Frank Shkreli: Aleanca me Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkon një Shqipëri të fortë
ALEANCA ME SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS KËRKON NJË SHQIPËRI TË FORTË
Nga
delegacioni i parë amerikan në Shqipëri, në mars/prill 1991, te ardhja e
ambasadorit Eric Wendt në Tiranë: "Një kapitull i ri nisi për Shqipërinë"

Ka momente në jetën e një personi që
nuk maten vetëm me datat në kalendar. Ato mbeten në kujtesë sepse
shënojnë një kthesë. Për mua, një nga momente të tilla ishte marsi-prilli
i vitit 1991, kur, pak pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis
Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, pata privilegjin të isha pjesë e
delegacionit të parë amerikan që mbërriti në Shqipëri. Më 15 mars 1991,
Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria rivendosën marrëdhëniet diplomatike pas një ndërprerjeje
prej më shumë se gjysmë shekulli. Pak më pas, një delegacion amerikan mbërriti
në Shqipëri për të hedhur themelet e pranisë së re diplomatike amerikane në
vend, pas shembjes sës Murit të Berlinit. 50-vjet Shqipëria priti. Isha
aty. Ishte një moment historik për marrëdhëniet mes dy vendeve tona, dhe
për shqiptarët që për dekada kishin parë Amerikën si simbol të lirisë,
demokracisë dhe shpresës. Shqipëria sapo kishte filluar të dalë nga
diktatura komuniste. Institucionet demokratike ishin në fillimet e tyre.
Shoqëria shqiptare po përjetonte një transformim të jashtëzakonshëm dhe askush
nuk mund ta dinte me siguri se si do të zhvillohej ky process në të ardhmen.
Por një gjë ishte e qartë: Amerika ishte kthyer në Shqipëri. Frank Shkreli: Në 35-vjetorin e
rivendosjes së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane. Roli i Ambasadorit të parë
amerikan në Tiranë, Z. William Ryerson | Gazeta Telegraf
Sot, 35 vjet më vonë, Ambasada e
Shteteve të Bashkuara deklaroi -- se me arritjen në Tiranë të ambasadorit të ri
amerikan, Eric P. Wendt -- "një kapitull i ri nis në Shqipëri".
Kjo shprehje, më sjell, natyrshëm, në kujtesë atë fillimin e madh të vitit 1991.
Por këtë herë pyetja është ndryshe. Nuk është më -- vetëm -- se çfarë mund të
bëjë Amerika për Shqipërinë? Sot, 35 vite më vonë, pyetja duhet të jetë edhe se
çfarë duhet të bëjë sot Shqipëria për ta bërë edhe më të fortë aleancën e saj
historike me Shtetet e Bashkuara? Po, sot Shtetet e Bashkuara kanë në
Shqipëri një ambasador të ri, në një kohë të re. Eric Wendt mbërriti në Tiranë
me një përvojë të gjatë në ushtrinë amerikane dhe në strukturat e NATO-s. Para
Senatit amerikan, ai identifikoi ndër prioritetet e tij luftën kundër
korrupsionit dhe krimit të organizuar, forcimin e bashkëpunimit në mbrojtje dhe
siguri, si dhe zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike dhe krijimin e një klime
transparente për investitorët amerikanë. Këto janë çështje që lidhen drejtpërdrejt
me politikën e brendshme shqiptare. Dhe kjo është ajo që e bën ardhjen e
ambasadorit të ri një moment të rëndësishëm për Tiranën. Sepse një
marrëdhënie strategjike nuk mund të mbahet vetëm mbi deklarata miqësie,
fotografi zyrtare apo marrëveshje ushtarake. Ajo kërkon institucione të forta.
Shtetet e Bashkuara mund të ndihmojnë,
por Shqipëria duhet të bëjë pjesën e saj. Gjatë këtyre dekadave, Shtetet e
Bashkuara kanë investuar shumë në Shqipëri, në demokratizim, në forcimin e
institucioneve, në reformën në drejtësi, në luftën kundër korrupsionit,
krimit të organizuar, në siguri dhe në integrimin euroatlantik.
Shqipëria është sot anëtare e NATO-s. Por një aleat i fortë nuk është
vetëm ai që merr ndihmë nga aleati i tij. Është edhe ai që ndërton një
shtet të aftë për të kontribuar në sigurinë, stabilitetin dhe demokracinë e
përbashkët. Këtu qëndron përgjegjësia shqiptare. Washingtoni mund të
ofrojë ekspertizë, mbështetje dhe bashkëpunim, ashtu siç ka ndodhur gjatë
35-viteve të kaluara. Por Amerika nuk mund të ndërtojë institucionet
demokratike shqiptare në vend të vet shqiptarëve. Këtë duhet ta bëjë
Shqipëria. Shteti ligjor duhet të jetë mbi pushtetin. Nëse
institucionet e drejtësisë mund të funksionojnë të pavarura nga politika, Shqipëria
bëhet më e fortë. Dhe një Shqipëri më e fortë bëhet automatikisht një aleate më
e besueshme e Shteteve të Bashkuara. Amerika, nga ana tjetër, duhet të
jetë aleate e Shqipërisë, jo e një partie. Një marrëdhënie e shëndetshme
shqiptaro-amerikane kërkon gjithashtu që SHBA-ja të mos identifikohet me asnjë
forcë politike shqiptare.
