Promovohet në Zürich libri "Arti Konceptual në Kosovë 2000–2025"

1h më parë


Dje, në ambientet e Pestalozzi Bibliothek në Zürich, u promovua libri "Arti Konceptual në Kosovë 2000–2025" nga Prof. Dr. Ilir Muharremi, një botim i rëndësishëm që trajton zhvillimin, historinë dhe ndikimin e artit konceptual në Kosovë gjatë periudhës 2000–2025.

Ky promovim mblodhi artistë, studiues, dashamirë të artit dhe pjesëtarë të komunitetit shqiptar në Zvicër, duke krijuar një atmosferë të veçantë kulturore dhe artistike. Libri sjell për herë të parë një dokumentim të gjerë dhe të strukturuar të artit konceptual në Kosovë, duke përfshirë artistë, projekte, ekspozita dhe zhvillime të rëndësishme të skenës bashkëkohore.

Për librin foli artisti me famë botërore Sislej Xhafa, i cili e cilësoi botimin si "libri i parë dhe më i veçantë për artin konceptual në Kosovë". Ai theksoi se kjo është një arritje shumë e rëndësishme e autorit dhe se libri do të shërbejë si referencë kryesore për artin konceptual në Kosovë dhe për studiuesit e artit bashkëkohor shqiptar.

Autori i librit, Prof. Dr. Ilir Muharremi, u shpreh:

"Kënaqësi e veçantë të prezantoj librin tim para publikut të Cyrihut. Deri para botimit të këtij libri, materialet për artistët kanë qenë të shpërndara nëpër katalogë. Tashmë i kemi të përmbledhura në një libër."

Paneli u udhëhoq nga artisti Kushtrim Syljemani, i cili lexoi biografinë e autorit dhe foli për rëndësinë e librit në dokumentimin dhe studimin e artit bashkëkohor në Kosovë.

Pas promovimit u zhvillua edhe një debat dhe bashkëbisedim me publikun, ku të pranishmit parashtruan pyetje për Sislej Xhafën dhe Prof. Dr. Ilir Muharremin lidhur me zhvillimin e artit konceptual, sfidat e artistëve në Kosovë, si dhe rëndësinë e dokumentimit të artit bashkëkohor shqiptar. Diskutimi u përcoll me interes të madh nga publiku dhe krijoi një dialog të hapur artistik e kulturor.