Xhelal Zejneli: Politikanët e papërgjegjshëm dhe oportunizmi i inteligjencies shqiptare
POLITIKANËT E PAPËRGJEGJSHËM DHE OPORTUNIZMI I INTELIGJENCIES SHQIPTARE

Vrasje, plagosje,
vetëvrasje, vjedhje, rrëmbime, reketime, korrupsion, mitë, ryshfet, shantazhe,
imoralitet, shkurorëzime apo ndarje bashkëshortësh, divorce, jetimore, probleme
sociale, probleme ekonomike, papunësi, shpërngulje masive, lënia e fshatrave,
mungesë rrugësh dhe infrastrukture nëpër fshatra, lënia e bujqësisë, lënia e
blegtorisë, shndërrimi i tokave pjellore në djerrina, korrupsion pothuajse në
të gjitha poret e shoqërisë, abuzime, shkelje ligji, shpërdorim detyre,
ndërtime pa leje, mafia urbane, ekonomia gri, mbjellja e lëndëve narkotike,
shitja e lëndëve narkotike, përdorimi i lëndëve narkotike, përfshirja në vrasje
e personave të moshës së mitur, burgje të mbingarkuara, burgje të
mbipopulluara, burgje me kushte nën standardet e BE-së, aksidente rrugore të
ditëpërditshme, ngasje veturash nga persona pa leje drejtimi, ngasje veturash
nga persona në gjendje të dehur, ngasje veturash apo makinash nga persona nën
ndikimin e lëndëve narkotike, vjedhje në të gjitha nivelet e shtetit dhe të
shoqërisë, vjedh kryetari i shtetit, vjedh kryetari i kuvendit të shtetit,
vjedh kryeministri, vjedh zëvendëskryeministri, vjedh ministri, vjedh
ministrja, vjedh deputeti, vjedh deputetja, vjedh polici, vjedh doganieri, merr
mitë apo ryshfet profesori universitar, profesori universitar ua shet
studentëve skriptin apo librin e vet, si kusht për të marrë notë kaluese,
shitblerje notash nëpër universitete, vjedh mjeku, vjedh kirurgu, vjedh
kardiologu, vjedh onkologu, vjedh infermierja, merr mitë apo ryshfet
infermierja, abuzim me barnat, abuzojnë, shkelje ligji nga autoshkollat e lejeve
të qarkullimit, vjedhje nga nëpunës të organeve të pushtetit vendor, vjedhje
nëpër organet bashkiake, vjedhje nga kryetarë bashkish, deputete arrogante,
megalomane dhe mendjemëdha, deputete me veshje ekstravagante dhe të shtrenjta,
shpërdorime nga gra pushtetarësh, gra pushtetarësh që porosisin veshmbathje nga
Roma dhe Parisi, banesa apo apartamente dhe vila të cilat pushtetarët ua blejnë
dhuratë “dashnoreve”, konkubinave apo femrave me të cilat bashkëjetojnë. Vetura
të shtrenjta që kushtojnë dhjetëra mijë euro, në një vend ku dikush
ballafaqohet me skamjen. Pushime verore dhe dimërore nëpër vende ezoterikë në
një vend ku dikush nuk mund të shkojë as në detin e vendit të vet. Lypës nëpër
rrugë, trotuare dhe semaforë. Foshnja që keqpërdoren nga prindërit për lypje.
Fëmijët të shndërruar në lypës. Nuk reagon asnjë institucion i shtetit, asnjë
organizëm i shoqërisë civile.
Shumë politikanë dhe
pushtetarë fëmijët e vet i shkollojnë jashtë vendit, në ShBA, në Britani të
Madhe, në Itali, në Gjermani dhe gjetkë. Fëmijëve të vet, djemve e vajzave,
rejave e dhëndurëve, nipave e mbesave u blejnë diploma universitare, tituj
akademikë, magjistratura dhe doktorata nëpër universitetet private të botës.
Shumë pushtetarë dhe pushtetarë kanë marrë tituj akademikë, magjistratura dhe
doktorata, pa pasur dituri të mjaftueshme. Shumë magjistratura dhe doktorata
kanë qenë plagjiatura.
