Blerim Rrecaj: Në plazhin e Shëngjinit

26.06.2022, 12:52 PM (GMT+1)

Blerim Rrecaj

NË PLAZHIN E SHËNGJINIT

Në plazhin e Shëngjinit

Rrinë në harmoni

Vijat e drejta horizontale

E tokës, e detit, e qiellit

Në plazhin e Shëngjinit

Ke fat dhe peshkon një libër dashamirës

Nga çanta e librashitësit

Që kalon pranë pushuesve nën çadra dielli

Në plazhin e Shëngjinit

Fëmijët i bashkojnë lojërat e ëmbla si frutat e pemëve

Dhe dielli hedh dritë

Duke na dhuruar një tashmëri të artë

LARGIMI I POETIT

Në fillim të kësaj vere

Papritur u largua poeti

Si mysafir i kësaj bote

Shkoi për t’u kthyer

Për të mbetur edhe këtu

Sot dielli lotoi

E një pëllumb që ecte

U tremb dhe fluturoi

Nga një teshtimë në rrugë