Sabile Basha: Miti i “Kosovës së humbur” – historia, propaganda dhe politika e pretendimit territorial serb (4)
MITI I “KOSOVËS SË HUMBUR”- HISTORIA, PROPAGANDA DHE POLITIKA E PRETENDIMIT TERRITORIAL SERB (4)
Nga miti i humbjes te guximi për t’u përballur
me historinë

Në
këtë kuptim, analogjia me fuqitë e dikurshme koloniale evropiane bëhet
provokuese, por edhe politikisht domethënëse. Edhe Britania e Madhe dikur
sundonte territore të mëdha në Azi, Afrikë dhe pjesë të tjera të botës; edhe
Franca kishte një perandori të gjerë koloniale. Për dekada e shekuj,
administratat e tyre, ushtritë, ligjet dhe simbolet shtetërore ishin të
pranishme në territore shumë larg Londrës dhe Parisit. Mirëpo fakti se ato
territore ishin administruar prej tyre nuk do të thotë se ato ishin prona të
përjetshme britanike apo franceze. Kur popujt e kolonizuar fituan ose shpallën
pavarësinë, pyetja historike gradualisht ndryshoi: nuk ishte më vetëm “çfarë
humbi perandoria?”, por edhe me çfarë të drejte kishte sunduar perandoria mbi
ta?
Natyrisht,
rasti i Kosovës nuk është identik me kolonializmin tejdetar britanik apo
francez dhe historia duhet të ruhet nga analogjitë mekanike. Kosova dhe Serbia
kanë qenë pjesë e formacioneve të përbashkëta shtetërore ballkanike e
jugosllave dhe marrëdhënia e tyre ka një histori specifike juridike,
demografike dhe politike. Megjithatë, analogjia bëhet e dobishme kur shqyrtojmë
logjikën e pronësisë politike: bindjen se fakti që një shtet ka sunduar një
territor i jep atij të drejtën ta konsiderojë atë territor përgjithmonë “të
vetin”, ndërsa përfundimin e sundimit ta përjetojë si grabitje të një prone.
Nëse
sot dikush do të thoshte se Britania duhet ta rimarrë Indinë sepse dikur e
kishte sunduar, një pretendim i tillë do të dukej anakronik. Nëse Franca do ta
ndërtonte politikën e saj shtetërore mbi tezën se Algjeria është “tokë
franceze” vetëm sepse për më shumë se një shekull ishte nën sundimin francez,
Evropa do ta shihte një politikë të tillë si rikthim në një epokë që historia e
ka tejkaluar. Pikërisht sepse ndërkohë është kuptuar një parim themelor:
kohëzgjatja e sundimit nuk e shndërron automatikisht sundimin në pronësi të
përjetshme.
Dhe
pikërisht këtu duhet ta kthejmë vështrimin drejt Kosovës. Nëse Serbia thotë se
“e humbi Kosovën”, atëherë duhet pyetur se çfarë përmban kjo fjali. Nëse do të
thotë se humbi kontrollin politik dhe institucional mbi Kosovën, atëherë po
flasim për një fakt historik. Por nëse nënkuptohet se asaj iu mor një pronë
kombëtare që i takonte përgjithmonë, atëherë kemi kaluar nga historia në
ideologji. Sepse shtetet nuk zotërojnë popuj sikurse individët zotërojnë prona,
dhe kufijtë historikë nuk janë tapi që trashëgohen të pandryshuar nga Mesjeta
deri në shekullin XXI.
Në
këtë prizëm, mund të shtrohet edhe një pyetje tjetër, shumë më e parehatshme: a
ishte Kosova për politikën serbe në periudha të caktuara më shumë një territor
për t'u kontrolluar sesa një shoqëri qytetarësh që duhej të fitonin besimin e
shtetit? Sepse nëse një shtet e dëshiron territorin, por njëkohësisht e trajton
popullsinë e tij me diskriminim, represion ose përjashtim politik, atëherë ai
zbulon një kontradiktë të thellë: kërkon tokën, por nuk arrin të ndërtojë një
marrëdhënie të qëndrueshme me njerëzit që jetojnë mbi të.