Politikanë të etshëm për
pushtet, tepër ambiciozë, karrieristë të sëmurë, të pangopur, materialistë. Nuk
bëhet politika kombëtare pa idealizëm. Shqipëria apo Kosova nuk janë
mall babe i askujt. Privilegj i vetëm i të merituarve është të shënohen në
faqet e historisë. Asgjë më shumë se kaq. Dëshmorëve ndërkaq, t’u bëhet homazh
dhe t’u vihet mbi varre lule të freskëta.
A e ke parë? Sipas
kushtetutës amerikane, përpos në raste të veçanta, presidenti mund të qeverisë
jo më shumë se dy mandate. Në Ballkan ndërkaq, politikanët duan të qëndrojnë në
skenë me dekada, deri në vdekje. Turp! Absurde! Shumë politikanë shqiptarë të
trojeve ilire, s’mund ta paramendojnë veten jashtë skenës politike.
Në botën shqiptare, midis
qeveritarëve, në një anë dhe partive në opozitë, në anën tjetër, pothuajse s’ka
kurrfarë dallimi. Edhe opozitarët kanë qenë në pushtet dhe kanë qeverisur mbi
pesëmbëdhjetë vjet.
Në grupin e të korruptuarve
bëjnë pjesë: gjyqtarë, porotnikë, prokurorë publikë, avokatë, noterë,
dëshmitarët e rrejshëm. Nuk çelin gojë, as reagojnë Avokati i Popullit,
Komiteti i Helsinkit, organizmat e shoqërisë civile, të ashtuquajturat
institute të demokracisë. Të gjithë, për një janë të shitur dhe të blerë
katërçipërisht, janë në ushtën e pushtetit.
Krejt kjo nuk është as
komunizëm, as kapitalizëm, por gjysmë-barbarizëm. Ku ke parë ti
nxënësi të vijë në shkollë me thikë, me revole, boks hekuri, me shufër
metalike, me sende të forta. Ku jetojnë shqiptarët, në Evropë apo në ndonjë
kontinent tjetër të errët?!
* * *
Asnjë vend i Ballkanit
Perëndimor nuk është shtet ligjor. Bashkimi Evropian kontakton dhe komunikon me
këto vende të rajonit që nga viti 1991 e këndej. Atëherë shtrohet pyetja: “Përse
BE-ja nuk ia ka dalë t’i çojë vendet e Ballkanit Perëndimor drejt ndërtimit të
shtetit ligjor”? Në këtë mes, edhe Brukseli me infrastrukturën e vet po
del hipokrite, tartufiste dhe dyfytyrëshe. Kësaj i thonë diplomaci e mashtrimit.
Pushtetarët synojnë të
udhëheqin më shumë se udhëheqësit e regjimit komunist. Pesë dekada u duken pak.
Ata duan të qeverisin një shekull, me shekuj. Ata e quajnë veten të
pazëvendësueshëm. Ku është parë në historinë e botës të ketë pretendim për të
mbetur në skenë politikani i harxhuar, i konsumuar, i shpallur nga Departamenti
i Shtetit i padëshiruar, ndaj të cilit zhvillohet proces gjyqësor, i cili rizgjidhet
në krye të Partisë pa kundër-kandidat.
Filozofi dhe shkrimtari
ekzistencialist francez Zhan-Pol Sartrë (Jean-Paul
Sartre, 1905-1980) thotë: “Njeriu vetë
është fajtor për fatkeqësinë e vet”. Mos vallë shqiptarët vetë janë fajtorë
për fatkeqësinë e vet?! Mos vallë shqiptarët janë e keqja e vetvetes, siç
thoshte Faik Konica (1875-1942)?!
Në asnjë parlament të botës
nuk ndodh një kacafytje pambarim dhe me fjalë fyese si në kuvendin e
Shqipërisë. Ç’është kjo zënkë pambarim midis shumicës parlamentare dhe
opozitës?! Shteti që nuk është në gjendje të organizojë zgjedhje parlamentare
të drejta dhe demokratike, nuk e ka vendin në BE. E dhimbshme, e tmerrshëm,
rrëqethëse! Kush ua shuan shpresat bijve tanë, nipave dhe mbesave?! Ç’jaqnë
këta politikanë të papërgjegjshëm?! Deri kur në gjumë dimëror inteligjencia e
vendit të shqipeve?! Kusht për të ndërtuar shtet ligjor, shtetin e së drejtës,
shtet demokratik është zhvillimi ekonomi. Pa ekonomi, s’ka demokraci.
