Xhelal Zejneli: Studiuesit e huaj dhe shqiptarë të letërsisë gojore shqiptare
STUDIUESIT E HUAJ DHE SHQIPTARË TË LETËRSISË GOJORE SHQIPTARE

Lëvizja e romantizmit
në Evropën Perëndimore ndërlidhej me interesimin për letërsinë gojore e për traditat
folklorike. Në shek. XIX për letërsinë popullore shqiptare apo
për folklorin
shqiptar treguan interesim, jo vetëm studiuesit shqiptarë por edhe të
huajt.
Konsulli i
Austro-Hungarisë në Janinë, i konsideruar baba i studimeve shqiptare, i cili
udhëtoi nëpër Shqipëri dhe në Ballkan - Johan
Georg fon Han (1811-1869), botoi
në gjermanisht veprën në tre vëllime “Albanesische Studien” (Studime shqiptare), Jenë 1854 . Hartoi
një gramatikë
në dialektin toskë dhe vuri në të një shtojcë 46 faqesh me këngë popullore,
fjalë të urta dhe përralla. Më vonë botoi librin Përralla greke dhe shqiptare,
Lajpcig 1864.
Mjeku gjerman Karl Hajnrih Teodor Rajnholt (1810-1880) botoi përmbledhjen me
këngë popullore, rrëfenja dhe fjalë të urta shqiptare “Net pellazgjike”, Athinë
1855.
Folkloristi Xhuzepe Pitre (1841-1916) botoi
përmbledhjen në katër vëllime “Përralla, tregime e rrëfenja popullore
siciliane”, Palermo 1875.
Konsulli francez
në Janinë e Selanik Ogyst Dozon
(1822-1891) botoi librin me përralla dhe këngë popullore shqiptare “Doracak
i gjuhës shqipe ose albaneze”, Paris 1879. Pasoi libri “Rrëfenja
shqiptare, të mbledhura e të përkthyera”, Paris 1881.
Gjuhëtari çek,
profesor i gjuhëve romane (frëngjishtes e italishtes) Jan Urban Jarnik (1848-1923)
botoi materiale folklorike shqiptare, një poezi, dy përralla popullore dhe 53
fjalë të urta nga rrethi i Shkodrës në librin “Mbi gjuhësinë shqiptare”,
Lajpcig 1881 si dhe përmbledhjen me rrëfenja dhe anekdota nga Shkodra “Ndihmesë
për njohjen e dialekteve të shqipes”, Pragë 1883.
Albanologu
austriak Gustav Majer (1850-1900), profesor i
Universitetit të Gracit botoi librin me 14 rrëfenja shqiptare “Rrëfenja
shqiptare”, Lajpcig 1884. Një pjesë e materialit të tij folklorik u
ribotua në vëllimet V e VI të veprën e tij “Albanesische Studien” (Studime shqiptare), Vjenë 1896-1897.
Pasoi libri “Gramatikë e shkurtër e shqipes me tekste e fjalor”, Lajpcig
1888. Libri përmban një numër rrëfenjash toske.
Indoevropianisti
danez Holger Pedersen (1867-1954), profesor i
Universitetit të Kopenhagës, vizitoi Shqipërinë më 1893 për të mbledhur
material gjuhësor. Në Korfuz regjistroi 35 përralla popullore shqiptare dhe i
botoi në librin “Tekste shqiptare me fjalor”, Lajpcig 1895.
*
* *
Me letërsinë
gojore apo me folklorin shqiptar u morën shumë studiues dhe krijues letrarë arbëreshë.
Në gjysmën e dytë të shek. XIX, me grumbullimin e thesarit folklorik shqiptar u
morën edhe studiuesit shqiptarë këndej Jonit dhe Adriatikut, të cilët me
botimet e tyre ushqyen lëvizjen e zgjimit kombëtar me ndjenjën e traditës e të
identitetit.
Një prej të parëve
është Zef Jubani (1818-1880).
Supozohet se ka lindur në Shkodër. Libri i tij “Përmbledhje këngësh popullore e
rapsodish shqiptare”, Trieste 1871 përbën përmbledhjen e parë me këngë
popullore gegërishte, madje është e para vepër folklorike e botuar nga një
shqiptar për vetë Shqipërinë. Nga viti 1848 Jubani shërbeu për disa vite si
‘dragoman’ (përkthyes) i konsullit frëng në Shkodër – Lui Jasint Hekard-it (1814-1866), i cili përgatiste një libër për
Shqipërinë e veriut. Atë e tërhiqte mjaft folklori dhe gjatë udhëtimeve nëpër
malësinë shqiptare të veriut mori me vete të rinjtë Zef Jubanin dhe Halil
Koplikun. Një numër këngësh popullore që mblodhi aty dolën në një përkthim
frëngjisht në veprën pioniere të Hekardit “Histori e përshkrim i Shqipërisë së Epërme
ose Gegërisë”, Paris 1858. Gjatë qëndrimit në Itali, Jubani u prit nga Jeronim De Rada (1814-1903) me të cilin
mbante letërkëmbim. Ashtu si poetë të tjerë shqiptarë, edhe Jubani, një poezi
ia ka kushtuar Dora d’Istrias (1828-1888) – pseudonim i Elena Gjikës, autore e studimit “Kombësia
shqiptare sipas këngëve popullore” (La nationalité albanaise d'après les
chants populaires) të botuar në vitin 1866 në frëngjisht në revistën prestigjioze
letrare të Parisit “Revue des deux mondes”.
