëllimi ynë i shenjtë është mbrojtja e të drejtave të kombit shqiptar... Nuk duam të jemi më nën sundimin e huaj." Abdyl Frashëri, një nga udhëheqësit kryesorë, deklaronte: "Shqiptarët nuk kërkojnë gjë tjetër veçse të jenë zotër në vendin e tyre." Ky akt nuk ishte thjesht politik, ishte shkëputje shpirtërore nga Perandoria Osmane, ishte lindja e ideologjisë kombëtare shqiptare.

Vetëm 3 vjet më vonë (1881), ushtria osmane e shtypi me dhunë Lidhjen, dogji shtëpi në Prizren dhe internoi udhëheqësit. Abdyl Frashëri vdiq pas torturave në burgjet osmane. Ky është qyteti ku historia jonë u shkrua me gjak, pikërisht kundër asaj perandorie.

Nga realiteti i sotëm pamë se pikërisht në po atë shesh ku është shkruar historia jonë e çlirimit, "Shqipëria e shqiptarëve", parakaluan uniforma të një perandorie që ne e luftuam pesë shekuj për ta larguar nga trojet tona dhe që e shtypi atë lëvizje. Kjo nuk ishte thjesht "shfaqje kulturore", ishte një porosi simbolike që bie ndesh me kujtesën kolektive të këtij qyteti. Në po atë shesh ku u ngrit zëri për çlirim, dëgjuam daullet e Mehter-it, bandës ushtarake që historikisht shoqëronte ushtritë osmane në fushatat e tyre të pushtimit. Ishte simbolikë e rëndë në një hapësirë me ngarkesë të jashtëzakonshme historike.

Sa i përket miqësisë me Turqinë e sotme, shtetin modern turk, e dimë se Republika e Turqisë është mike e çmuar e Republikës së Kosovës, ka njohur pavarësinë tonë në vitin 2008 dhe ka kontribuar në shumë fusha. Është kjo miqësi e vyer që duhet ruajtur. Turqia moderne nuk është Perandoria Osmane. Vetë Mustafa Kemal Atatürku, themeluesi i Republikës moderne Turke, nuk donte të identifikohej me të dhe e "mbylli" Perandorinë Osmane në vitin 1922, duke deklaruar: "Nuk mund të ndërtohet e ardhmja duke jetuar në hijen e së kaluarës." Atëherë, pse ne sot duhet të lejojmë që zemra e Prizrenit të jetojë në hijen simbolike të asaj perandorie që i përket të kaluarës?

Nuk ka mik në botë që ka të drejtë të ngrejë uniformën e sunduesit mbi gurët tanë.

Nuk ka festë që e mbulon turpin e një shteti që lejon marshimin e huaj aty ku populli ynë ka qarë për liri.

Kush harron historinë, e rigjen si zinxhir.

Dhe ne e dimë shumë mirë se si ndihet zinxhiri.

Pyetjet që kërkojnë përgjigje sot janë: Kush e lejoi këtë organizim në një hapësirë me ngarkesë kaq të madhe historike? A u konsultua Komuna e Prizrenit për përmbajtjen simbolike? Ku ishte Ministria e Kulturës, e cila ka për detyrë ligjore mbrojtjen e trashëgimisë historike? A do të lejohej një paradë e ngjashme me uniforma, nëse do të kërkohej, të çdo pushtuesi tjetër historik?

Përgjegjësia nuk është te organizatorët, ata bëjnë atë që u lejohet. Përgjegjësia është te institucionet tona, që duhet të dinë ku është kufiri midis shkëmbimit kulturor dhe rishkrimit simbolik të historisë.

Prizreni i hap dyert për të gjithë, për turistë, për miq, për kultura të ndryshme. Por Prizreni nuk i dorëzon sheshet e veta për t'u kthyer në skenë ku perandoritë e dikurshme parakalojnë sërish.

Prizreni është qytet i historisë shqiptare.

Prizreni është qytet i bashkëjetesës.

Prizreni meriton respekt për të dyja.

Popujt që ruajnë kujtesën, ruajnë lirinë.

https://www.facebook.com/domnikson.shabani