Blerim Rrecaj: Një tregim i freskët po kinse i shkruar në një kohë tjetër

2h më parë

Një tregim i freskët po kinse i shkruar në një kohë tjetër

Nga Blerim Rrecaj

I dukej se ishte data 1 prill. Ndoshta edhe dy e tre. Nuk ishte i sigurtë. Por ishte java e parë e këtij muaji. Ose dhjetë ditëshi i parë. Këtë e dinte mirë. Se iu kujtua se iu drejtua një bankomati. Për të marrë paratë. Për të blerë ca dhurata. Për t'i nisur për diku. S'ka rëndësi, aflr ose larg, brenda ose jashtë shtetit. Pastaj për të paguar ca fatura, si ajo për rrymë, ujë, mbeturina, internet. Dhe vazhdoi të mendonte për siç mendonte atëherë kur klasave u thonin të shkruanin ose vizatonin herë duke u dhënë një temë të caktuar, e ndonjëherë edhe ta përzgjedhnin vetë temën nën shprehjen "temë e lirë". Ndërkohë që tema e lirë kërkonte njerëz sa më të lirë. E se si do t'i dilte tema e kësaj dite, duhej ta shihte, pastaj ndoshta ta përshkruante, ta kishte si një fletë ditari, a farë dokumenti si një copë letre që përmbante një copë jete. U krodh gjithandej, edhe kah nuk donte si nëpër valë pakënaqësie, hidhërimi e zemërimi, neuroze, nervoze e mjegullie.

Dhe ku përfundoi se. Në një mbledhje të Kuvendit Komunal, në vendin e komunën ku jetonte.

Nuk e dinte se si ndodhi që u bë pjesë e kësaj mbledhjeje në njërën nga sallat e objektit të komunës. Ndoshta edhe e dinte. A ndoshta nuk donte të hynte më thellë në këtë histori. Megjithatë diç do të tregonte se si hyri, zuri një vend dhe u bë pjesëmarrës për herë të parë, në një ngjarje të tillë. Mos ndoshta takoi dikë të njohur papritur rrugës, një qytetar a nëpunës medial dhe pastaj pa prit e kujtu, pamendu e ëndërru, e duke (mos)hezitu, zuri një vend në sallën e gjerë  pothuajse të mbushur. A mos ndoshta ishte ndonjë i deleguar i ndonjë prej partive pozitare a opozitare, i farë organizate qeveritare a joqeveritare, a i ndonjë grupimi a klani a kushedi se çfarë. Ose qëndronte jashtë të gjitha grupimeve. A mos ndoshta...

A ndoshta pa një njoftim dhe pasi s'dinte çfarë të bënte e nga të shkonte, ia mësyu për kah objekti komunal për të hyrë në njërën nga sallat e tij. Ose të gjitha ngapak dhe kështu ky shpjegim për këtë ndodhi po dilte sallatë me mbiemrin e një vendi, një visi, një krahine, një rajoni, një shteti. Sidoqoftë, u gjend brenda sallës. Ndokush i njohur, që mund të ishte dhe fqinj i tij, i tashëm a i dikurshëm, pjesëtar i një partie, a një ndërrues partie, a një rikthyes në partinë e parë, në partinë mëmë,  pasi e pa u çudit a s'u çudit duke i thënë, e ky nuk e diti se a i tha që e di apo nuk e di se pse ndodhesh këtu. Dhe edhe dikush tjetër iu soll vërdallë për ta ditur se pse ndodhej në këtë sallë. Si kishte pikur si prej qielli. Sidoqoftë kur po fillonte mbledhja, të gjithë nëpër vendet e veta, përfaqësues partiakë, përfaqësues të medieve, përfaqësues të institucioneve qendrore, përfaqësues të organeve të sigurisë, vendore e ndërkombëtare, përfaqësues e përfaqësues...

Sidoqofshin, e këdo që përfaqësofshin gjithë këta përfaqësues në mënyrë të denjë a sipërfaqësuese, mbledhja filloi.

Fillimisht u miratua procesverbali i mbledhjes së kaluar me ngritje duarsh. Pastaj u lexuan pikat e rendit të ditës.

Njëra prej tyre bënte fjalë për kriteret në ndërtim. Fjalën e mori një zyrtare nga Ministria e Planifikimit Hapësinor, a siç quhet,  dhe në fjalën e saj kritikoi ashpër vendimet e kryetarit të komunës, duke e paraqitur gjendjen katastrofike. Gjatë fjalës së saj askush nuk bëzajti nga pozitarët, opozitarët folën, por pak e pa qëndrim të qartë, edhe ndokush nga qytetarët foli për këtë problem, ndonjëri nga ndërtimtarët, tha se komuna duhet të japë edhe njëherë kaq leje sa ka dhënë, duke mbrojtur qëndrimin e tij. Pas zyrtares, fjalën e mori dhe një zonjë ulur afër saj që akuzoi kryetarin për moslënien e hapësirave të gjelbërta dhe dominimin e betonit, pasi s'po kanë ku luajnë as fëmijët. Kryetari e kundërshtoi, e pyeti për një të afërm a familjarë të saj, pa cekur specifikisht për çfarë bëhej fjalë,  duke i thënë se si është ai,  dhe ky diskutim mes tyre përfundoi sa hap e mbyll sytë. Mbaroi dhe kjo pikë rendi e ditës, pa farë vendimi a konkluzion,  pa ditur kush se çfarë pritej e do të pritet të bëhet për këtë çështje të ndërlikuar. Sikur të gjithë u qetësuan se u kalua në çështje më të "lehta",  si arsimi e shëndetësia, siguria, mosheqja me rregull e mbeturinave, problemet me kanalizim, me trafo e shtylla elektrike e tema të tilla që siç tha dikush me zë të ulët po përsëritet nga mbledhja në mbledhje.

Pastaj për këto çështje fjalën e mori nënkryetari, që dikush dikujt që rrinin pranë njëri-tjetrit, i tha se termi i saktë për këtë pozitë duhet të jetë zëvendëskryetari, pasi që termi i parë s'po tingëllon aq mirë. E pastaj t'iu shtrua një muhabeti të lirë duke vazhduar kështu pikën e rendit të ditës:  (tema) të ndryshme.

Më në fund doli dikush, një përfaqësues i njërës prej partive dhe kërkoi që të rregullohej foltorja e kuvendit, pasi që është vjetëruar, e edhe mikrofonat s'po funksionojnë mirë, dhe një kërkesë e tillë është kah bëhet qe katër-pesë mbledhje rresht. Derisa zëvendësi i kryetarit arsyetohej dhe e bëri edhe një premtim të ri për këtë çështje, ndërhyri kryetari i cili tha që jeni duke ma ngushtu (vënë në siklet) zotin nënkryetar. Me kaq mbledhja mbaroi e sikur kishte rënë një mjegull e dendur në kokën e gjithsecilit...