Ky studim luajti
rol në lëvizjen kombëtare shqiptare të periudhës së Rilindjes. Këtë studim të
Dora d’Istrias, filologu dhe folkloristi arbëresh nga Sicilia Dhimitër Kamarda (1821-1882) e përktheu
në gjuhën shqipe dhe në vitin 1867 e botoi në Livorno. Një libër apo një
antologji me poezi shqiptare, me titull “A Dora d’Istria gli Albanesi”,
Livorno 1870 (Dora d’Istrias shqiptarët),
Dhimitër Kamarda ia kushtoi Dora d’Istrias. Autori kishte përfshirë në të poezi
të prelatit dhe poetit Preng Doçi (Vilajeti
i Shkodrës, 1846 – 1917), të Zef Jubanit (1818-1880)*, të Thimi Mitkos (Korçë, 1820 – Beni Suef, Egjipt, 1890), të
Jeronim De Radës (1814-1903), të poetit Françesk Anton Santori (1819-1894)*, të poetit Zef Serembe (1844-1901)*
etj.
Shënim: Zef
Jubani i lindur si Zef Ndokillia (Shkodër, 1818 – Shkodër, 1880) ishte një nga ideologët, ekonomistët, folkloristët dhe
shkrimtarët më të rëndësishëm të Rilindjes
Kombëtare Shqiptare. Është një ndër pararendësit e lëvizjes kombëtare dhe
mbledhësi i parë i sistemuar i folklorit shqiptar.
Shënim: Françesk
Anton Santori (16 shtator 1819 – 7 shtator 1894) - shkrimtar, poet dhe dramaturg arbëreshë
i shekullit XIX. Lindi në Shën Katerinë të Kozencës (Kalabri). Është
autor i dramës së parë të shkruar në shqip “Emira”
të krijuar rreth bitit 1864. U botua për herë të parë në vitin 1883 nga
Jeronim de Rada. Vlerësohet si nismëtar i disa zhanreve të reja në letërsinë
shqipe, duke ndërthurur traditën vendase me frymën e Rilindjes Kombëtare dhe me
kulturën evropiane.
Shënim: Zef
Serenbe (1844-1901) ishte një
nga poetët më të shquar lirikë të letërsisë arbëreshe dhe romantizmit shqiptar.
Lindi më 6 mars 1844 në fshatin Strigari (San Cosmo Albanese) të Kozencës në
Itali. Vdiq në San-Paulo, Brazil, më 31 dhjetor 1901.
*
* *
Folkloristi Thimi Mitko (1820-1890, Beni Suef,
Egjipt) nga Korça botoi përmbledhjen e dytë me letërsi gojore shqiptare. Mitkoja
ishte përfaqësues i shquar i kolonisë shqiptare të Egjiptit. Botoi librin “Bleta
shqiptare”, Aleksandri 1878. Përmbledhja përmban 505 këngë popullore
dhe 39 përralla e fjalë të urta nga Shqipëria e jugut. Libri u shkrua me alfabet
grek. Është e para përmbledhje me interes të vërtetë shkencor. Veprën e
Mitkos e ribotoi në Vjenë më 1924 me alfabetin e shqipes – Gjergj Pekmezi (1872-1938).
Mitko i dha Djimitër Kamardës këngë popullore, gjëegjëza dhe
përralla për përmbledhjen e tij. Bleta shqiptare
e Mitkos përbënte një vepër themelore për letërsinë gojore shqiptare. Por
në Evropën Perëndimore lëvizja e romantizmit kishte rënë prej kohësh
dhe bashkë me të edhe interesimi për letërsinë gojore e për traditat
folklorike. Kjo rrethanë bëri që përmbledhja e Mitkos të mos pritej në botë me
atë vëmendje që meritonte.
Punët në lëmin e
folklorit i vazhdoi edhe Spiro Dine (1846?-1922) nga Vithkuqi në
krahinën e Korçës. Ishte anëtar themelues i seksionit të Shoqërisë së të shtypurit
shkronja shqip në Egjipt më 1881, të njohur si Shoqëria e Stambollit, të
themeluar në Stamboll nga rilindësit më 1879. Dine pati letërkëmbim me De Radën, me Dhimitër Kamardën, me dijetarin
nga ishulli Idhra (Greqi) - Panajot Kupitorin
(1821-1881), me Jan Urban Jarnikun*,
me Dora d’Istrian, me Kostandin Kristoforidhin (1830-1895),
me Visar Dodanin (rreth 1857-1939)
dhe Gustav Majerin (1850-1900)*. Vepra e tij “Valët e detit”, Sofje
1908 është një përmbledhje monumentale me 856 faqe me folklor e letërsi
shqiptare. Në 412 faqet e para kemi poezi atdhetare të vetë Dines si dhe të
shkrimtarëve të tjerë të periudhës së Rilindjes: Koto Hoxhi (1824-1895)*,
Thimi Kreji (1842-1931)*, Kostandin Kristoforidhi (1830-1895), Anastas Kullurioti (1822–1887)* nga Athina, Loni Logori (1871-1929)* dhe Jani Vreto (Postenan afër Leskovikut,
1822 – Athinë, 1900)*. Sikurse
poetët e tjerë, edhe atdhetari dhe folkloristi i shquar Spiro Risto Dine (Vithkuq, Shqipëri, 1844/46? – Kajro, 1922) i
kushtoi poezi Dora d’Istrias (1828-1888).