Kjo
është pikërisht arsyeja pse përvoja e dekolonizimit mund të na shërbejë si
pasqyrë krahasuese. Fuqitë koloniale humbën jo vetëm territore; ato u detyruan
gradualisht të përballeshin me një ndryshim themelor të botëkuptimit politik.
Ajo që dikur paraqitej si madhështi perandorake, mision civilizues apo zgjerim
legjitim i fuqisë shtetërore, sot në shumë raste diskutohet edhe përmes
historisë së pushtimit, shfrytëzimit, racizmit, dhunës dhe mohimit të të
drejtave të popujve të sunduar.
Kjo
nuk do të thotë se Britania dhe Franca kanë arritur një konsensus të plotë
shoqëror mbi të kaluarën e tyre koloniale. Edhe atje vazhdojnë debatet,
nostalgjitë, relativizimet dhe përplasjet rreth monumenteve, muzeve,
përgjegjësisë historike dhe mënyrës se si duhet mësuar kolonializmi. Por
ekziston të paktën një hapësirë publike ku e kaluara koloniale mund të
shqyrtohet në mënyrë kritike dhe ku veprimet që dikur lavdëroheshin si triumfe
perandorake sot mund të shihen edhe si padrejtësi ndaj popujve të tjerë.
Dhe
këtu lind pyetja që duhet t'i drejtohet edhe Serbisë: kur do të vijë çasti që
humbja e kontrollit mbi Kosovën të mos interpretohet vetëm si tragjedi
kombëtare serbe, por të shoqërohet edhe me pyetjen se çfarë përjetuan
shqiptarët nën politikat e shtetit serb? Kur do të zhvendoset debati nga “çfarë
na bënë neve?” te “çfarë u bëmë edhe ne të tjerëve?” Sepse pikërisht kjo është
pika ku një shoqëri fillon të dalë nga miti dhe të hyjë në histori.
Të
ballafaqohesh me të kaluarën nuk do të thotë ta urresh popullin tënd dhe as ta
shpallësh atë fajtor kolektivisht. Përkundrazi, përgjegjësia historike bëhet
serioze vetëm atëherë kur ndahet populli nga regjimet, qytetari nga politika
shtetërore dhe brezi i sotëm nga veprimet e brezave të mëparshëm. Nuk ka arsye
që një individ i sotëm të bartë faj personal për një krim që nuk e ka kryer;
por një shoqëri demokratike ka përgjegjësi që krimin ta quajë krim,
diskriminimin diskriminim dhe represionin represion, pavarësisht se kush e ka
ushtruar.
Britania
nuk mund ta ndërtojë të ardhmen duke ëndërruar rikthimin e Indisë; Franca nuk
mund ta ndërtojë të ardhmen duke kërkuar rikthimin e Algjerisë. Ato mund të
debatojnë pafund për historinë e tyre, mund të krenohen me pjesë të saj dhe të
turpërohen për pjesë të tjera, por koha e perandorive nuk mund të rikthehet
duke refuzuar realitetin e popujve që fituan pavarësinë. Në të njëjtën mënyrë,
as Ballkani nuk mund ta ndërtojë paqen duke i mbajtur hartat e vjetra mbi
tavolinë dhe duke pritur momentin historik për t'i vizatuar përsëri kufijtë
sipas ëndrrave të së kaluarës.
Dhe
ndoshta pikërisht këtu gjendet dallimi ndërmjet humbjes së një territori dhe
përfundimit të një sundimi. E para të shtyn drejt nostalgjisë dhe dëshirës për
rikthim; e dyta të detyron të reflektosh mbi vetë natyrën e sundimit. Nëse thua
“më morën diçka që ishte e imja”, kërkon mënyrën për ta marrë përsëri. Por nëse
pyet “përse njerëzit mbi të cilët sundoja nuk dëshironin të jetonin nën
pushtetin tim?”, atëherë ke filluar një proces krejt tjetër — procesin e ballafaqimit
me historinë.
Prandaj,
ndoshta Serbia nuk duhet të vazhdojë të pyesë vetëm “Si e humbëm Kosovën?”.
Pyetja historikisht më e dobishme do të ishte: “Çfarë politikash ndoqëm në
Kosovë dhe çfarë bëmë që shqiptaret të mos e shihnin Serbinë si okupatore?”
Përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje është shumë më e dhimbshme se miti i një
territori të grabitur, por është edhe shumë më e dobishme për të ardhmen.
Sepse
pjekuria politike e një shteti nuk matet me aftësinë për t'i vajtuar pafund
territoret mbi të cilat dikur ka ushtruar pushtet, por edhe me guximin për ta
parë në sy historinë e vet. Ka një çast kur humbja duhet të pushojë së
prodhuari urrejtje dhe duhet të fillojë të prodhojë reflektim; kur nostalgjia
për sundimin duhet t'ia lërë vendin përgjegjësisë për atë që ka ndodhur gjatë
atij sundimi; dhe kur pyetja “çfarë humbëm?” duhet, më në fund, të pasohet nga
pyetja shumë më njerëzore dhe shumë më e vështirë: “çfarë u bëmë atyre që
jetonin nën pushtetin tonë?”
Vetëm
atëherë historia pushon së qeni armë për rikthimin e së kaluarës dhe bëhet
mësim për të mos e përsëritur atë. Duhet të ndihen keq, ose së paku të ndiejnë
peshën e përgjegjësisë historike, të gjithë ata politikanë, ideologë,
propagandues dhe përfaqësues institucionesh që, edhe në shekullin XXI, vazhdojnë
të trumbetojnë me një këmbëngulje pothuajse anakronike se Serbia “e paska
humbur Kosovën”, sikur të flisnin për një pronë familjare të humbur, për një
parcelë të grabitur apo për një pasuri që pret vetëm çastin e përshtatshëm për
t’iu kthyer pronarit të dikurshëm. Është shqetësuese që, pas gjithë përvojës
tragjike të shekullit XX, pas luftërave që e copëtuan ish-Jugosllavinë, pas
viktimave, dëbimeve dhe shkatërrimeve, ende ekziston një gjuhë politike që e
koncepton territorin përmes kategorive të posedimit dhe “rikthimit”, ndërsa
njerëzit që jetojnë në atë territor i vendos në plan të dytë.
Jo,
zotërinj të politikës serbe, problemi nuk është se Serbia “humbi” diçka që
duhet medoemos ta rifitojë; problemi është se një pjesë e politikës serbe
vazhdon ta interpretojë historinë përmes nocioneve të humbjes territoriale,
viktimizimit kombëtar dhe të drejtës së pretenduar për rikthim, në vend që ta
shqyrtojë edhe përgjegjësinë e politikave që e çuan marrëdhënien ndërmjet
shqiptarëve të Kosovës dhe Beogradit drejt një shkëputjeje kaq të thellë. Sepse
pyetja që duhet të shtrohet në shekullin XXI nuk është vetëm “kush na e mori
Kosovën?”, por si e kolonizuam atë?
Kjo
është pyetja nga e cila retorika nacionaliste përpiqet të ikë, sepse është
shumë më e lehtë të ndërtohet miti i viktimës sesa të analizohet përgjegjësia e
pushtetit. Është më e lehtë t'i thuhet një shoqërie se “na e morën Kosovën”
sesa t'i shpjegohet se si u okupua ajo dhe
se si u rrënua autonomia e saj, si u thellua diskriminimi dhe represioni
gjatë viteve nëntëdhjetë, si u zhvillua lufta dhe si përfundoi ai me dhunë
masive, dëbime dhe krime ndaj civilëve. Narrativa e humbjes kërkon një fajtor
jashtë vetes; ballafaqimi me historinë kërkon guximin për ta kërkuar një pjesë
të përgjegjësisë edhe brenda politikave të veta.
Prandaj,
kur në shekullin XXI dëgjojmë ende politikanë që flasin për Kosovën sikur të
ishte një plaçkë historike që Serbia e ka humbur dhe që një ditë duhet ta
rikthejë, nuk kemi të bëjmë thjesht me nostalgji. Kemi të bëjmë me mbijetesën e
një mënyre të rrezikshme të të menduarit politik, në të cilën territori
konsiderohet më i rëndësishëm se vullneti i njerëzve, miti më i rëndësishëm se
realiteti dhe kujtesa selektive më e rëndësishme se përgjegjësia historike.
