Albert Habazaj: Andi Meçaj – mjeshtri që hollësitë jetësore i qëndis me art poetik
ANDI MEÇAJ - MJESHTRI QË HOLLËSITË JETËSORE I QËNDIS ME ART POETIK

Andi Meçaj është një poet, që me plot
gojën e them, është në ballë të poezisë qytetare bashkëkohore, që prodhohet në
Vlorë. Për Andin kanë shkruar emra të lartë të kritikës dhe studimit të letërsisë
shqipe, si, fatmirësisht mësuesi im i shkollës së mesme në Tiranë, Sulejman
Mato, poet i mirënjohur shqiptar, prof.dr. Roland Zisi - Rembrandt i letrave
shqipe, prof. dr. Ardian Kyçyku, dr. Alisa Velaj etj. Me kaq do të thosha që, në
kuptimin më të mirë të fjalës, unë kam një zili dashamirëse që këta emra të
lartë kanë shkruar për Andin, sepse ata kanë shkruar edhe për mua, edhe për
Eqeremin, edhe për Anilën, edhe për Zanën, edhe për Elmën, edhe
për Lauretën, edhe për Vjollcën, edhe për Zamirën, edhe për Luljetën, edhe për
Dhorin, edhe për Hiqmetin, edhe për Ruzhdiun, edhe për Lelën, për të gjithë
poetët e Vlorës kanë shkruar.
Unë do të ndalem në një pjesë të vockël
të poezisë së Andit: Andi Meçaj - mjeshtri që hollësitë jetësore i qëndis me
art poetik.
Andi Meçajn, poetin e talentuar, të
veçantë dhe identitar, kam të drejtën dhe bindjen ta quaj edhe poet të
imtësive, të hollësive jetësore, të atyre vogëlsirave të mezidukshme, apo që
nuk vërehen nga një sy i rëndomtë qytetar. E veçanta e Andit është se ato
imtësi i merr me kujdes dhe, në laboratorin e tij krijues, i gdhend, i qëndis
dhe na i dhuron ne, si piktura poetike.
Në fakt, qëndistarinë shkrimore të
Andit e kemi shijuar artistikisht dhe estetikisht qysh para një çerek shekulli,
me “Puthjen ujore”, që është edhe botimi i parë poetik i autorit, qysh para një
ëerek shekulli.
Të 6 vëllimet e tij poetike (“Puthje
ujore” (Tiranë, Albin, 2001), “Tokë e bekuar” (Athinë, Toja, 2002), “Nga
letërkëmbimi me një fantazmë” (Athinë, Toja, 2003), “Qyteti fle në xhepin tim”
(Athinë, Enalen, 2006) “Një stacion si
një valixhe: poezi të zgjedhura” (Vlorë, Triptik, 2009) dhe “Çelësat…” e Andit
që botoi pas 17 vjetësh, janë të bukura, të dashura për lexuesin, se të ngjit
në shpirt poezia e tij, me majà poetike, me ajkë kulture, me tharm qytetar;
sidomos vëllimi poetik "Çelësat e viteve rrodhën", 2026, është, për
mua, filigran poetik.
Andi është edhe një tregimtar me zë të
veçantë, është dhe piktor me penel të hollë, siç e shikojmë me pikturat e
varura në kornizat që mbushin këtë galeri arti, e cila është e tëra e Andit
sot, por unë do të qëndroj pak tek "Çelësat..." e Andit.
Andi Meçaj, ka aftësinë që ndjesitë
vetiake t'ia përcjellë lexuesit nëpërmjet poezive aq të bukura e tërheqëse, saqë
ne, që i lexojmë na duket se i njohim ata persona për të cilët flet autori,
kalojmë në ato rrugica për të cilat ai thur vargje aq origjinale...
Më duket se ai ka një magnet shpirtëror,
ka një mister tërheqës që na vetvetiu na rrëmben e na fut këndshëm në lojën e tij, nën shiun e
tij me bukuri të pabesueshme, në atë ditë të bukur vere, të ndjejmë shpërthimin
e gonxhes, një peizazh detar, një ninullë te rrugakryqi, te pëshpëritjet e
gjyshes, tek gënjeshtrat njerëzore, tek të vërtetat hyjnore, për shtëpinë e
madhe dhe kujtesën e mureve, për karrigen e vjetër, ëndrrat e një vajze, pas
perdeve, për klubin e Topanasë, për plakat e lagjes që bisedojnë, për
lozhrambledhësit e qytetit …(dhe këtu pas kësaj fjale të vogël do të ndaloj pakëz,
se kam një vjershë, që më dhemb në shpirt, jo vetëm një një revoltë poetike, por me vargje therës
dhe realë, janë ulërimë e shpirtit social e human për ata vertikalë që kanë
vesh e paksa ndërgjegje). Në vijim, magneti poetik i Andit na bën tanët gjithë
ata emra të përveçëm, “personazhe poetike”, që në fakt ne s' i njohim, por fisnikëria
bujare e vargut të mençur të Andit na i bën të njohur e të dashur, për vitet që
rrodhën deri thonjtë me manikyr, në imtësi pra, na bën pjesë integrale të
mikrobotën e tij magjike.