Shënim: Jan
Urban Jarnik (25 maj 1848, Potštejn – 12 janar 1923, Pragë) - gjuhëtar, profesor çek i gjuhëve romane
dhe albanolog i shquar. Vlerësohet si themeluesi i studimeve të
shqipes dhe të rumanishtes në Universitetin e Karlit në Pragë.
Shënim:Gustav
Majer (Gustav Meyer;
25 nëntor 1850 – 28 gusht 1900) - gjuhëtar, indoevropianist dhe albanolog i shquar gjerman.
Luajti rol historik në studimin e gjuhës shqipe
Shënim: Koto Hoxhi (Kostandin Hoxhi, Qestorat, 1824 – Stamboll, 1895) -
veprimtar i Rilindjes
Kombëtare, një nga pionierët e lëvrimit të gjuhës shqipe dhe
arsimtar i dalluar, i nderuar me titullin "Mësues i Popullit".
Shënim: Thimi Thoma Kreji (Krushevë, tani Maqedoni e Veriut, 1842 – Kajro, 1931)
- figurë e shquar
e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, veprimtar i çështjes kombëtare dhe arsimore në
diasporë. Mendohet se stërgjyshërit e tij ishin shpërngulur nga rrethina e
Gjirokastrës drejt Krushevës.
Shënim: Anastas Kullurioti
(1822–1887) - shkrimtar,
publicist dhe aktivist i shquar arvanitas i cili dha një
kontribut të jashtëzakonshëm në Rilindjen Kombëtare Shqiptare duke punuar për
zgjimin e ndërgjegjes kombëtare dhe për mbrojtjen e gjuhës shqipe. Lindi në ishullin e Salaminës (Kulluri) në Greqi, në një
familje me prejardhje arvanitase. Gjatë jetës së tij jetoi dhe veproi në
komunitetet shqiptare në Greqi dhe Egjipt.
Shënim: Loni
Logori (1871-1929) – sipërmarrës, poet dhe veprimtar shqiptar në Egjipt i
periudhës së Rilindjes Kombëtare.
Shënim: Jani Vreto
(Postenan afër Leskovikut, 1822 - Athinë, 1900) - shkrimtar, botues dhe mendimtar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
Një nga figurat iluministe të shekullit XIX i cili dha një kontribut të
jashtëzakonshëm në mbrojtjen e gjuhës shqipe dhe në ngritjen e vetëdijes
kombëtare.
*
* *
I pari folklorist
që mblodhi letërsinë gojore në mënyrë më sistematike dhe më shkencore ishte Shtjefën Gjeçov (1874-1928) i lindur në
Janjevë afër Prishtinës. Bëri kodifikimin monumental dhe botoi të drejtën
zakonore shqiptare, “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, Shkodër 1933, i cili së pari u
botua pjesë-pjesë në revistën “Albania të Faik Konicës (1875-1942) më 1898 dhe 1899, ndërsa në vitet
1913-1924 në revistën “Hylli i Dritës” në Shkodër.
Në vitin 1941 kanuni u
përkthye në italisht në Romë nga frati françeskan, publicisti, kronisti,
mësuesi, bibliotekisti dhe përkthyesi Pal
Dodaj (Janjevë, 1880 – Shkodër, 1951) si dhe në anglisht nga Leonard Foks (Nju-Jork 1989)*.
Shënim: Leonard Fox ka lindur në vitin 1944. Është studiues, albanolog dhe përkthyes. Letërsinë dhe të
drejtën zakonore shqiptare ia solli botës anglishtfolëse. Ka përfunduar doktoratën
(Ph.D.) në Studime Shqiptare (Albanologji) në Universitetin
“Ludwig Maximilian” të Munihut në Gjermani. Bëri përkthimin e parë të plotë në gjuhën angleze të ligjit
tradicional shqiptar, të titulluar “Kanuni i Lekë Dukagjinit: The Code of Lekë
Dukagjini”, të botuar në Nju-Jork në vitin 1989 nga shtëpia botuese Gjonlekaj
Publishing Company. Ky botim dygjuhësh përfshin parathënien e shkrimtarit dhe
akademikut Martin Camaj (Temal, Shqipëri, 1925 – Lenggries, Gjermani, 1992).