Pikërisht nga një mendësi e tillë ushqehen pretendimet shoviniste dhe politikat
ekspansioniste: nga bindja se një hartë e së kaluarës mund të shndërrohet në
program politik të së ardhmes.
Bota
demokratike bashkëkohore, me gjithë kontradiktat dhe standardet e saj jo
gjithmonë të njëtrajtshme, është ndërtuar mbi një mësim të rëndësishëm të
shekullit XX: pretendimet territoriale të mbështetura mbi epërsinë etnike,
ndryshimin e kufijve përmes forcës, dëbimin e popullsive dhe mohimin e të
drejtave themelore nuk mund të jenë parime legjitime të rendit modern evropian.
Pikërisht për këtë arsye, gjuha politike që romantizon rikthimin territorial
dhe e trajton të kaluarën si një llogari të pambyllur duhet të shihet me
shqetësim, sidomos në një rajon që e ka paguar jashtëzakonisht shtrenjtë fuqinë
shkatërruese të nacionalizmit.
Evropa
e sotme, të paktën në parimet mbi të cilat pretendon se është ndërtuar, nuk
duhet të jetë Evropë e hartave etnike që presin të korrigjohen, por Evropë e
kufijve që humbin fuqinë për t'i ndarë njerëzit; jo Evropë e territoreve që
duhen “rikthyer”, por Evropë e bashkëpunimit ndërmjet shteteve; jo Evropë e
hakmarrjes historike, por Evropë e ballafaqimit me të kaluarën. Pikërisht këtu
qëndron dallimi ndërmjet një politike që jeton në shekullin XXI dhe një
politike që vazhdon të ecë me hartat dhe obsesionet e shekullit XIX.
Dhe
kjo duhet thënë qartë: kritika ndaj një politike të tillë nuk është kritikë
ndaj popullit serb. Popujt nuk mund të shpallen kolektivisht fajtorë për
ideologjitë dhe vendimet e pushteteve të tyre. Serbia ka qytetarë,
intelektualë, gazetarë, aktivistë dhe njerëz të zakonshëm që kanë kundërshtuar
nacionalizmin, luftën dhe krimet, shpesh duke paguar edhe një çmim personal për
këtë qëndrim. Pikërisht për këtë arsye duhet bërë dallimi ndërmjet Serbisë si
shoqëri dhe atyre rrymave politike që vazhdojnë ta ushqejnë shoqërinë me mitin
se e ardhmja e saj kombëtare varet nga rikthimi i një territori mbi të cilin
nuk ushtron më kontroll.
Turpi
politik, nëse duhet përdorur kjo fjalë, nuk qëndron te pranimi se një epokë ka
përfunduar. Përkundrazi, turpi do të ishte vazhdimi i glorifikimit të
politikave që prodhuan tragjedi dhe refuzimi për të mësuar prej tyre. Nuk është
dobësi të thuash se politika e dikurshme ishte e gabuar; është pjekuri
shtetërore. Nuk është tradhti kombëtare të pranosh vuajtjen që shteti yt ua ka
shkaktuar të tjerëve; është përgjegjësi morale. Dhe nuk është humbje dinjiteti
të heqësh dorë nga ëndrrat territoriale që rrezikojnë paqen; përkundrazi, kjo
është mënyra se si një shoqëri çlirohet nga pengjet e së kaluarës.
Prandaj,
jo, zotërinj të politikës që vazhdoni ta përdorni Kosovën si metaforë të një
plage që duhet hakmarrë apo të një prone që duhet rikthyer: Kosova nuk mund të
trajtohet si send i humbur në inventarin historik të Serbisë. Sepse pikërisht
orekset shoviniste dhe ekspansioniste e kanë bindur Ballkanin, herë pas here,
se kufijtë mund të korrigjohen me forcë, se territori mund të pastrohet nga
njerëzit që pengojnë projektin kombëtar dhe se historia mund të përdoret si
autorizim për pretendime të reja. Evropa e ka parë se ku çon kjo logjikë. Edhe
popujt e ish-Jugosllavisë e kanë parë. Varret, njerëzit e zhdukur, refugjatët
dhe qytetet e shkatërruara janë dëshmi shumë më të fuqishme sesa çdo fjalim
nacionalist për çmimin që paguhet kur miti territorial shndërrohet në program
shtetëror.