Më ka bërë përshtypje të veçantë poezia
“Lamtumirë fëmijëri” dhe të tilla simotra poetike me motivet e fëmijërisë të
poetit Andi Meçaj, që mendoj se sot është një status poetik në qytetin tonë. Sa
poezi të ndjera që janë! Motivet poetike të kujtimeve të fëmijërisë, të asaj
shtëpisë jo thjesht si simbol i djepit të lindjes, oxhakut të ndezur, edukimit
njerëzor, por gjithçka i takon asaj mikrobote aq të dëlirë, të mbushin me
emocione, dashuri e trishtim.
Një nga poezitë më të arrira jo vetëm të
Andit, por të gjithë poetëve që kanë motive të muzës së tyre, familjen, sidomos
nënën e xhanit, është ajo me titull: “Mungesë”
- Qeshja jote/ u mungon mureve,/ përkëdheljet e huaja/ s' më shijojnë më,/ zëri
i dielltë/ s' u këndon / më veshëve.
E di, vjen/ kur kam mërzi,/ mungesë ajri. / Kur ti vjen/
edhe heshtja gëzohet,/ trokëllijnë dritaret,/ gjallërohen pikturat/ fëshfërijnë
lulet./ Sa çaste të ikura/ u rikthehen syve,/ ç' ngjyra!
Vjen, ikën,/ bëhesh mjegull,/ ngelet,/ ngashërimi i mureve.”
Jam i mbushur, jam i mbushur me
emocione të thella pikëlluese e nuk mund të bëj koment, veç të hesht me
nderimtari hyjnore për perëndeshën e Andit, këtij biri dinjitoz dhe poeti të vërtetë
të ndjenjës. I dritëroftë shpirti Noçes
së tij dhe të gjitha nënave që prehen tek yjet, në krahët e Paharrimit të bijve
dhe bijave të tyre!
Edhe pse poet i imtësive, Andi Meçaj nuk
mund të jetë kurrë një këngëtar akuariumi. Nuk ka se si të mos jetë ai një poet
i angazhimit qytetar, i shqetësimit intelektual, “Gjyshi qytet” është një poezi klithmë. Edhe pse, e fyejmë, e
tallim, e shpërfillim, e shpërdorojmë, e zhvasim, i thyejmë brinjët, gjyshi
qytet s'mërzitet aspak, por “ai ngjit sërish brinjë të reja”. Ngjit brinjë të
reja…
Para se të vijoj me fjalëzën për
metaforikën e poezisë filozofike, ekzistenciale dhe intelektuale të Andit,
“plotësuar me detaje dhe elemente nga fantazia e tij e pasur, nisur gjithmonë
nga një pikë reale, e thjeshtë dhe natyrale”, siç e cilëson prof. Zisi, do të
them një histori. Në një fshat të Labërisë, komshi me fshatin tim dhe të babait
të Andit, midis, ishin disa plaka ulur në sofa, që pinin kafe si zakonisht dhe
bisedonin me njëra-tjetrën. Më tej ishin disa vogëlushë që loznin. Një fëmijë çamarok
qëllon me gurë një nënë atje, të vjetër. “Ooo” - ia bëri nëna, se i dhëmbi në
kockë. I kthehet një plakë tjetër djalit: “vrave nënën, a të qëlloftë pika!”.
“Mo ma shaj - i kthehet ajo me gjak në kërci, - se kam të Hasanit”. Hasani
ishte i biri i nënës që mori gurin në kërci. Pra, edhe gjyshi qytet është yni
dhe nuk na shan, se na ka të “Hasanit”, na ka djemtë e tij.
Rikthehem tek fjalëza për të bukurën
poezi të Andit tek “Çelësat e viteve që rrodhën”. Këtu kemi një harmoni të shëndetshme
të realitetit të përditësuar dhe të ngritur në art, me një bukuri të
llahtarshme artistike, me një thjeshtësi të kulluar të shkrimtarisë poetike,
prurë me individualitetin krijues të vargut modern. Një poezi, ku gjuha poetike
na sjell imazhe të fuqishme për ta zbukuruar botën e brendshme, për të ndikuar
në bukurinë e mënyrës së jetesës. Andit i dhemb lëndimi dhe pena është ilaçi për
shërim, për shëndet, përmirësim dhe përparim.