Demokracia pa ekonomi është utopi. E dimë se kush e vriste demokracinë pas
shpalljes së pavarësisë në Vlorën e vitit 1912. E dimë se kush e ndaloi me
Burrel dhe Spaç mendimin ndryshe në vitet 1944-1991. Po kush ia zuri frymën
lirisë së fjalës, mendimit ndryshe, procesit demokratik të viteve 1991-2026,
periudhë kjo e pluralizmit. Po bëhen gati katër dekada e Shqipëria vazhdon të
mbytet në ujërat e turbullta të tranzicionit. A thua deri kur?!
Në botën shqiptare mungon
mendimi kritik, mungon kritika politike, mungon kritika sociale. Në botën
shqiptare zotëron censura. Në botën shqiptare ka kuazi liri shtypi, liri e
rrejshme mendimi, liri fiktive e mendimit të lirë. Mediumet publike, private
dhe portalet kanë një detyrë - të
shpëlajnë trurin e publikut. Eksponentë të shpëlarjes së trurit janë argatët
dhe shërbëtorët e partive politike – analistët dhe intelektualët mediokër. Në
shumë anë takon edhe poetë dhe shkrimtarë mediokër.
Nuk udhëhiqet shteti me
politikën panem et circenses* (bukë
dhe argëtim). Nuk mbahet shteti dhe shtëpia me imoralitet, me muzikë
pornografike, me lakuriqësi, me reality show.
Shënim:
Panem
et circenses (bukë dhe cirk)
është një shprehje e famshme latine e popullarizuar nga satiriku romak Decim Junie Juvenal (Decimus Iunius
Iuvenalis, supozohet të ketë lindur në Akvin në vitin 60; ka vdekur në vitin
130) Denoncon strategjinë e sundimtarëve
që u ofronin njerëzve ushqim dhe argëtim për të blerë paqen e tyre dhe për
t'i shpërqendruar ata nga çështjet e vërteta politike. Prejardhja e
shprehjes: Nën Perandorinë Romake, plebenjtë
merrnin shpërndarje gruri falas dhe përfshiheshin në gara me qerre, në luftime
gladiatorësh. Juvenali kritikoi apatinë e bashkëkohësve
të tij, të cilët ishin të gatshëm të hiqnin dorë nga të drejtat dhe nga liria
qytetare e vet në këmbim të kënaqësive materiale të menjëhershme.
* * *
Kjo kategori njerëzish,
pushtetarë dhe shtetarë, deri dje kanë qenë sankylotë (sans-culotte),
d.m.th. të pabrekë Sot e kanë
shpallur veten elitë të shoqërisë. Janë shndërruar në borgjezi të kombit. Çdo
gjë është nën pushtetin e tyre – politika, ekonomia, bizneset, institucionet,
akademitë, universitetet, arsimi,
shëndetësia, kultura. Ata dhe familjarët e tyre i kanë në duar industrinë e
ndërtimeve, tenderët, importin e mallrave, eksportin e mallrave. Këtë kastë
udhëheqësish çdo ditë e sheh në mediume, në studio televizive, në gazeta, në
revista. Prej vitit 1991, këta të ashtuquajtur politikanë dhe politikane i sheh
në ekrane televizive. Këta udhëheqës dhe prijës, jo të popullit, por të kombit,
i kanë nën kontroll të hekurt mediumet, studiot televizive, radiot, portalet,
gazetat, revistat, shtëpitë botuese, analistët
politikë, krijuesit e opinioneve. Mediumet e sipërthëna, bashkë me analistët
politikë të cilët 36 vjet i sheh nëpër debate dhe tryeza të rrumbullakëta, janë
mercenarë
të politikanëve hajdutë, të udhëheqësve vjedhës, vjedhacakë. Mercenarë, argatë
dhe shërbëtorë të politikanëve, të shitur dhe të blerë katërçipërisht. Në
shërbim të prijësve perfidë të kombit janë edhe kalemxhinjtë, racë kjo e
kalbur e shoqërisë shqiptare. Argatë dhe shërbëtorë të udhëheqësve babëzi, për interesa meskinë, janë edhe
shumë intelektualë. Këta s’janë intelektualë. Këta janë pseudo-intelektualë,
gjysmë-intelektualë.
