Albert Zholi: Si duhet të organizohet sot një Lidhje Shkrimtarësh dhe Artistësh
Si duhet të organizohet sot një Lidhje Shkrimtarësh dhe Artistësh sipas mendimit tim
Fryma
dhe puna me zemër si themel i një institucioni modern- kulturor

Në Kuvendin e Lidhjes së
Shkrimtarësh dhe Artistëve të zhvilluar më 19 Maj 2026, në Tiranë, mes shumë
diskutantësh edhe unë hodha disa ide modeste të cilat po i paraqes më të
zgjeruara më poshtë: Në çdo komb, arti dhe letërsia janë pasqyra më e
thellë e shpirtit të tij. Ato ruajnë kujtesën historike, ndërtojnë identitetin kulturor
dhe edukojnë brezat me ndjeshmëri estetike e kombëtare. Për këtë arsye, një
Lidhje Shkrimtarësh dhe Artistësh nuk mund të jetë thjesht një organizatë
formale apo një strukturë burokratike. Ajo duhet të jetë një institucion moral,
kulturor dhe kombëtar, ku fjala e krijuesit të ketë peshë dhe autoritet në
jetën publike. Sot, më shumë se kurrë, lind nevoja për një riformatim të rolit
dhe funksionimit të një Lidhjeje moderne të Shkrimtarëve dhe Artistëve, në
përputhje me kërkesat e kohës, larg ndikimeve politike, interesave personale
dhe frymës përçarëse që shpesh ka dëmtuar jetën kulturore shqiptare. Një
organizatë e tillë duhet të mbështetet mbi dy shtylla themelore: 1.
Fryma-2. Puna me zemër
Fryma, themeli moral i
organizatës
Asnjë institucion kulturor nuk mund
të mbijetojë pa frymë. Dhe fryma nuk ndërtohet me statut në letër, por me
sjellje, kulturë komunikimi dhe vizion të përbashkët. Fryma nënkupton punë në
grup, jashtë egos personale (duhet thënë ne jo unë), jashtë klaneve,
intrigave, shpifjeve dhe ndarjeve të kota. Shkrimtari dhe artisti nuk duhet të
shohin njëri-tjetrin si rival për favore apo privilegje, por si bashkëudhëtarë
në një mision kulturor kombëtar. Për fat të keq, shpesh jeta artistike
shqiptare është dëmtuar nga konfliktet personale, politizimi dhe mungesa e
solidaritetit mes krijuesve. Në vend që energjia të shkojë te projektet
kulturore, letërsia cilësore dhe promovimi i autorëve, ajo harxhohet në debate
sterile dhe përçarje. Një Lidhje moderne duhet të krijojë një klimë ku:
vlerësohet meritokracia, respektohet mendimi ndryshe, promovohen autorët mbi
bazën e veprës, inkurajohet bashkëpunimi mes brezave, mbrohet dinjiteti i
krijuesit. Vetëm në këtë mënyrë mund të rikthehet autoriteti moral që dikur
kishin institucionet letrare shqiptare.
Puna me zemër, çelësi i suksesit
Çdo punë që bëhet me zemër bëhet
mirë. Ky është një parim i thjeshtë njerëzor, por me vlerë të jashtëzakonshme
për jetën artistike. Një organizatë kulturore nuk ecën përpara vetëm me
rregulla administrative. Ajo ka nevojë për përkushtim, ndershmëri dhe dashuri
për artin. Drejtuesit e saj duhet ta shohin detyrën jo si privilegj personal,
por si shërbim ndaj kulturës kombëtare. Historia e Lidhjes së dikurshme të
Shkrimtarëve dhe Artistëve tregon se në gjirin e saj kanë qenë personalitetet
më të mëdha të letërsisë shqipe, emra që kishin autoritet moral dhe intelektual
edhe përballë qeverive. Fjala e tyre dëgjohej sepse mbështetej mbi veprën,
integritetin dhe seriozitetin profesional. Edhe Lidhja e re duhet të ndërtojë
këtë autoritet. Jo me propagandë, por me punë serioze, me projekte konkrete dhe
me drejtues të besueshëm.