Poezia e tij është e mirë dhe pëlqehet,
se vjen me nivel artistik dhe shije estetike. Figurat stilistike nuk i ka qëllim
më vetvete, por ato bulëzojnë natyrshëm dhe zënë vendin e tyre në organigramën
poetike të autorit.
Eqerem
Canaj, Andi Meçaj, Albert Habazaj - 3 poetë të Lumit të Bardhë, Vlorë, 11.06.2026
Në
Galerinë e Arteve Vlorë për poezitë dhe pikturat e autorit Andi Meçaj,
11.06.2026
Poetë
të qytetit të Vlorës në festën letraro-artistike të autorit Andi Meçaj,
11.06.2026
Albert
Habazaj duke folur në festën letraro-artistike të autorit Andi Meçaj,
11.06.2026
Albert
Habazaj me një poezi -revoltë poetike në festën letraro-artistike të autorit
Andi Meçaj, sepse poeti piktor, si punëtor i rëndomtë mbledh llozhurat në
kazanët e plehrave 11.06.2026
Andi
Meçaj, Çelësat e viteve që rrodhën, poezi, Vlorë, Triptik, 2026 - ballina e
librit
Andi Meçaj dallon për gjetjet poetike,
për figuracionin e beftë e aq të pasur, pa kërcitur, spikat Andi si poet i
detajeve, prurë me vargje lakonike, që janë aq të bukura.
Vëmendje vlen të ketë miku ynë i çmuar
i penës tek ndonjë rëmdomësi që shket e futet si pa kuptuar në vargjet e tij të
shëndetshme petikisht, të bukura estetikisht, me me sazhe të larta kurajoje dhe
dinjiteti.
Është fat për njeriun gjenetika, aq më
tepër për poetin, por Andi nuk e ka shpërdoruar këtë gjë. Ai është vërtet i
biri i Hiqmet Meçajt, poetit të madh të Vlorës dhe njërit ndër më të mirët në
Shqipëri, por Andi ka qenë dhe është emri i tij i përveçëm, firma e tij
poetike, pa pasur nevojë për tutor, as ombrellë, veç për vëmendje, ngrohtësi e
dashuri.
Kryepoezia e gjithëhershme është imazhi
fotografik me Poetin e Identitetit të Vlorës, Hiqmet Meçaj!
Tani, do të më falni, se do të dal
jashtë protokollit, por jo jashtë shpirtit dhe ndjesisë sime:
-
VLORA DHE POETI
-
PSE POETI I VLORËS HIQMET MEÇAJ HESHT
BURRËRISHT DHEMBSHUR?!
-
(Nga: Albert Habazaj)
-
Shkruesit e vargjeve shtohen pa rritur
si shkurret.
Poetët e paktë, si bredha të bukur, të
lartë,
lukunia e shkurreve qelqit digjital
turret.
S’ka më doganë të merret me shkrimin e
artë.
-
Poeti ynë hesht burrërisht dhembshur
për qytetin eshtragërryer në furtunë,
për shtetin tonë liridashës çapaçul i
shkulur,
për djalin e tij me universitet, poet e
pa punë.
-
E… shpirti i tij pashfaqshëm çarë më
dysh,
brenga mban sa mban barku i këtij dheu,
ka të drejtë me pashë të na thotë:
“Hiqmuni sysh!”.
Tek qartësonte imazhin tonë mjerisht të
zbehur.
-
Ç’qytetarë të përndritëruar jemi të
qytetit?,
mirë firmë e vulë, por nuk kemi as zë
fare,
detashment me frymë drite për vendin e
poetit
po s’u bëmë, na hëngrën krokodilët me
kollare.
-
Mua më vjen turp të takoj Hiqmetin në
Vlorë,
dhe malin, dhe lumin sikur mbaj mbi
supe,
djali i tij pastron qytetin nga
mbeturinat, kur ca të gjorë,
të paturpët hanë bukën e ditës me
turpe…
-
Ishte kënaqësi dhe plotësim shpirtëror
për shoqërinë letraro-artistike të qytetit tonë veprimtaria e sotme në Galerinë
e Arteve, Vlorë kushtuar mikut tonë Andi Meçaj, poet i ndjenjave të holla,
prozator i mikrobotës së pasur dhe piktor i ngjyrave me dritë të bukur.
Faleminderit Qendra Kulturore Vlorë!
Mirënjohje mikeshave artiste aq të
çmuara për ne, Zanës dhe Anxhit (humaneve Anxhela Kapllani e Suzana Zisi)!
Qendra e Kulturës, Vlorë, e enjte, 11
Qershor 2026