Në
shekullin XXI, madhështia e një shteti nuk duhet matur me numrin e territoreve
që pretendon se i ka pasur dikur, por me aftësinë për të krijuar paqe me
fqinjët, mirëqenie për qytetarët dhe besim për brezat që vijnë. Sepse në fund,
pyetja që historia do t'ua bëjë politikanëve të sotëm nuk do të jetë vetëm
“cilat territore pretenduat se ishin tuajat?”, por diçka shumë më të
rëndësishme: “çfarë bëtë që popujt tuaj të mos përjetonin edhe një herë
tragjeditë që prodhuan pretendimet territoriale të së kaluarës?” Dhe përgjigjja
ndaj kësaj pyetjeje do të jetë matësi i vërtetë i pjekurisë politike të secilit
prej tyre.
Është
mirë, madje do të thosha se është historikisht e domosdoshme, që Serbia dhe
sidomos ajo pjesë e klasës së saj politike që vazhdon të ushqehet me
nostalgjinë e territoreve, me mitet e së kaluarës dhe me idenë se historia mund
të përdoret si dokument pronësie, ta mësojë një nga mësimet më të thjeshta, por
njëkohësisht më të vështira të politikës: ajo që nuk të përket nuk bëhet e
jotja vetëm sepse ke arritur ta sundosh për një periudhë, ta kontrollosh me
forcën e shtetit, ta përfshish në hartën tënde apo ta shkruash në kushtetutën
tënde. Pushteti mund të krijojë kontroll, por kontrolli nuk është domosdoshmërisht
përkatësi; forca mund të imponojë administrim, por administrimi nuk prodhon
vetvetiu legjitimitet; ndërsa një hartë politike, sado gjatë të qëndrojë e
pandryshuar, nuk mund të shndërrohet në çertifikatë pronësie mbi historinë dhe
mbi njerëzit.
Ky
është një mësim që Evropa e ka paguar shumë shtrenjtë. Për shekuj të tërë,
mbretëri, perandori dhe shtete kanë besuar se ajo që kishin pushtuar ishte bërë
përgjithmonë e tyre. Kufijtë janë zgjeruar me luftëra, territoret janë
aneksuar, popullsitë janë sunduar kundër vullnetit të tyre dhe pastaj, pas disa
dekadash, sundimi është paraqitur si argument historik për pronësi. Pikërisht
kështu lind rrethi vicioz i pretendimeve territoriale: pushtimi prodhon
sundimin, sundimi me kalimin e kohës shpallet traditë, tradita shpallet e
drejtë historike dhe, kur kontrolli përfundon, humbja e pushtetit paraqitet si
padrejtësi kombëtare.
Prandaj
është kaq e rëndësishme që edhe politika serbe ta ndajë përfundimisht nocionin
e “asaj që kam sunduar” nga nocioni i “asaj që është e imja”. Ndërmjet këtyre
dy formulimeve ekziston një dallim i tërë civilizues. Historia njeh shumë
territore që janë sunduar nga shtete të ndryshme; sikur çdo sundim i dikurshëm
të krijonte një të drejtë të përjetshme pronësie, bota e sotme do të ishte një
fushë e pafundme pretendimesh dhe luftërash. Secili shtet do të hapte hartat e
shekujve të kaluar dhe do të kërkonte atë që dikur e kishte kontrolluar, ndërsa
paqja ndërkombëtare do të bëhej e pamundur.
Pikërisht
për këtë arsye, sa më herët që një pjesë e politikës serbe ta kuptojë se Kosova
nuk mund të trajtohet si një pronë e humbur që pret të rikthehet, aq më e lehtë
do të bëhet jo vetëm marrëdhënia e saj me Kosovën, por edhe marrëdhënia e
Serbisë me vetveten. Sepse ekziston edhe një lodhje e madhe shpirtërore dhe
politike në mbajtjen gjallë të një humbjeje të përhershme. Kur një shoqërie i
thuhet brez pas brezi se asaj i është marrë diçka e shenjtë, se një padrejtësi
historike pret ende të korrigjohet dhe se misioni kombëtar mbetet i papërfunduar,
ajo shoqëri mbahet vazhdimisht në një gjendje frustrimi, pritjeje dhe
pakënaqësie.
