Vangjush Ziko: Mosha e poetit

12.10.2009, 07:39 PM (GMT+1)
Vangjush Ziko

MOSHA E POETIT
                   
Përparim Hysit

Mosh'e poetit dhe dashurisë
Janë të dyja që s'njohin thinjë.
Anakreonti i lashtësisë
Pasqyrën bëri cop'e thërrime.

Ç'duhet pasqyra për poetin!
Ç'duhet pasqyra për dashurinë!
Nuk plaket kurrë zemra e detit
Mbuluar dallgësh shkumbë e thinjë.

Pishës i mbeten halat e brishta,
Përjet'e veshur nga gjelbërimi.
Edhe në vitet pleqërishte
Mosh'e poetit ësht'frymëzimi,

Mosha e zemrës së dashuruar
Me jetën e me vdekjen bashkë.
Lexoni vargjet,që ka shkruar,
Vargjet,me thinjët e tij të ashpra.