Intelektualë dhe politikanë
oportunistë, konformistë, puthadorë, demagogë, pseudo-kombëtarë, anacionalë. Këta
ta përkujtojnë shprehjen e famshme nga përralla “Mreti është lakuriq” të shkrimtarit danez Hans Kristian Andersen (Hans Christian Andersen,
1805-1875). Askush s’ka guxuar t’i thotë mbretit se s’ka tesha në trup, se
është lakuriq, i zhveshur. Të gjithë i kanë rënë në shpatull dhe i kanë thënë: “Shkëlqesi, s’ka si Ju. Jeni më i miri. Lumë
ne që të kemi.”
Shteti nuk udhëhiqet nga
mashtrues, nga tregtarë flamujsh, nga matrapazë, nga tyxharë, nga rufjanë, nga
materialistë. Materialist ka qenë filozofi gjerman me prejardhje hebraike Karl Marksi (Karl Marx, 1818-1883). Koha e tij ka perënduar. Tani e
tutje duhet t’i kushtojmë rëndësi shpirtit. Materializmi s’është veçse robërim
i shpirtit.
Para problemeve me të cilat
ballafaqohet bota shqiptare, i kanë mbyllur sytë dhe heshtin: inteligjencia,
intelektualët, Akademitë e shkencave, universitetet, akademikët, profesorët
universitarë, filozofët, sociologët, ekonomistët, shkrimtarët.
* * *
Borxhi i
jashtëm i Shqipërisë - Sipas
të dhënave të Bankës së Shqipërisë, stoku i borxhit të jashtëm bruto të
Shqipërisë shënoi vlerën 10,182.6
milionë euro në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2023, me një rritje
rreth 3.2%.
Kush
po i shpërngul sot shqiptarët nga trojet e veta?! – Para rreth një shekulli na
shpërngulte për në Anadolli historiani serb nga Bosnja dhe Hercegovina, Vasa Çubriloviq (1897-1990) me elaboratin e tij “Dëbimi i shqiptarëve”, Klubi kulturor
serb, Beograd, 1937. Elaborate për shpërnguljen e shqiptarëve ka hartuar edhe
shkrimtari serb nga Bosnja dhe Hercegovina Ivo
Andriq (1892-1975). Po sot, kush na shpërngul?! Në 16 vitet
e fundit kanë ikur nga Shqipëria 1 milion shqiptarë. Në vitet 2021-2024, leje qëndrimi në vendet e
BE-së kanë marrë mbi 230 mijë shqiptarë. Për të qenë
gjëma më e madhe, politikanët shqiptarë dhe ortakët e tyre nga radhët e
inteligjencies, ikjen e të rinjve nga trojet arbërore e marrin si çështje
normale dhe e quajnë “trend global”.
Ka njerëz me shkollë ky popull, apo ka mbetur pa ta?!
* * *
Kush e vrau
idealizmin shqiptar, kush po e shuan vetëdijen mbi prejardhjen ilire të bijve
të shqipes, kush po e shtyn rininë ta lë në harresë epokën zulmëmadhe të Gjergj Kastriotit (1405-1468), kush po
e shuan dritën e epokës së Rilindjes?!
Prej vitit 2021 deri në vitin
2024, 142,976 qytetarë të Kosovës u larguan drejt vendeve
perëndimore. Gjatë vitit 2024 Kosovën e lanë 37.451 banorë.
Kosova është vendi me të
ardhura më të ulëta për kokë banori në Evropë. Ikja
masive nga vendi ndodh kryesisht për dy arsye: për arsye të papunësisë dhe të kostos së jetesës. Në vitin 2010, në
Gjermani kanë jetuar 291 mijë
qytetarë me prejardhje nga Kosova. Vetëm 12 vite më pas, kjo shifër ka arritur
në 542 mijë. Brenda një dekade, kjo
paraqet një rritje prej 86 për qind.
* * *
Sikundër dihet, Kosova është
shembull i vendit për organizimin dhe për realizimin e zgjedhjeve të lira dhe
demokratike. Asnjë aksident, asnjë incident, asnjë ankesë nga asnjëra palë.
Rezultatet e zgjedhjeve shpallen dy orë pas përfundimit të procesit zgjedhor.
Në këtë pikëpamje, edhe BE-ja ia nxjerr kapelën dhe ia shtrin dorën Kosovës.
Klasa politike
e Kosovës duhet ta dijë se sa herë që të dalin në zgjedhje, do të rezultojë i
njëjti raport forcash. Partitë opozitare të Kosovës, si: PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja
dhe Nisma duhet të shkrihen në një subjekt politik. Ndryshe, kurrë s’kanë për
ta mundur Lëvizjen Vetëvendosje. Në anën tjetër, LVV-ja duhet të pranojë
kompromis. Ndryshe rrezikon të marrë tatëpjetën.
