Blerim Latifi: Mjerimi i gjuhës

“Kufijtë
e gjuhës sime janë kufijtë e mendjes sime”, thotë Ludwig Wittgenstein, një nga
më të mëdhenjtë e filozofisë bashkëkohore.
Gjuha
dhe mendimi nuk janë të ndara nga njëra-tjetra. Gjuha është mediumi ku ndodh të
menduarit. Nuk ka mendim jashtë gjuhës. Nuk ka lëvizje të mendimit jashtë
strukturave gjuhësore. Ne mendojmë me koncepte, emra, dallime, kategori dhe të
gjitha këto janë produkte të gjuhës.
Prandaj,
varfëria e gjuhës është njëkohësisht edhe varfëri e mendimit. Sa më i ngushtë
të jetë horizonti gjuhësor, aq më i ngushtë bëhet edhe horizonti i të
menduarit.
Shikoni
hapësirën tonë publike: mjerimi i gjuhës në të është pasqyra më e qartë e
mjerimit të të menduarit politik. Dhe aty ku ka mendim të mjerë politik, nuk
duhet të prisni qeverisje të mirë, as fuqizim të shtetit e as zhvillim
ekonomik. Duhet të prisni vetëm vazhdim e thellim të mjerimit.
_________
Meqë
plehu gjuhësor sot është bërë prodhimi dominues në hapësirën publike, kritikët
po flasin për lindjen e një "shkence të re", e cila ka për objekt
studimi pikërisht këtë fenomen.
Kjo
shkencë quhet shitologji. Vetë emri i saj është një kompozitë ironike, por fort
domethënëse, e fjalës angleze “shit” dhe e së famshmes fjalë greke “logos”.
Padyshim,
Kosova ka material të bollshëm për të qenë një rast i shquar studimor në
shitologjinë globale.
_________
Sekretari
i Shtetit Marco Rubio, kujtoi figurën e Nënë Terezës gjatë një vizite te
Misionaret e Bamirësisë, ku bëri homazhe për trashëgiminë e saj.
Eric
Wendt, gjenerali amerikan i emëruar nga Trump për ambasador në Tiranë, deklaroi
para Senatit amerikan: “Forcat speciale shqiptare kanë frymën e Skënderbeut”.
Pra,
bota e qytetëruar vazhdon t’i njohë dhe t’i respektojë shqiptarët përmes këtyre
dy figurave. Por ç’e do se shumëkujt prej tyre u ka hyrë dreqi n' bark dhe duan
të njihen si puthadorë e puthakëmbë të sulltanëve e zhuganëve.