Rreziku i politizimit
Një nga sfidat më të mëdha të çdo
organizate artistike është ruajtja e pavarësisë nga politika. Arti duhet të mbetet
i lirë dhe në shërbim të kulturës kombëtare, jo i interesave partiake. Në
momentin kur një organizatë kulturore kontrollohet nga politika, ajo humbet
besueshmërinë dhe kthehet në instrument klientelist. Pikërisht për këtë arsye,
statusi i Lidhjes duhet të riformatohet qartë: jashtë bindjeve politike, jashtë
ndikimeve personale, jashtë favoreve miqësore, mbi bazën e transparencës dhe
meritës. Drejtuesit e saj duhet të jenë objektivë, të paanshëm dhe zbatues
korrektë të statutit. Ata duhet të përfaqësojnë interesat e kulturës dhe jo
grupimeve të caktuara.
Një institucion që duhet të dëgjohet
nga shteti:
Një Lidhje serioze e Shkrimtarëve dhe
Artistëve nuk duhet të mbetet dekor simbolik. Ajo duhet të jetë një institucion
me zë dhe ndikim real në politikat kulturore të vendit. Me autoritetin e
krijuesve që përfaqëson, ajo duhet të ketë rol këshillues dhe përfaqësues në
shumë drejtime të rëndësishme kombëtare si:
Roli në juritë dhe çmimet letrare
Lidhja duhet të ketë forcë propozuese
dhe përfaqësuese pranë Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Arsimit për:
përzgjedhjen e anëtarëve të jurive në konkurse letrare, çmimet kombëtare të
letërsisë, panairet e librit, konkurset artistike dhe kulturore. Kjo do të
shmangte ndikimet politike dhe klienteliste që shpesh cenojnë seriozitetin e
vlerësimeve artistike.
Përkthimi i autorëve shqiptarë
Lidhja duhet të ketë të drejtën e
mendimit dhe të propozimit për autorët shqiptarë që duhen përkthyer në gjuhë të
huaja. Përfaqësimi ndërkombëtar i letërsisë shqipe nuk mund të lihet rastësisht
apo vetëm në duart e burokracive administrative. Duhet një filtër profesional
që njeh vlerat reale të letërsisë shqipe.
Përfaqësimi në institucionet që
lidhen me librin dhe gjuhën shqipe
Lidhja duhet të japë mendim dhe
kandidatura për drejtori apo institucione specifike që lidhen me: librin,
letërsinë, bibliotekat, gjuhën shqipe, politikat kulturore dhe arsimore.
Kultura kombëtare nuk mund të administrohet vetëm me logjikë politike.
Tekstet shkollore dhe letërsia në
arsim
Një tjetër rol i rëndësishëm duhet të
jetë bashkëpunimi me Ministrinë e Arsimit për tekstet e
letërsisë, abetaret, programet letrare në shkolla. Ndryshimet e
vazhdueshme të teksteve shpesh bëhen pa konsultim të gjerë profesional. Lidhja
duhet të jetë pjesë e këtij procesi për të garantuar cilësi dhe seriozitet
akademik.
Financimi i projekteve letrare
Lidhja duhet të ketë rol këshillues
dhe bashkëpunues në financimin e projekteve letrare dhe artistike, në mënyrë që
fondet publike të mos shpërndahen mbi baza politike apo miqësore, por mbi vlera
reale artistike.
Hapja ndaj botës
Një organizatë moderne nuk mund të
mbetet e izoluar. Ajo duhet të ndërtojë ura bashkëpunimi me organizata
ndërkombëtare kulturore, festivale, akademi, qendra përkthimi dhe institucione
europiane të artit e letërsisë. Përmes projekteve
ndërkombëtare: autorët shqiptarë do të njihen më shumë jashtë
vendit, letërsia shqipe do të fitojë hapësirë në tregun
ndërkombëtar, do të krijohen mundësi të reja për përkthim dhe promovim
kulturor. Ky është një mision kombëtar, jo vetëm artistik.
Pra...
Një Lidhje moderne e Shkrimtarëve dhe
Artistëve duhet të ndërtohet mbi frymën e bashkëpunimit dhe punën me zemër. Ajo
duhet të jetë e lirë nga politika, e mbështetur te meritokracia dhe e
përqendruar te kultura kombëtare.Nëse respektohet statuti, nëse drejtuesit janë
të drejtë dhe të paanshëm, nëse energjitë shkojnë te projektet dhe jo te
konfliktet personale, atëherë kjo organizatë mund të rikthejë autoritetin që
dikur kishin institucionet më të rëndësishme kulturore shqiptare. Sepse
letërsia dhe arti nuk kanë nevojë për zhurmë. Kanë nevojë për vizion, dinjitet
dhe njerëz që punojnë me zemër.