* * *
Në hapësirat
shqiptare, nëpërmjet shërbimeve sekrete të veta, synojnë të penetrohen, të
depërtojnë dhe të ushtrojnë ndikim shtete të ndryshme, si: Greqi, Serbia,
Rusia, Turqia, Irani, vendet arabe apo islamike etj. Shërbimet e huaja bëjnë
çmos për ta destabilizuar Shqipërinë dhe Kosovën, për ta parandaluar procesin e
integrimit në organizmat euroatlantikë. Greqia, Serbia, Rusia, Mali i Zi dhe
sllavo-maqedonasit nuk duan një botë shqiptare ekonomikisht të zhvilluar.
Shtetet e sipërthëna ndikojnë në mënyra të ndryshme. Çelin shkolla në trojet
shqiptare, themelojnë shoqata humanitare. Këto farë shoqatash, mund të jenë çdo
gjë por jo edhe humanitare.
Të
gjithë duhet ta dinë se shqiptarët janë popull evropian, populli më proamerikan
në botë. Shqiptarët i përkasin zonës perëndimore të interesit dhe sferës
perëndimore të ndikimit. Kombi shqiptar synon integrimin në Bashkimin Evropian
dhe në NATO.
* * *
Punësimi dhe përmirësimi i gjendjes ekonomik
është arsyeja kryesore që i shtyn shqiptarët të emigrojnë. Gjatë tranzicionit,
rritja ekonomike e vendit nuk është shpërndare në mënyrë të barabartë. Mungesa
e vendeve të punës me paga të denja, informaliteti i lartë në tregun e punës
dhe mungesa e sigurisë afatgjatë për profesionistët kanë qenë arsyet kryesore të
emigrimit. Paga mesatare në Shqipëri ka
mbetur shumë poshtë mesatares së BE-së dhe të rajonit, duke nxitur më tej
kërkesën për migrim ekonomik, drejt Italisë, Greqisë, Gjermanisë etj.
Faktori politik shqiptar në rajon, domethënë nënat parti, duhet të mos i fusin duart
dhe gishtërinjtë në çdo fushë të shoqërisë. Larg duart nga arsimi, nga
shëndetësia, nga administrata, nga policia, nga ushtria, nga diplomacia, nga
doganat etj. Politizimi dhe partizimi i institucioneve të shtetit nuk e çon
para as shtetin, as shoqërinë. Larg duart prej mediumeve publike. Shteti dhe
shoqëria shkojnë para kur në vendimmarrje respektohen vlerat profesionale dhe
etike.
Këta xhagajdurë duhet ta dinë se shtresat shoqërore relevante nuk
krijohen brenda natës. Borgjezia në Itali ka filluar të krijohet qysh në
shekullin XII.
Mosushqyerja e kafshëve
nëpër kopshtet zoologjike, keqtrajtimi i kafshëve “endacakë”, i qenve, i maceve
etj. Kafshë shtëpiake që digjen gjatë verës nëpër stalla e stane që përfshihen
prej flakëve.
Vërshime dhe përmbytje
lagjesh të qyteteve, përmbytje shtëpish, banesash, apartamentesh, tregtizash,
dyqanesh, qilarësh, punëtorish, vërshime dhe përmbytje arash, tokash të
punueshme, fusha të gjera me lule nën pushtetin e pamëshirshëm të valëve të
shfrenuara të ujit. Këto s’janë dot vetëm fatkeqësi natyre, janë edhe fatkeqësi
njerëzore, fatkeqësi të shkaktuara nga faktori njeri. Si pasojë e sa më sipër,
kemi zbrazjen e trojeve shqiptare, shpopullimin e Arbërisë. Shqipëria me dy
dete, nuk mund të jetë ndër vendet më të pazhvilluara të Evropës apo të
rajonit. Shqiptarët e lënë vendin, e në vend të tyre vijnë punëtorë nga Italia,
India, Filipinet, Turqia, Egjipti, Bangladeshi, Nepali etj. Në Shqipëri vijnë
për punë edhe shumë shqiptarë nga Kosova.
Shqipëria do të bëhet! Kosova, po ashtu!






