Blerim Rrecaj: Ca fjalë për librin tim të parë
CA FJALË PËR LIBRIN TIM TË PARË
Nga
Blerim Rrecaj
Ideja
për të përmbledhur në një libër skica të shkruara dhe të publikuara nëpër disa
mediume të ndryshme vinte e largohej, rivinte e mërgonte, me një fjalë më
vërtitej e më tundonte hera-herës. Ia nisja punës e e lëja…
Po
pse kisha shkruar kështu herë-herë duke u veçuar qoftë në dhomë, në ndonjë
lokal, në një qoshk kafeneje, a në verandat e tyre, qoftë me një vrull
frymëzimi, gëzimi a pikëllimi, qoftë me mospërmbajtje a nguti, i ndikuar nga
leximi i të tjerëve e nga ambient rrethues, qoftë nga diç e pashpjegueshme që
lëvizte përmbrenda, disi e prirë nga spontaniteti dhe shoqëruar nga intuita e
kushedi dhe se çfarë tjetër. Një mjegull pakënaqësie, ca tone kokëfortësie tek
unë dhe tek të tjerët sikur kanë nxitur duelet e betejat qoftë për të sqaruar
mosmarrëveshjet, qoftë për ta bindur njëri-tjetrin se në anën e kujt qëndron e
dreja dhe e vërteta, apo ato qëndrojnë në mes dhe për të të marrë për krahësh a
për të të dhënë krahë duhet përgatitje, dije, durim, veprim. Dhe përballje.
Edhe kur kemi ardhur në shtëpi dhe kemi lëshuar një ofshamë mbi qilim, si e
thotë Nerimane Kamberi te poezia “Pluhur”. Për të na u kujtuar tash edhe
poezia: “Shpejt dhe ngadalë” e Gëtes dhe njëri nga vargjet: “Mos u nxito! Mos u
vono! Mejto!”, që të arrijmë te baraspesha që na bën krenar në këtë jetë. E
gjetja e ndonjë adrese për të dërguar e publikuar shkrime që diku me të drejtë
i pata emërtuar si “përshkëllima” të një të papërmbajtshmi, ma patën hapur
oreksin për të shkruar edhe më nëpër fleta të bardha letre e edhe fleta të
bardha wordi në kompjuter. Dhe pastaj këto shkrime janë përhapur nga ca zyra ku
kam bashkë-punuar në periudha jo të gjata kohore por edhe nga adresa
elektronike që ka mjaftuar vetëm një “klik” për t’ua dërguar. (Dhe janë nja 10
sosh ku skicat e mia kanë qëndruar, duke mos-përjashtuar dhe tjera web faqe që
kanë marrë të njejtat shkrime e kanë shfaqur, disa tash prej tyre janë mbyllur
e jashtë funksionit, megjithatë ja lista për të cilën folëm më lart:
“Albapress”, “Mekulipress”, Gazeta e portali “Tung.ch”, “Tribuna Shqiptare”,
“Zemra Shqiptare”, “Kosovatimes”, “Pashtriku. org”, “Albaniapress”,
“Prizrenpress”, “Infodirekt”, “Portalionline”).
Çast
me rëndësi për marrjen e vendimit për përgatitjen e këtij libri ka qenë fillimi
i vitit 2018 dhe shkëmbimi që kemi bërë me shkrime me shokun tim të “pasluftës”
, (njohja me të në Shkollën e Lartë për Gazetari “Faik Konica”, pas Kthimit të
Madh, udhëhequr nga Ramiz Kelmendi) Bekim Muhaxherin. Ai duke më dërguar poezi,
unë duke i dërguar skica. E gjatë ndejave e bisedave që kemi pasur më ka
sugjeruar se këto skica është mirë të përmblidhen e botohen si shenja
dokumentare të kohës sonë. Pas përpjekjeve dhe pajtimeve, vendosëm të marrim
vendim që të publikojmë librat tanë të parë, e me pak drojë e pak guxim të
shfaqemi para lexuesve.
Libri
im ndahet në tre pjesë. Pjesa e parë mund të cilësohet si pjesë kronologjike e
një ditari i nisur nga mestetori i vitit 2018 për të vazhduar deri në fundverën
e 2019-ës.
Pjesa
e dytë përmban një buqetë me vargje, si një lloj ndërmjetëseje mes dy brigjeve
të rreshtave me prozë.
Pjesa
e tretë po ashtu me skica të shkruara në kohëra e vende të ndryshme, tap-rrap,
qoftë duke hedhur fjalë e rreshta me laps, a qoftë duke hedhur fjalë e shkronja
me tastierë…
Autori










