Suzana Kuqi: Jemi në të njëjtën pikë gjaku, Kosovë
Jemi në të njëjtën pikë gjaku, Kosovë
Nga Suzana Kuqi
Nuk kisha parë ndonjëherë aq dëshpërim njerëzor të mbledhur bashkë. Një varg njerëzish të moshuar, gra e fëmijë në rrugët e qytetit. Duhej të ishte fillim i bukur pranvere, qielli ishte i pastër, por shkëlqimi i tij ishte zbehur në ata sy... Ishte grupi i parë i refugjatëve të luftës së Kosovës në qytetin tim... Refugjatë... aspak e drejtë kjo fjalë, kishin gjakun e kësaj toke...
Zemra mu ndrydh në krahëror. Edhe unë po përgatitesha të... ikja, të emigroja me familjen time. Do të mbart edhe unë këtë trishtim, pyeta veten. E largova këtë mendim, ishin larguar për të ruajtur atë që ishte më e shtrenjtë...jetën.
Njerëz të dëshpëruar e lajme akoma më të dëshpëruara. Në rradhët e postave, njerëz, zemra shtërnguar në morsën e ankthit që prisnin të flisnin e të merrnin një lajm. Dikush largohej me zemër të lehtësuar, dikush me ankthin e rritur, diku... ngasherima të mbytura ngritur nga shpirti e gishtërinj që mblidheshin mbi fytyrë e flokë në ngërçin e dhimbjes...
Ishte dita e pare dhe e fundit që i pashë ashtu, qyteti im hapi dyert e shtepive dhe u sistemuan. Ashtu siç ishte e drejtë, ishin vëllezërit tanë...
Punoja në degën e Tatim taksave të qytetit e zyrat tona ishin afër portit. Ditët në vazhdim pashë njerëz të ulur buzë trotuarit, motra e nëna që prisnin bijtë e vëllezërit e tyre që mblidheshin e vinin nga vendet e Europës. Vetëm pak minuta çmalljeje e pastaj... djem në lulen e rinisë merrnin rrugën e luftës...
-o-
Burrë e grua të moshuar me dy vajza të vogla, ishte familja që u strehua në shtëpinë time. Njëra ishte e vogël, nuk i kish ende të pesë vjetët, tjetra moshatare me bijën time, pak gjë mbi dhjetë vjetët. Ishte shumë e bukur, flokëverdhë e sykaltër, personifikim i pranverës... ndërsa pranvera nuk donte të vinte...
- Si të quajnë? - e pyeta duke i përkëdhelur faqen.
- Lule,- ma ktheu ajo duke buzëqeshur.
-
Mbesa ime,- foli burri e i bëri shenjë të largohej e vajza e bindur doli nga dhoma. Gruaja fshiu tinës një pikë loti që bëri rrugë ndën qerpikë.- Babai i saj është atje... për të luftuar, nusja nuk dëgjoi të largohet pa të. Ndërsa e vogla... - këtë rradhë loti bëri rrugë ndën qerpikun e tij,- ...djalin tjetër ma morën me burrat e fshatit dhe... U larguam... të shpëtojmë këta fëmijë...
-o-
Përgatita e servira kafene me duar te dridhura tek degjoja e gëlltitja me lotët e fshehur dëshpërimin,
dhimbjen për ata bij të vrarë që nuk mundnin t'ua respektonin as vdekjen sipas zakonit, të mos u dinin varret, atë absurditet të luftës që u çirrte zemrat e që për botën, për nje vit, kish qenë veç një statistikë me të cilën hapnin lajmet e ditës...
Nga dhoma tjetër dëgjova një të qeshur kumbuese. Ishte Lulja. Sytë e saj kishin shkëlqimin e munguar të qiellit të atyre ditëve.
- Të pëlqen këtu Lule?- i buzëqesha.
- Ah, sa bukur është këtu...- sytë e saj mu ngulën në shpirt,- këtu flitet kudo shqip, këtu gjithkush flet shqip...
- o -
U larguam pas dy ditësh, ndërsa ajo familje qëndroi në shtëpinë time disa muaj. Nuk u pamë më dhe nuk mora lajme prej tyre, nëse do të thuhej kështu. Sepse në fakt, çdo lajm për Kosovën, lidhej me ta, çdo lajm i mirë, çdo shpresë që ndizej, ishte për ta. Ndoqa në televizor festimet që filluan në mbrëmjen e gjashtëmbëdhjetë shkurtit, dhe pastaj shpalljen e pavarësisë më shtatëmbëdhjetë shkurt. Cdo vajzë e re në rrugët e Prizrenit, le të ishte sykaltër apo syzezë, për mua ishte... Lule... Krenohesha me ato bij e bija të gjakut tim. Ishte ajo krenari që ka bërë fole në zemrën, tokën, gjuhën e traditat tona, në atë pasuri të paçmueshme që shekujt me kuçedrat e tyre kanë dashur të na e mohojnë e të na e çrrënjosin për sa mban mend historia. Për sa mban mend historia... është diçka tjetër që ka kujtesë më të gjatë e më të saktë.
Dita e madhe e shpalljes se pavarësisë së Kosovës, e përvjetorët e saj, marrin shkëlqimin e syve të Lules e melodinë e zërit të saj. Marrin kuptimin e asaj gjëje të shenjtë e të pavdekshme, që dinë ta shprehin aq bukur në pafajësinë e tyre femijet, filizat, që do të sakrifikojnë prapë nëse do të jetë nevoja... Sepse e kemi në ADN e gjakut e të shpirtit që kur jemi krijuar. Sepse fjala është e para... e pranë saj është Zoti...
-Sa bukur, kur flitet shqip!
Sepse... jemi në të njëjtën pikë gjaku, në atë që është derdhur për liri e në atë që bën të rrahë zemrat tona, që thërret, që bën jehonë, me të cilën është shkruar e do të shkruhet historia dhe e bekuara gjuha jonë...