Amerika është aleate e
Shqipërisë. Kjo do të thotë marrëdhënie me qeverinë, por edhe me
opozitën, me institucionet shtetërore, por edhe me shoqërinë civile, median,
universitetet dhe botën e biznesit. Nëse këto 35-vite kanë mësuar nodnjë gjë,
ajo është se politika shqiptare nuk duhet ta përdorë Washingtonin si armë në
konfliktet e saj të brendshme. Ambasadori amerikan nuk mund të jetë arbitri i
përhershëm i mosmarrëveshjeve shqiptare. Në një demokraci të konsoliduar,
problemet politike zgjidhen nga institucionet dhe nga qytetarët
shqiptarë. Ideja është që aleanca me Amerikën duhet ta forcojë
demokracinë shqiptare, jo ta zëvendësojë atë. Një media e lirë është
pjesë e një demokracie të fortë. Kjo është një çështje që e prek edhe përvojën
time të gjatë në gazetari. Një demokraci nuk mund të jetë e shëndetshme
pa një media të lirë dhe profesionale. Gazetarët duhet të kenë mundësi të
hetojnë dhe të kritikojnë pushtetin, pa presione politike apo ekonomike. Media
nuk duhet të jetë zgjatim i qeverisë. Por as zgjatim i opozitës. Ajo duhet të
jetë e lirë dhe e pavarur. Sepse qytetari që nuk ka informacion të lirë nuk
mund të marrë vendime plotësisht të lira. Dhe kjo është një vlerë që lidh
drejtpërdrejt demokracinë shqiptare me traditën demokratike amerikane.

Në vitin 1991, kur delegacioni i parë
amerikan mbërrijti në Shqipëri, vendi kishte nevojë për ndihmë në çdo fushë për
të ndërtuar institucionet e demokracisë dhe të ekonomisë. Sot, Shqipëria
ka 35 vjet përvojë. Ka kaluar nga izolimi total komunist në NATO. Ka
ndërtuar institucione të reja. Ka bërë reforma të rëndësishme. Por
procesi i forcimit të demokracisë nuk mbaron. Përkundrazi, një demokraci e
vërtetë kërkon mirëmbajtje të përditshme. Prandaj Shqipëria duhet të bëjë
pjesën e saj duke forcuar drejtësinë, të luftojë korrupsionin, të mbrojë
institucionet e pavarura, të respektojë opozitën, të garantojë zgjedhje të
besueshme, të mbrojë median e lirë, të krijojë konkurrencë të ndershme
ekonomike, të luftojë krimin e organizuar, që të vazhdojë të jetë një aleate
aktive dhe e besueshme edhe brenda NATO-s. Këto nuk duhet të bëhen për
t'i bërë qejfin Amerikës. Duhet të bëhen për Shqipërinë. Nga viti 1991 në vitin
2026! Kur mendoj për atë delegacion të parë amerikan që mbërrijti në
Shqipëri në mars/prill 1991 dhe e krahasoj atë me ardhjen e ambasadorit Eric
Wendt sot, shoh dy Shqipëri të ndryshme. Njëra sapo kishte dalë nga diktatura
komuniste e Enver Hoxhës, e shkatërruar në çdo kuptim e fushë veprimi.
Shqipëria tjetër sot është një vend anëtar i NATO-s, pjesë e botës
euroatlantike dhe me aspiratën për t'u integruar, plotësisht, në Bashkimin
Evropian.
Por ekziston një vijë që i lidh të dyja
periudhat -- e ajo vijë është besimi i shqiptarëve te Shtetet e Bashkuara dhe
rëndësia që ka aleanca e Shqipërisë me Washingtonin, për të ardhmen e vendit.
Prandaj ardhja e ambasadorit Wendt në Tiranë nuk duhet parë, thjesht, si një
ndryshim në krye të ambasadës amerikane. Duhet parë edhe si një mundësi për të
hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet amertikano-shqiptare, ashtu siç e
deklaroi edhe Ambasada amerikane atje. Një kapitull ku Washingtoni vazhdon të
jetë pranë Shqipërisë, por edhe një kapitull i ri në të cilin Tirana zyrtare
merr më shumë përgjegjësi për forcimin e demokracisë së saj. Në vitin 1991,
delegacioni i parë amerikan shkoi në Shqipëri për të hapur një derë që kishte
qenë e mbyllur për më shumë se gjysmë shekulli regjim komunist -- ndër më të shëmëtuarit
dhe ndër më të barbarët e ish-botës komuniste. Sot, ajo derë është e
hapur. Detyra e këtij brezi të shqiptarëve është që të sigurohet se ajo derë do
të mbetet e hapur dhe që marrëdhënia që kaloi nga rivendosja e marrëdhënieve
diplomatike me 15 mars, 1991, në një aleancë strategjike -- të bëhet sot edhe
më e fortë. Mbi të gjitha, kjo kërkon një Shqipëri më demokratike. Më
transparente. Më të drejtë për të gjithë. Më të fortë, institucionalisht,
por edhe ushtarakisht. Dhe më të besueshme si aleate që ndanë vlerat
euroatlantike. Amerika ka qenë pranë shqiptarëve në momentet vendimtare të
historisë së tyre moderne. Tani është radha e Shqipërisë dhe e shqiptarëve të
tregojnë se Kombi shqiptar është një aleat që di ta mbrojë, ta forcojë dhe ta
meritojë këtë miqësi historike me Shtetet e Bashkuara. Kjo është përgjegjësia e
kapitullit të ri të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane. Kështu e shoh edhe unë
kapitullin e ri të marrëdhënieve amerikano-shqiptare pas 35 viteve të
rivendosjes së tyre, me besimin se me mbërritjen e Ambasadorit të ri të
Shteteve të Bashkuara, Eric Wendtt në Tiranë, vërtetë, "Një kapitull i ri
nisi për Shqipërinë".


