Albert Vataj: Historia e shndërruar në legjendë e 3 motrave që mbajtën në krahë një piano për 27 kilometra...
Historia e shndërruar në legjendë e 3 motrave që mbajtën në krahë një piano për 27 kilometra, që e ëma të vdiste në shtëpi në magjinë e tingujve

Tetor,
viti 1903, malet Siskiyou, Oregon.
Nëna
e familjes, Ellie Cooper, 61 vjeç, po jepte shpirt në një spital të Medfordit,
e tretur nga tuberkulozi. E ndërgjegjshme se ditët e saj ishin të numëruara,
ajo pëshpëriti dëshirën e saj të fundit: "Dua t'i dëgjoj vajzat e mia të
luajnë edhe një herë në piano këngën “Blessed Assurance” (Siguri e Bekuar). Por
dua ta dëgjoj në shtëpi."
Shtëpia
e tyre ndodhej rreth 27 kilometra larg, lart në luginën e izoluar të Applegate.
Rruga për atje nuk ishte gjë tjetër veçse një shteg i ngushtë mushkash, nuk
kishte rrugë karrocash, asnjë mundësi për kalimin e mjeteve të transportit të
kohës.
Vajzat
e saj, May (19 vjeç), Ruth (17 vjeç) dhe Anne (14 vjeç), kishin në shtëpinë e
tyre të spitalit një piano të madhe, e cila peshonte rreth 270 kilogramë. Kur
mjeku i familjes dëgjoi synimin e vajzave për ta çuar pianon në shtëpinë e tyre
në mal, u tha shkurt: "Është e pamundur."
Por
për tri motrat, fjala "e pamundur" nuk kishte peshë përpara dashurisë
për të ëmën dhe përmbushjen e amanetit të fundit. Kjo ishte jo obligim por
mision që ka rrënjët thellë në besim dhe dashuri. Ky shpirt i paepur nuk e njeh
e aq më pak ta pranojë pamundësinë.
Ato
morën me qira dy mushka të fuqishme dhe e lidhën pianon mbi to. Por në miljen e
tretë, shtegu u bë aq i pjerrët dhe shkëmbor, saqë kafshët u tmerruan dhe
refuzuan të hidhnin qoftë edhe një hap para.
Vajzat
nuk u kthyen pas. Ato i zgjidhën mushkat dhe i nisën vetëm drejt qytetit. Më
pas, morën sëpatat, prenë tetë trungje të hollë e të fortë dushku dhe ndërtuan
një lloj barrele prej druri nën pianon gjigante.
Nisi
kështu një marshim mbinjerëzor prej 27 kilometrash, që do të zgjaste katër ditë
të gjata. Vajzat bënin me turne, dy prej tyre mbanin peshën dërrmuese mbi
shpatulla, ndërsa e treta ecte përpara me një daltë e sëpatë në dorë, duke
pastruar shkurret e dendura dhe ferrat për të hapur rrugën.

Më
29 tetor, me duar të gjakosura e shpatulla të nxira nga goditjet, ato arritën
në kasollen e tyre në mal. E futën pianon në dhomën e ndenjes. Por rruga e
gjatë dhe goditjet e kishin çakorduar krejtësisht instrumentin. Pa pasur asnjë
vegël profesionale, me mençurinë e njerëzve të malit, vajzat përdorën një thikë
të thjeshtë kuzhine për të rregulluar dhe akorduar telat e pianos, një nga një.
Më
30 tetor, nëna e tyre, Ellie, e shtrirë në krevat, hapi sytë. Shtëpia u mbush
me melodinë e ngrohtë të "Blessed Assurance". Ajo buzëqeshi. Dy ditë
më vonë, më 1 nëntor, ajo ndërroi jetë e qetë, e rrethuar nga muzika dhe
dashuria e pamatë e bijave të saj.
Në
ditën e varrimit, fqinjët nga të gjitha anët e luginës erdhën për t'i dhënë
lamtumirën e fundit. Kur hynë në shtëpi, ata panë baltën e tharë të malit që
kishte mbuluar këmbët e pianos dhe muret e dhomës. Megjithatë, askush nuk pyeti
se si kishte arritur ajo piano deri aty. Kishte sakrifica që nuk kishin nevojë
për fjalë.
Sot,
thotë legjenda, ajo piano ndodhet ende në të njëjtën kasolle të vjetër, e
ruajtur brez pas brezi nga pasardhësit e familjes Cooper, si një monument i
gjallë i asaj se çfarë mund të bëjë dashuria e një fëmije për nënën e tij.