Dhe
kjo është ndoshta një nga pasojat më pak të diskutuara të nacionalizmit
territorial: ai nuk e burgos vetëm tjetrin në pretendimet e veta, por
përfundimisht e burgos edhe shoqërinë që e prodhon atë. E detyron të jetojë me
sytë nga e kaluara, të numërojë humbjet historike, të ushqejë plagët dhe të
presë një moment imagjinar kur historia do të kthehet prapa dhe do t'i
korrigjojë kufijtë sipas dëshirave të saj. Ndërkohë kalojnë brezat, ndryshon
bota dhe humbet energjia që mund të ishte përdorur për zhvillim, arsim,
ekonomi, demokraci dhe mirëqenie.
Prandaj,
sa më herët ta pranojë Serbia se e ardhmja nuk ndërtohet duke kërkuar rikthimin
e së kaluarës, aq më e qetë do të mund të bëhej edhe politikisht, edhe
shpirtërisht. Jo sepse historia duhet harruar — përkundrazi, historia duhet
studiuar me kujdes — por sepse ekziston një dallim i madh ndërmjet kujtesës dhe
pengmarrjes nga kujtesa. Një popull mund ta kujtojë të kaluarën e vet pa qenë i
detyruar ta rikrijojë atë. Mund t'i ruajë monumentet, traditat dhe vendet e
rëndësishme për identitetin e tij pa pretenduar se për këtë arsye duhet të
ushtrojë sovranitet mbi territorin ku ato ndodhen.
Dhe
ndoshta këtu duhet kërkuar edhe një formë tjetër e patriotizmit serb: jo
patriotizmi që mat dashurinë ndaj Serbisë me refuzimin e Kosovës, por ai që
guxon t'i thotë popullit të vet se një shtet nuk bëhet më i madh duke mbetur
peng i hartave të vjetra. Ndonjëherë akti më patriotik është pikërisht çlirimi
i kombit nga një mit që e pengon të ecë përpara.
Prandaj
mesazhi duhet të jetë i thjeshtë, por politikisht i qartë: ajo që është marrë
me forcë nuk bëhet e jotja vetëm nga kalimi i kohës; ajo që ke sunduar nuk
bëhet automatikisht pronë e përjetshme; dhe ajo që historia e ka ndryshuar nuk
mund të rikthehet pafundësisht në tryezën e politikës përmes kërcënimeve,
nostalgjisë apo mitologjisë kombëtare. Sa më herët të kuptohet ky parim, aq më
pak energji do të harxhohet duke luftuar me një realitet që nuk mund të zhbëhet
vetëm me retorikë.
Në
fund, pranimi i realitetit nuk duhet parë si poshtërim. Mund të jetë çlirim.
Çlirim nga obsesioni territorial, nga retorika e humbjes, nga nevoja për të
edukuar çdo brez me idenë se ka një llogari historike që duhet larë dhe nga
frika se pa Kosovën Serbia qenka më pak Serbi. Dy shoqëritë mund ta njohin
historinë e ndërlikuar që i lidh, pa qenë të dënuara të mbeten robër të saj.
Sepse
paqja e vërtetë fillon pikërisht në çastin kur njeriu, shoqëria dhe shteti pushojnë
së kërkuari atë që e konsiderojnë të humbur dhe fillojnë të ndërtojnë atë që
ende mund të fitohet: besimin, fqinjësinë, zhvillimin, sigurinë dhe të ardhmen.
Dhe ndoshta pikërisht atëherë, kur politika serbe të mos e shohë më Kosovën si
një pronë që pret rikthimin, por si një realitet me të cilin duhet ndërtuar një
marrëdhënie paqësore, do të vijë edhe ajo qetësi politike, shpirtërore dhe
emocionale që nacionalizmi i mbajtur gjallë për dekada ua ka mohuar të dyja
shteteve.
Fund


